Quantcast
Channel: Libra/Poezi – Portalb
Viewing all 633 articles
Browse latest View live

Duke shfletuar veprat e Zija Çelës

$
0
0

Në një koment t’imin të shkrimtarit Kim Mehmeti, kur e citova Zija Çelën,  një student më ktheu përgjigjen: “Kush është Zija Çela?”

Kjo më çoi të mendohem për rininë tonë, sa lexon? Çka lexon? A ndan pak kohë për argëtimin e mendjes dhe pushimin e trupit?!

Zija Çela
Zija Çela

Prandaj, vendosa me pak fjalë të jap një pasqyrë të shkurtë për këtë mjeshtër të artit të fjalës dhe gjuetarit të mirëfilltë të veseve dhe virtyteve tona.

Zija Çela, Shkodran (i lindur në qytetin e Mjedës, Migjenit, Koliqit, Fishtës e një varg shkrimtarësh që historia e letërsisë sonë i ka në maje të kultit), gazetar, mësues, tregimtar, novelist romansier një emër i një shkrimtari mendjedritur  aq produktiv e aq pak i njohur këtu në Maqedoninë e Veriut, në vazhdimësi na del me vepra të papërsëritshme, tregime e romane që njëherë lexohen, pastaj ndjehen thellë në shpirt, e nuk të lënë të qetë, por të çojnë të mendosh, se sikur  ky  shkrimtar  ka qenë këtu në mesin tonë, dhe duke  lexuar…po,  unë e shoh jo vetëm qytetin tim , por edhe njerëzit, fjalët e punët dhe e dëgjoj si thotë “…e ndiej se shkallëve të hierarkisë gjëmon korri servil, dhe si njerëzorja nuk ka më vlerë, kur baltë bëhet dinjiteti dhe nderi qenërisht hidhet në erë…”

Citati i mësipërm është një prej tregimeve të këtij shkrimtari shumë të njohur të nënqiellit tonë shqiptar, Zija Çelës, në veprën e tij të fundit, “Thika pa Gjak”. Vepra ndahet në tri pjesë: “Perpetum”,” “Mobile” dhe “Horoskop” dhe secila nga ato ngërthen tregime në vete.

Pjesa e tretë, “Horoskopi”, ngërthen në vete 12 tregime. Këta shfaqin pamjet panoramike, provizore, që shkrimtari na i shpalos me një art mjeshtror, duke i parë gjithë ato trazime shpirtërore para sysh, që shtiremi që s’i shohim, ose e mbyllim njërin sy e vesh.

Këtu, njeriu i dashuruar klith duke mos mund ta ndalë vllugun e ndjenjës ndaj të dashurës që nuk e ka pranë dhe del “Stuhi stuhi…Ja Vdekje, ja Dashuri”.

Ajo dritë prafulluese e dashurisë…”shëëët, mos u shqetëso”… dhe ajo aq njerëzorja, që ne dimë se në vijë të normales është mirë por shpesh e tejkalon traektoren e vet – Xhelozia në “Hakmarrja”. Konvencionaliteti na bën të bëhemi sy e vesh “Bashkë kurrë e kurrë”, të vuajmë e të ngjizemi me murin duke mos pasur guxim në jetë, atë e merr në vdekje…eh… “Chat me sy”… shpesh pyetemi përse Zoti i plotëfuqishëm na i dhuroi shqisat…e me to edhe djallin Mefiston, që do apo  s’do e bën njeriun më të mirë të gabojë…ndonëse “Një grua”…jo vetëm Petrarka e Dante që e kaloi Ferrin dhe këtu nuk ndalet ai…vazhdon, Purgatorin e Parajsën…për një grua Beatriçen…e sa e sa autorë që jetuan, vepruan dhe deri në fundjetë e kishin një grua, pasqyrë të shpirtit të vet …dhe këtu nuk e mbaron rëfimin, jo ai në veprat e tjera me tregime, si “Princi i Buzëqeshjes”, e “Jari Kaçinari” dhe buzëqeshja si një porosi e mirësisë universale për njerëzimin. “Pikë Drite në Eklips, “Buza e  Kuqe” dhe “Gjaku i Errët”.

Veprat e Zija Çelës
Veprat e Zija Çelës

Duke i shfletuar këto tregime paraqitet një shkrimtar që bënte luftë me të keqen që e kaplon njeriun në përditshmërinë tonë, dashuria e tij për mirësi, por edhe një fshikullim të forte kamxhiku në ndërgjegjen e fajtorit. Ai kritikon, rreh , gjuan, por nuk e vret mëkatarin. Këtë e shohim në romanet e tij që i kam përpirë benda natës. Lexo e mendo: “Vallë kështu qenka bota që më rrethon e unë asgjë nuk shoh dhe nuk di?!”

Syri i mprehtë i shkrimtarit, parakalon nëpër hierarkinë e kategorive sociale, poltike e morale të shoqërisë shqiptare anë e mbanë kufirit, nëpër institucionet e ndryshme shtetërore duke ironizuar e satirizuar thekshëm gabimet e qëllimshme dhe të interesit personal të shumë e shumë personazheve burra e gra, duke i personalizuar e goditur drejt në fëtyrën e nënvetëdijes së tyre.

Kështu duke e shfletuar romanin “Djalli Komik” lexoj: “…Se di. Po bota u bë kaq e keqe, sa zoçkat hanë aty ku nuk guxojnë shqipet. Që çdo horr u bë këtu fisnik, shumë fisnikë janë bërë horra. Ofiqe e zyra ndahen për fisnikë, të cilëve deri dje s’u dihej fara…”

Romani ”Djalli Komik” nis me paraqitjen e qytetit Horketë, personazhët kryesorë Aranit Lumbardi “mbreti” i qytetit, e shoqja Ledi Sara, Çeshku, At Kurjeli, Danieli(Jajuba),  Doktor Karapici, Edori…e një varg të tjerë që e bëjnë këtë vepër të lexohet pa frymë.

“Përmes karakteresh të individualizuara, të besueshme e të prekshme njëherësh…Zija Çela vjen me këtë roman ku përfshihet realiteti moral, psikik, shpirtëror, dramatik e grotesk i Shqipërisë, por edhe ai i Evropës e më gjërë…një roman që e bën letërsinë shqipe të duket më e pasur, po aq sa mund ta bëjë kritikën shqiptare të duket më e varfër se kurrë”, Rudolf Marku

Zija Çela në romanin tjetër të tij “Arkipelagu Spiritus”, siç thotë edhe vet se është më voluminozi e më kompleksi , sepse kemi të bëjmë sipas meje, me një qytet që mund të jetë Gjakova, Tirana , Durësi, Shkupi, Tetova  e Prishtina, sa real po aq imagjinar. Këtu udhëtojmë në një “anije” nëpër historinë e së kaluarës, duke qenë në të tashmen, rrotullohemi përqark vetes sonë duke u munduar ta shpëtojmë shpirtin e qytetit të  Lavidanit, por a mundemi vallë ta shpëtojmë?

“….në një vend ku disa mbjellin e disa vrapojnë për ta ngrënë farën, ka rrezik mos të mbijë asgjë. Por edhe nëse mbin, në krahasim me kallirin plot, boshi e çon kokën më përpjetë”.

Në romanin tjetër të Zija Çelës “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” (Kthimi I Barbarëve),

Autori në fillim të veprës thotë: “Nëse ky titull ju tremb, po ju ftoj të gjeni vet një tjetër por pas leximit të librit”. Ndërsa, kritiku Mehmet Kraja nënvizon “I mbindërtuar në një realitet që autori e njeh fort mirë, në këtë “Apokalips” i bëhet gjëma Tiranës njerëzore, Tiranës intelektuale, Tiranës politike, Tiranës mikroborgjeze, Tiranës provinciale dhe hipokrite…të vërtetat e një shoqërie, vinë si të vërteta universale”.

Autorin e shohim vazhdimisht teksa ngjitet mundimshëm, e shohim t’u afrohet honeve të frikshme, e shohim të zbresë tek të vdekurit, për t’i sjellë te të gjallët, ose ato që mendojnë se janë të gjallë. Mjafton ta përkujtojmë  romanin “Las Varrezas”.

Në veprat letrare të Zija Çelës imazhi i krijimit të një letërsie transparente ku e lidh jeta, realiteti që e rrethon autorin që mbart në vete dy prirjet e egzistencës, të mirën dhe të keqen. Përballja e shkrimtarit me këto prirje, edhe në situatë kur duke e pamundur, ai e bën të mundur edhepse ndonjëherë është aq reale dhe fatkeqe.

Zija Çela ky gjeni i letrave shqipe, në romanin fantastik “Goja e Botës” shfaq qytetin  Fifarë së ndarë, Shqipëri-Kosovë-Maqedoni (trojet tona), ndërsa në romanin e fundit “Lavjerësi i Qytetit”, një roman që parashikon një të ardhme shumë të zymtë (të ndershmit përzihen me të të pandershmit, dhe vlerat morale këmbehen me pasione të ulëta duke i humbur krejt virtytet …), e “Ora e Zooparkut (aty ku në vend të kafshëve të egra brenda në kafaz janë njerëzit sipas funksioneve të tyre veshur me lëkurë të kafshëve një ambent aq qesharak e aq i trishtë)…dhe unë si  një lexuese bëj një pyetje: “vallë, ku shkoi Etika? Morali? Autori edhe sa do të na mbajë në grep si peshkun në ujë,ne lexuesit, që here mbushemi me frymë e here mbetemi pa te?!.”

Zija Çela, krijues i një letërsie transparente ku e lidh  për vete lexuesin, e kontakton dhe e dëgjon, prandaj ky shkrimtar që ngjitet deri në majet e modernes me fjalën, këshillën, qortimin e së pari të atyre që i sheh me gojë plot them, se kush e lexon njëherë një vepër të këtij autori madhështor…do ta ndjejë veten të nderuar, të privilegjuar e të  lumtur, sepse një herë lexohet përherë kujtohet.

Nonda Bulka ka një vepër që titullohet “Si thumba pa helm”, ndërsa vepra letrare e Zija Çelës, mund të titullohet “Si thumba me helm” që mund t’i gjehet kundërhelmi.


“Viktimat e monizmit” – pasqyrë tronditëse e kalvarit shqiptar (ribotim)

$
0
0

Dëshmi tronditëse për dhunën ndaj shqiptarëve të boshtit të krimit Shkup-Beograd-Titograd, në periudhën e viteve 1981-1990. Inteligjencia shqiptare në Maqedoni u akuzua për nacionalizëm, irredentizëm dhe separatizëm. U akuzua se punon kundër vëllazërim-bashkimit, kundër rendit kushtetues, kundër politikës së Lidhjes së Komunistëve. Ajo u akuzua se vepron për shkatërrimin e Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ-së), për bashkim me Shqipërinë dhe për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shkollat shqipe u shpallën bastione të ideologjisë shqiptaromadhe.

Ndaj intelektualëve u zbatuan masa ndëshkuese drakonike:

– u diferencuan politikisht dhe ideologjikisht; shumë prej tyre u dëbuan nga puna dhe u flakën në rrugë;

– u morën në biseda informative;

– për ta ndaluar arsimimin në gjuhën shqipe, u krijuan të ashtuquajturat paralele të përziera;

– u nxorën do ligje, sipas të cilave ditarët nëpër shkolla duhej të plotësoheshin në gjuhën sllavo-maqedonase;

– u ndalua pagëzimi i foshnjave të porsalindura me emra të gurës shqiptare dhe ilire;

– nga repertorët e stacioneve radio-televizive u flakën këngët me motive atdhetare;

– nga bibliotekat e shkollave, nga ato publike, përkatësisht private u sekuestruan librat që ishin botuar në Shqipëri;

– nëpër dasma u ndalua ekzekutimi i këngëve me përmbajtje atdhetare;

– personat që merrnin pjesë nëpër dasmat në të cilat këndoheshin këngë patriotike – u dënuan;

– u dëbuan nga puna intelektualët që ishin shkolluar në Universitetin e Prishtinës;

– me buldozerë u prishën muret e shtëpive dhe u prenë dyert e shtëpive – si në kohën e Çubrilloviqit;

– nga plan-programet arsimore u hoqën njësitë mësimore që ndikonin në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të nxënësve;

– pronarët e tregtizave që mbanin emërtime shqiptare ishin nën syrvejim permanent;

– policia e armatosur deri në dhëmbë i mbyllte shtëpitë e mallrave dhe me shkopinj gome rrihte popullsinë civile të mbyllur në to;

– arrestoheshin demonstruesit; torturoheshin të burgosurit; montoheshin procese gjyqësore; shqiptoheshin dënime drakonike.

