Quantcast
Channel: Libra/Poezi – Portalb
Viewing all 625 articles
Browse latest View live

Duke shfletuar veprat e Zija Çelës

$
0
0

Në një koment t’imin të shkrimtarit Kim Mehmeti, kur e citova Zija Çelën,  një student më ktheu përgjigjen: “Kush është Zija Çela?”

Kjo më çoi të mendohem për rininë tonë, sa lexon? Çka lexon? A ndan pak kohë për argëtimin e mendjes dhe pushimin e trupit?!

Zija Çela
Zija Çela

Prandaj, vendosa me pak fjalë të jap një pasqyrë të shkurtë për këtë mjeshtër të artit të fjalës dhe gjuetarit të mirëfilltë të veseve dhe virtyteve tona.

Zija Çela, Shkodran (i lindur në qytetin e Mjedës, Migjenit, Koliqit, Fishtës e një varg shkrimtarësh që historia e letërsisë sonë i ka në maje të kultit), gazetar, mësues, tregimtar, novelist romansier një emër i një shkrimtari mendjedritur  aq produktiv e aq pak i njohur këtu në Maqedoninë e Veriut, në vazhdimësi na del me vepra të papërsëritshme, tregime e romane që njëherë lexohen, pastaj ndjehen thellë në shpirt, e nuk të lënë të qetë, por të çojnë të mendosh, se sikur  ky  shkrimtar  ka qenë këtu në mesin tonë, dhe duke  lexuar…po,  unë e shoh jo vetëm qytetin tim , por edhe njerëzit, fjalët e punët dhe e dëgjoj si thotë “…e ndiej se shkallëve të hierarkisë gjëmon korri servil, dhe si njerëzorja nuk ka më vlerë, kur baltë bëhet dinjiteti dhe nderi qenërisht hidhet në erë…”

Citati i mësipërm është një prej tregimeve të këtij shkrimtari shumë të njohur të nënqiellit tonë shqiptar, Zija Çelës, në veprën e tij të fundit, “Thika pa Gjak”. Vepra ndahet në tri pjesë: “Perpetum”,” “Mobile” dhe “Horoskop” dhe secila nga ato ngërthen tregime në vete.

Pjesa e tretë, “Horoskopi”, ngërthen në vete 12 tregime. Këta shfaqin pamjet panoramike, provizore, që shkrimtari na i shpalos me një art mjeshtror, duke i parë gjithë ato trazime shpirtërore para sysh, që shtiremi që s’i shohim, ose e mbyllim njërin sy e vesh.

Këtu, njeriu i dashuruar klith duke mos mund ta ndalë vllugun e ndjenjës ndaj të dashurës që nuk e ka pranë dhe del “Stuhi stuhi…Ja Vdekje, ja Dashuri”.

Ajo dritë prafulluese e dashurisë…”shëëët, mos u shqetëso”… dhe ajo aq njerëzorja, që ne dimë se në vijë të normales është mirë por shpesh e tejkalon traektoren e vet – Xhelozia në “Hakmarrja”. Konvencionaliteti na bën të bëhemi sy e vesh “Bashkë kurrë e kurrë”, të vuajmë e të ngjizemi me murin duke mos pasur guxim në jetë, atë e merr në vdekje…eh… “Chat me sy”… shpesh pyetemi përse Zoti i plotëfuqishëm na i dhuroi shqisat…e me to edhe djallin Mefiston, që do apo  s’do e bën njeriun më të mirë të gabojë…ndonëse “Një grua”…jo vetëm Petrarka e Dante që e kaloi Ferrin dhe këtu nuk ndalet ai…vazhdon, Purgatorin e Parajsën…për një grua Beatriçen…e sa e sa autorë që jetuan, vepruan dhe deri në fundjetë e kishin një grua, pasqyrë të shpirtit të vet …dhe këtu nuk e mbaron rëfimin, jo ai në veprat e tjera me tregime, si “Princi i Buzëqeshjes”, e “Jari Kaçinari” dhe buzëqeshja si një porosi e mirësisë universale për njerëzimin. “Pikë Drite në Eklips, “Buza e  Kuqe” dhe “Gjaku i Errët”.

Veprat e Zija Çelës
Veprat e Zija Çelës

Duke i shfletuar këto tregime paraqitet një shkrimtar që bënte luftë me të keqen që e kaplon njeriun në përditshmërinë tonë, dashuria e tij për mirësi, por edhe një fshikullim të forte kamxhiku në ndërgjegjen e fajtorit. Ai kritikon, rreh , gjuan, por nuk e vret mëkatarin. Këtë e shohim në romanet e tij që i kam përpirë benda natës. Lexo e mendo: “Vallë kështu qenka bota që më rrethon e unë asgjë nuk shoh dhe nuk di?!”

Syri i mprehtë i shkrimtarit, parakalon nëpër hierarkinë e kategorive sociale, poltike e morale të shoqërisë shqiptare anë e mbanë kufirit, nëpër institucionet e ndryshme shtetërore duke ironizuar e satirizuar thekshëm gabimet e qëllimshme dhe të interesit personal të shumë e shumë personazheve burra e gra, duke i personalizuar e goditur drejt në fëtyrën e nënvetëdijes së tyre.

Kështu duke e shfletuar romanin “Djalli Komik” lexoj: “…Se di. Po bota u bë kaq e keqe, sa zoçkat hanë aty ku nuk guxojnë shqipet. Që çdo horr u bë këtu fisnik, shumë fisnikë janë bërë horra. Ofiqe e zyra ndahen për fisnikë, të cilëve deri dje s’u dihej fara…”

Romani ”Djalli Komik” nis me paraqitjen e qytetit Horketë, personazhët kryesorë Aranit Lumbardi “mbreti” i qytetit, e shoqja Ledi Sara, Çeshku, At Kurjeli, Danieli(Jajuba),  Doktor Karapici, Edori…e një varg të tjerë që e bëjnë këtë vepër të lexohet pa frymë.

“Përmes karakteresh të individualizuara, të besueshme e të prekshme njëherësh…Zija Çela vjen me këtë roman ku përfshihet realiteti moral, psikik, shpirtëror, dramatik e grotesk i Shqipërisë, por edhe ai i Evropës e më gjërë…një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë”, Rudolf Marku

Zija Çela në romanin tjetër të tij “Arkipelagu Spiritus”, siç thotë edhe vet se është më voluminozi e më kompleksi , sepse kemi të bëjmë sipas meje, me një qytet që mund të jetë Gjakova, Tirana , Durësi, Shkupi, Tetova  e Prishtina, sa real po aq imagjinar. Këtu udhëtojmë në një “anije” nëpër historinë e së kaluarës, duke qenë në të tashmen, rrotullohemi përqark vetes sonë duke u munduar ta shpëtojmë shpirtin e qytetit të  Lavidanit, por a mundemi vallë ta shpëtojmë?

“….në një vend ku disa mbjellin e disa vrapojnë për ta ngrënë farën, ka rrezik mos të mbijë asgjë. Por edhe nëse mbin, në krahasim me kallirin plot, boshi e çon kokën më përpjetë”.

Në romanin tjetër të Zija Çelës “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” (Kthimi I Barbarëve),

Autori në fillim të veprës thotë: “Nëse ky titull ju tremb, po ju ftoj të gjeni vet një tjetër por pas leximit të librit”. Ndërsa, kritiku Mehmet Kraja nënvizon “I mbindërtuar në një realitet që autori e njeh fort mirë, në këtë “Apokalips” i bëhet gjëma Tiranës njerëzore, Tiranës intelektuale, Tiranës politike, Tiranës mikroborgjeze, Tiranës provinciale dhe hipokrite…të vërtetat e një shoqërie, vinë si të vërteta universale”.

Autorin e shohim vazhdimisht teksa ngjitet mundimshëm, e shohim t’u afrohet honeve të frikshme, e shohim të zbresë tek të vdekurit, për t’i sjellë te të gjallët, ose ato që mendojnë se janë të gjallë. Mjafton ta përkujtojmë  romanin “Las Varrezas”.

Në veprat letrare të Zija Çelës imazhi i krijimit të një letërsie transparente ku e lidh jeta, realiteti që e rrethon autorin që mbart në vete dy prirjet e egzistencës, të mirën dhe të keqen. Përballja e shkrimtarit me këto prirje, edhe në situatë kur duke e pamundur, ai e bën të mundur edhepse ndonjëherë është aq reale dhe fatkeqe.

Zija Çela ky gjeni i letrave shqipe, në romanin fantastik “Goja e Botës” shfaq qytetin  Fifarë së ndarë, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni (trojet tona), ndërsa në romanin e fundit “Lavjerësi i Qytetit”, një roman që parashikon një të ardhme shumë të zymtë (të ndershmit përzihen me të të pandershmit, dhe vlerat morale këmbehen me pasione të ulëta duke i humbur krejt virtytet …), e “Ora e Zooparkut (aty ku në vend të kafshëve të egra brenda në kafaz janë njerëzit sipas funksioneve të tyre veshur me lëkurë të kafshëve një ambent aq qesharak e aq i trishtë)…dhe unë si  një lexuese bëj një pyetje: “vallë, ku shkoi Etika? Morali? Autori edhe sa do të na mbajë në grep si peshkun në ujë,ne lexuesit, që here mbushemi me frymë e here mbetemi pa te?!.”

Zija Çela, krijues i një letërsie transparente ku e lidh  për vete lexuesin, e kontakton dhe e dëgjon, prandaj ky shkrimtar që ngjitet deri në majet e modernes me fjalën, këshillën, qortimin e së pari të atyre që i sheh me gojë plot them, se kush e lexon njëherë një vepër të këtij autori madhështor…do ta ndjejë veten të nderuar, të privilegjuar e të  lumtur, sepse një herë lexohet përherë kujtohet.

Nonda Bulka ka një vepër që titullohet “Si thumba pa helm”, ndërsa vepra letrare e Zija Çelës, mund të titullohet “Si thumba me helm” që mund t’i gjehet kundërhelmi.


“Viktimat e monizmit” – pasqyrë tronditëse e kalvarit shqiptar (ribotim)

$
0
0

Dëshmi tronditëse për dhunën ndaj shqiptarëve të boshtit të krimit Shkup-Beograd-Titograd, në periudhën e viteve 1981-1990. Inteligjencia shqiptare në Maqedoni u akuzua për nacionalizëm, irredentizëm dhe separatizëm. U akuzua se punon kundër vëllazërim-bashkimit, kundër rendit kushtetues, kundër politikës së Lidhjes së Komunistëve. Ajo u akuzua se vepron për shkatërrimin e Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ-së), për bashkim me Shqipërinë dhe për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shkollat shqipe u shpallën bastione të ideologjisë shqiptaromadhe.

Ndaj intelektualëve u zbatuan masa ndëshkuese drakonike:

– u diferencuan politikisht dhe ideologjikisht; shumë prej tyre u dëbuan nga puna dhe u flakën në rrugë;

– u morën në biseda informative;

– për ta ndaluar arsimimin në gjuhën shqipe, u krijuan të ashtuquajturat paralele të përziera;

– u nxorën do ligje, sipas të cilave ditarët nëpër shkolla duhej të plotësoheshin në gjuhën sllavo-maqedonase;

– u ndalua pagëzimi i foshnjave të porsalindura me emra të gurës shqiptare dhe ilire;

– nga repertorët e stacioneve radio-televizive u flakën këngët me motive atdhetare;

– nga bibliotekat e shkollave, nga ato publike, përkatësisht private u sekuestruan librat që ishin botuar në Shqipëri;

– nëpër dasma u ndalua ekzekutimi i këngëve me përmbajtje atdhetare;

– personat që merrnin pjesë nëpër dasmat në të cilat këndoheshin këngë patriotike – u dënuan;

– u dëbuan nga puna intelektualët që ishin shkolluar në Universitetin e Prishtinës;

– me buldozerë u prishën muret e shtëpive dhe u prenë dyert e shtëpive – si në kohën e Çubrilloviqit;

– nga plan-programet arsimore u hoqën njësitë mësimore që ndikonin në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të nxënësve;

– pronarët e tregtizave që mbanin emërtime shqiptare ishin nën syrvejim permanent;

– policia e armatosur deri në dhëmbë i mbyllte shtëpitë e mallrave dhe me shkopinj gome rrihte popullsinë civile të mbyllur në to;

– arrestoheshin demonstruesit; torturoheshin të burgosurit; montoheshin procese gjyqësore; shqiptoheshin dënime drakonike.

Duart e zeza të shërbimit sekret sllav shtriheshin kudo. Shteti policor përcillte dhe syrvejonte çdokënd. Shqiptarët ndodheshin në shtetrrethim. Syri i Vëllait të Madh të ndiqte në çdo hap. Kjo të kujtonte skenat e Xhorxh Oruellit. Shovinistët sllavo-maqedonas, këta lakej të Beogradit, të ushqyer me ideologji bolshevike, staliniste, kominterniste dhe pansllaviste, zbatuan ndaj shqiptarëve metoda bizantine të dhunës.

Intelektualët shqiptarë që përmenden në librin “Viktimat e monizmit” të autorit Ismail Arsllani, ishin në krye të përgjegjësisë historike. Në luftën e tyre – historikisht të justifikueshme – për të drejta, barazi, liri dhe demokraci, ata nuk u hamendën në asnjë çast.

Jugosllavia, për shkatërrimin e së cilës u akuzuan, më në fund u shemb. Kosova fitoi lirinë, ndërsa shqiptarët në viset e tjera, vazhduan rrugën drejt ditës së re.

Politikës unitariste, monoetnike, centraliste, etatiste, diskriminuese, restriktive dhe opresive po i vinte fundi.

Përballë kësaj dhune irracionale, inteligjencia shqiptare në Maqedoni, si një mal i vetmuar, e patundur qëndroi.

*   *   *

Në librin “Viktimat e monizmit” të Ismail Arsllanit, pasqyrohet njëra nga periudhat më të rënda të popullit shqiptar në Maqedoni. Protestat masive të shqiptarëve në Kosovë, në mars dhe në prill të vitit 1981, sipas shumë studiuesve të zhvillimeve politike në Jugosllavi, paraqesin fillimin e shpërbërjes së amalgamës jugosllave. Protestat e sipërthëna do t’u shërbejnë pushtetarëve maqedonas si pretekst për të ushtruar dhunë mbi shqiptarët.

Pas vitit 1981, qarqet shoviniste sllave, kundër shqiptarëve në Jugosllavi do të ndërmarrin një fushatë, deri atëherë të paparë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo fushatë antishqiptare do të zhvillohet shkallë-shkallë dhe do të arrijë kulmin kah mesi i viteve ’80 të shekullit XX, kur akademikët serbë publikuan Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, që doli në Beograd në janar të vitit 1986, si një libër anonim.

Pas publikimit të këtij Memorandumi famëkeq që u quajt nekrolog i Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ), politika antishqiptare u intensifikua. Boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd u shpalli shqiptarëve luftë speciale, d.m.th. luftë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, luftë kundër separatizmit shqiptar dhe luftë kundër secesionizmit shqiptar.

Sipas boshtit antishqiptar të lartpërmendur, shqiptarët në Jugosllavi luftojnë për Shqipëri të madhe. Sipas këtij boshti të krimit, shqiptarët janë: kundër Jugosllavisë, kundër tërësisë tokësore të saj, kundër vëllazërim-bashkimit, kundër politikës dhe ideologjisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, kundër Armatës Popullore Jugosllave, kundër fryteve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, kundër figurës së Josip Broz Titos.

Në këtë periudhë të rëndë për shqiptarët në Jugosllavi, e sidomos në Maqedoni, kundër shqiptarëve u angazhuan institucionet dhe organet e shtetit, si: Lidhja e Komunistëve, krerët politikë, qarqet ushtarake, organet e policisë, shërbimet sekrete, institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë, qarqet universitare dhe kleri ortodoks.

Në këtë dance macabre u përfshinë edhe mediumet, e sidomos shtypi i Beogradit, me propagandën e tij gebelsiane. Si përbindësh kundër shqiptarëve u ngritën edhe filialet në Shkup – të institucioneve të sipërthëna. Shqiptarët u shpallën trup i huaj në Jugosllavi.

Lufta kundër shqiptarëve, në të vërtetë ishte synim i serbëve për të sendërtuar ëndrrën historike për një Serbi të madhe. Me një fjalë, duke realizuar idenë garashaniniste, të rimëkëmbet perandoria mesjetare e car Dushanit.

Për këtë arsye u ndërmorën masa që të ndryshohet Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, sipas së cilës Kosova ishte element konstitutiv i Federatës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni gëzonin statusin e popullit shtetformues. Me ndryshime kushtetuese, do të duhej të shembej shteti federal dhe do të ndërtohej një Jugosllavi unitariste, centraliste dhe etatiste.

Rrjedhimisht, edhe Maqedonia do të shndërrohej në një republikë unitare, monoetnike dhe centraliste. Pas kësaj histerie kundërshqiptare, Kosovës do të duhej t’i suprimohej autonomia, ndërsa shqiptarët në Maqedoni do të shndërroheshin në minoritet të papërfillshëm. Me fjalë të tjera, duhej të rrënohej statusi juridik dhe politik i shqiptarëve.

Në rrethana të tilla, pozita e shqiptarëve në Jugosllavi, në veçanti e shqiptarëve në Maqedoni do të ishte e njëjtë si në kohën e Mbretërisë Jugosllave, të mbiquajtur burg i popujve. Për shqiptarët, duhej të rikthehej periudha famëkeqe e karagjorgjeviqëve, e Nikolla Pashiqit dhe e Aleksandër Rankoviqit.

Antishqiptarizmi i periudhës së viteve 1981-1990 në trojet etnike shqiptare në Jugosllavi ishte politikë e shtetit. Boshti antishqiptar i krimit, Shkup-Beograd-Titograd, në periudhën e viteve 1981-1990 ushtroi mbi shqiptarët gjenocid. U sajua një i ashtuquajtur diferencim ideopolitik, si hap i parë për t’i dëbuar shqiptarët nga puna. për t’i disiplinuar dhe për t’i pacifikuar shqiptarët, sllavët morën masa të rrepta policore dhe gjyqësore. Ndaj shqiptarëve do të ndiqet politikë diskriminuese, politikë restriktive dhe politikë represive. Opresioni ishte pjesë e pandarë e kësaj strategjie. Me shqiptarët do të merren gjyqtarët, policët, hetuesit, dëshmitarët e rrejshëm dhe gardianët. Shqiptarët do të arrestohen, do t’i nënshtrohen hetuesisë, do të torturohen dhe do të dënohen me dënime drakonike.

Në periudhën e viteve 1981-1990, politika irracionale dhe destruktive e boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd, ringjalli ideologjinë retrograde dhe anakronike, hegjemoniste dhe ekspansioniste të Ilija Garashaninit dhe të akademikut Vasa Çubrilloviq.

Sipas një interpretimi të “Naçertanies” nga radikalët serbë, shqiptarët duhet të dëbohen përtej Bjeshkëve të Nemuna. Ndërkaq, elaborati famëkeq i Çubrilloviqit duhej të zbatohej me përpikëri, në mënyrë që shqiptarët të detyrohen t’i braktisin trojet stërgjyshore. E tërë kjo do të ishte në funksion të pastrimit etnik të trojeve shqiptare. Maqedonia, kjo kreaturë serbokomuniste dhe kominterniste, në vitet 1981-1990 ishte shndërruar në instrument të verbët të Beogradit për denigrimin dhe përndjekjen e shqiptarëve.

Autori i librit “Viktimat e monizmit” – Ismail Arsllani, dëshmon me argumente dhe në mënyrë rrëqethëse për ngjarjet dramatike të viteve 1981-1990, nëpër të cilat kalon populli shqiptar në Maqedoni. Do të sulmohen me egërsi dhe në mënyrë barbare: gjuha shqipe, kultura shqiptare, kënga shqipe dhe folklori shqiptar. Do të vihen në shënjestër: arsimi shqiptar dhe plan-programet mësimore. Shkolla shqipe do të shpallet bastion i nacionalizmit dhe i irredentizmit shqiptar. Partia komuniste sllavo-maqedonase do të japë direktiva që nga repertori i këngëve nëpër dasmat shqiptare, të hiqen këngët që cilësohen si nacionaliste. Nëpërmjet të ashtuquajturave paralele të përziera, synohej të ndalohej arsimi shqiptar. Shovinistët sllavo-maqedonas e ndaluan pagëzimin e fëmijëve shqiptarëve me emra shqip, si Ilir, Shkodran, Berat, Sarandë, Shqipe, Adriatik…

Me fjalë të tjera, foshnjat shqiptare nuk mund të emërtoheshin sipas onomastikës iliro-shqiptare. Emrat toponomastikë si Tetovë, Dibër, Kërçovë, Kumanovë, Shkup, Manastir etj, duhej të shqiptoheshin sipas shqiptimit sllav. Format e gjenocidit mbi shqiptarët ishin të shumta. Pjesë e trysnisë ishte edhe prishja e mureve të shtëpive. Shovinistët serbë dhe sllavo-maqedonas krijuan edhe index librorum prohibitorum.

Me një fjalë, librat që cilësoheshin se posedojnë përmbajtje nacionaliste, u flakën nga bibliotekat dhe u futën nëpër bodrume që të myken. Intelektualët syrvejoheshin, ndiqeshin, përcilleshin dhe përndiqeshin në çdo hap. Të dënuarit, pasi shpalleshin armiq të Jugosllavisë, të vëllazërim-bashkimit, të LKJ-së dhe të socializmit, dënoheshin – në emër të popullit – me dënime drakonike.

Fatkeqësisht, ndër bashkëpunëtorët e Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror (Uprava državne bezbednosti – UDB) kishte edhe shqiptarë. Syrvejimi i tërë një populli dhe thirrjet në të ashtuquajtura biseda informative të përkujtonte botën e tmerrshme oruelliane. Vëllai i Madh i Xhorxh Oruellit të ndiqte në çdo hap.

Makina bizantine dhe bolshevike e tmerrit mbi një popull të pambrojtur, nuk ndalej së ushtruari dhunë. Funksionarët shqiptarë ndërkaq, nuk kishin kurrfarë kapaciteti për t’i dalë para dhe për ta frenuar ideologjinë totalitariste të shovinistëve serbo-maqedonas. Midis tyre kishte edhe karrieristë. Disa prej tyre u bënë pjesë e pandarë e politikës gjenocidale që ndiqte ndaj shqiptarëve boshti i krimit Shkup-Beograd-Titograd.

Përballë dhunës bizantine, populli shqiptar, si një mal i vetmuar, i patundur qëndroi. Duke qenë popull autokton, shqiptarët manifestuan një vitalitet të jashtëzakonshëm. Nga kalvari që përjetuan shqiptarët, nuk u thye vrulli faustian i tyre. Kauza shqiptare, historikisht e drejtë, bëri që stërnipat e ilirëve të lashtë, t’i bëjnë ballë golgotës, ndërsa me forcën prometeane dhe racionalizmin kartezian, të përqafojnë epokën e pluralizmit politik dhe demokracinë perëndimore. Shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësie të veçantë, ngase ndaj tyre s’ishte bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Libri “Viktimat e monizmit” i Ismail Arsllanit është një dëshmi e gjallë për ngjarjet dramatike dhe për golgotën që e ka përjetuar populli shqiptar në Maqedoni në periudhën e viteve 1981-1990. I shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe stil të përkryer dhe i pajisur me prova, argument, dokumente dhe fotografi figurash dhe personalitetesh që kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, libri paraqet burim të dorës së parë për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm. Kjo vepër u bën të mundur brezave të ri për ta njohur ferrin dantesk, terrin bizantin dhe tmerrin bolshevik që kanë përjetuar etërit e tyre nga shovinistët sllavo-maqedonas. Libri ka dhe një mesazh të fuqishëm: Një sasi lirie që gëzojnë shqiptarët sot, nuk është fryt i një sakrifice të djeshme, por i një lufte dhe i një qëndrese shekullore të shqiptarëve, ndër breza.

Ideologjia retrograde, anakronike dhe destruktive e akademikëve serbë çoi në shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë së Titos.

Popujt e Ballkanit duhet të zgjedhin paqen si alternativë e konfliktit, të jenë të pavarur dhe sovranë, ta njohin njëri-tjetrin, të bashkëpunojnë ndër vete, të ndjekin politikë paqësore dhe stabilizuese, të ndërtojnë shtete ligjore, t’i zhvillojnë proceset demokratike, të zhvillohen ekonomikisht dhe të integrohen në familjen perëndimore.

Heronjtë e kësaj drame tragjike që i dolën përballë të keqes me gjoksin prometean, duhet të zënë vendin e merituar në historinë e popullit shqiptar.

Panairi i librit do të mbahet nga 8 deri më 14 shtator pranë Aquapark-ut në Shkup

$
0
0

Panairi i librit këtë vit do të mbahet nga 8 deri më 14 shtator në ambient të hapur, pranë Aquapark-ut në hapësirat e qendrës sportive A1 Arena “Boris Trajkovski” në Shkup, njoftojnë organizatorët, shkruan Portalb.mk.

“Panairi i librit do të mbahet sipas protokolleve aktuale qeveritare , në përputhje me të gjitha masat e miratuara. Përvoja e vitit të kaluar tregoi se duke respektuar masat, Panairi i librit mund të mbahet në mënyrë të rregullt dhe me promovime të shkëlqyeshme të titujve. Përveç kësaj, Shkupi tregoi se panairi i librit është i nevojshëm si një lloj ushqimi shpirtëror ku lexuesit mund të zgjedhin pjesët e tyre të preferuara”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Panairi i librit mbështetet nga Ministria e Kulturës, dhe motoja e këtij viti është “panaire të sigurta”. Orari i punës i panairit do të jetë nga ora 10 deri më 20.00, ndërsa më 14 shtator do të jetë i hapur nga ora 10 deri më 15.

Vizitorët në Panairin e librit në Shkup do të mund të njihen me botimet më të fundit të librave prej autorëve vendas dhe të huaj, si dhe me letërsinë e huaj, literaturën profesionale, shkencore dhe trillime, si dhe libra për të rinjtë dhe për fëmijët.

Në të njëjtën kohë, organizatorët thonë se botuesit përgatisin zbritje të mëdha në botimet e tyre për panairin e librit.

Biletat për panairin e librit do të dalin në shitje pak para fillimit të ngjarjes dhe të njëjtat do të jenë në dispozicion online, gjithashtu edhe në hyrje të panairit.

Duke shfletuar veprën e Dino Buzzatit “Gruaja me flatra”

$
0
0

Duke ndejtë përballë njëri tjetrit, babë e birr, të dytë njohës të shkëlqyer të gjuhëve të huaja, njeri gazetar, përkthyes, tregimtar, novelist e romansier, tjetri përzgjedhës i fortë i veprave monumentale, realiste të shkëlqyera për botën, Dino Buzzati i reflektoi me një shikim mikroskopik  ambientin ku ka jetuar e vepruar. Këta të dy, Zija Çela me Dritan Çelën, në përzgjedhjen e tyre, sollën një vepër me karakter monumental, kështu e pasuruan historikun e autorëve më eminent të letërsisë jo vetëm italiane, botërore, por edhe letërsinë tonë shqipe.

Vepra nis me …një tregim të çuditshëm të çmendurisë njerëzore, aty ku thellësia e vrerit njerëzor e tejkalon realen…”I vdekuri gabimisht “. Piktori Lucio Predonzani, një ditë kur e hapi gazetën e përditshme , u shtang kur e  lexoi nekrologun e vet. Edhe pse s’ka të bëjë me “Pas vdekjes” së Çajupit, që është një humor e kritikë për mendjemëdhenjtë shqiptarë si dr. Adha’muti, jo, këtu kemi të bëjmë me katarzën mendore të ambientit ku jetonte Luçio I shkretë.