Duart e zeza të shërbimit sekret sllav shtriheshin kudo. Shteti policor përcillte dhe syrvejonte çdokënd. Shqiptarët ndodheshin në shtetrrethim. Syri i Vëllait të Madh të ndiqte në çdo hap. Kjo të kujtonte skenat e Xhorxh Oruellit. Shovinistët sllavo-maqedonas, këta lakej të Beogradit, të ushqyer me ideologji bolshevike, staliniste, kominterniste dhe pansllaviste, zbatuan ndaj shqiptarëve metoda bizantine të dhunës.

Intelektualët shqiptarë që përmenden në librin “Viktimat e monizmit” të autorit Ismail Arsllani, ishin në krye të përgjegjësisë historike. Në luftën e tyre – historikisht të justifikueshme – për të drejta, barazi, liri dhe demokraci, ata nuk u hamendën në asnjë çast.

Jugosllavia, për shkatërrimin e së cilës u akuzuan, më në fund u shemb. Kosova fitoi lirinë, ndërsa shqiptarët në viset e tjera, vazhduan rrugën drejt ditës së re.

Politikës unitariste, monoetnike, centraliste, etatiste, diskriminuese, restriktive dhe opresive po i vinte fundi.

Përballë kësaj dhune irracionale, inteligjencia shqiptare në Maqedoni, si një mal i vetmuar, e patundur qëndroi.

*   *   *

Në librin “Viktimat e monizmit” të Ismail Arsllanit, pasqyrohet njëra nga periudhat më të rënda të popullit shqiptar në Maqedoni. Protestat masive të shqiptarëve në Kosovë, në mars dhe në prill të vitit 1981, sipas shumë studiuesve të zhvillimeve politike në Jugosllavi, paraqesin fillimin e shpërbërjes së amalgamës jugosllave. Protestat e sipërthëna do t’u shërbejnë pushtetarëve maqedonas si pretekst për të ushtruar dhunë mbi shqiptarët.

Pas vitit 1981, qarqet shoviniste sllave, kundër shqiptarëve në Jugosllavi do të ndërmarrin një fushatë, deri atëherë të paparë në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo fushatë antishqiptare do të zhvillohet shkallë-shkallë dhe do të arrijë kulmin kah mesi i viteve ’80 të shekullit XX, kur akademikët serbë publikuan Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, që doli në Beograd në janar të vitit 1986, si një libër anonim.

Pas publikimit të këtij Memorandumi famëkeq që u quajt nekrolog i Jugosllavisë së AVNOJ-it (KAÇKJ), politika antishqiptare u intensifikua. Boshti antishqiptar i krimit Shkup-Beograd-Titograd u shpalli shqiptarëve luftë speciale, d.m.th. luftë kundër nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar, luftë kundër separatizmit shqiptar dhe luftë kundër secesionizmit shqiptar.

Sipas boshtit antishqiptar të lartpërmendur, shqiptarët në Jugosllavi luftojnë për Shqipëri të madhe. Sipas këtij boshti të krimit, shqiptarët janë: kundër Jugosllavisë, kundër tërësisë tokësore të saj, kundër vëllazërim-bashkimit, kundër politikës dhe ideologjisë së Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, kundër Armatës Popullore Jugosllave, kundër fryteve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, kundër figurës së Josip Broz Titos.

Në këtë periudhë të rëndë për shqiptarët në Jugosllavi, e sidomos në Maqedoni, kundër shqiptarëve u angazhuan institucionet dhe organet e shtetit, si: Lidhja e Komunistëve, krerët politikë, qarqet ushtarake, organet e policisë, shërbimet sekrete, institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore, Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve, Lidhja e Shkrimtarëve të Serbisë, qarqet universitare dhe kleri ortodoks.

Në këtë dance macabre u përfshinë edhe mediumet, e sidomos shtypi i Beogradit, me propagandën e tij gebelsiane. Si përbindësh kundër shqiptarëve u ngritën edhe filialet në Shkup – të institucioneve të sipërthëna. Shqiptarët u shpallën trup i huaj në Jugosllavi.

Lufta kundër shqiptarëve, në të vërtetë ishte synim i serbëve për të sendërtuar ëndrrën historike për një Serbi të madhe. Me një fjalë, duke realizuar idenë garashaniniste, të rimëkëmbet perandoria mesjetare e car Dushanit.

Për këtë arsye u ndërmorën masa që të ndryshohet Kushtetuta jugosllave e vitit 1974, sipas së cilës Kosova ishte element konstitutiv i Federatës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni gëzonin statusin e popullit shtetformues. Me ndryshime kushtetuese, do të duhej të shembej shteti federal dhe do të ndërtohej një Jugosllavi unitariste, centraliste dhe etatiste.

Rrjedhimisht, edhe Maqedonia do të shndërrohej në një republikë unitare, monoetnike dhe centraliste. Pas kësaj histerie kundërshqiptare, Kosovës do të duhej t’i suprimohej autonomia, ndërsa shqiptarët në Maqedoni do të shndërroheshin në minoritet të papërfillshëm. Me fjalë të tjera, duhej të rrënohej statusi juridik dhe politik i shqiptarëve.

Në rrethana të tilla, pozita e shqiptarëve në Jugosllavi, në veçanti e shqiptarëve në Maqedoni do të ishte e njëjtë si në kohën e Mbretërisë Jugosllave, të mbiquajtur burg i popujve. Për shqiptarët, duhej të rikthehej periudha famëkeqe e karagjorgjeviqëve, e Nikolla Pashiqit dhe e Aleksandër Rankoviqit.

Antishqiptarizmi i periudhës së viteve 1981-1990 në trojet etnike shqiptare në Jugosllavi ishte politikë e shtetit. Boshti antishqiptar i krimit, Shkup-Beograd-Titograd, në periudhën e viteve 1981-1990 ushtroi mbi shqiptarët gjenocid. U sajua një i ashtuquajtur diferencim ideopolitik, si hap i parë për t’i dëbuar shqiptarët nga puna. për t’i disiplinuar dhe për t’i pacifikuar shqiptarët, sllavët morën masa të rrepta policore dhe gjyqësore. Ndaj shqiptarëve do të ndiqet politikë diskriminuese, politikë restriktive dhe politikë represive. Opresioni ishte pjesë e pandarë e kësaj strategjie. Me shqiptarët do të merren gjyqtarët, policët, hetuesit, dëshmitarët e rrejshëm dhe gardianët. Shqiptarët do të arrestohen, do t’i nënshtrohen hetuesisë, do të torturohen dhe do të dënohen me dënime drakonike.

Në periudhën e viteve 1981-1990, politika irracionale dhe destruktive e boshtit antishqiptar të krimit Shkup-Beograd-Titograd, ringjalli ideologjinë retrograde dhe anakronike, hegjemoniste dhe ekspansioniste të Ilija Garashaninit dhe të akademikut Vasa Çubrilloviq.

Sipas një interpretimi të “Naçertanies” nga radikalët serbë, shqiptarët duhet të dëbohen përtej Bjeshkëve të Nemuna. Ndërkaq, elaborati famëkeq i Çubrilloviqit duhej të zbatohej me përpikëri, në mënyrë që shqiptarët të detyrohen t’i braktisin trojet stërgjyshore. E tërë kjo do të ishte në funksion të pastrimit etnik të trojeve shqiptare. Maqedonia, kjo kreaturë serbokomuniste dhe kominterniste, në vitet 1981-1990 ishte shndërruar në instrument të verbët të Beogradit për denigrimin dhe përndjekjen e shqiptarëve.

Autori i librit “Viktimat e monizmit” – Ismail Arsllani, dëshmon me argumente dhe në mënyrë rrëqethëse për ngjarjet dramatike të viteve 1981-1990, nëpër të cilat kalon populli shqiptar në Maqedoni. Do të sulmohen me egërsi dhe në mënyrë barbare: gjuha shqipe, kultura shqiptare, kënga shqipe dhe folklori shqiptar. Do të vihen në shënjestër: arsimi shqiptar dhe plan-programet mësimore. Shkolla shqipe do të shpallet bastion i nacionalizmit dhe i irredentizmit shqiptar. Partia komuniste sllavo-maqedonase do të japë direktiva që nga repertori i këngëve nëpër dasmat shqiptare, të hiqen këngët që cilësohen si nacionaliste. Nëpërmjet të ashtuquajturave paralele të përziera, synohej të ndalohej arsimi shqiptar. Shovinistët sllavo-maqedonas e ndaluan pagëzimin e fëmijëve shqiptarëve me emra shqip, si Ilir, Shkodran, Berat, Sarandë, Shqipe, Adriatik…

Me fjalë të tjera, foshnjat shqiptare nuk mund të emërtoheshin sipas onomastikës iliro-shqiptare. Emrat toponomastikë si Tetovë, Dibër, Kërçovë, Kumanovë, Shkup, Manastir etj, duhej të shqiptoheshin sipas shqiptimit sllav. Format e gjenocidit mbi shqiptarët ishin të shumta. Pjesë e trysnisë ishte edhe prishja e mureve të shtëpive. Shovinistët serbë dhe sllavo-maqedonas krijuan edhe index librorum prohibitorum.

Me një fjalë, librat që cilësoheshin se posedojnë përmbajtje nacionaliste, u flakën nga bibliotekat dhe u futën nëpër bodrume që të myken. Intelektualët syrvejoheshin, ndiqeshin, përcilleshin dhe përndiqeshin në çdo hap. Të dënuarit, pasi shpalleshin armiq të Jugosllavisë, të vëllazërim-bashkimit, të LKJ-së dhe të socializmit, dënoheshin – në emër të popullit – me dënime drakonike.

Fatkeqësisht, ndër bashkëpunëtorët e Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror (Uprava državne bezbednosti – UDB) kishte edhe shqiptarë. Syrvejimi i tërë një populli dhe thirrjet në të ashtuquajtura biseda informative të përkujtonte botën e tmerrshme oruelliane. Vëllai i Madh i Xhorxh Oruellit të ndiqte në çdo hap.

Makina bizantine dhe bolshevike e tmerrit mbi një popull të pambrojtur, nuk ndalej së ushtruari dhunë. Funksionarët shqiptarë ndërkaq, nuk kishin kurrfarë kapaciteti për t’i dalë para dhe për ta frenuar ideologjinë totalitariste të shovinistëve serbo-maqedonas. Midis tyre kishte edhe karrieristë. Disa prej tyre u bënë pjesë e pandarë e politikës gjenocidale që ndiqte ndaj shqiptarëve boshti i krimit Shkup-Beograd-Titograd.

Përballë dhunës bizantine, populli shqiptar, si një mal i vetmuar, i patundur qëndroi. Duke qenë popull autokton, shqiptarët manifestuan një vitalitet të jashtëzakonshëm. Nga kalvari që përjetuan shqiptarët, nuk u thye vrulli faustian i tyre. Kauza shqiptare, historikisht e drejtë, bëri që stërnipat e ilirëve të lashtë, t’i bëjnë ballë golgotës, ndërsa me forcën prometeane dhe racionalizmin kartezian, të përqafojnë epokën e pluralizmit politik dhe demokracinë perëndimore. Shqiptarët nuk kërkonin kurrfarë drejtësie të veçantë, ngase ndaj tyre s’ishte bërë kurrfarë padrejtësie e veçantë, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike.

Libri “Viktimat e monizmit” i Ismail Arsllanit është një dëshmi e gjallë për ngjarjet dramatike dhe për golgotën që e ka përjetuar populli shqiptar në Maqedoni në periudhën e viteve 1981-1990. I shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe stil të përkryer dhe i pajisur me prova, argument, dokumente dhe fotografi figurash dhe personalitetesh që kanë qenë aktorë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, libri paraqet burim të dorës së parë për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm. Kjo vepër u bën të mundur brezave të ri për ta njohur ferrin dantesk, terrin bizantin dhe tmerrin bolshevik që kanë përjetuar etërit e tyre nga shovinistët sllavo-maqedonas. Libri ka dhe një mesazh të fuqishëm: Një sasi lirie që gëzojnë shqiptarët sot, nuk është fryt i një sakrifice të djeshme, por i një lufte dhe i një qëndrese shekullore të shqiptarëve, ndër breza.