Edhe pas ankimit të tij te kryeredaktori i gazetës, ai e bindi atë se pas vdekjes së tij pikturave do t’u shtohej vlera dhe se do të kishte një përfitim të madh. Piktori nuk kishte zgjidhje tjetër , pos të fshihet nga opinion, e gruaja e tij t’i pret e përcjell shokët e miqtë (Oskar Pradeli, haptazi ia përvetësoi gruan…) t’i shiten vërtetë n’ato ditë pikturat më shtrenjtë, e ky u mbyll në një podrum …dhe dita ditës , e harruan të gjithë, duke nisë prej familjes edhe të tjerë.

Në morgun familjar shtrihej arkivoli i shtrenjtë dhe i zbrazët. Çfarë ironie të fatit…atë thjesht e vranë, e shoqja, shokët miqtë dhe shoqëria. Kur vuri re se më askush as e thirrte e as e përmendte ,një mbrëmje, vjedhurazi, shkoi në morgun familjar,  hyri në arkivolin e vet të shprazët, u shtri…dhe e mbylli kapakun. Tregimi na bën ta shohim se deri ku shkon lajthitja e trurit njerëzor…se duke qenë mire, dikujt i teket që ta zhdukë nga faqja e dheut. Sigurisht konkurrenca, që ka të bëjë me ndërgjegjen e kalbur , të ndotur njerëzore dhe të shoqërisë.

 Dino Buzzati
Dino Buzzati

Buzzati vazhdon me paraqitjen e shoqërisë mikroborgjeze, “Minjtë”, atë të fshatit  Doganella dhe miqtë e tij, bashkëshortët Korio, në villën e tyre ku shkonte vite me radhë. Ky vëren disa qejfprishje që Xhovani dhe Elena, mundoheshin ta fshehin, por syri I mprehtë i vizitorit vuri re që në ardhjen e pare se në villën e tyre pa një mi të vogël dhe pyeti a kanë vu çarqe, po ai kërceu nëpër atë bisedë.

Vitin e ardhshëm, kur i vizitoi ai dëgjoi më shumë zhurmë dhe në pyetjen e tij  Xhovani qesh dhe thotë se minj ka sa t’i numërosh me gishta. (një mospërfillje e tillë, bëri që e keqja jo vetëm të ritet por edhe të jetë kërcënuese për njerëzit).

Vitin tjetër vëren dy maçokë të mëdhenj që për pak kohë, në vend t’i zhdukin minjtë, ato ikin të kafshuar e të përgjakur. Xhorxho djali I madh tregon se mijtë janë rritur shumë dhe se I ati gënjen, e nuk I përfill aspak, derisa u bënë aq shumë me miliona dhe e zaptuan tërë shtëpinë, kështu minjtë u bënë zot të shtëpisë dhe Koriotët skllevërit e tyre.

“Minjtë” përcjellin porosinë për njeriun individ dhe kolektivitetet, nëse lejojnë të bëhen gabime të vogla e nuk merren masa, ato riten prej një gënjeshtre, një vjedhjeje të vogël që zmadhohet në diçka më të madhe që barazohet me krim, e dëmtori I vogël{miu} bëhet I madh (Staor) kështu në tërë shoqërinë, me ose pa dashje e keqja shumohet, ritet e zmadhohet deri n’ato përmasa sa më shpëtim s’ka.

Ajo është gangrene e shoqërisë. Buzzati trajton edhe tema individuale, njerëzore por të mbështjellë me metaforën dhe ironinë e mosbesimit të njeriut në vete “Kolumbra” dhe ikja prej asaj bestytërie gjithmonë, prishjes së qetësisë shpirtërore jo vetëm të vetes por edhe të familjes; ky është një rrëfim të ikjes prej fatit , mirësisë, begatisë e mirëqenies.

Stefano Rodi në ditëlindjen e dymbëdhjetë shprehu dëshirë të bëhet marinar e kapiten anijeje, por atë ditë ai pa një peshkaqen të madh të zi që e ndiqte anijen. Kuptoi pej babait se peshkaqeni quhet Kolumbra, se nëse ia vë syrin dikujt , e ndjek tërë jetën , derisa ta përmbin. Ashtu ishte besimi I tërë marinarëve….prandaj Stefano e la detin, e më pas ku I mbushi njëzet e dy vjet, bleu një anije dhe nisi të tregtojë. Kolumbra e ndiqte e ky ruhej…derisa kur u plak, vendosi të përballet me atë, dhe kur me forcën e fundit deshi t’ia ngulë fuzhnjën në kokë, Kolumbra i foli: “Ç’rrugë të gjatë kam bërë, duke të ndjekë, u lodha më, ti ikje e ikje asgjë nuk kuptove. E çfarë të kuptoja- pyeti Stefano

Unë nuk të ndiqja të të gllabëroj, por mbreti I detit më kishte ngarkuar të ta jepja këtë dhuratë. Dhe peshkaqeni, hapi gojën e nxori gjuhën duke ia dhënë një sferë të vogël fosforeshentë. Stefano e morri në dorë. Ishte perla e detit që jep fat, fuqi dashuri dhe paqe shpirtërore por tashmë ishte tepër vonë…

Vepra Gruaja me flatra

Kështu Buzzati parakalon nëpër fatet njerëzorë, atë që njeriu nuk e kupton ese fiksohet” Vajza që bie” e tërë jetën e kalon duke ëndërruar e duke mos e pare realitetin. E mposht plakja dhe mbetet e vetmuar , vdes, duke mos arrijë ta shijojë jetën. Përafërsisht është edhe një gjendje amorfe, në ”Ashensori” ku fati  përzihet, por dy të rinjtë nuk e shohin atë që kanë, por atë që duan.

Në “Kapota” është historia e trishtë e një ushtari që nuk kishte ardhë e asnjë lajm s’kishte çuar plot dy vjet, e një ditë kur do të paraqitet në derë e gazmendi i nënës ishte pakufi, aq sa të sheh e të kuptojë se Ai, nuk qe djali, por hija e tij, i mbështjellë me të gjitha tmerret e luftës, të fshehur brenda kapotës, që deshi ta fshehë, por doli duke shqiptuar lamtumirën e dhimbshme që ia la nënës e vëllait, që nuk kuptonin asgjë. Jashtë e pritte me padurim vdekja.

Në “Obut” ,varrimet dhe dy opsionet, që i parashtron autori: I-dashuritë më të mëdha dhe të sinqerta rezistojnë 6-7 ditë dhe atëherë kot t’i marrim seriozisht, dhe II-kundrejt vdekjes, gjithçka është hipokrizi, qoftë edhe në mirëbesim- thekson Buzzati. Faktikisht ai e parashtron çështjen e humbjes së njeriut të dashur, ai harrohet , ndërsa jeta vazhdon. Në “Ballkonin e burgut” një dënim I përjetshëm  për kriminelët por me një shans të flasin para turmës qindëshe, dhe nëse duartrokasin , I  burgosuri lirohej. Kjo nuk kishte ndodhë asnjëherë, derisa njëri u hyri në mendjen e turmës në shpirtin e zi, dhe në vend të kërkonte falje për krimin, ky përveç që e pranoi, filloi t’i lusë ta shajnë duke thënë se ishte I keq, nuk e donte familjen se aty në burg ishte I lumtur, dhe I luste të fërshëllenin…ky I burgosur arriti turmës duhmën e urrejtjes t’ia ngjallë. Jo, ai të jetë i lumtur??? mendonte turma, prandaj nga dashakeqësia, nisin të duartrokasin, një, dhjetë, njëqind here …dhe pas vetes dëgjoi: mbathja, je I lirë.

Kështu duke i radhitë tregimet një pas një,  shohim hipokrizinë e shoqërisë, egoizmin e individit, alegorinë dhe mitin e dashurisë së rrejshme për interes dhe pasuri “Skllav”, këtu plaku duke e pare me sy , duke e ndjerë dhe ditë, se Klara e re, gruaja që e donte më shumë se jetën, po e helmon, i pranon kapriçiot e saj, shtirjen gjoja e zemëruar, ai sërish  i kërkon falje , sepse pa atë s’mund të jetonte…tregimi mbaron me fjalët e tij: Edhe vdekja është e ëmbël përderisa vjen nga dora e Klarës.

Kështu duke e shfletuar këtë vepër, isha duke I përpirë faqet një nga një, duke parë në tregimin “Gruaja me flatra”, se I tërë banaliteti i rremë i moralit, të mbështjellë me ironi e satire, marrëzitë dhe mëkate ishin të të imponuar, sepse duke e izoluar Luçinën, mëkati ishte në dukje. Këtu nuk ka aspak qeshje, edhe po të ketë, është aq therëse dhe e dhimbshme. Buzzatin e shohim përtej mbulesës së mospërfilljes e stereotipave, ku e padit njeriun për marrëzitë, mëkatet, harresën dhe dashakeqësinë.

Shkup, sot fillon Panairi i librit – do të zgjasë deri më 14 shtator

$
0
0

Në ambient të hapur pranë Aquapark-ut në afërsi të sallës “Boris Trajkovski” në Shkup sot fillon Panairi i librit. Organizatorët gjatë ditëve të panairit nga 8 deri më 14 shtator, paralajmëruan edhe shpalljen e 33 promovime të veprave të reja dhe botime të autorëve nga Arkivat Shtetërore të RMV-së, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të programit të punës, do të mbahet edhe ceremonia tradicionale e ndarjes së çmimeve nga Asociacioni maqedonas i botuesve (AMB) dhe ndarja e çmimeve nga Shoqata e botuesve dhe librarive të Maqedonisë.

Panairi i librit organizohet në bashkëpunim me Shoqatën maqedonase të botuesve, Shoqatën e botuesve dhe librarive të Maqedonisë, Shoqatën e botuesve shqiptarë nga Maqedonia dhe Lidhjen e botuesve shqiptarë në Maqedoni dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës.

Programin dhe orarin e promovimeve mund të shikoni në këtë link. 

Panairi i librit do të zhvillohet në ambient të hapur, në përputhje me të gjitha protokollet shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit publik (mbajtje të maskës, mbajtje të distancës 2 metra dhe dezinfektim), me hyrjen në panair vizitorët duhet të tregojnë certifikatë vaksinimi ose certifikatë që tregon se e keni kaluar covid-19 për të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Biletat për panairin e librit mund të blihen përmes sistemit elektronik on-line www.karti.com.mk ose në zyrat e biletave para panairit. Për të rinjtë deri në 18 vjeç, bileta kushton vetëm 20 denarë.

Vizitorët në Panairin e librit në Shkup do të mund të njihen me botimet më të fundit të librave prej autorëve vendas dhe të huaj, si dhe me letërsinë e huaj, literaturën profesionale, shkencore dhe trillime, si dhe libra për të rinjtë dhe për fëmijët.

Orari i punës së panairit në periudhën nga 8 deri në 11 shtator është nga ora 10 – 21,12 dhe 13 shtator nga ora 10 – 20, ndërsa më 14 shtator nga ora 10-17.

Duke shfletuar veprën e George Orwell, “Ferma e kafshëve”

$
0
0

“Në këtë vend burracakëria intelektuale është armiku më mizor, me të cilin përballen gazetarët dhe shkrimtarët tanë…” thotë autori në një shqyrtim të tij, për këtë vepër.

Armiku  forca,  pushteti,  është pllaka e gramafonit, na pëlqen apo jo, pllaka e tij luhet tani për tani- vazhdon ai, me personazhet e t’ia.

Duke e treguar të dy diktaturat më të mëdha ruse, ai nuk shfajësohet, kishte marrë pjesë në luftën e Spanjës…dhe atë që e kishte parë dhe përjetuar, ai një vend thotë:

“Nëse liria ka ndonjë rëndësi, atëherë nënkupton të drejtën për t’u treguar të tjerëve çka nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë.”

Në këtë roman, personazhet kryesore , të kastës sunduese, janë derrat. Autori i ka bërë qëllimisht, duke e treguar forcën, dinakërinë, etjen e nepsin e madh për pushtet mbi kafshët e tjerë , më të dobët dhe të pafuqishëm. Ato janë udhëheqës dhe përhapës të propagandës totalitare që arrin ta kontrollojnë të gjithë njerëzit e ditur të vendeve demokratike. Romani nis me këshillat e derrit plak dymbëdhjetë vjeç Majorit, që ua mëson këngën e Lirisë, të gjitha kafshëve të fermës së zotit Xhouns. Po është edhe moto-ja e Orvellit në “1984 ” , ku në vazhdimësi janë parullat:

LUFTA ËSHTË PAQE

(pasi të luftojnë të tjerët, të derdhin gjakun , të humbin krejt…ndërsa ato të dinë nëpër zyra, nëpër kolltukët dhe të bëjnë politikë).

LIRIA ËSHTË SKLLAVËRI

(Ata që luftuan,  masa e gjerë e popullit, pas fitores, janë të nënshtruarit e udhëheqësve të tyre mendjendritur, që i udhëtojnë dhe i vënë në sprova nga më të ndryshmet, në realitet masa e gjerë prej fituesi , kthehet në skllevër).

PADIJA ËSHTË FORCË

(e tani, fituesit e luftës, lirisë së ëndërruar, mashtrohen me falsifikate nga më të ndryshmet, me fjalë të urta e të buta, bindëse, se ata kanë të drejtën e vendosjes…deri n’atë pikëtakim të mosdijes, sa të triumfojë, vërtetë padija).

Në “Fermën e kafshëve” , autori  tregon se si çdo ditë Xhounsi i malltretonte kafshët dhe i lente të uritur…kënga që ua mëson Majori, tregon se si një ditë do të zhduket njeriu tiran(z. Xhouns), e me atë edhe unazat prej hundës e pajimet e tjera(mjete alegorike që janë simbol i  shtrëngimit të njerëzve, kërcënimit, shtypjes, maltretimit mbjelljes së frikës, shantazhet etj) fshikulli i rëndë dhe do të ketë: ushqim, që nënkupton grurë, elb, tërshërë, sanë ,tërfil, fasule…por, POR ata/o,  duhej të luftonin për këtë.

Nëpërmes përshkrimit metaforik të kafshëve(njerëzve), TOPI I BORËS (derri i egër), NAPOLONI(derr i butë), SOKËLLUESI (derr orator, këto prej fillimit organizojnë kryengritjen me ndihmën e(njerëzve-kafshë), qenve besnikë si BURTHI, DARI, ZYMBYLI I EGËR, pastaj me ata që janë të fortë por të bindur ndaj udhëheqësi GRUSHTUESI dhe TËRFILJA (KUAJ), MJURIELLI(dhi bardhoshe; gjinia femërore, gjithnjë në ndihmë dhe në vrap për t’u gjendur, por e pafuqishme për të bërë gjë), BENXHAMINI ( gomari plak, po gjithnjë në shërbim dhe që është dëshmitar i shumë të bëmave, por që fjala e tij nuk dëgjohet),  MOJSIU( korbi shtëpiak), pulat, lopët…(e tërë masa e gjerë popullore),dhe kur kafshët e shtypura në fermë e përmbysin pronarin e tyre z. Xhousin, dhe e marrin fermën në dorë, ato parafytyrojnë fillimin e një jete me liri e barazi

Elita dinake e pashpirt fillon ta marrë kontrollin, kafshët e tjera e gjejnë veten të zënë në grackë, pa pasur shpresë për t’u çliruar prej saj, ndërsa ajo tirani zëvendësohet me një tirani tjetër.

Përralla therëse e Orvellit është një satirë e idealizmit të pashkatërrueshëm dhe të përjetshëm që tradhtohet nga pushteti dhe korrupsioni….dhe populli është ai që bën luftë për të tjerët , mbi kurrizin e vet. Këtu janë të përfaqësuara të gjitha shtresat e popullit, puna e rëndë, dëshirat, dhe zhgënjimet. Jetojnë me premtime e fjalime të bukura( SOKËLLUESI- orator i zoti, e Napoloni- derr i butë, por shumë dinak…) , dhe përsëri janë në pozitë të njëjtë si në fillim.

Ky është fati i popujve që u besojnë dy herë të njëjtëve politikanë e liderë.

Shkruan:

Merita ABAZI

Gjinushi: Letërsia dhe studimet e Luan Starovës duhet të përfshihen sa më parë në programet universitare

$
0
0
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka organizuar sot veprimtarinë shkencore kushtuar veprës krijuese e studimore të akad. Luan Starovës në 80-vjetorin e lindjes.
Akademiku Luan Statova ishte i pranishëm së bashku me familjen e tij.
Në fjalën e hapjesë së kësaj veprimtarie akademik Skënder Gjinushi, Kryetar i Akadmisë së Shkencave të Shqipërisë theksoi se Luan Starova që në krye të herës zgjodhi të bëjë emër si krijues në Paris, ku ai nisi karrierën shkencore me mbrojtjen e doktoratës, dhe 50 vjet më pas kjo kryeqendër e kulturës botërore e vlerësoi me çmimin më të lartë të Francës në letërsi, “Margaret Yourcenar”.
Një model të rrallë të harmonizimit të fuqisë krijuese me dinjitetin njerëzor, e quajti akademiku Gjinushi Luan Starovën. Ai tha ndër të tjera se gjatë gjithë kësaj periudhe akademi të shkencave dhe universitete të ndryshme kërkojnë ta bëjnë të vetin Luanin tonë dhe Akademia jonë, e cila ndihet e nderuar që e ka prej vitesh në trupën e saj si anëtar të jashtëm.
“Luan Starova – akademiku, shkrimtari i shumëgjuhësisë”ka qenë tema e kësaj veprimtarie, në të cilën morën pjesë akad. Skënder Gjinushi Kryetar i Akademisë së Shkencave që mbajti fjalën e mirëseardhjes, akad. Ali Aliu ; akad. Vasil S. Tole; akad. Shaban Sinani; prof. dr. Fatmir Sulejmani (Maqedoni e Veriut); Matteo Mandalà (Itali) online; dr. Arian Leka; dr. Eris Rusi (Korçë); prof. asoc. dr. Eldon Gjika; dr. Virion Graçi.

Duke shfletuar serinë “Saga e varrezave të librave të harruar ” të Carlos Ruiz Zafónit –“I Burgosuri i Qiellit”

$
0
0

Carlos Ruiz Zafón është shkrimtari më i vlerësuar bashkëkohor i letërsisë  spanjolle në gjithë botën pas Miguel de Cervantes. Me veprën e parë “Hija e erës” që u kthye menjëherë në një rast letrar ndërkombëtar, ishte i pari i sagës së Varrezave të Librave të Harruar, dhe romanin e fundit të trilogjisë “Labirinti i Shpirtrave”, një univers letrar, që e ktheu këtë sagë, në fenomenin e madh të letërsisë bashkëkohore, në të pesë kontinentet. Secili roman, titull, mund të lexohet  sipas dëshirës sepse kanë  një tregim që është në vete i pavarur por edhe personazhet dhe historia e jetës së tyre ,shtjellohen dhe në secilën  vepër, zhvillohen rrëfime dhe dalin në sheh shumë sekrete mistike, duke u ekspozuar si kurrë më parë në rreziqe të paparashikueshme dhe pasione të mëdha, krime të urryera dhe ndjenja të trazuara, gjatë rrugëve të Barcelonës, herë të njohur e herë të panjohur dhe shqetësuese.

Gjithmonë e kam ditur se një ditë do të kthehesha në këto rrugë për të rrëfyer historinë e njeriut i cili humbi shpirtin dhe emrin nëpër hijet e një Barcelone të zhytur në gjumin e turbullt të kohërave të hirta dhe të heshtura. Janë faqe të shkruara midis flakëve të qytetit të të mallkuarve, fjalë të gdhendura në kujtesën e atij, që u kthye nga bota e të vdekurve ( Fermin Romero de Tores; David Martini ) me një premtim të ngulitur në zemër dhe me çmimin e një mallkimi. Këtu që në fillim na intrigon fillimi i romanit kur në librarinë  e zotit Sempere hyn një vizitor i mbështetur në një shkop, i veshur me një kostum të errët demode, me një fëtyrë me lëkurë të shënjuar nga koha, që çalonte…e i shikonte librat, dhe u ndal te një kopje e shtrenjtë “Konti i Monte Kristo”, duke e marrë dhe blerë e që nuk i interesonte çmimi i shtrenjtë(35 peseta e ia hodhi 100 peseta duke e lënë të ngrirë nga habia Danielin) me porosinë e shkruar:  Për Fermin Romero de Torres, i cili u kthye nga bota e vdekurve dhe mban çelësin e së ardhmes.

Ai i tha ftohtë ta dërgojë librin, atij që ia përkushtoi.

Kështu nis aventura ecejake nëpër kohë, njerëz e stuhi turbullirash të luftës, arresteve, kazamatet, mundimet ç’njerëzore, vrasjet…

Gjuha e pasur e Zafonit nuk të le të qetë asnjë moment, sepse tregimi plot tension, mistere e të papritura, na le të shtangur me forcën e emocioneve, e  me një delikatesë na josh dritëhijen e Barcelonës së magjepsur.

Carlos Ruiz Zafón duke i hapur dyert e së shkuarës dhe fantazmave të vjetra, vjen për ta trazuar të tashmen përmes kujtimeve të Ferminit; për të mësuar një të  vërtetë të dhimbshme që është mbajtur fshehur deri më tani. Danieli duhet të hyjë në një epokë të mallkuar,  në rropullitë e burgjeve të MONTJUICIT, që të zbulojë se cila ujdi djallëzore e mbante lidhur  David Martinin, Izabelën,  me Mauricio Vallsin një njeri i prapshtë , simbol i regjimit të Frankos.

Në roman kemi  {“I  burgosuri i qiellit”} , trazimet shpirtërore të dashnorëve, burrave ndaj grave të tyre, Beatrisi, Bernarda, Rocio…

Helmimet në vazhdë, kërcënimet e shantazhet, pamja dhe gjendja e mjerë e  të burgosurve politik, maltretimi i tyre, shtyrja për t’i spiunuar  të burgosurit në të njëjtën dhomë,  uria dhe dhënia e ushqimeve që nuk shikohen e ku më të hahen etj, e bëjnë secilin nga këto pjesë të romaneve të lexohen pa frymë, sepse,  Danieli është te i pari, në të dytin, në të tretin dhe në trilogjinë e fundit, normal me moshë tjetër, por me zbulime të reja, të historisë së  familjes së tij ,hapjes së misterit të vdekjes së nënës së tij Izabelës e ngadalë del në shesh edhe komploti nga regjimi. Romanet “Hija e erës”, “Loja e Engjëllit”, ” I Burgosuri i Qiellit” dhe ” Labirinthi i Shpirtërave” lexohen pa frymë dhe të lënë një ndjenjë që të kaplon të tërin, kënaqësinë dhe qetësinë shpirtërore.!

Secili nga romanet është mbresëlënës, plot me intriga dhe aventura.

Duke shfletuar veprën madhore të Carlos Ruiz Zafón, në atë të fundit “Labirinthi i shpirtrave”, ne i qasemi zbulimit të finales madhështore të sagës, që nisi me “Hijen e erës”, dhe arrin kulminacionin e forcës së rrëfimit Zafonian, i cili ngre himnin madhështor në botën e librave, të artit të rrëfimit magjik dhe lidhjen e tyre midis letërsisë dhe jetës.


Është botuar përmbledhja e tregimeve të shkurtra nga konkursi i katërt rajonal “Biber”

$
0
0

Është botuar përmbledhja e tregimeve të shkurtra të përzgjedhura në konkursin e katërt Biber. Përmbledhja mund të shkarkohet në faqen Biber në formatin elektronik, transmeton Portalb.mk.

Biber është konkurs për tregim të shkurtër, të angazhuar në gjuhën shqipe, maqedonase, boshnjake, kroate, serbe dhe malazeze. Tema e konkursit është pajtimi në kontekstin e trashëgimisë së luftërave dhe dhunës në vendet e ish-Jugosllavisë, ndërsa parasysh merren edhe tregimet që mund të kontribojnë për mirëkuptim më të madh mes njerëzve, që zbusin urrejtjen dhe thyejnë paragjykimet, tregime kundër luftës, tregime rreth ballafaqimit me të kaluarën, thyerje të imazheve për armikun, tregime të dhembshurisë për të tjerët, tregime të guximshme që guxojnë të ecin me këpucë “të armikut”, tregime që lëvizin kufijtë dhe hapin rrugën për të ndërtuar një të ardhme më të qartë, më të sigurt dhe më të lirë për të gjithë.

Konkursin e organizon ekipi Biber nga Qendra për Veprim të Padhunshëm Sarajevë-Beograd.

Konkursi i katërt Biber është hapur në fund të prillit 2020. Janë pranuar rreth 750 tregime. Juria e këtij konkursi përbëhej nga: Tatjana GromaçaAnton Berishaj dhe Selvedin Avdiq.

Tri tregimet e shpërblyera janë:

Çmimi i parë: “Zogëzat” nga Bojan Krivokapiq nga Novi Sadi

Çmimi i dytë: “Shtëpiza në pyll” nga Alma Tabak nga Sarajeva

Çmimi i tretë: “Trekëndëshi” nga Maja Halapir nga Samobori

Përveç tregimeve të shpërblyera, në përmbledhje janë përfshirë edhe 22 tregime. Autoret dhe autorët e tregimeve janë: Aleksandra Jovanoviq nga Vranja, Aneta Velkoska nga Shkupi, Besa Morina nga Prishtina, Bojan Krivokapiq nga Novi Sadi, Boshko Lomoviq nga Gornji Milanovaci, Dinko Teleqan nga Zagrebi, Goran Paladini nga Zagrebi, Hoja Ogrizoviq nga Novi Sadi, Irena Skopljak Baric nga Vërboveci, Jelena Kalajdzija nga Bijeljina, Jovana Matevska-Atanasova nga Manastiri, Mariana Canak nga Novi Zedniku, Mihovil Rismondo nga Zagrebi, Milan Vorkapiq nga Vërnjaçka Banja, Milena Babiq nga Krushevaci, Milica Rashiq nga Nishi, Nikolla Nikolliq nga Podgorica, Nikolla Petroviq nga Beogradi, Petra Rapaiq nga Novi Sadi, Sanja Tërpkovska nga Shkupi, Senad Jusiqi nga Bugojno dhe Vesa Qena nga Prishtina.

Novelisti nga Tanzania e fitoi Çmimin Nobel për Letërsi

$
0
0

Novelisti nga Tanzania, Abdulrazak Gurnah, është shpërblyer të enjten me Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2021.

Komiteti i Nobelit e ka lavdëruar Gurnah për “thellimin e pakompromis dhe emocional në efektet e kolonializmit dhe fatit të refugjatëve në hendekun mes kulturave dhe kontinenteve.”

Çmimi është ndarë nga Akademia Suedeze dhe ka vlerën e 1.1 milion dollarëve.

I lindur në Zanzibar më 1948, Gurnah ka arritur në Angli si refugjat në fund të viteve 1960.

Ai është autor i 10 novelave dhe shumë rrëfimeve të shkurtra.

Ai ka qenë profesor i Literaturës angleze dhe postkoloniale në Universitetin e Kentit, deri në pensionim.

Ndarja e çmimeve Nobel për sivjet nisi të hënën, kur është ndarë çmimi për zbulimet në fushën e mjekësisë.

Të martën është ndarë çmimi për fizikë, të mërkurën për kimi, ndërsa çmimet për paqe edhe ekonomi do të ndahen në ditët në vazhdim.

Deri më 15 tetor do të jetë i hapur panairi i librit në Bibliotekën e Shkupit

$
0
0

Në Bibliotekën Kombëtarë Universitare “Kirili dhe Metodi” në Shkup do të jetë i hapur panairi i librit edhe dy ditë, ku blerësit duke blerë dy libra, do të mund të marrin të tretën falas, transmeton Portalb.mk.