Ideologjia retrograde, anakronike dhe destruktive e akademikëve serbë çoi në shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë së Titos.

Popujt e Ballkanit duhet të zgjedhin paqen si alternativë e konfliktit, të jenë të pavarur dhe sovranë, ta njohin njëri-tjetrin, të bashkëpunojnë ndër vete, të ndjekin politikë paqësore dhe stabilizuese, të ndërtojnë shtete ligjore, t’i zhvillojnë proceset demokratike, të zhvillohen ekonomikisht dhe të integrohen në familjen perëndimore.

Heronjtë e kësaj drame tragjike që i dolën përballë të keqes me gjoksin prometean, duhet të zënë vendin e merituar në historinë e popullit shqiptar.

Panairi i librit do të mbahet nga 8 deri më 14 shtator pranë Aquapark-ut në Shkup

$
0
0

Panairi i librit këtë vit do të mbahet nga 8 deri më 14 shtator në ambient të hapur, pranë Aquapark-ut në hapësirat e qendrës sportive A1 Arena “Boris Trajkovski” në Shkup, njoftojnë organizatorët, shkruan Portalb.mk.

“Panairi i librit do të mbahet sipas protokolleve aktuale qeveritare , në përputhje me të gjitha masat e miratuara. Përvoja e vitit të kaluar tregoi se duke respektuar masat, Panairi i librit mund të mbahet në mënyrë të rregullt dhe me promovime të shkëlqyeshme të titujve. Përveç kësaj, Shkupi tregoi se panairi i librit është i nevojshëm si një lloj ushqimi shpirtëror ku lexuesit mund të zgjedhin pjesët e tyre të preferuara”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Panairi i librit mbështetet nga Ministria e Kulturës, dhe motoja e këtij viti është “panaire të sigurta”. Orari i punës i panairit do të jetë nga ora 10 deri më 20.00, ndërsa më 14 shtator do të jetë i hapur nga ora 10 deri më 15.

Vizitorët në Panairin e librit në Shkup do të mund të njihen me botimet më të fundit të librave prej autorëve vendas dhe të huaj, si dhe me letërsinë e huaj, literaturën profesionale, shkencore dhe trillime, si dhe libra për të rinjtë dhe për fëmijët.

Në të njëjtën kohë, organizatorët thonë se botuesit përgatisin zbritje të mëdha në botimet e tyre për panairin e librit.

Biletat për panairin e librit do të dalin në shitje pak para fillimit të ngjarjes dhe të njëjtat do të jenë në dispozicion online, gjithashtu edhe në hyrje të panairit.

Duke shfletuar veprën e Dino Buzzatit “Gruaja me flatra”

$
0
0

Duke ndejtë përballë njëri tjetrit, babë e birr, të dytë njohës të shkëlqyer të gjuhëve të huaja, njeri gazetar, përkthyes, tregimtar, novelist e romansier, tjetri përzgjedhës i fortë i veprave monumentale, realiste të shkëlqyera për botën, Dino Buzzati i reflektoi me një shikim mikroskopik  ambientin ku ka jetuar e vepruar. Këta të dy, Zija Çela me Dritan Çelën, në përzgjedhjen e tyre, sollën një vepër me karakter monumental, kështu e pasuruan historikun e autorëve më eminent të letërsisë jo vetëm italiane, botërore, por edhe letërsinë tonë shqipe.

Vepra nis me …një tregim të çuditshëm të çmendurisë njerëzore, aty ku thellësia e vrerit njerëzor e tejkalon realen…”I vdekuri gabimisht “. Piktori Lucio Predonzani, një ditë kur e hapi gazetën e përditshme , u shtang kur e  lexoi nekrologun e vet. Edhe pse s’ka të bëjë me “Pas vdekjes” së Çajupit, që është një humor e kritikë për mendjemëdhenjtë shqiptarë si dr. Adha’muti, jo, këtu kemi të bëjmë me katarzën mendore të ambientit ku jetonte Luçio I shkretë.

Edhe pas ankimit të tij te kryeredaktori i gazetës, ai e bindi atë se pas vdekjes së tij pikturave do t’u shtohej vlera dhe se do të kishte një përfitim të madh. Piktori nuk kishte zgjidhje tjetër , pos të fshihet nga opinion, e gruaja e tij t’i pret e përcjell shokët e miqtë (Oskar Pradeli, haptazi ia përvetësoi gruan…) t’i shiten vërtetë n’ato ditë pikturat më shtrenjtë, e ky u mbyll në një podrum …dhe dita ditës , e harruan të gjithë, duke nisë prej familjes edhe të tjerë.

Në morgun familjar shtrihej arkivoli i shtrenjtë dhe i zbrazët. Çfarë ironie të fatit…atë thjesht e vranë, e shoqja, shokët miqtë dhe shoqëria. Kur vuri re se më askush as e thirrte e as e përmendte ,një mbrëmje, vjedhurazi, shkoi në morgun familjar,  hyri në arkivolin e vet të shprazët, u shtri…dhe e mbylli kapakun. Tregimi na bën ta shohim se deri ku shkon lajthitja e trurit njerëzor…se duke qenë mire, dikujt i teket që ta zhdukë nga faqja e dheut. Sigurisht konkurrenca, që ka të bëjë me ndërgjegjen e kalbur , të ndotur njerëzore dhe të shoqërisë.

 Dino Buzzati
Dino Buzzati

Buzzati vazhdon me paraqitjen e shoqërisë mikroborgjeze, “Minjtë”, atë të fshatit  Doganella dhe miqtë e tij, bashkëshortët Korio, në villën e tyre ku shkonte vite me radhë. Ky vëren disa qejfprishje që Xhovani dhe Elena, mundoheshin ta fshehin, por syri I mprehtë i vizitorit vuri re që në ardhjen e pare se në villën e tyre pa një mi të vogël dhe pyeti a kanë vu çarqe, po ai kërceu nëpër atë bisedë.

Vitin e ardhshëm, kur i vizitoi ai dëgjoi më shumë zhurmë dhe në pyetjen e tij  Xhovani qesh dhe thotë se minj ka sa t’i numërosh me gishta. (një mospërfillje e tillë, bëri që e keqja jo vetëm të ritet por edhe të jetë kërcënuese për njerëzit).

Vitin tjetër vëren dy maçokë të mëdhenj që për pak kohë, në vend t’i zhdukin minjtë, ato ikin të kafshuar e të përgjakur. Xhorxho djali I madh tregon se mijtë janë rritur shumë dhe se I ati gënjen, e nuk I përfill aspak, derisa u bënë aq shumë me miliona dhe e zaptuan tërë shtëpinë, kështu minjtë u bënë zot të shtëpisë dhe Koriotët skllevërit e tyre.

“Minjtë” përcjellin porosinë për njeriun individ dhe kolektivitetet, nëse lejojnë të bëhen gabime të vogla e nuk merren masa, ato riten prej një gënjeshtre, një vjedhjeje të vogël që zmadhohet në diçka më të madhe që barazohet me krim, e dëmtori I vogël{miu} bëhet I madh (Staor) kështu në tërë shoqërinë, me ose pa dashje e keqja shumohet, ritet e zmadhohet deri n’ato përmasa sa më shpëtim s’ka.

Ajo është gangrene e shoqërisë. Buzzati trajton edhe tema individuale, njerëzore por të mbështjellë me metaforën dhe ironinë e mosbesimit të njeriut në vete “Kolumbra” dhe ikja prej asaj bestytërie gjithmonë, prishjes së qetësisë shpirtërore jo vetëm të vetes por edhe të familjes; ky është një rrëfim të ikjes prej fatit , mirësisë, begatisë e mirëqenies.

Stefano Rodi në ditëlindjen e dymbëdhjetë shprehu dëshirë të bëhet marinar e kapiten anijeje, por atë ditë ai pa një peshkaqen të madh të zi që e ndiqte anijen. Kuptoi pej babait se peshkaqeni quhet Kolumbra, se nëse ia vë syrin dikujt , e ndjek tërë jetën , derisa ta përmbin. Ashtu ishte besimi I tërë marinarëve….prandaj Stefano e la detin, e më pas ku I mbushi njëzet e dy vjet, bleu një anije dhe nisi të tregtojë. Kolumbra e ndiqte e ky ruhej…derisa kur u plak, vendosi të përballet me atë, dhe kur me forcën e fundit deshi t’ia ngulë fuzhnjën në kokë, Kolumbra i foli: “Ç’rrugë të gjatë kam bërë, duke të ndjekë, u lodha më, ti ikje e ikje asgjë nuk kuptove. E çfarë të kuptoja- pyeti Stefano

Unë nuk të ndiqja të të gllabëroj, por mbreti I detit më kishte ngarkuar të ta jepja këtë dhuratë. Dhe peshkaqeni, hapi gojën e nxori gjuhën duke ia dhënë një sferë të vogël fosforeshentë. Stefano e morri në dorë. Ishte perla e detit që jep fat, fuqi dashuri dhe paqe shpirtërore por tashmë ishte tepër vonë…

Vepra Gruaja me flatra

Kështu Buzzati parakalon nëpër fatet njerëzorë, atë që njeriu nuk e kupton ese fiksohet” Vajza që bie” e tërë jetën e kalon duke ëndërruar e duke mos e pare realitetin. E mposht plakja dhe mbetet e vetmuar , vdes, duke mos arrijë ta shijojë jetën. Përafërsisht është edhe një gjendje amorfe, në ”Ashensori” ku fati  përzihet, por dy të rinjtë nuk e shohin atë që kanë, por atë që duan.

Në “Kapota” është historia e trishtë e një ushtari që nuk kishte ardhë e asnjë lajm s’kishte çuar plot dy vjet, e një ditë kur do të paraqitet në derë e gazmendi i nënës ishte pakufi, aq sa të sheh e të kuptojë se Ai, nuk qe djali, por hija e tij, i mbështjellë me të gjitha tmerret e luftës, të fshehur brenda kapotës, që deshi ta fshehë, por doli duke shqiptuar lamtumirën e dhimbshme që ia la nënës e vëllait, që nuk kuptonin asgjë. Jashtë e pritte me padurim vdekja.

Në “Obut” ,varrimet dhe dy opsionet, që i parashtron autori: I-dashuritë më të mëdha dhe të sinqerta rezistojnë 6-7 ditë dhe atëherë kot t’i marrim seriozisht, dhe II-kundrejt vdekjes, gjithçka është hipokrizi, qoftë edhe në mirëbesim- thekson Buzzati. Faktikisht ai e parashtron çështjen e humbjes së njeriut të dashur, ai harrohet , ndërsa jeta vazhdon. Në “Ballkonin e burgut” një dënim I përjetshëm  për kriminelët por me një shans të flasin para turmës qindëshe, dhe nëse duartrokasin , I  burgosuri lirohej. Kjo nuk kishte ndodhë asnjëherë, derisa njëri u hyri në mendjen e turmës në shpirtin e zi, dhe në vend të kërkonte falje për krimin, ky përveç që e pranoi, filloi t’i lusë ta shajnë duke thënë se ishte I keq, nuk e donte familjen se aty në burg ishte I lumtur, dhe I luste të fërshëllenin…ky I burgosur arriti turmës duhmën e urrejtjes t’ia ngjallë. Jo, ai të jetë i lumtur??? mendonte turma, prandaj nga dashakeqësia, nisin të duartrokasin, një, dhjetë, njëqind here …dhe pas vetes dëgjoi: mbathja, je I lirë.

Kështu duke i radhitë tregimet një pas një,  shohim hipokrizinë e shoqërisë, egoizmin e individit, alegorinë dhe mitin e dashurisë së rrejshme për interes dhe pasuri “Skllav”, këtu plaku duke e pare me sy , duke e ndjerë dhe ditë, se Klara e re, gruaja që e donte më shumë se jetën, po e helmon, i pranon kapriçiot e saj, shtirjen gjoja e zemëruar, ai sërish  i kërkon falje , sepse pa atë s’mund të jetonte…tregimi mbaron me fjalët e tij: Edhe vdekja është e ëmbël përderisa vjen nga dora e Klarës.

Kështu duke e shfletuar këtë vepër, isha duke I përpirë faqet një nga një, duke parë në tregimin “Gruaja me flatra”, se I tërë banaliteti i rremë i moralit, të mbështjellë me ironi e satire, marrëzitë dhe mëkate ishin të të imponuar, sepse duke e izoluar Luçinën, mëkati ishte në dukje. Këtu nuk ka aspak qeshje, edhe po të ketë, është aq therëse dhe e dhimbshme. Buzzatin e shohim përtej mbulesës së mospërfilljes e stereotipave, ku e padit njeriun për marrëzitë, mëkatet, harresën dhe dashakeqësinë.

Shkup, sot fillon Panairi i librit – do të zgjasë deri më 14 shtator

$
0
0

Në ambient të hapur pranë Aquapark-ut në afërsi të sallës “Boris Trajkovski” në Shkup sot fillon Panairi i librit. Organizatorët gjatë ditëve të panairit nga 8 deri më 14 shtator, paralajmëruan edhe shpalljen e 33 promovime të veprave të reja dhe botime të autorëve nga Arkivat Shtetërore të RMV-së, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të programit të punës, do të mbahet edhe ceremonia tradicionale e ndarjes së çmimeve nga Asociacioni maqedonas i botuesve (AMB) dhe ndarja e çmimeve nga Shoqata e botuesve dhe librarive të Maqedonisë.

Panairi i librit organizohet në bashkëpunim me Shoqatën maqedonase të botuesve, Shoqatën e botuesve dhe librarive të Maqedonisë, Shoqatën e botuesve shqiptarë nga Maqedonia dhe Lidhjen e botuesve shqiptarë në Maqedoni dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës.

Programin dhe orarin e promovimeve mund të shikoni në këtë link. 

Panairi i librit do të zhvillohet në ambient të hapur, në përputhje me të gjitha protokollet shëndetësore për mbrojtjen e shëndetit publik (mbajtje të maskës, mbajtje të distancës 2 metra dhe dezinfektim), me hyrjen në panair vizitorët duhet të tregojnë certifikatë vaksinimi ose certifikatë që tregon se e keni kaluar covid-19 për të gjithë personat mbi 18 vjeç.

Biletat për panairin e librit mund të blihen përmes sistemit elektronik on-line www.karti.com.mk ose në zyrat e biletave para panairit. Për të rinjtë deri në 18 vjeç, bileta kushton vetëm 20 denarë.

Vizitorët në Panairin e librit në Shkup do të mund të njihen me botimet më të fundit të librave prej autorëve vendas dhe të huaj, si dhe me letërsinë e huaj, literaturën profesionale, shkencore dhe trillime, si dhe libra për të rinjtë dhe për fëmijët.

Orari i punës së panairit në periudhën nga 8 deri në 11 shtator është nga ora 10 – 21,12 dhe 13 shtator nga ora 10 – 20, ndërsa më 14 shtator nga ora 10-17.

Tetovë, u promovua monografia “Metafora” (Foto)

$
0
0

Sot në Universitetin e Tetovës, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, e promovoi monografinë e saj Veprimtaria kulturore-artistike dhe revistën për letërsi, art dhe kulturë “Metafora”, transmeton Portalb.mk.

Në rrugëtimin e saj 10–vjeçar, Shoqata “Tradita”, nëpërmjet organizimit të manifestimeve të ndryshme kulturore, konferencave shkencore, përkujtimit të artistëve, të shkrimtarëve dhe të veprimtarëve të kauzës kombëtare, ka kontribuar në zhvillimin e kulturës dhe në promovimin e ideve dhe të vlerave universale.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve, kryetari i Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, Selam Sulejmani, theksoi se “ky vizion dhe orientim na ka shoqëruar gjithmonë në punën tonë të përbashkët që është mbështetur në thënien e njohur se arti dhe kultura i përkasin gjithë botës dhe para tyre zhduken të gjithë kufijtë”.

“Modele të tilla komunikimi janë të dobishme për afirmimin e artit poetik, por edhe për ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes krijuesve, letërsive, etnive etj. Prandaj, falë bashkëpunimit me artistë e shkrimtarë të njohur, veprimtarë të kulturës dhe hulumtues shkencorë, kemi arritur që t’i realizojmë me sukses të plotë 8 edicione të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, 5 edicione të manifestimit letrar ndërkombëtar “Shtigje poetike”, disa akademi përkujtimore në nderim të figurave më eminente të kulturës dhe të historisë sonë, tri konferenca shkencore, disa tryeza dhe tribuna publike si dhe 5 botime nga lëmi i arsimit, i shkencës dhe i kulturës.” u shpreh Selam Sulejmani.

Ai theksoi se gazetat, revistat, librat – janë thesar i botës dhe trashëgimia më me vlerë e brezave dhe e popujve.

Profesori Xhelal Zejneli në cilësinë e anëtarit të redaksisë u shpreh se revista për letërsi, art dhe kulturë “Metafora” të cilën e boton Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, redaktohet nga persona kompetentë të lëmit të letërsisë, të artit dhe të kulturës të hapësirës sonë.

“Synim themelor i “Metaforës” është ngritja shpirtërore e njeriut në këto udhëkryqe ballkanike, shpeshherë të ngulfatur nga atavizmat e së kaluarës. Me frymën e saj të re, të kthjellët dhe të shëndetshme, revista paraqet një vlerë krejtësisht të re në mjedisin tonë.” tha Xhelal Zejneli.

Profesori Salajdin Salihu, po ashtu anëtar i redaksisë së revistës tha se i gëzohet daljes së numrit të parë të revistës “Metafora”dhe shprehu optimizmin e tij se kjo revistë një ditë do të bëhet metaforë e shkrimeve cilësore.

“Unë jam i bindur se kjo revistë do ta ruajë cilësinë, sepse gjërat cilësore mbeten kur shumëçka të jetë harruar. Sot revistat kulturore vështirë mbijetojnë, sepse nuk i dedikohen publikut. Tregu është bërë i pamëshirshëm ndaj këtyre mediave. Prandaj nevojitet një politikë e mençur kulturore, e cila do t’i trajtojë revistat kulturore si pasuri. Investimi në këso revistash nënkupton investim në mendimin shkencor dhe në vlera artistike.” tha  Salajdin Salihu.

Promovimi i monografisë "Metafora" Promovimi i monografisë "Metafora" Promovimi i monografisë "Metafora"

Botimet që u promovuan sot, në zhanre të ndryshme letrare e pasqyrojnë thellësinë historike të kulturës sonë dhe sjellin tema nga e kaluara si dhe nga aktualiteti ynë. Në promovimin e këtyre botimeve morën pjesë profesorë dhe studentë të UT-së, personalitete të njohura nga lëmi i arsimit, i kulturës, i artit si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore.

U hap konkursi për Çmimin “Goce Dellçev”

$
0
0

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut prej sot deri më 15 shkurt të vitit 2022 do të mund të aplikojnë për Çmimin “Goce Dellçev” për vitin 2022, transmeton Portalb.mk.

“Me çmimin  „Goce Dellçev ” ndahen mirënjohje shoqërore për arritjet veçanërisht të rëndësishme në lëmin shkencore në interes për Republikën e Maqedonisë së Veriut«, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke sqaruar që ky çmim i dedikohet ndonjë libri ose vepre shkencore të publikuar në vitin 2021.

Ky çmim do të ndahet më 4 maj, derisa këtë të drejtë mund ta shfrytëzojnë edhe qytetarët jashtë vendit.

“Të drejtë konkurrimi nuk kanë të arriturat të publikuara në revista profesionale dhe shkencore me impakt faktor, si dhe kapituj dhe pjesë të librave. Individë ose grup autorësh mund të jetë  fitues i çmimit në lëmin e njëjtë vetëm një herë”, njoftojnë nga MASH-i, duke sqaruar që propozime mund të dërgojnë institucionet shkencore, shoqatat tregtare,  shoqatat tjera qytetare dhe qytetarët.

Nertila Pitarka: Kemi mungesë të leximit dhe prindërit mund ta ndryshojnë këtë (VIDEO)

$
0
0

Viti i Ri i Nertila Pitarka Vejselit nisi me një botim të ri të një libri për fëmijë i tituluar “Eda mëson shkronjat”. Ky është botimi i saj i tretë me radhë, duke përfshirë edhe dy librat e tjerë “Falemnderit Nëna ime” dhe “Djali që shiste çokollata”. Nertila është mësimdhënëse në shkollën “Imri Elezi” dhe përveç se ushtron detyrën e mësimdhënëses, është shkrimtare dhe poete për fëmijë dhe jo vetëm. Jeta e saj lidhet shumë ngushtë me fëmijët dhe kjo ka shtyrë atë që të shkruajë libra dedikuar atyre. Nertila është bashkautore dhe përkthyese e revistës për fëmijë ‘Vesa’, si dhe përkthyese në Qeverinë e RMV. Pitarka për Portalb.mk foli për botimin e saj të fundit dhe rëndësinë e leximit te fëmjët.

“Eda mëson shkronjat” është një përmbledhje poezish. Poezitë janë të marra nga disa numra të revistës ‘Vesa’, të cilat janë botuar gjatë katër viteve. Ne kemi përzgjedhur vjersha, strofa dhe poezi për çdo shkronjë të alfabetit. Ky libër do të jetë një ndihmesë për fëmijët parashkollor, por edhe për ata në klasë të parë për t’i mësuar shkronjat.” tha Nertila Pitarka.

Sipas Nertilës, në RMV ka mungesë të materialeve shtesë për lexim në gjuhën shqipe, por ndjehet dukshëm edhe mungesa e fëmijëve dhe inkurajimi i tyre për të lexuar. Kjo është edhe një nxitje dhe motiv për të që të shkruajë libra për fëmijë.

“Ligjërimi te fëmijët është më pak efektiv në krahasim me atë se çka sheh një fëmijë, domethënë ana vizuele. Fëmija imiton atë që sheh, qoftë në shtëpi ose në shkollë. Në qoftë se ne prindërit lexojmë libra para tyre, atyre do t’u mbillet në kokë leximi. Ndërsa, nëse ata nuk kanë asnjë kontakt me librin, është shumë normale që nuk do kenë dëshirë për të lexuar. Unë mundohem që në fillim të çdo ore të mësimit t’u lexoj nxënësve një fragment, me qëllim që të ngjall interes tek ata për të lexuar.” u shpreh Nertila.

Kur u pyet Nertila se cili do kishte qenë mesazhi që do e kishte përcjellë për të rinjtë sa i përket leximit, ajo parapëlqeu që mesazhin t’ua përcjellte prindërve:

“Ne prindërit jemi ata të cilët ua japim drejtimin e jetës fëmijëve dhe normalisht si çdo prind ne e duam më të mirën për ta. Në periudhën e teknologjisë dhe keqpërdorimit të saj duhet të gjejmë një rrugë ku fëmijët duhet të jenë sa më afër leximit. Të mundohemi sa më shumë të lexojmë bashkë me ta dhe të vizitojmë librari. Kemi një deficit në lexim dhe prindërit janë ata të cilët mund ta ndryshojnë këtë.” përmbylli Pitarka.

Nertila do të vazhdojë me publikimin e librave, por, e vetmja gjë që e ndalon është mbështetja institucionale. Ajo ka shkrime për disa libra, duke përfshirë këtu edhe libra për të rritur.


ALEKSANDAR SOLLZHENICIN –“ARKIPELAGU GULAG”

$
0
0

Inxhinierët e shpirtrave njerëzore kishin përcaktuar se si duhej punuar, ç’duhej shkruar, si të shkruhej, përse duhej menduar dhe në ç’mënyrë duhej menduar

Konformizmi dhe frika prodhojnë krim, e shtojnë atë!