“Biblioteka Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup, prej sot deri më 15 tetor organizon “Panair studentor të librit”. Në Panair mund të blihen tekste shkollore dhe doracakë e literaturë tjetër profesionale me çmime të panairit”, raportojnë nga Ministria e Kulturës, duke ofruar edhe ulje të çmimit për qytetarët që duan të anëtarësohen në BKU.

Biblioteka do të ofrojë libër falas sipas dëshirës së blerësit, në rast se blerësi do të blejë dy libra, duke zgjedhur nga klasikët letrar, veprat bashkëkohore vendore dhe botërore.

E bukra dhe e shëmtuemja s’ekzistojnë pa njëna-tjetrën

$
0
0

Rozafa Shpuza është lindur në qytetin e Shkodrës, ku më 1856 Pjetër Marubi hapi studion e parë fotografike shqiptare dhe ballkanike, ndaj ajo beson me shpirt se është e bekuar qysh në ngjizje me artin e bukur të fotografisë dhe me balsamin e apostujve të poezisë gege. Pasi përfundon me rezultate të shkëlqyeshme studimet e larta për Gjuhë- Letërsi, shkon në Tiranë, ku aktualisht punon si redaktore në sektorin e botimeve të Parlamentit shqiptar. Rozafa merret me poezi dhe fotografi. Lidhjet e saja me poezinë dhe fotografinë janë të hershme dhe mund të pohojmë pa droje se kanë ardhur vit pas viti duke u bë ma të ndishme dhe intensive. Rozafa boton së pari “Kohë ikonash” me proza poetike, që pasohet me “Anipse”, “Grizhlat” dhe “Nana i qindiste kryq dimnat” me poezi në gegërisht. E veçanta e krijimtarisë së Rozafës është se poezitë kanë një lidhje të pashmangshme me fotografitë që ajo shkrepë. Ka kohë që ka hapur në Shkodër një galeri arti, që është një Odë mikpritëse për artistët kudo në botë.

HEJZA: Ku ta gjejmë kufirin mes artit dhe reprodukimit në fotografi?

SHPUZA: Sikur të ekzistonin kufijtë, nuk do të kishte ma art. Kurrë nuk e mendoj artin, kësisoj edhe fotografinë që asht kahu ma i brishtë i tij, të ndamë me kufij. Fotografia fikson nji çast, por s’duhet me harrue se në atë shkrepje janë të ngjizuna drita, shpirti, emocioni që përcjell personazhi apo objekti në çastin e përjetësimit. Si mund të quhet art nji fotografi, kur duhet me e spjegue me fjalë? Fotografia flet me heshtje, me kontraste dritëhijesh, me mbivendosje ndjesish, me aftësinë e fotografit për me fiksue diçka që të tjerëve u ka kalue pa e vu re. Në këtë botë kaq konfuze asht bekim që ekziston arti i bukur i fotografisë. Sa e varfër kishte me kenë kjo botë pa fotografinë!!!

HEJZA: Cila është bota e fotografit në çastin e shkrepjes së aparatit para të bukurës?

SHPUZA: Ekzistojnë disa ndjesi që nuk mund të shpjegohen me fjalë. Ato janë pjesë e qenies, anipse shfaqen spontanisht pa pasë nevojë për miratimin e artistit. Para së bukurës hapat ndalen, aparati mbështetet në mollzën e faqes, syni ngjeshet në atë ditarezen që ta përcjell vështrimin tutje dhe fryma ndalet. Çak… dhe ajo bukuri përjetësohet, tue u ba pasuni në arkivin e fotografit. Fotografi shkrepë aparatin për me mbushë shpirtin, pa mendue për fatin e asaj fotografie dhe kjo asht bota e tij, pa ma të voglin kompromis.

HEJZA: E shëmtuara si kryevepër! Sa është provokues ky fenomen estetik te fotografët?

SHPUZA: E bukra dhe e shëmtuemja janë dy dukuri estetike që s’mund të ekzistojnë pa njëna-tjetrën dhe s’mbahet mend qysh kur njerëzimi kalamendet në këtë vorbull, pa ditë me përcaktue saktë se ku fillon njena e ku mbaron tjetra. Viktor Hygo e ka cilësue shëmtinë si nji detaj i nji të tane të madhe, e cila na ikën, s’mund ta rrokim, dhe që asht në harmoni, jo me njeriun, por me të gjithë krijimin. Kësisoj artistët s’rreshtin tue u rrekë me rrokë të shëmtuemen për me e kthye në kryevepër. Besoj se kur janë ma të diskutueshme, dukuritë estetike bahen ma atraktive dhe ma të pëlqyemet nga artistët për me i ba pjesë të artit të tyne.

HEJZA: Si duket sot bota e fotografisë artistike. Kah po shkon ajo?

SHPUZA: Kam ndjesinë se bota e fotografisë po popullohet përditë e ma shumë me adhurues të fotografisë. Rrallë gjen një person që nuk ban fotografi me celularin e vet. Pra, sot fotografia asht arti ma afër njerëzve, ma i perceptueshmi dhe ma i pëlqyeshmi.  Lëvrimi i fotografisë artistike ka marrë nji hov të papamë, kjo ndoshta edhe falë zhvillimeve marramendëse të teknologjisë, por, thellë- thellë, kam bindjen se fotografia artistike ka nevojë për shpirt e jo për teknologji.

HEJZA: Në historinë e fotografisë artistike fotografët shqiptarë zënë vend jashtëzakonisht të meritueshëm.

SHPUZA: Unë jam shkodrane, kësisoj veç me përmendë Marubin i kam thanë tana, kështu që nuk po zgjatem ma shumë në këtë përgjigje, pasi mendoj se fama marubiane asht e padiskutueshme.

HEJZA: Ku janë sot fotografët shqiptarë? Sa janë të përkushtuar pas këtij pas këtij pasioni. Ku është sot fotografia shqiptare?

SHPUZA: Kur vjen puna te statistikat, unë nuk e ndjej vedin të aftë me dhanë përgjigje të sakta, mirëpo, e tham me bindje, se fotografët shqiptarë zajnë një vend të merituem në artin e fotografisë botnore. Kurgja nuk po bajnë politikat shtetnore për nxitjen apo përkrahjen e artistëve. Fotografia shqiptare ekziston vetëm falë pasionit të individëve. Për me kenë ma realiste, po ju rrëfej se unë kam hapë një galeri arti në Shkodër, ku, përveç ekspozita personale të fotografëve, çdo vit të ri organizoj një ekspozitë fotografie me fotografët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Janë fotografë të mirënjohun, të talentuem, të apasionuem mbas artit të bukur të fotografisë dhe vëmendja e publikut artdashës asht e padiskutueshme. Kur artdashësit magjepsen nga fotografia jote, kjo asht përgjigja ma e mirë për çdo artist…

Tetovë, nesër fillon edicioni jubilar i festivalit “Ditët e Naimit” (Video)

$
0
0

Prej nesër deri të shtunën (24 tetor) në Tetovë do të mbahet Edicioni i 25-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë (FNP) “Ditët e Naimit”.  Drejtori i këtij festivali, Shaip Emërllahu tha se në këtë edicion ky festival karakterizohet me një program të ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor, mes të cilave do të mbahen lexime letrare, promovimi i pesë librave, vizita të ndryshme në monumentet historike, kulturore dhe fetare në disa qytete brenda RMV-së, shkruan Portalb.mk.

Hapja e ceremonisë së edicionit të 25-të do të mbahet nesër në ora 19:30 me një performancë fishekzjarrësh para Pallatit të Kulturës në Tetovë. Në hyrje të Pallatit të Kulturës, publikut do t’iu dhurohet Antologjia e këtij edicioni dhe libra të tjerë të Festivalit. Kështu duke vazhduar më pas në Sallën e Madhe ku edhe do të bëhet hapja zyrtare e programit nga drejtori i këtij festivali, Shaip Emërllahu.

Programi do të vijojë me recitim poezish, lexim të poetëve dhe ndarje të çmimeve të ndryshme.

Shaip Emërllahu, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shaip Emërllahu, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shaip Emërllahu, drejtori i festivalit tha se 24 poetë nga vende të ndryshme të botës do të lexojnë poezitë e tyre. Ai theksoi se për shkak të pandemisë ishin në dilemë se si do ta zhvillojmë këtë edicion jubilar, pjesa më e madhe e poetëve do të jenë me prezencë fizike dhe vetëm shtatë poetë të huaj do të paraqiten përmes ekranit.

“Laurati i këtij Edicioni është poeti i madh afrikan nga Kongo i cili jeton në Luksemburg dhe në Paris, Kama Sywor Kamanda të cilin e kanë përzgjedhur para pak kohësh juria e përbërë nga Ymer Çiraku, Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli. Është një poet i rëndësishëm i letërsisë botërore, që ka marrë shumë çmime. Presim të vijë që ta urojmë dhe të kalojmë çaste të mira në këtë edicion.” tha Shaip Emërllahu.

Dita e dytë e programit do të vijojë në qytetin e Strugës, Ohrit dhe Pogradecit ku do të mbahet ora letrare “Poete dhe Vargje” ku për librat do të flasin poetët dhe studiues të ndryshëm.

Dita e tretë do të hapet me ekspozitë fotografish nga “25 vjetori i FNP “Ditët e Naimit”, më pas do të mbahet një konferencë shkencore dhe do të shfaqet një film dokumentar. Ndërsa në mbrëmje do të mbahet ora e madhe letrare ku poet të ndryshëm do të lexojnë poezitë e tyre si dhe pesë çmime të tjera do të ndahen.

Në këtë festival do të marrin pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës si Kongo, Italia, Rumania, Gjermania, Argjentina, Polonia, Norvegjia, Azerbajxhani, Kolumbia, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Moroko dhe të tjera.

Ndryshe, ky festival këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut.

Kushtuar romanit “Dashuri diktatori” nga autori Xhevat Mustafa

$
0
0
Daim Ilazi
Daim Ilazi

Romani “Dashuri diktatori”, është një roman që të trondit dhe revolton i cili është i ideuar dhe ndërtuar në dy linja kryesore. Personazhet kryesorë i lidh edhe njohja e afërt, shoqëria dhe armiqsia me Enver Hoxhën dhe viktimizimi i tyre prej tij, pas 29 nëntorit 1944, kur ai përqëndroi në duart e tij tërë pushtetin dhe aparatin shtetëror. Ky roman i autorit Xhevat Mustafa, gazetar,shkrimtar, ish diplomat, intelektual i njohur , lexohet me një frymë dhe të rrëqeth trupin.

Linja e parë përmbledh historinë e shoqërisë dhe të dashurisë së njëanshme (nga ana e tij) të Enver Hoxhës me Aurelia Pozeli Terrusi, komshijen italiane gjatë viteve të rinisë në Gjirokastër, si dhe të martesës së saj jetëshkurtër e fatkeqe, për shkak të ndëshkimit të bashkëshortit të saj, Xhuzepe Terrusi nga ana e Enver Hoxhës. Urrejtja dhe hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj ish shoqes së tij të rinisë, Aurelias, nisin të shprehen pas fitores së komunizmit në Shqipëri, më 29 nëntor 1944, kur ai arriti të jetë njëkohësisht njëshi i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe kryeministër i Shqipërisë.

Ashtu siç e kishte parandjerë Aurelia, në fund të marsit 1945, Xhuzepe, që ishte drejtor në Bankën Italiane në Vlorë, arrestohet me akuzën e sajuar se “ishte implikuar në transfertat e paligjshme të arit shqiptar për në Itali, gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë nga ushtria italiane”. Në një proçes gjyqësor formal apo farsë Xhuzepe u dënua me 8 vite burg. Ky u rezistoi kushteve të tmerrshme në burgun e qytetit të Vlorës dhe në burgun famëkeq të Burrelit deri më 15 mars 1952, kur vdiq si pasojë e një krize të rëndë dhe të mungesës së kujdesit shëndetësor në burg. Telegrami për vdekjen e tij arrin në Itali vetëm pas 3 muajsh. Xhuzepen e varrosin në një gropë, poshtë degëve të një qershie të vjetër, në mes të oborrit të burgut. Këtu ishin varrosur edhe shumë të tjerë më përpara.

Linja e dytë është një përmbledhje me ngjarje të ndodhura dhe të krijuara, që kanë të bëjnë me historinë e njohjes qysh në vitet e shkollës, në Liceun Francez të Korçës mes Sabiha Kasimatit, (shkencëtare biologe, diplomuar dhe doktoruar në Torino më 1941) dhe Enver Hoxhës. Për shkak se e njihte shumë mirë të shkuarën problematike të Enver Hoxhës në Korçë dhe Francë si dhe të kundërshtimit prej saj të dashurisë së tij, Sabiha Kasimati u survejua vazhdimisht dhe hapur gjatë periudhës janar 1945- 1951. Në këtë linjë përfshihen edhe episode nga shoqëria, takimet dhe bisedat e Sabihasë me publicisten dhe poeten Mysine Kokalari, diplomuar në Universitetin e Romës për gjuhë-letërsi italiane si dhe me publicistin dhe poetin Manush Peshkëpia, në periudhën e viteve 1941-1951.

Urrejtja dhe hakmarrja e Enver Hoxhës ndaj Sabihasë, që ashtu si Aurelia i thanë JO “dashurisë” së tij, arrijnë deri në ndëshkimin e saj me pushkatim më 26 shkurt 1951, me akuzat e fabrikuara si “terroriste” dhe “armike e popullit”. Sabiha Kasimati është e vetmja femër, që u arrestua dhe dënua me pushkatim si e implikuar në të ashtuquajturën “Bomba në Ambasadën sovjetike në Tiranë”. Mes të arrestuarve, sipas listës së përgatitur edhe me dijeninë dhe shtesat e Enver Hoxhës, është edhe tregtari Jonuz Kaceli, i cili kishte pas njohje dhe lidhje të hershme me diktatorin shqiptar. Një natë para ekzekutimit Jonuzin e torturon vetë Mehmet Shehu, ministër i Brendshëm i kohës dhe një nga njerëzit më të afërt të Enver Hoxhës si dhe një oficer i policisë, i njohur për dhunim kafshëror ndaj të burgosurve gjatë hetuesisë. Ata e hedhin Jonuzin gati pa ndjenja dhe të mbytur në gjak nga dritarja e katit të tretë, me dëshirën që të vdesë në vend. Dhe ashtu ndodh.

Por, publikisht vrasja e tij urdhërohet të paraqitet si vetëvrasje. Nëpërmjet fundit tragjik të këtij tregtari synohet të transmetohet mesazhi se Enver Hoxha dhe regjimi i tij e urrenin dhe e ndëshkuan Jonuz Kacelin edhe si përfaqësues të klasës së kapitalizmit, i cili në Shqipërinë e asaj kohe ishte në fazën embrionale. Mbështetur në lidhjet që ka me Sabihanë dhe për fatin e përbashkët, të pushkatimit më 26 shkurt 1951, në roman dhe skenar janë integruar edhe disa episode që kanë të bëjnë me Manush Peshkëpinë. Në këto episode ai paraqitet si bashkëshort, si prind, si mik i sinqertë, si poet, si antikomunist… Transmetojnë emocione të forta episodi i arrestimit të tij në natën e 19 shkurtit, para syvë të gruas dhe të dy fëmijve, djalit 13 vjeç dhe të vajzës 3 vjeçe si dhe biseda e tij para pushkatimit me Sabihanë. Shkurt, por me nivel të kënaqshëm artistik përshkruhet edhe masakra e 26 shkurtit 1951 nga diktatura enveriane, me detaje shumë shprehëse dhe emocionuese për secilin nga 22 viktimat, për Qemal Kasaruhon, Gafur dhe Myftar Jegenin, Haki Kodrën, për gjakovarin Tefik Shehu dhe prizrenasin Anton Delhysa, për Reis Selfon, Pjerin Guraziun, Fadil Dizdarin, Hekuran Trokën, Petro Konomin, Haki Kodrën, Mehmet Shkupin, Zyhdi Herrin, Gjon Temalin, Niko Lezon, Ali Qorraliun, Thoma Katundin, Pandeli Novan, Lluka Rashkoviçin.

Qëllimi është të gjendet një përgjigje për tri pyetje. Përse nuk e dashuruan Enver Hoxhen vajzat e bukura, italianja e bukur Aurelia Pozelli-Terrusi, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari? Çfarë panë ato tek ai, përtej bukurisë së jashtme, sidomos të fytyrës, që i trembi dhe ndaloi të lidhen? Përse Enver Hoxha i ndëshkoi shumë egërsisht shumicën e intelektualëve të diplomuar në Francë, Itali, Austri, Gjermani, e tj, që i kishte pasur komshinj në fëmijëri, rini dhe shokë universiteti, që dinin shumë të vërteta banale për shkollimin dhe sjelljet në Monpelje e Paris dhe të punës në Konsullatën e Shqipërisë në Bruksel? Në mbyllje: padyshim me këtë roman Xhevat Mustafa na ka dhënë një vepër që i referohet të shkuarës, por i flet bukur artistikisht të sotmes dhe të ardhshmes sonë si vend e si popull! Autori e paraqet diktatorin ashtu siç ishte në të vërtetë: I ashpër dhe i pashpirt, edhe ndaj njerëzve të familjes, shokëve, shoqeve, mosmirënjohës dhe hakmarrës …!

Nga Daim Iljazi

Duke shfletuar veprën e Dino Buzzatit “Një dashuri” (Roman)

$
0
0

Buzzati është një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm italian të shekullit të kaluar.

Me romanin e tij erotik “Një dashuri”, do t’i çojë peshë diskutimet rreth temës që e kishte shtjelluar.

Antonio Dorigo është një skenograf 49 vjeç, në moshën e rinisë së shkuar, që dashurohet në laviren e re 20 vjeç, Laiden. Ngjarja zhvillohet në Milano në metropolin e madh të tundimeve, karakteristike për qytete të mëdha .

Romani nis me të dhënat biografike të heroit kryesor Antonio Dorigos, që çon një jetë jo edhe aq të angazhuar. Dashurinë e blen në shtëpinë publike…dhe atëherë njihet me vajzën e re Laiden, që e bën t’i ndryshojë rrjedha e jetës së tij…ai jeton një jetë përplot me dyshime, hamendje, paragjykime, mosbesime, manipulime. Autori nuk e kursen heroin e vet, është real, duke e treguar në situata të rënda, të ashpra dhe të pakëndshme…vetëm aty ku mund ta shpjerë një njeri, një dashuri e vërtetë.

Romani i tij i vetëm erotik, bëri bujë e morri formën e një procesi ndaj Dino Buzzatit, njësoj përafërsisht si “Zonja Bovari”i Floberit.

Syri i mprehtë, vështrimi, hyrja në poret më të imta jo vetëm të qytetit italian Milanos , por edhe të banorëve të saj, shëtitja e ngadalshme nëpër rrugët e ngushta dhe të gjëra të Milanos, paraqitja panoramike e jetës së një pjese të qytetarëve të saj, të ndërtesave me dhe pa ashensor, të portierëve, lajm-marrësve dhe lajm-dhënësve ,duke ecë ngadalë edhe nëpër korridoret e shtëpive kulturore si dhe të një pjese të fshehur të “shtëpive publike”, nëpër mëhalla të varfërve, duke i treguar vajzat e reja të mitura e të pafajshme e duke u munduar të gjejë diçka të jashtëzakonshme, të çuditshme dhe të paparë, autori nuk është gjykatës as për qytetin e Milanos e as për vajzat e reja që kanë rënë pre e mëkateve. .e duke ardhur ngadalë deri në portretizimin e personazheve kryesorë Antonio Dorigos 49 vjeçar në njërën anë, dhe Laides, një çupëlinë, njëzet vjeç, ne e ndjejmë romanin , ashtu lehtazi, me një përshkrimin sa realist, po aq artistik.

Romani ” Një dashuri”, është roman poezi.

Paraqitja jo vetëm e natyrës së jashtme fizike, por edhe atë të brendshme shpirtërore të aktorit kryesor, një dizajner të shkëlqyer i tablove të teatrit, të kulturës, këngës e baletit, skenograf i veshjes së aktorëve më Shtëpinë e kulturës, të operës, të “La Scala-s”, të pjesëmarrësve të saj, dhe gjendjes shpirtërore e psikike të Antonios dhe Laides, të cilët Buzzati i paraqet në një mënyrë aq mjeshtërore, sa e ndjejmë jo vetëm si ndjehet psikikisht por edhe shpirtërisht, e shohim si në pasqyrë çdo shenjë në fytyrën e Dorigos, dhe krejt dridhërimat e shpirtit që i përjeton duke e pritë, e duke e parë gjendjen e tij, si e shikonte derisa luante balet ajo, që shtiret se nuk e njeh, vajza, që e quan herë si çamarroke, e herë si çupëlinë Laiden, laviren, me të cilën ka kontakte të shkurtra të kënaqësisë fizike…gjë që ngadalë, duke mos qenë i vetëdijshëm, ajo, Antonios do t’ia ndryshojnë jetën kur do të vetëdijësohet.

Nuk ishin ato momente të marrëdhënieve seksuale, që i paguante, por figura e saj, siç e përshkruan autori,(“…Laide-ja ishte një fytyrë e vendosur, hokatarë, e patëkeq, dinake, e dëlirë provokuese…),filluan t’i kthehen në ankthe….në mundime psikike, xhelozi, e makthe shpirtërore, kur e kuptoi se “çamarrokja” e re, lavire, me të cilën kishte një ndryshim të bukur vitesh, ajo tridhjetë vjet më e re, gati fëmijë para tij, i kishte hyrë thellë në zemrën dhe mendjen e tij, e bënte shumë të shqetësohet para saj, duke u munduar të përmbahet të mos e tradhtoje gjendjen emocionale , dashurinë e ndrydhur brenda vetes mirë. Laideja e keqpërdorte mirësinë e tij, me Marçellon, dashnorin që e paraqiste si kushëri e atë si një ungj para botës, pra … ajo qëllimisht e përdorte Antonion për nevojat e saja si një shërbëtor, e përulte para syve të tjerëve, me teket e saja duke ditur se ai nuk do ta kundërshtonte për asgjë, gjë që ishte e vërtetë. E sillte në një pozitë aq të rëndë shpirtërore, sa ai me netë të tëra nuk flinte., ndërsa ajo e çonte ta ushqejë edhe qenin e saj, e vet shkonte me burra të tjerë. Antonio, një intelektual…vuante me netë të tëra duke pritur ndonjë ndryshim në sjelljen e saj, dhe përsëri në çdo përulje e poshtërim e ulte kokën dhe vuante…

Antonio mendoi se u nda…por, nuk e çoi as katërmbëdhjetë ditë, e thirri , i pranoi kushtet e saja, dhe vazhdoi çmeritjen e zakonshme, të matufepsurit e tij, skëterrën në kraharor, regëtimën, gulçin, shkallmimin…hamendjen…ai, parapëlqen të jetë në zgrip të zemërimit sikletit dhe xhelozisë duke psherëtirë dhimbshëm:

“Pra, kjo qenka dashuria…në këtë mur shpërfilljeje thërrmohej vala e ëndrrave, zjarri hyjnor!”.

Kështu duke e lexuar këtë roman me një përkthim të shkëlqyer të Dritan Çelës, na hapet një horizont i ri në përvetësimin e një fjalori mrekullisht të pasur, të kuptueshëm e joshës.

 


16 vjeçarja Emine nga Tetova, ka promovuar librin e saj të dytë (Video)

$
0
0

Dashuria dhe përkushtimi i saj për të shkruarit që në moshë shumë të re, ka bërë që ajo tashmë të ketë dy librat e saj edhe pse është vetëm 16 vjeçe. Poetja e re Emine, e intervistuar nga Portalb na tregoi për pasionin e saj të madh dhe librin e saj të dytë të promovuar këtë javë “Nga vargu në varg”. Ajo thotë se për këtë libër ka marrë shumë komente pozitive dhe se është pritur në një mënyrë shumë madhështore. Ndërkaq, pas kësaj ajo premton se do të vazhdoj dhe më tej të shkruaj dhe të promovoj libra të tjerë.

Kush është Emine për ata që se njohin?
Përshëndetje të gjithëve, uroj që të gjithë të jeni mirë. Atëherë sa i përket asaj se kush jam unë, unë jam Emine Islami nga fshati Pallçisht i Poshtëm (i rrethinës së Tetovës). Jam 16 vjeçare dhe kam mësuar në shkollën fillore “Dervish Cara”, kurse tani jam e regjistruar në shkollën e mesme  “Nikolla Shtejn”, unë kam botuar dy librat e mi, libri i parë është “Pesëmbëdhjetë” kurse i dyti “Nga vargu në varg”. Kjo është ajo se çfarë bëj unë në kohë të lirë pra, vazhdimisht shkruaj.

Prej kur ke filluar të shkruash derisa në një moshë kaq të re ke arritur të promovosh dy libra?
Atëherë, sa i përket asaj se prej në çfarë moshe kam filluar të shkruaj unë. Ka qenë një moshë vërtet shumë e vogël, unë kam qenë 8 apo 9 vjeçe kur kam filluar të shkruaj ato poezitë fëmijërore po, nuk mund të thuhet se dy libra i solli vetëm puna se kam shkruar shumë e re sepse kur e botova librin e parë vetë më erdhi ajo dëshira të vazhdoja ende më shumë pra, ajo e solli edhe librin e dytë.

Emine Islami

Kush ka qenë mbështetja mbështetja jote më e madhe në këtë drejtim?
Po, mbështetja ime më e madhe në fillimin tim normalisht që ka qenë familja  por, atë iniciativën më kryesore e kam marrë nga Nagip Ismaili edhe ai është një anëtar i familjes sime dhe mund të them se kryesor i gjithë kësaj procedure ishte ai.

Cili ka qenë mesazhi i librit tënd të dytë që e ke promovuar këtë javë dhe si kanë qenë reagimet e njerëzve?
Libri im i dytë i cili u promovua këtë javë nuk është se ka një mesazh të vetëm pra secila poezi e ka mesazhin në vete dhe po t’i grumbullosh të gjitha poezitë dalin mesazhe të ndryshme. Kurse sa i përket reagimit të njerëzve, personave të cilëve deri tani kam arritur tua shpërndaj librin, më kanë dhënë komente shumë pozitive dhe e kanë pritur librin tim në mënyrë shumë madhështore dhe më kanë dhënë një ndjenjë shumë të bukur.

 

Cilat janë synimet e tua për të ardhmen?
Sa i përket asaj se çfarë planifikoj të bëj në të ardhmen, nëse flasim për librat normalisht që planifikoj të vazhdoj me libra po, në qoftë se flasim për punën që dua ta realizoj nuk është se e kam ende të caktuar sepse dita e ditës ndryshon dëshira për atë se çfarë dua të bëhem dhe prandaj le të ja lëmë kohës.

Në fund Emine ju drejtua gjithë rinisë me mesazhin e saj që t’i japin përkushtim vetes së tyre.


Një mesazh për moshatarët e tu?
Pra, nga mesazhet e ndryshme që mund t’u jepen të rinjve, mesazhi im do të ishte se duhet në çfarëdolloj aspekti ti përkushtohen vetes sepse ajo sjellë çdo të mirë, kur ne i përkushtohemi vetvetes e mira vjen vet.

 

RMV, “Copyright trolling”– mbrojtja e të drejtës së kopjimit apo një përpjekje për të heshtur median?