Aleksandar Isaeviç Sollzhenicin (Aleksandr Isaeviç Solženicyn, Kislovodsk, 11.12.1918. – Moskë, 03.08.2008) është shkrimtar, dramaturg, publicist, poet, punëtor shoqëror dhe politik – rus. Studioi në Fakultetin e Fizikës-Matematikës në Rostov. Si i çrregullt, edhe në Institutin e Historisë, Filozofisë dhe Letërsisë në Moskë. Në vitin 1940 u martua me Natalya Alekseevna Reshetovkaya, 1919-2003). Pas studimeve, vullnetarisht është paraqitur në shërbimin ushtarak, ku qëndron deri në vitin 1945. Në vitin 1945, policisë sekrete i ra në dorë letra që ia dërgonte një shoku. Në letër kritikohej politika e Stalinit. U burgos dhe u dërgua në kampin e përqendrimit në Siberi. Vuajti dënimin në vitet 1945-1953. Pas vdekjes së Stalinit (1953), u lirua, por pa të drejtë për t’u vendosur në pjesën evropiane të shtetit. Prej vitit 1953 internohet në Azi të mesme, jeton në Kazakistan. Një pjesë të madhe të dënimit e vuajti në kampin Ekibastuz në Kazakistanin e sotëm. Në vitin 1956 u rehabilitua. Përsëri u martua me kimisten Natalya Reshetovskaya me të cilën ishte ndarë derisa ndodhej në burg. Në vitin 1965, një pjesë e arkivit të shkrimtarit vjen në duart KGB-së. Më 1969 përjashtohet nga Lidhja e Shkrimtarëve. Në vitin 1973 e burgosin asistenten e shkrimtarit, Elizaveta Denisovna Voronyanskaya (1906-1973). U tregon hetuesve se ku ndodhet dorëshkrimi i Gulagut. E lirojnë. Sapo mbërrin në shtëpi, vret veten. Prej viteve ’60 deri vitet ’80 të shekullit XX, shfaqej në mënyrë aktive kundër ideve komuniste, kundër rregullimit politik të Bashkimit Sovjetik (BRSS) dhe politikës së autoriteteve të shtetit. U diagnostifikua me sëmundjen onkologjike në lukth. Më 1968 shkroi romanin “Reparti i kancerit”. Vepra u botua jashtë shtetit dhe u përkthye në të gjitha gjuhët e Evropës. Në vitin 1970 Perëndimi ia dha çmimin “Nobel” për letërsi, por nuk iu lejua të shkonte në Stokholm për ta pranuar. Çmimi iu dha më shumë për disidencën, sesa për talentin. Në vitin 1973 u martua me gruan e tij të dytë Natalia Svetllova (Natalya Dimitrievna Solzhenitsyna, 1939-) me të cilën kishte tre djem. Në vitet 1973-1975 “Arkipelagu Gulag” iu botua në Paris. Në shkurt të vitit 1974 shkrimtarin e burgosin përsëri. Fajësohet për tradhti. Po atë vit, kur në krye të shtetit ishte Leonid Brezhnjevi (Leonid Iliç Brezhnjev, 1906/7 – 1982), e dëbojnë nga Bashkimi Sovjetik. Kalon në Gjermani, prej aty në Cyrih të Zvicrës. Vendoset në Vermont të ShBA-së. Nga honorarët prej “Arkipelagut Gulag” themeloi një fond për t’i mbështetur të burgosurit politikë dhe familjet e tyre në BRSS. Që nga viti 1990 shteti do të tentojë të rehabilitohet para shkrimtarit. Ia kthejnë shtetësinë. Më 1994, pas njëzet vjet qëndrimi në egzil, u kthye në Rusi. U vendos në rajonin e Moskës. U shndërrua në ideolog të një pjese të inteligjencies ruse nga pozitat e kombit dhe të ortodoksisë. Herë-herë i vizitonte djemtë në Amerikë – Stepan-in, Ignat-in dhe Yermolal-in. Më 1997 bëhet anëtar i Akademisë së Shkencave të Federatës Ruse. Fillon botimi i veprave të tij në Rusi. Më 2002 veprat e tij botohen në Rusi në 30 vëllime. Në vitin 2007 iu dha për herë të parë Çmimin shtetëror rus. Ka marrë edhe mirënjohje ndërkombëtare. Vdes në Moskë në vitin 2008, nga një shtrëngim në zemër.

Është një prej disidentëve më të njohur në botë, emri më i dalluar i qëndresës letrare kundër totalitarizmit sovjetik, një prej krijuesve letrarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

Sollzhenicini është shkrimtari rus i fundit me të cilin përfundon tradita e madhe morale në letërsinë ruse. Stili i tij bazohej në traditën e prozës ruse të përfaqësuar nga Lav Nikollaeviç Tolstoj, 1828-1910) dhe Fjodor Mihajlloviç Dostojevski (1821-1981).

Me romanin “Një ditë e Ivan Denisoviçit” tronditi botën letrare të planetit. Në histori mbetet me veprën epokale “Arkipelagu Gulag”.

*  *   *

“ARKIPELAGU GULAG” – Studiuesit e Sollzhenicinit veprën “Arkipelagu Gulag” e quajnë roman, libër të shkruar në formë të kronikës dokumentare, libër dokumentar, studim. Romani “Arkipelagu Gulag” është vepër artistike dhe historike në të cilën bëhet fjalë për represionin në Bashkimin Sovjetik në periudhën e viteve 1918-1956. Vepra është thurur në bazë të letrave, kujtimeve dhe rrëfimeve gojor të 257 personave të burgosur, si dhe përvojës personale të autorit. Këtë vepër, Sollzhenicini e ka shkruar fshehurazi, prej vitit 1958 deri në vitin 1968. E ka përfunduar më 2 qershor 1968. Vëllimi i parë u botua në Paris, në dhjetor të vitit 1973. Këtë punë të tij epokale Sollzhenicini e ka cilësuar si hulumtim letrar. Shumë fakte të represionit stalinist, i ka paraqitur në mënyrë të dokumentuar dhe publicistike. Të mbështetura me prova brutale, ato mundësojnë që edhe lexuesi të ndjehet si rob i Gulagut. Rob i cili pa kurrfarë faji burgoste, i cili çdo natë, i rraskapitur merret në pyetje dhe u nënshtrohet torturave të sofistikuara, derisa të mos e nënshkruajë deklaratën për krimet që s’i ka kryer. Atmosfera e terrorit total. në një anë dhe e frikës rrëqethëse, në anën tjetër, e përpin vetëdijen dhe e pjell protestën e brendshme kundër sistemit johuman që e varfëron shpirtin e një populli të tërë, në të dyja anët e telit me gjemba.

Romani “Arkipelagu Gulag” është vepër artistike dhe historike në të cilën flitet për represionin në Bashkimin Sovjetik në periudhën e viteve 1918-1956. Vepra është thurur duke u bazuar në letra, në kujtime, dhe në rrëfimet gojore të 257 personave të burgosur, si dhe në përvojën personale të autorit. Sollzhenicini e shkroi veprën fshehurazi, prej vitit 1958 deri në vitin 1968.

Në mënyrë publicistike dhe të dokumentuar, autori në “Arkipelagun Gulag” paraqet një mori faktesh të represionit stalinist. Të bazuara në prova rrëqethëse, ato mundësojnë që edhe vetë lexuesi të ndjehet si i burgosur i Gulagut, i burgosur i cili pa kurrfarë faji, arrestohet, i cili për çdo natë rraskapitet nga marrjet në pyetje dhe u nënshtrohet torturave të sofistikuara, derisa të mos nënshkruajë deklaratë se i pranon krimet që s’i kishte bërë.

Romani “Arkipelagu Gulag” në mënyrë fatale ndikoi në jetën e autorit. Për këtë vepër, Sollzhenicinin e dëbuan nga Bashkimi Sovjetik si tradhtar. Pas shumë kohe, për të njëjtën vepër, sikur s’kishte ndodhur gjë, e ftuan që të kthehet. Pavarësisht nga fakti se si trajtohej vepra në atë kohë, apo në ç’mënyrë ajo lexohet sot, shkrimtari e përmbushi detyrën qytetare të vet. Si ndaj të gjallëve, ashtu edhe ndaj të vdekurve. Nga vepra e sipërthënë duhet nxjerrë mësim se gjinia njerëzore kurrë nuk duhet të lejojë diçka të ngjashme, në çdo çast duhet të jetë e vetëdijshme se sa e vlefshme për njeriun është liria.

“Arkipelagu Gulag” është roman dokumentar. Sollzhenicini e shkroi veprën fshehurazi. E nisi në vitin 1958 për ta përfunduar më 2 qershor 1968. Vëllimi i parë u botua në Paris në dhjetor të vitit 1873. Flet për llogoret në Bashkimin Sovjetik. Libri pasqyron llogoret e dhunshme të punës për disidentët që janë dënuar në regjimin sovjetik në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Shumica e disidentëve kanë qenë të pafajshëm dhe janë dënuar vetëm për shkak të mendimit politik ndryshe. Sollzhenicini e shkroi librin duke u bazuar në përvojën e vet. Në periudhën e viteve 1945-1953 edhe vetë ka qenë i burgosur. Ka vuajtur dënim në kohëzgjatje prej tetë vjetësh. Në fillim libri u botua në Bashkimin Sovjetik, në mënyrë ilegale si samizdat.

Shënim: samizdatbotim privat legal ose i fshehtë i librave ose i teksteve të tjera të shkruara që nuk kanë qenë në përputhje me politikën zyrtare në BRSS, d.m.th. botim i librave nga qarqet disidente.

*   *   *

Në Perëndim u botua në Paris në dhjetor të vitit 1973. Në Rusi, libri nuk u botua zyrtarisht deri në vitin 1989. Është një akuzë dokumentare, por edhe thellësisht personale ndaj sistemit sovjetik të kampeve të përqendrimit. Është vepër e madhe në tre vëllime e bazuar në ndërthurjen e përvojave personale dhe të një morie letrash, shënimesh dhe dokumentesh të tjera që i merrte shkrimtari prej ish-bashkudhëtarëve dhe që janë grumbulluar dhe janë përpunuar në rrethana të një konspiracioni të thellë. Kjo akuzë rrënuese kundër sistemit sovjetik për shkatërrimin dhe vdekjen e miliona njerëzve, shkatërroi edhe apologjetët komunistë të fundit në Perëndim.

Titulli i librit ka të bëjë me “ishujt” kampe të izoluar, në të katër anët e Bashkimit Sovjetik. GUL-ag është akronim rus që vjen prej “Glavna uprava logora “ (Drejtoria kryesore e kampeve).   Konsiderohet si një prej librave më me ndikim të shekullit XX. Në Perëndim kanë menduar se për punën e detyrueshme nëpër kampe apo llogore është përgjegjës para së gjithash Stalini dhe jo tërthorazi regjimi sovjetik. Por, në librin e vet Sollzhenicini sqaron se çështja e kampeve apo e llogoreve vjen qysh prej Leninit (Vlladimir Iliç Lenin, 1870-1924) dhe fillimit të shtetit socialist. „Arkipelagu Gulag“ edhe sot renditet në maje të botës së letërsisë. Në vitin 1999, sipas zgjedhjes së gazetës “Le Monde” të Parisit, vepra u përfshi në regjistrin e 100 librave më të mirë të shekullit.

„Arkipelagu Gulag“ merret me fatin e të burgosurve politikë në BRSS, gjatë periudhës së viteve 1918-1956, e sidomos gjatë periudhës së stalinizmit (1924-1953).

I shkruar në formën e një kronike dokumentare në tre vëllime, libri bazohet në dëshmitë e 257 ish-të burgosurve. Përshkruan në hollësi tërë procesin ndëshkimor në Bashkimin Sovjetik në periudhën e stalinizmit (1924-1953), që nga arrestimi deri te vuajtja e dënimit në kampet e përqendrimit. Autor i librit është disidenti i njohur rus dhe kundërshtari i komunizmit. Autori synon të zgjojë te lexuesi dhembshuri për viktimat. Libri është përplot akuza kundër Bashkimit Sovjetik dhe industrisë ndëshkimore të tij. Vepra u ndalua në BRSS, ndërsa autori u dëbua nga vendi. U botua në Paris në dhjetor të vitit 1973, në kulmin e Luftës së ftoftë. Libri u botua në mbarë botën, duke përjetuar në Evropë dhe në ShBA një popullaritet të madh.