$
0
0

“Trolling mbi të drejtat e autorit”(copyright trolling)  ose abuzimi me të drejtat e autorit po hyn në një shkallë të gjerë në vend. Fenomeni negativ që filloi të shfaqet kah mesi i dekadës së fundit në vendet e zhvilluara është përhapur në Maqedoni, me kërcënime nga individë dhe kompani të caktuara përmes firmave ligjore se ata do të paraqesin padi kundër mediave për shkelje të së drejtës së autorit të fotografive të marra, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në thelb, “copyright trolling” i referohet kërcënimit të vazhdueshëm për aktpadi nga bartësi i të drejtës së autorit mbi disa fotografi të mediave që e kanë marrë fotografinë gjatë raportimi mediatik. Zakonisht, këto korrespondenca elektronike me median fillon me kërkesë për dëmshpërblim financiar në shumën prej disa mijëra eurosh për një fotografi të marrë, e cila zgjat për disa muaj duke “negociuar” me avokatët shumën financiare që ata duhet të marrin për përmbajtjen e shkarkuar. Nëse nuk arrijnë të marrin shumën parave, që pa arsye është tepër e madhe, që e kanë pas për qëllim, në një numër jo të vogël çështjesh do të ketë proces gjyqësor kundër shtëpive mediatike.

Kërcënime dhe shantazhe për të paguar shuma të mëdha parash, përndryshe do të ketë proces gjyqësor

Agjencia e lajmeve Meta.mk më shumë se një vit më parë mori një kërcënim të tillë gjyqësor përmes një letre nga një avokat në një vend evropian për një fotografi të realizuar në vitin 2016. Letra i referohet një fotoje të Esma Rexhepova në një koncert që ishte mbajtur shumë kohë më parë, por u përdor nga disa media kur vdiq këngëtarja e famshme nga Maqedonia.

Korrespondenca zyrtare zgjat për një periudhë më të gjatë kohore, si rregull, e gjithë korrespodenca nga avokati i huaj përfundon me kërkesë për të paguar një shumë të madhe parash dhe një llogari bankare të shënuar, në të cilën duhet të paguhen deri në një datë të caktuar. Nëse nuk paguhen, kërcënohet me proces gjyqësor.

Sidoqoftë, edhe pas skadimit të kësaj date, përsëri dërgohet letër me afat të ri brenda të cilit duhet të paguhen paratë, përndryshe do të pasojë një proces gjyqësor. Dhe kjo zgjat më shumë se një vit.

Avokati Valentin Pepeljugoski për Meta.mk thotë se respektimi dhe mbrojtja e të drejtës së autorit është një arritje civilizuese dhe flet për nivelin e zhvillimit të një shoqërie. Sidoqoftë, abuzimi me të drejtat e autorit ndodh në situata kur autorët ose mbajtësit e të drejtës së autorit kërkojnë një shumë më të lartë në mënyrë që pala tjetër të refuzojë pagesën. Në raste të tilla, autorët ose mbajtësit e të drejtave të autorit paraqesin një proces gjyqësor ku shpenzimet gjyqësore do të jepen shuma shumë herë më të mëdha, me të cilat paguhen autori dhe avokati i cili e drejton procesin.

“Le të jemi të qartë, askush nuk është kundër mbrojtjes së të drejtës së autorit, por ky është një abuzim klasik dhe gjykatësit duhet ta parandalojnë atë. Nuk mund të paguani 500 euro për përdorimin me kontratë, ndërsa të fitoni 5.000 euro nga një procedurë gjyqësore,” tha avokati Pepeljugoski.

Në periudhën e kaluar, theksi i aktpadive të këtilla është vendosur kryesisht në fotografi, pasi ka softuer dhe agjenci të specializuara që mund të zbulojnë automatikisht përdorimin e fotografive. Avokati Pepeljugoski shton se vendi jonë nuk është i gatshëm të merret me copyright trolling, sepse shumica e mediave nuk kanë këshilltarë ligjorë për të monitoruar situatën me të drejtat e autorit dhe abuzimet e saj, ndërsa gjykatësit dhe ekspertët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë materje.

Gjykata Supreme me vendim në kundërshtim me vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore

Një rast i ngjashëm që ka të bëjë me të drejtat e autorit mbi një fotografi të një këngëtari të njohur nga rajoni, i cili u botua shumë kohë më parë dhe u mor nga disa media, përfundoi përpara Gjykatës Supreme në fillim të qershorit të këtij viti. Në këtë rast, shuma të mëdha parash u mblodhën nga disa media në vend, në një proces gjyqësor nga një fotograf serb i përfaqësuar nga një avokat maqedonas. Si Gjykata e Shkallës së Parë ashtu edhe Gjykata e Apelit vendosën kundër medias dhe në favor të fotografit, dhe paratë për dëmet dhe shpenzimet gjyqësore janë mbledhur tashmë.

Sidoqoftë, në kundërshtim me Gjykatën e shkallës së parë dhe Gjykatën e apelit, Gjykata Supreme vendosi të hedhë poshtë pretendimin e fotografit si të pabazuar. Duke vepruar kështu, ata udhëzuan paditësin, fotografin nga Serbia, që të rimbursojë fondet e mbledhura plus kostot shtesë. Gjykata Supreme, në dy vendime të ndara, për media TV Sitel dhe Fakulteti.mk vendosi që paditësi t’u paguajë atyre 462,356 denarë (Sitel) dhe 659,856 denarë (Fakulteti.mk) brenda 15 ditëve nga marrja e vendimit.

Në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se paditësi nuk dha asnjë provë se fotografia e diskutueshme ishte puna e tij dhe se ai e kishte fotografuar atë me pëlqimin e këngëtarit në një koncert në mars 1988.

Gjithashtu, vendimi i gjykatës thotë se fotografia nuk mund të jetë provë e rëndësishme sepse është në dispozicion në shfletuesin GOOGLE, kështu që nuk mund të kontrollohet kush është autori, dhe as nuk ka udhëzime ku mund të merret një informacion i tillë.

Për më tepër, thuhet se gjykatat nga shkallët më të ulëta vendosën që e drejta e autorit ishte shkelur në këtë rast vetëm përmes kopjeve të paraqitura të shtypura nga ekranet e njoftimeve, të cilat nuk ekzistojnë kur ngrenë një padi dhe nuk mund të arrihen nga një shfletues .

Në Serbi, shoqatat e gazetarëve organizojnë debate publike për çështje të tilla

Në Serbinë fqinje, praktika e padive në masë të madhe për shkelje të së drejtës së autorit u aktualizuar disa vjet më parë, kur në një kohë të shkurtër disa media u paditën, dhe në praktikë çështjet gjyqësore përfunduan kryesisht në favor të fotografëve me shpërblim prej mijëra ose dhjetëra mijëra euro në dëm financiar, plus kompensim për shpenzimet gjyqësore. Si rezultat, gjykimet kundër mediave kanë çuar në një luftë për mbijetesën e disa mediave, përfshirë pagesën e ndihmave të rregullta për gazetarët e punësuar dhe punonjësit e medias. Dhjetëra punonjës të medias shpesh kërcënohen se po fotografojnë një autor për shkak të kompensimeve paarsyeshëm të larta të gjykatës.

“E-novine” nga Serbia është media e parë që është shuar për shkak të kërkesave për dëmshpërblim nga autorë të caktuar të fotografive, punimet e të cilëve janë marrë pa marrëveshje të veçantë. Shoqata e pavarur e gazetarëve të Serbisë reagoi qysh para pesë vitesh se edhe vjedhja e fotografive, por edhe proceset gjyqësore kundër mediave për veprime të tilla janë në fakt një “përmbytje” për vetë mediat. Ata më pas publikuan listën jozyrtare të çmimeve të Shoqatës së Mediave, e cila përfshin pagesën e kompensimit të autorit / mbajtësit të veprës nga 10 euro për një foto të thjeshtë arkivore në maksimum 500 euro për një foto ekskluzive të një ngjarje aktuale. Lista e tillë e çmimeve është bërë në bazë të praktikës së përditshme, e cila jep mendim realist mbi çmimin e fotografive në Serbi.

Sidoqoftë, proceset gjyqësore të pakuptimta dhe abuzimet e të drejtave të autorit kundër medias në Serbi kanë vazhduar, duke bërë që shoqatat e gazetarëve të mbajnë konferenca duke debatuar këtë çështje midis fotografëve si mbajtës të së drejtës së autorit dhe mediave si përdorues të fotografive. Shoqata e pavarur e gazetarëve të Vojvodinës raporton për një debat të organizuar nga viti 2017, në të cilën fotografët, avokatët dhe përfaqësuesit e mediave arritën në përfundimin se komunikimi midis fotografëve dhe medias ishte i nevojshëm për të kapërcyer ndryshimet e mëdha në lidhje me interpretimin e legjislacionit që rregullon të drejtat e autorit.

Në Maqedoni, mediat janë lënë vetëm

Në rastin e Maqedonisë, avokati Pepeljugoski thotë se mediat nuk duhet të përdorin të drejta e autorit të të tjerëve pa i blerë më parë. Sidoqoftë, është e nevojshme që shoqatat e fotografëve dhe media të publikojnë listat e tyre zyrtare të çmimeve për përdorimin e fotografive. Ai shton se gjyqtarët në procedurat e filluara duhet t’i kushtojnë vëmendje parimeve të abuzimit të ligjit dhe të mos lejojnë arkëtimin e kostove të panevojshme, ndërsa nevojitet trajnim dhe specializim për gjyqtarët të cilët merren me çështje të tilla. Në të njëjtën kohë, media duhet të vendosin marrëdhënie të punës në bazë të kontratës që do të rregullojnë pronësinë dhe të drejtën e autorit.

“Ligji aktual për të drejtat e autorit do të duhet të harmonizohet me të ashtuquajturën Direktiva digjitale e BE për të drejtat e autorit. “Ekzistojnë dispozita të caktuara që rregullojnë të drejtën e qytetarëve për t’u informuar dhe dhënë kompensim monetar dhe jo të tregut për përdorim të paautorizuar,” shpjegon Pepeljugoski, i cili këshillon të gjithë të përdorin mënyra alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe zgjidhjen jashtë gjykatës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Një tjetër alternativë për të shmangur mosmarrëveshjet e këtilla është organizata jofitimprurëse Creative Commons, e cila ka lëshuar disa licenca të hapura me të drejtë të autorit, të cilat lejojnë krijuesit e fotove të përdorin këto licenca për të zbuluar se cilat të drejta mbajnë dhe cilat të drejta heqin dorë në favor të të gjithë subjekteve që do të përdornin në të ardhmen, edhe nëse ato i kanë modifikuar përmbajtjet e tilla.

Fondacioni Metamorfozis, në vendin tonë, vite me radhë përdor licencat e Creative Commons për të gjithë përmbajtjet që i krijon si një shoqatë qytetare, por edhe përmes mediave Meta, Portalb dhe Vërtetmatësi, së bashku me botimet që boton, të cilat qartë janë shënuar në ueb-faqet me vite të tëra.

Libri i shkrimtares Shqipe Sylejmani “Bürde & Segen”, së shpejti dhe në gjuhën shqipe (VIDEO)

$
0
0

E lindur në Prishtinë por e rritur në Zvicër, Shqipe Sylejmani, autorja e librit të famshëm “Bürde & Segen“ flet për Portalb për mesazhin që përcjell libri dhe historitë interesante për kulturën shqiptare në të. Këtë libër e promovoi javë më parë dhe ka arritur numër të madh të lexueshmërisë nga vende të ndryshme të botës. Shqipja merret dhe me punë të tjera, një ndër ato është puna e gazetarisë. Këto dhe shumë të tjera i theksoi ajo në intervistën e saj për Portalb.

Shqipe Sylejmani, Bürde & Segen

Kush është Shqipja për ata që nuk e njohin?

Quhem Shqipe Sylejmani dhe jam autore e librit “Barrë & Bekim” ose në gjermanisht “Burde & Segen“. Unë jam 32 vjeçare dhe jetoj në Zvicër me prejardhje nga Kosova, jam e lindur në Prishtinë. Punoj në Zvicër si gazetare, kolumniste, por edhe në komunikime për një agjenci. Mundohem ta shprehi kulturën shqiptare në gjithë botën. Kam filluar në gjuhën gjermane në Zvicër, Gjermani dhe Austri me librin “Bürde & Segen”, ndërsa pastaj do të përkthehet libri në gjuhën angleze dhe shqip për të shpërndrë mesazhin e kulturës tonë edhe më larg.

 

 

Shqipe Sylejmani, Bürde & Segen

Çfarë mund të thuash për librin tënd të promovuar para pak kohësh “Bürde & Segen” (“Barrë  & Bekim”), cili është mesazhi i këtij libri?

Mesazhi i librit “Barrë & Bekim” kisha thënë që është më e madhja ta shprehi si e kemi përjetuar si diasporë shqiptare jetën në diasporë. Cilat pyetje kanë qenë për ne relevante, si e kemi përjetuar integrimin në një shtet tjetër, si e kemi mirëmbajtur kulturën tonë shqiptare edhe në diasporë dhe besoj që edhe shumë të rinj që jetojnë jashtë e njohin atë ndjenjën që nuk je komplet e përmbushur gjithmonë kur të jetosh në diasporë se të mungon vendlindja.
Në libër bëhet fjalë për këtë ndjenjë që një vajzë e re që ritet në Zvicër me prejardhje kosovare kthehet te rrënjët e saja për të zbuluar kulturën shqiptare por edhe për me gjetë vetveten. Ajo shkon i viziton të gjitha trojet shqiptare prej Kosovës, në Shqipëri në Mal të Zi në Maqedoni dhe nuk takon vetëm njerëz të mrekullueshëm dhe një kulturë shumë të bukur por gjithashtu edhe anekdota, tregime shpjegime të kulturës tonë por edhe këshilla që i ndihmojnë të kuptoj jetën më mirë. Besoj që ajo është shumë e veçantë për kulturën tonë shqiptare që e kemi këtë mundësi për me shpreh veten përmes anektodave.

Shqipe Sylejmani, Bürde & Segen

Çfarë reagimesh (feedback-u) ke pasur nga njerëzit që e kanë lexuar këtë libër?