Shënim: Lufta e ftoftë ishte konflikt politik midis fuqive të Perëndimit të udhëhequra nga ShBA-ja dhe shteteve të Lindjes të udhëhequra nga BRSS-ja. U zhvillua prej vitit 1945 deri në vitin 1991. U zhvillua me të gjitha mjetet e mundshme, por kurrë nuk u shndërrua në konflikt të armatosur masiv përmasash botërore. Karakterizohet nga “konflikte” ekonomike, politike dhe propagandistike ndërmjet Perëndimit dhe Lindjes, për të luftuar ndikimin e bllokut armiqësor. Karakteristikë themelore e luftës ishte gara në armatim, por lufta solli edhe përparime të konsiderueshme në lëmin e kulturës, sportit, shkencës dhe teknologjisë. Prej tyre, më e rëndësishme është gara kozmike. Rezultat i saj ishte vajtja e njeriut në kozmos.

*   *   *

            “Arkipelagu Gulag” është një përpjekje për ta pasqyruar historinë e represalieve në Bashkimin Sovjetik në periudhën e viteve 1918-1956. Duke u nisur nga rrethanat e përgjithshme në Bashkimin Sovjetik të atëhershëm dhe nga historia e institucioneve të burgut në Rusi, Sollzhenicini flet për njërën nga krimet më monstruoze të shekullit XX. Kush është burgosur, si ka rrjedhur marrja në pyetje, hetuesia, në ç’mënyrë është kryer transporti i të burgosurve, si ka qenë jeta e të burgosurve nëpër llogore, kush kanë qenë gjyqtarët dhe xhelatët, çfarë krimesh janë kryer dhe si ka rrjedhur jeta pas lirimit nga burgu. Kjo është vetëm një pjesë e vogël e temave që i prek ai në këtë libër.

Siç shihet edhe nga nëntitulli i librit, “Arkipelagu Gulag” është një përpjekje e hulumtimit letrar. Në thelb, kjo është një përzierje e kronikës historike dhe politike me dëshmitë e vetë autorit dhe të mbi dyqind të burgosurve që kanë mbijetuar. “Arkipelagu Gulag” është një udhërrëfyes i shkruar në mënyrë koncize, të thuktë që e shpie lexuesin nëpër historinë e tmerrshme ruse të shekullit XX. Është edhe një arritje letrare brilante, që pasqyrohet nëpërmjet rrëfimit të autorit dhe të të burgosurve të tjerë. Të dënuarit në “Arkipelagun Gulag” nuk kërkojnë prej askujt që të tregohen të mëshirshëm ndaj tyre, të tregojnë dhembshuri ndaj tyre. Ata kanë zemër të fortë dhe nuk i rrok plogështia as përloten.

Sollzhenicin shkruan: “Asnjë s’ka qarë. Urrejtja i thanë lotët… Në burg duhet hyrë pa u dridhur për jetën e ngrohtë të braktisur. Në çastin kur e kalon pragun, duhet t’i thuash vetes: Jeta ime ka marrë fund, pak më herët seç duhej, por s’kemi ç’të bëjmë. Në liri s’kam për t’u kthyer kurrë. Jam i dënuar të shkatërrohem, tani apo pak më vonë, që është ende më keq; sa më parë – aq më mirë. Tanimë s’më ka mbetur gjë”.

“Arkipelagu Gulag” është një prej veprave më me ndikim të shekullit XX. Ç’paraqet sot kjo vepër? Mos është vetëm përmendore e një kohe të perënduar dhe rrëfim për marrëzinë që çoi në vdekje miliona njerëz? Edhe pse sot nuk ka Gulag, liritë e njeriut janë të rrezikuara pikërisht si gjysmë shekulli më parë. Për Rusinë e atëhershme, Sollzhenicini shkruan: “Atdheu ynë është i tillë: për ta shtyrë tre arshinë drejt tiranisë, të duhet vetëm ballin ta mbështesësh dhe të kollitesh një herë; ndërsa për ta kthyer sa një thua nga liria – duhet të bresh njëqind qe dhe t’i hysh me shkop secilit prej tyre”. A ka dallim e sotmja? Dhe kjo s’ka të bëjë vetëm me Rusinë. Mos janë jetët e njerëzve në përgjithësi po kaq të hidhura? A mund me një fjali të vetme të karakterizohet e tërë historia e Rusisë? Vend i mundësive të shuara. A e ka mësuar bota, e sidomos rusët, leksionin që ua ka dhënë Sollzhenicini? Në veçanti atë për vlerën e lirisë. Leksionin për mospranimin e tiranisë. Për gatishmërinë e individit që për qëndrimet e veta dhe për të vërtetën, të pësojë, të paguajë çmim apo të sakrifikohet, siç ka vepruar Sollzhenicini?

“Arkipelagu Gulag” është rrëfim për shkrimtarin i cili talentin letrar të vet nuk e ka njollosur me zgjedhje morale dhe politike të gabuara. Pikërisht për këtë vepra ka vlerë edhe sot. Ajo vërtet është një rrëfim për një të keqe të kaluar, por është edhe paralajmërim se ajo e keqe shumë lehtë mund edhe të përsëritet.

“E kemi për detyrë që ta dënojmë publikisht çdo ide që dikush të ushtrojë dhunë ndaj dikujt tjetër. Duke heshtur para të keqes, duke e ngulfatur brenda nesh që të mos del jashtë, ne e mbjellim, kështu që ajo një ditë do të shfaqet në një formë shumë të rëndë. Duke mos e dënuar të keqen… ne nën këmbët e brezave të rinj i rrëmojmë themelet e drejtësisë. Të rinjtë përshkohen nga ideja se këtu batakçillëku kurrë nuk ndëshkohet. Përkundrazi, është burim i mirëqenies. S’do të mbetet hapësirë për të qëndruar, do të jetë tmerr të jetosh në një vend të tillë” – shkruan Sollzhenicini.

*   *   *

  Regjimi i Stalinit së pari iu vërsul grupeve opozitare brenda partisë, shkatërroi inteligjencien që mendonte me kërkon e vet, shkatërroi kishën, mbylli pas grilave miliona njerëz, krijoi mekanizma të fabrikimit të dokumenteve historike, në mbarë territorin e BRSS-së organizoi kampe speciale – gulagë. Mu aty, në atë hapësirë, mbin një letërsi e shkruar me gjakun dhe me ndërgjegjen e individëve. Poeti dhe shkrimtari sovjetik Aleksandar Tvardovski (1910-1971) u detyrua të mohonte familjen për arsye se babai i tij ishte dënuar si kulak. Ai thotë: “Të mos lejojmë që vetëdija jonë të bjerrë në gjumë. Medoemos Kujtesa medoemos të shkruhet dhe të sigurohet, me sinqeritet dhe vërtetësi. Konformizmi dhe frika prodhojnë krim, e shtojnë atë. Në kamp përqendrimi ka jetuar e tërë Rusia. Gjenocidi shpirtëror dhe psikik ka qenë i tmerrshëm.

“Arkipelagu Gulag” është një akuzë e madhe, jo ndaj individëve të caktuar, por ndaj të gjithë atyre të cilët duke u nënshtruar, duke heshtur, duke u pajtuar me të keqen dhe duke e pranuar të keqen bëhen pjesëmarrës të përhapjes së të keqes totale. U rrit vetëdija për faktin se një njeri i vetëm nuk mund t’i mbajë në frikë miliona njerëz. Atëherë, kush e mban atë regjim? Cilët mekanizma e vënë në lëvizje? Historiani rus Vlladimir Kozllov (1950-), “Arkipelagun Gulag” e ka quajtur simbol universal të së keqes totale.

*   *   *

Romani i shkurtër “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit”, është kryevepër, ndërsa “Arkipelagu Gulag” në asnjë pikëpamje nuk ngec pas kapitujve inferrnalë të “Komedisë hyjnore” të poetit italian Dante Aligieri (Dante Alighieri, 1265-1321). Më në fund, vepra e sipërthënë e shkatërroi entuziazmin e të majtës evropiane për eurokomunizëm.

Shekulli XX ishte shekull i llogoreve dhe i tmerreve. Për të janë shkruar shumë libra. Janë xhiruar edhe filma. Por, shumë pak dokumente kanë folur në mënyrë aq të gjallë për regjimet totalitare dhe për sistemet e burgosjes së njerëzve, si vepra gjigante e klasikut bashkëkohor rus, Sollzhenicinit.

Duket sikur njerëzit kanë harruar se ç’ka ndodhur në shekullin XX në kampet e Gulagut. Sollzhenicini në atë shekull e investoi edhe jetën e vet. Vuajti dënime duke filluar nga Lubjanka dhe duke përfunduar në Kolimnë. Atje i kaloi mbi tetë vjet dhe bëri një studim rrëqethës për të keqen që njeriu ia ka shkaktuar njeriut. Sistemin e Stalinit e kanë paguar me jetë miliona njerëz. Të keqen gjithmonë duhet kujtuar në mënyrë që të mos përsëritet.

*   *   *

Josif Brodski për Sollzhenicinin:

“Të gjitha drejtimet letrare i kanë periferitë e veta dhe qendrat, përkatësisht kulmet e veta. Autorin e librit Arkipelagu Gulag unë do ta quaja gjeni të “realizmit socialist”. Po qe se pushteti sovjetik nuk e ka pasur Homerin e vet, atëherë këtë e ka fituar në personalitetin e Sollzhenicinit. S’ka dyshim se ky libër, në radhë të parë është shkruar për lexuesin rus, por të merret kjo si arsye që ai të mos lexohet, do të ishte njësoj si të heqësh dorë nga të lexuarit e Iliadës për shkak të mosnjohjes së mitologjisë greke dhe për arsye se emrat e heronjve të saj vështirë shqiptohen. Emërtues i përbashkët për këto dy vepra është tema e shkatërrimit: në rastin e parë – të qytetit, ndërsa në rastin e dytë – të kombit. Është e mundur që për dymijë vjet të lexuarit e GULAG-ut do të jetë po aq i këndshëm sa edhe leximi i Iliadës sot. Por, po qe se GULAG-un nuk e lexojmë sot, është më se e mundur të ndodhë që shumë më parë se dymijë vjet të mos ketë kush ta lexojë asnjërën prej tyre”.

Shënim: Josif Aleksandroviç Brodski (ose Joseph Brodsky, 1940-1996) është poet dhe eseist rus dhe amerikan. Lindi në Leningrad (Sankt Petersburg). Vdiq në Nju-Jork. U varros në varrezat I’Isola di San Michele në Venecie. Është pasardhës i një familjeje hebraike. Nuk dëshironte të ndjekë shkollimin. Në vitin 1964 u dënua me pesë vjet punë të detyrueshme. U dërgua në llogoren afër Arhangjelskës. Në vitin 1972 e lë Bashkimin Sovjetik. Vajti në Vjenë dhe në Londër. Që andej, në ShBA. Si anëtar nderi punoi në Universitetin Yale. Në vitin 1979 u bë anëtar i American Academy and Institute of Arts and Leterrs. Më 1980 mori shtetësinë amerikane. Më 1987 mori çmimin “Nobel”.

*   *   *

Romani „Një ditë e Ivan Denisoviçit“ – Para pesëdhjetë vjetëve, autoritetet sovjetike e lejuan botimin e romanit të shkurtër „Një ditë e Ivan Denisoviçit“ të Solzhenjicinit. Publiku u shokua nga detajet, deri atëherë të fshehura, për jetën në llogoret apo në kampet e Stalinit. Në nëntor të vitit 1962, kryetari i BRSS-së Nikita Sergejeviç Hrushçov (1894-1971) kërkonte një simbol të fuqishëm që do t’i ndihmonte fushatës së tij të rrezikshme për t’i dhënë fund ndikimit afatgjatë të Stalinit (Josip Visarionoviç Xhugashvili Stalin, 1879-1953) në jetën politike dhe kulturore. Atë e gjeti në librin e Solzhenjicinit, atëherë një autor i panjohur. Një vit më parë, d.m.th. më 1961, Hrushçovi i dënoi publikisht krimet e diktatorit të vdekur dhe urdhëroi që trupi i tij, nga mauzoleu i Leninit të zhvendoset në Sheshin e Kuq. Por, Hrushçovi dëshironte që t’u japë edhe një goditje të fuqishme konservatorëve tëpartisë komuniste. Pas një ngurimi të gjatë, Hrushçovi e lejoi botimin e librit të sipërthënë në të cilin përshkruhet një ditë pas mureve të kampit, nga jeta e njeriut të dënuar pa të drejtë.