Feedback-u (Reagimi i njerëzve) ka qenë i mrekullueshëm dhe me thënë të drejtën nuk e kam pritur që do të ketë efekt aq të madh, sidomos e kam paramenduar që te shqiptarët do të lexohet pak më shumë. Por, reagimi më i madh ka qenë se sidomos zvicranët e lexojnë librin sepse janë të interesuar në kulturën tonë shqiptare që është një shenjë shumë e mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në diasporë. Por, edhe një feedback shumë i madh ka qenë se libri është shumë i dhimbshëm normal kur shprehemi ne në diasporë, emocionet tona për vendlindjen. Shumë është emocionale por, ai ka qenë një reagim edhe për mua që njerëzit me këtë libër kanë gjetur një mënyrë një lidhje me vendlindjen e tyre, një dëshirë për të krijuar vetë një udhëtim në këto vende si të Shotës, personit në libër, reagim më të mirë nuk mund të ketë më shumë se dikush të inspirohet edhe vet ta bëj një udhëtim të tillë.

Shqipe Sylejmani

Përveç shkrimeve me çfarë merret tjetër Shqipja?

Unë përveç shkrimeve punoj edhe si gazetare në Zvicër dhe kam një kolumne te portali “Nau.Ch” por, gjithashtu edhe te një agjenci të komunikimit ku përkrahim kompani të ndryshme me komunikimin dhe marketingun e tyre. Normalisht, vazhdoj edhe shkrimet për librat që do të vijnë në të ardhmen.

 

 

Shqipe Sylejmani

A ke në plan të shkruash ndonjë libër edhe në gjuhën shqipe?

Qëllimi është patjetër të vazhdoj shkrimet me libra të tjera sidomos në gjuhën shqipe. Libri “Barrë & Bekim” së shpejti do të botohet edhe në gjuhën shqipe. Dhe kur e kam lexuar vetë për së pari herë në gjuhën shqipe shumë jam emocionuar se përsëri në gjuhën tonë të bukur gjithçka tingëllon pak më ndryshe pak më emocionuese dhe besoj që edhe në të ardhmen librat që do t’i botoj në gjuhën gjermane do të botohen edhe në gjuhen shqipe, nëse është interesi aty normal.

Çfarë mesazhi do i jepje rinisë?

Mesazhi im për të rinjtë është që kur mos të heqin dorë prej asaj që dëshirojnë të arrijnë në jetë. Edhe unë kam pasur disa sfida që normal ndodhin kur njeri mundohet t’i plotësojë dëshirat dhe ëndrrat. Nuk është lehtë, e di që rruga është e gjatë, e di që ndonjëherë edhe mundësitë nuk ekzistojnë por, në jetën time kam mësuar që çdoherë kur dikush nuk ndalon t’i jep të gjitha çka i posedon për t’i realizuar ëndrrat atëherë nuk ka mundësi të mos plotësohet. Prandaj dhe mesazhi im për rininë shqiptare është se jemi shumë të talentuar, jemi të bekuar me talente në kulturën tonë që kurrë mos të ndalen të punojnë dhe t’i plotësojnë ëndrrat e tyre.

 

Në Tetovë u promovuan dy romane

$
0
0

Krijimtaria letrare në prozë e dy romaneve u promovua në Tetovë në hapësirat e lokalit Shend e verë, “Donika-dielli do të shkëlqejë përsëri” i autorit Ismail Aliu dhe romanin “MAKTHI” i autorit Fatmir Halimi, transmeton Portalb.mk.

Veprat e autorit Ismail Aliu i ka botuar Shtëpia Botuese  “PROKULTPRESS” nga Prishtina. Autori është nga Tetova, pas studimeve për ekonomi në Universitetin e Prishtinës, për shkaqe të rrethanave politike emigron në Berlin të Gjermanisë, për më shumë se 40 vite.

“Ai më shumë se gjysmën e jetës së tij e ka kaluar në mërgim, shkruan shqip që buron nga malli dhe dashuria për atdheun dhe dëshira e madhe që përmes temave që trajton të kontribuoj në ngritjen e vlerave tona kombëtare dhe letrare”-u shpreh botuesi Fatmir Halimi. Ai më tej shtoi se Ismaili përmes syzheut të formave të tij në qendër të vëmendjes ka individin shqiptar të migruar nëpër vende të ndryshe evropiane, integrimin e tyre në jetën shoqërore, ku ata jetojnë dhe veprojnë.

Veprat e botuara nga ky autor janë: “Jeta në pranga”,”Duke thurur ëndrra për jetën harrova të jetoj, “Dashuria në kontekstin e letërsisë dhe të psiko-filozofisë”, “Fletët e një ditari”, “Më fal Atdhe”, “Donika-dielli do të shkëlqejë përsëri”.

Te romani “Donika-dielli do të shkëlqejë përsëri” dëshmohet edhe talenti dhe zgjuarsia e autorit për të mbajtur të gjitha situata në kontroll, të cilat i krijohen për mes personazheve të shumtë: Donika, Bashkim Kosova, Marash Hoti, Kushtrimi e shumë të tjerë. Ngjarja e romanit vendoset në Kosovë  disa vite pas përfundimit të luftës së fundit. Krejt intriga e romanit zhvillohet dhe ndërtohet mbi bazën e shoqërisë kosovare pas përfundimit te luftës, ku shqiptarët edhe pse e fituan lirinë, brenda tyre mbeten mbeturinat e pushtetit serbo-sllav, të cilat inkuadrohen në institucionet e reja dhe bëhen përsëri të pushtetshëm. Autori i jep shpresë krejt kësaj drame me gjeneratat e reja qe luftuan për lirinë e vendit.

Njëherit u promovua edhe romani “MAKTHI” i autorit Fatmir Halimi nga Kosova.Për krijimtarinë e autorit dhe romanin një fjalë një vështrim të përgjithësuar prezantoi krijuesja tetovare Sadije Aliti.

“Shkrimtari rrëfimin e tij për ngjarjet, të bëmat dhe episodet e shumta të jetës i paraqet përmes narratorit, ose rrëfimtarit në vetën e parë, pra personazhit kryesor, ato barriera të jetës e mbajnë edhe lexuesin më makth, se cila do të jetë ndodhia e radhës dhe çka do të duhet të kalojë Agoni, personazhi kryesor, për të sfiduar atë që jeta ia servon larg vendit të tij diku nëpër Evropë”, theksoi Aliti.

Fatmir Halimi u lind në fshatin Dumnicë të Podujevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Podujevë, ndërsa studimet në degën Letërsi dhe gjuhë shqipe i kreu në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinës, ku edhe ka magjstruar. Autori ka një karrierë 30 vjeçare në krijimtarinë letrare.

Mitingu i Poezisë që mbahet në Gjakovë, i organizuar nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, sivjet u mbajt për të 57-tën herë me radhë, në konkurs të shpallur për roman, prozë dhe poezi nga Klubi Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” për vitin 2021, e zuri romani me titull “Makthi” i shkrimtarit Fatmir Halimi, mori Çmimin e parë “Teki Dervishi”

Romani “Makthi” i Fatmir Halimit përshkohet me një stil ri të krijimit dhe me një temë psikologjike, por edhe sociale dhe shoqërore, ku personazhi kryesor është një individ krejt i vetmuar mbi sipërfaqen e detit dhe mbijetimin e tij, i cili faktikisht e përjeton, por edhe e mbijeton makthin. Fitues i Çmimit vjetor për letërsi “Anton Pashku” për veprën më të mirë letrare në prozë të botuar brenda vitit 2017. Romani “Dy vdekje të një jete” është një sprovë e kaluar me sukses nga autori Fatmir Halimi. Ky roman ka për motiv periudhën e luftës së fundit në Kosovë dhe pasojat e saj, të cilat transmetohen nëpërmjet të fateve të dy personazheve kryesore si: Astritit dhe Valberës, dy të dashuruar marrëzisht, e të cilët i ndau lufta. Fundi tragjik dhe dhënia e besës për t`u bashkuar në botën tjetër, japin kulmin e dhembjes dhe emocionit që e përshkon romani.

Duke shfletuar romanin “Misionari i Kasabasë”

$
0
0

Gazetari dhe publicisti tetovar, Ismail Arsllani, tash së voni erdhi me romanin e tij historik, “Misionari i kasabasë”. Duke shfletuar këtë roman, që në tregun letrar të Maqedonisë së Veriut është deficitar për momentin, që në fillim ndjell një dëshirë që të përpihet dhe, në fund, të lë pa frymë. Me stilin e tij karakteristik, vlerat artistike e stilistike të shprehjes, konstruksionet sintaksore, po edhe përmbajtja mjaft tërheqëse, përplot legjenda dhe fjalë të urta, përvetëson lexuesin që në faqen e parë të veprës.

Romani nis me një maturi, duke rrëfyer një shtjellë ngjarjesh në qytezën e quajtur Kasaba të gjysmës së dytë të shekullit 19, kur kishte filluar grabitja e tokave shqiptare. Sulltan Abdylhamidi i Dytë, në përpjekjet e tij për ta mbrojtur edhe më tej sundimin e gjithëpushtetshëm në tokat e Ballkanit, kishte dërguar në atë kasaba një njeri shumë të mençur, një ish-student të Sheriatit të Universitetit Perandorak të Stambollit. Ky ishte Baba Dijetari, personazhi kryesor i romanit, rreth të cilit shtjellohet tërë ngjarja, duke nisur nga ardhja e tij në kasabanë e përshkruar me ngjyra panoramike, me njerëz të urtë, të mençur si Selman Alia – Samarxhiu, punëtorë e zanatçinj të ndershëm, Usta Ahmeti, xha Azami, Malësor Deda, agallarët Hafiz aga Hajrizi, e bija Hanifja, Pashai i Kasabasë, komisari i xhandarmerisë, Kukaleci, një njeri i gjymtë, me emrin e të cilit nënat i frikësonin fëmijët e tyre, pastaj Sheh Mustafa, njeriu i dytë i Lidhjes së Prizrenit e disa të tjerë.

Romani është shumë tërheqës me historitë e rrëfimit të një kronike ngjarjesh, të mbushura plot me hafije, tradhtarë, kriminelë, cuba mali, bashkëpunëtorë të shteteve fqinje, asokohe grabitëse të tokave tona. Përshkruan jetën e popullatës deri në imtësi, të agallarëve e bejlerëve, të varfanjakëve, të myslimanëve e të krishterëve, të cilët kishin emrin e përbashkët – milet. Në këtë narrativ nuk mungonin as historitë e dashurisë, deri në vetëflijim.
Romani është një tundim i vërtetë për një lexues, nëse fillon të lexojë, vështirë se mund ta braktisë. Ismail Arsllani, duke na e zbuluar atë botë aq të fshehur, në vazhdim na jep një pasqyrë të imagjinatës së femrës së mbuluar të asaj kohe, na e zgjon kërshërinë edhe më shumë, se ç’u bë me Hanifen, po me shoqen e saj Hajrien(?), e cila me po aq afsh i vlonte dashuria, për të njëjtin mashkull, Baba Dijetarin. Përshkruhen përjetimet e Hanifes, asaj vajze që flinte në jastëk me pupla, por zemra i qe copëtuar grimë e në çdo moment i kërcente dhe i shkaktonte dhimbje në gjoks.

Jeta në atë kasaba, me ardhjen e Baba Dijetarit kishte filluar të shkallëzohet në një krizë të madhe, që përfundonte edhe me vrasje. Gazetat e huaja shkruanin për copëtimin e tokave arbërore. Burrat e kësaj kasabaje nuk ishin të qetë, ata deshën ta tregojnë forcën që kanë. Një ditë të bukur dolën në shesh për ta ngritur zërin e thanë: “Jemi më shumë se 60 mijë burra, prej të cilëve kemi dalë në këtë shesh 5 mijë… Popull i nderuar, jemi mbledhur këtu që të nxjerrim një kërkesë për bashkimin e arnautëve dhe mbrojtjen e tokave tona kundër ndarjes, që pritet të bëhet nga ana e fuqive të mëdha…”

Autori Arsllani e çon lexuesin të mendojë jo vetëm për qytetin dhe njerëzit, por ia kujton edhe kreshtën e një pjese të historisë sonë, që, sa e njohim, po edhe jo gjithaq. Njeriut, në momente, i rrëmbushen sytë, përjeton rrëqethje. Megjithatë, njerëzit ishin zemërgjerë, qytetarë e fshatarë. Fytyrat e tyre qeshnin. Në qytetin e tyre kishin disa punëtori armësh. Shumica e burrave kishin armë për vetëmbrojtje.

Ismail Arsllani rrëfen historinë, duke ia qëndisur të gjitha poret, me të gjitha ngjyrat, me ecejaket e ngadalshme, por mbresëlënëse të paraqitjes së ngjarjeve; pikturimit të kasabasë, njerëzve me gjithë gjallërinë që e ka, si dhe protagonistin kryesor, Baba Dijetarin, me gjithë misionin e tij në atë kasaba.

Dimensioni i rrëfimit është i gjerë dhe përfshin një retrospektivë të fuqishme, me urtësinë e përshkrimit të kasabasë, ngjarjet, njerëzit e krejt kjo, me një qëllim: të njihet në imtësi çdo cep e skaj i qëndismës së kasabasë, që na përkujton kohën kur vashat me kujdesin më të madh punonin pajën e nusërisë, pëlhurën me ngjyrat e ndryshme të penjve, me dashuri dhe me mjeshtëri.

Romani lexohet me një shpejtësi të rrufeshme dhe lexuesi përjeton momentet më të këndshme. Lexohet me shumë dëshirë, me një padurim për ta kryer sa më parë, që të shihet përfundimi që mbahet peng gjatë gjithë rrëfimit. Kur lexuesi përfundon romanin ndjen zbrazëtirë, atë të ndarjes e shkëputjes prej Kasabasë…

Me këtë roman Ismail Arsllani hyn në botën e madhe të letërsisë, në botën e romanit shqiptar. Ky roman mund të lexohet disa herë dhe përsëri lexuesi të ndjejë po atë kënaqësi, si herën e parë.

Shkruan: Merita Abazi

Viewing all 625 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>