„Një ditë e Ivan Denisoviçit“ u botua më 18 nëntor 1962 në revistën prestigjioze „Novy Mir“. Ndikimi i kësaj vepre për tmerret në kamp, e para e botuar në Bashkimin Sovjetik, ishte i jashtëzakonshëm. Shkrimtari dhe kritiku letrar rus Benedikt Sarnov (1927-2014) thotë: „Solzhenjicini ishte për ne një kometë  e rënë nga qielli. Kjo vepër në të vërtetë është një ngjarje e madhe“. Publiku bënte çmos për ta gjetur revistën. Mijëra njerëz, përfshi edhe ish-të burgosurit dhe të afërmit e atyre që ishin deportuar apo ishin ekzekutuar, i shkruanin autorit dhe kryeredaktorit, me dëshirë që t’i publikojnë tregimet e veta. Solzhenjicini e kishte shkruar tregimin në vitin 1959, duke u bazuar në përvojën e vet gjatë tetë vjet qëndrimi në kampet e punës.

 “Babi im ka vdekur në burg kur unë kam qenë pesë vjeç. Ajo që më ka goditur te “Ivan Denisoviçi” është fakti se bëhet fjalë për gjërat për të cilat kanë folur madje edhe shokët e tim ati, duke përfshirë edhe ata të cilët kanë qëndruar një kohë të caktuar nëpër kampe”, thotë ish-disidenti sovjetik dhe historiani rus Arseni Roginski (Arseny Roginsky, 1946 – Izrael, 2017).

Vepra shumë shpejt i solli famë Sollzhenicinit dhe u përkthye në shumë gjuhë të botës. Hrushoçovi ia doli të arrijë qëllimin. Shenjat e dobësimit të ndikimit të Stalinit nisën të duken si në BRSS, ashtu edhe në vende të ndryshme të botës. Kjo paralajmëroi fundin e epokës së Stalinit. Por, kjo nuk zgjati shumë. Brenda pak muajve, Hrushçovi gjithnjë më tepër filloi të anonte nga konservatorët. Temën e kampeve e shpalli “të rrezikshme për shoqërinë”, duke thënë se gabimet e Stalinit duhet të theksohen, po aq sa edhe arritjet e tij.

Tregimet e tjera për jetën në kampe, si për shembull “Tregime nga Kolimi” të shkrimtarit rus i cili mbijetoi Gulagun, Varlam Tihonoviç Shalamov (1907-1982) apo autobiografia me titull “Udhëtim në vorbull” e autores ruse e cila 18 vjet vuajti dënim në Gulag, Evgjenia Ginzburg (Yevgenia Solomonovna Ginzburg, 1904-1977), nuk u botuan deri në ardhjen e perestrojkës.

“Po të mos e kishte sulmuar Hrushçovi Stalinin mu në atë moment, tregimi im kurrë s’do të ishte botuar”, ka deklaruar më vonë Sollzhenicini.

Mirëpo Hrushçovi nuk ka mundur të parashikojë se duke zbatuar politikën e vet antistaliniste me ndihmën e tregimit të autorit të ri, do t’i ndihmonte Sollzhenicinit të shkruajë librin “Arkipelagu Gulag” për represionin gjatë kohës së Leninit dhe të Stalinit. “Kur libri Një ditë në jetën e Ivan Denisoviçit u paraqit për herë të parë, më erdhën mijëra letra dhe dëshmi. Fillova të këmbej letra me autorët e tregimeve më mbresëlënëse. E kuptova se fati ma dërgon pikërisht atë që më duhej – materialin për ta shkruar Arkipelagun”, ka thënë Sollzhenicini në një intervistë.

Në vitin 1964, Hrushçovi zëvendësohet nga Leonid Brezhnjevi (1906-1982). Për Sollzhenicinin, rrethanat ndryshuan në mënyrë drastike. “Ivan Denisoviçi” tanimë nuk gjendej në biblioteka. Librat u asgjësuan. Faqet e revistës në të cilat ishte shkruar tregimi, u grisën, ndërsa titulli dhe emri i autorit në regjistrin e përmbajtjeve, ishin shlyer. Deri në mbarim të epokës sovjetike, tregimi dhe veprat e tjera të Sollzhenicinit, kanë qarkulluar vetëm nëpërmjet veprimtarive botuese të disidentëve, të quajtura samizdat. Gjatë qeverisjes së presidentit të parë të Federatës Ruse, Boris Jelcin (1931-2007), në Rusinë post-sovjetike, libri i sipërthënë zyrtarisht u përfshi në lektyrë shkollore të detyrueshme, ku ndodhet edhe sot.

BURGOSJET PËR SHKAK TË BINDJEVE POLITIKE – Për shkak të bindjeve politike, Fjodor Mihajlloviç Dostojevski (1821-1881) u burgos qysh në Rusinë cariste, ndërsa në epokën e stalinizmit përfunduan në gulag shkrimtarët Mandelshtam, Shalamov, Danil Harms etj. Rusia ishte shndërruar në një llogore apo kamp të madh, në të cilin njerëzit ngulfateshin. Çdo gjë i ishte nënshtruar reglementimit (rregulloreve) dhe rregullave. Inxhinierët e shpirtrave njerëzore kishin përcaktuar se si duhej punuar, ç’duhej shkruar, si të shkruhej, përse duhej menduar dhe në ç’mënyrë duhej menduar. Poeti rus dhe sovjetik me prejardhje hebraike Osip Mandelshtam (Varshavë, Poloni, 1891 – 1938), arrestohet dhe dënohet me punë të detyruar. Vdes në një kamp përqendrimi afër Vlladivostokut. Shkrimtari avangardist sovjetik, Danil Harmsi (Daniil Kharms, 1905-1942) nuk ishte shembulli i vetëm i artistit rus të cilin pushteti e kishte shpallur të çmendur, duke e mbyllur në klinikat e të marrëve. Në vitet ’30 të shekullit XX, shkrimtarit dhe dramaturgut rus Mihail Bullgakov (Kiev, 1891 – Moskë, 1940), autor i romanit “Mjeshtri dhe Margarita”, të publikuar në mënyrë të plotë më 1969, iu ndalua të botonte, ndërsa dramat iu hoqën nga repertorët e teatrove. Romancieri dhe dramaturgu rus me prejardhje ukrainase, Nikollaj Gogol (Nikolaj Vasileviç Gogol, 1809-1852) vdiq në agoni. Poeti rus dhe sovjetik, themelues i futurizmit rus, Vlladimir Majakovski (1893-1930 ), poeti rus, një prej themeluesve të grupit imazhistëve Sergej Esenin (1895-1925) dhe poetja e simbolizmit rus Marina Cvetaeva (1892-1941) – vranë veten. Tregimtarin rus Evgenij Zamjatin (1884-1937) e internuan. Fushata kundër tij arriti kulmin në vitin 1929 për romanin distopik “My” (1924) të botuar jashtë Rusisë. Më 1931 iu lejua të emigrojë. Vdiq në Paris. Poeti dhe romancieri rus me prejardhje hebraike Boris Pasternak (1890-1960) ka qenë në një lloj internimi dhe persekutimi shpirtëror vullnetar, i detyruar ta refuzojë çmimin “Nobel”. Poetja ruse e modernizmit apo e akmeizmit Ana Andreevna Gorenko, e njohur si Ana Ahmatova (1889-1966) me dekada ka qenë e detyruar të heshtë. Ajo me dekada i mbante në mend vargjet e saj, për t’i shkruar dhe për t’i botuar kur të vijnë kohë më të mira. Shembuj të tillë ka pa fund.

QËNDRIME TË DISKUTUESHME APO EDHE TË GABUARA – Historia e letërsisë është një breviar i qëndrimeve politike të gabuara, shpeshherë edhe monstruoze. Shembull tipik është antisemitizmi i shkrimtarit, fizikanit dhe polemizuesit  francez Lyi-Fernand Selin (Louis-Ferdinad Auguste Destouches, i njohur me pseudonimin Céline, 1894-1961) i shprehur në veprën “Stringla për një masakër” (Bagatelles pour un massacre), botuar më 22 12. 1937. Në këtë vepër, Selini bën thirrje të hapur për “luftë kundër rrezikut që vjen prej hebrenjve dhe prej judë-bolshevikëve”. Më 1939 vepra u tërhoq nga shitja. Me stilin e të shkruarit, Selini ushtroi ndikim mbi autorët e ekzistencializmit, të modernizmit, të komedisë së zezë dhe të brezit bit (The Beat Generation). Konsiderohej ikonë e kulturës. Meqë kishte mbështetur Fuqitë e Boshtit, Gjermaninë naziste, u eliminua nga skena letrare.

Filozofi gjerman Martin Hajdeger (Martin Heidegger, 1889-1976), në fillim të viteve ’30 të shekullit XX, ka pasur lidhje të caktuara me nazizmin. Ekzistencialisti gjerman, Hajdeger, kontribuoi në interpretimin e veprës së Fridrih Niçes (Friedrich Wilhelm Nietzssche, 1844-1900). Bashkë me filozofin gjerman, me prejardhje hebraike, themelues i  fenomenologjisë, Edmund Huserl (Edmund Gustav Albrecht Husserl, 1859-1938), konsiderohen filozofë më me ndikim të traditës kontinentale.

Zhan-Pol Sartri (Jean-Paul Sartre, 1905-1880), Simon dë Bovuar (Simone de Beauvoir, 1908-1986 ) dhe laureati i çmimit “Nobel” Andre Zhid (André Gide, 1869-1951), edhe pse kishin njohuri për krimet masive dhe Gulagun në Bashkimin Sovjetik, megjithëkëtë shkonin në Moskë. Sartri shpesh ka shkuar në Moskë, e ka mbështetur revolucionin kuban dhe revolucionin kulturor kinez. (Në vitin 1964 Sartri e refuzon çmimin “Nobel”. Sipas tij, lidhja ndërmjet autorit dhe lexuesit s’ka nevojë për ndërmjetësues).

Për burgun famëkeq Goli otok, shkrimtari i madh kroat dhe jugosllav Mirosllav Kërlezha (Miroslav Krleža, 1893-1981) – heshti. Goli otoku është një ishull i vogël shkëmbor në bregdetin kroat, pranë ishullit Rab. Pas konfliktit midis Stalinit dhe Titos dhe pas Rezolutës së Informbyrosë, komunistët jugosllavë themeluan në ishull llogore. Me fjalë të tjera, ishulli u shndërrua në burg famëkeq. Aty vuanin dënimin informbyroistët, njerëz të akuzuar si ithtarë të Stalinit. Goli otoku u shndërrua në sinonim të ferrit. U vu në funksionim më 9 korrik 1949. Funksionoi deri në vitin 1956. Burgu administrohej nga UDB-ja (Uprava državne bezbednosti – Drejtoria e Sigurisë së Shtetit). Nëpër këtë burg kanë kaluar rreth 13000 njerëz. Prej tyre, 287 vetë kanë vdekur në burg. Sipas të dhënave të caktuara, disa prej tyre janë ekzekutuar. Pas vitit 1956, burgu i Goli otokut është shndërruar në burg “normal” ku kanë vuajtur dënimin kriminelët, por edhe disa të burgosur politikë të mëvonshëm. Përfundimisht është mbyllur në vitin 1988.

Shkrimtarët serbë – Miodrag Bullatoviq (Miodrag Bulatović, 1930-1991), mbështetës i verbët i Sllobodan Millosheviqit  dhe Branimir Shqepanoviq (Branimir Šćepanovič, 1937-2020), në fund të viteve ’80 të shekullit XX ndërmorën një fushatë të egër kundër shkrimtarit Danillo Kish (Danilo Kiš, 1935-1989). Kishi u paraqit kundër nacionalizmit serb. Vjen nga një baba hebre dhe nga nëna malazeze. U detyrua ta lërë Beogradin dhe të vendoset në Paris. Kadare rrëfen për takimin me të në Paris. Vdiq në Paris, u varros në Beograd. Me përjashtim të disa shkrimtarëve serbë me prejardhje hebraike, pothuajse asnjë shkrimtar tjetër serb, nuk e mori në mbrojtje Kishin.

Para Gulagut, Sollzhenicini nuk heshti.

*   *   *

SOLZHENICINI, SHKRIMTAR PËR „TË HUAJ“  – Shumë rusë e kanë quajtur Sollzhenicinin shkrimtar për “të huaj”. Jo të gjithë e konsiderojnë patriot të atdheut të vet. Ia zënë për të madhe biografinë dhe punën, të orientuara kah ideologjia perëndimore. Pjesa më e madhe e veprave të tij kanë parë dritë, jo në Bashkimin Sovjetik, por në Perëndim. Ka shumë që e kanë fajësuar si person që ka luftuar kundër sistemit, kur vendi ndodhej në kolaps. E fajësojnë edhe për mbështetjen që ka pasur nga Radio Liberta, Zëri i Amerikës, Vala gjermane, “BBC” (sektori rus), “State Department” (sektori rus), Pentagoni (sektori i propagandës) etj.

*   *   *

SOLZHENICINI, NJERI ME PIKËPAMJE KONTRADIKTORE – Top of Form  * * Pas një karriere letrare të shkëlqyer, Sollzhenicini shkroi libra publicistikë në të cilët u mor me kombin rus, me shtetin rus dhe me ortodoksinë. Shumë simpatizues të tij ia kanë mbajtur për të madhe radikalizmin fetar dhe e kanë etiketuar si fundamentalist i ortodoksisë.

Shkrimtari rus Viktor Jerofejev (1947-), dikur e adhuronte Sollzhenicinin. Për të tjerët, Sollzhenicini ka qenë idhull, yll i letërsisë, luftëtar i guximshëm kundër padrejtësisë politike, ndërsa për Jerofejevin ka qenë Zot. Por më vonë, për shkak të afrisë së autorit të Gulagut me kryetarin Vlladimir Putin (1952-), nisi ta kritikojë. Ai që në kohët më të errëta dhe më heroike u përplas me shtetin e fuqishëm sovjetik, me t’u kthyer nga egzili, nisi ta dëmtojë autoritetin hyjnor që gëzonte.

Sollzhenicini është autentik kur ia zbulon lexuesit anën jonjerëzore dhe kriminale të një formacioni shoqëror, por është ideologjik, kur e braktis përvojën e vet letrare.

Midis shumë komentuesve të pikëpamjeve dhe të qëndrimeve të këtij krijuesi, njëri thotë: “Ka qëndrime sa të duash. Lexoni veprat e tij, aty i keni të gjitha”.     

SOLLZHENICINI KUNDËR VLERAVE MODERNE TË PERËNDIMIT DHE ALTERNATIVAVE LIBERALE EVR0PIANE

Me veprat e tjera të Sollzhenicinit, punët janë pak më të ndërlikuara. Në tregimin “Oborri i Matrenës”, autori në një anë është kundër ideologjisë mbizotëruese të BRSS-së, por në anën tjetër është edhe kundër vlerave moderne të Perëndimit. Autori në një anë demaskon krimet sovjetike, por në anën tjetër hedh poshtë alternativat liberale evropiane.

AFRIA MIDIS SOLLZHENICINIT DHE VLLADIMIR PUTINIT – Sollzhenicini të cilin sovjetikët dikur e përzunë në Perëndim, gjithnjë më tepër i është kundërvënë demokracisë perëndimore moderne. Fjala “pluralizëm” për të ka qenë e neveritshme. Ishte orientuar kah vlerat krishtere ashtu siç i kuptonte vetë ai. Si të tillë, e kishte përvetësuar Putini. Gjoja paskëshin qenë të një mendimi se Rusia duhet t’ia kthejë shpinën rrugës evropiane. Autori i Gulagut, me urdhrin e pavdekshëm të kampit “mos beso, mos kij frikë, mos lut”, tani i besoi ish-kolonelit të KGB-së, i cili kishte punuar për organet e shtypjes, duke e autorizuar veten të ndërtojë “një botë ruse” sipas ideve të veta. Kjo shkaktoi zemërimin e opozitës ndaj Sollzhenicinit, duke i gëzuar njëherazi të gjithë mbështetësit e një Rusie si fuqi e madhe.       

Shënim: Në vitin 1979 Viktor Jerofejevi u përjashtua nga Shoqata e shkrimtarëve të BRSS-së. Është përkthyer në 27 gjuhë të botës. Jeton në Moskë dhe e ndjek në mënyrë kritike politikën e qeverisë ruse dhe të kryetarit Vlladimir Putin.

*   *   *

Duhet shtuar se politika e Putinit nuk dallohet shumë nga ajo e paraardhësve të tije sovjetikë. Ai e ka kufizuar veprimin politik të opozitës ruse, e ka kufizuar hapësirën demokratike, pothuajse e ka ndaluar mendimin ndryshe, i burgos oponentët politikë të tij, oponentët politikë i konsideron spiunë dhe mercenarë të Perëndimit, zgjidhet dhe rizgjidhet kryetar Rusie, kur të dojë dhe sa herë të dojë. Putini, sikur dëshiron ta rimëkëmbë ish-Bashkimin Sovjetik. Midis tij dhe Stalinit, nuk ka shumë dallim. Gjatë gjithë historisë së vet, Rusia asnjë çast nuk ka qenë demokratike. Ajo është vite drite larg demokracisë. Demokratizimin e Rusisë, politika ruse e kupton si kapitullim para fuqive perëndimore. Armatimi është paranojë e politikës ruse.

            QËNDRIMI I SOLLZHENICINIT LIDHUR ME KOSOVËN – Gazeta “Novosti” (“Новости”) e Beogradit ka kërkuar nga Sollzhenicini që t’i drejtohet publikisht popullit serb, posaçërisht serbëve të Kosovës. Shkrimtari ishte 90 vjeç dhe shëndetlig. Për prononcimin e tij njofton korrespondenti i gazetës “Novosti” nga Moska, më 20.02.2008. Shkrimtari vdiq pas disa muajve, më 03.08.2008. Letrën e paska dorëzuar gruaja e shkrimtarit Natalia Dimitrievna Solzhenitsyna. Ajo paskësh thënë: ”Dhimbja dhe brengosja jonë është e natyrshme për arsye se ne rusët dhe serbët jemi një popull… Sollzhenicini është prononcuar kundër Perëndimit edhe pas bombardimit të Serbisë, edhe tash…”

Sollzhenicini paska shkruar:

“Serbëve të cilët mbeten të jetojnë në tokën historike, padrejtësisht të shkëputur, në krahinën e Kosovës,

Në vitet e kaluara të paradokohshme ju tanimë keni përjetuar rrënimin dhe shkatërrimin e tempujve, djegien e shkollave serbe dhe dhunë e vrasje të drejtpërdrejtë. Zoti t’jua ruajë guximin që të qëndroni edhe në të ardhmen pranë varreve të të afërmve tu”    

*   *   *

E veja e Sollzhenicinit, Natalia Dimitrievna (Natalya Dimitrievna Solzhenitsyna, 1939-) i fajëson liderët e Rusisë moderne, Mihail Gorbaçovin (1931-) dhe Boris Jelcinin (1931-2007) për faktin se nuk ia kanë dalë që vendin ta ballafaqojnë me të kaluarën. “Nuk kanë bërë kurrfarë destalinizimi.  Në shkallë shteti askush dhe asnjëherë nuk e ka shpallur komunizmin si krim apo Stalinin si tiran i cili ka luftuar kundër popullit të vet. Tani nuk është koha për fjalë” – thotë ajo. Edhe kjo është kontradiktore si burri i saj Sollzhenjcini. Nuk mund të kërkosh nga Gorbaçovi dhe nga Jelcini destalinizimin e Bashkimit Sovjetik, duke mbyllur gojën para Putinit, i cili duket sikur synon ta rimëkëmbë epokën sovjetike, për të cilin Stalini nuk ka qenë i keq.

Shkrimtari dhe gazetari Korotiq thotë: “Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, e tërë Evropa Lindore u përpoq t’i japë fund mënyrës komuniste të jetesës, por jo edhe Rusia. Rusia kishte nevojë për një proces Nyrnbergu si në Gjermani. Por, kurrë s’e pati. Derisa të mos fillojmë të flasim për problemet e komunizmit në shkallën që e filloi Sollzhenicini para 50 vjetëve, do të vazhdojmë të jetojmë në këtë vend gjysmësovjetik, e cila dëshiron të bëhet pjesë e njerëzimit, por që ka frikë nga informacionet për historinë e vet” .

 

VEPRAT 

 

  1. “Një ditë e Ivan Denisoviçit” ose “Një ditë nga jeta e Ivan Denisoviçit” (1962), roman i shkurtër. Kur u botua, në botën letrare shkaktoi tërmet në përmasa planetare. Vepra shënoi kthesë në historinë e Bashkimit Sovjetik. Pas kësaj vepre, shkruan një varg romanësh, përmbledhjesh me tregime dhe studime historike: “Në rrethin e parë”, “Reparti i kancerit”, “Doje revolucionin”, “Rrota e kuqe”…
  2. “Arkipelagu Gulag” – Në vitin 1932, të burgosurit punojnë në ndërtimin e Bellomorkanalit.
  3. “Oborri i Matrenës” (Matrenin dvor, 1963); heroinë e veprës është një grua e thjeshtë dhe e ndershme ruse, Matrena Grigorjeva, një nga ato që përbëjnë bazën morale të popullit rus. Autori përshkruan fatin tragjik të femrës ruse.
  4. “Reparti i  kancerit”Është roman autobiografik. U shkrua në vitet 1963-1966. U botua më 1968. Është dëshmi e letrarizuar e ballafaqimit me sëmundjen e rëndë, kur autori mjekohej në repartin spitalor të onkologjisë në Tashkent në vitin 1954. Për herë të parë u botua në Rusi, më pas edhe në Perëndim. Romanet “Reparti i kancerit“ dhe  “Në rrethin e parë”, u shndërrua në ngjarje të madhe letrare ndërkombëtare. Vepra ndikoi që në vitin 1970 autori të vlerësohet me çmimin “Nobel” për letërsi.
  5. “Në rrethin e parë” – U shkrua në vitet 1955-1858. U botua më 1968. Ngjarja zhvillohet në Moskë në tri ditë të dhjetorit të vitit 1949; demaskon sistemin stalinist të spiunimeve dhe të përgjimeve;
  6. “Rrota e kuqe” – Roman voluminoz që e punoi në internim. Flet për historinë e Rusisë të viteve 1914-1918.
  7. “Kokrrizat e bëra kokrra” (1998-2003) – kujtime;
  8. “Dyqind vjet bashkë”, I-II, 2001-2002. Është monografi dyvëllimëshe historiko-publicistike. E shkroi fund të karrierës së tij si shkrimtar. Në këtë vepër merret me marrëdhëniet dhe bashkëjetesën e rusëve dhe të hebrenjve në Rusinë cariste dhe në Bashkimin Sovjetik, që nga fundi i shekullit XVII deri në fund të shekullit XX. Libri pati jehonë të madhe, si në Rusi ashtu edhe në Evropë.

Xhelal Zejneli 

LEON TOLSTOJ

$
0
0
Xhelal Zejneli
Xhelal Zejneli

Leon Nikollaeviç Tolstoj (rus. Lev Nikolaeviç Tolstoi, Jasna Polana, /guberni e Tulit, 9 shtator 1828 – Astapovë/Astapovo, gubernia Rjazanska, 20 nëntor 1910), është prozator, dramaturg dhe publicist rus. Lindi dhe vdiq në Perandorinë Ruse. Pasardhës i një fisi të vjetër fisnikes. Q në fëmijëri jetoi kryesisht në pronën e familjes në Jasnaja Polana (Jasnaya Polyana) si dhe në Moskë.  Ishte oficer në Kaukaz dhe në Luftën e Krimesë të vitit 1855. Ishte kont (grof). Në një natë dimri, shkrimtari dhe mendimtari 82-vjeçar, i dëshpëruardhe i sëmurë, është larguar nga shtëpia. Vdes në vitin 1910 në stacionin hekurudhor, në Astapovë. Supozohet se ka vdekur nga ndezja në mushkëri. Për të kujdeseshin gruaja dhe vajzat e tij. Se si ka mundur të largohet nga shtëpia nuk është e qartë. Mjekët që kanë mbërritur në vendin e vdekjes, kanë ndërhyrë duke i dhënë injeksione morfiumi. Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë një numër i madh njerëzish, përfshi edhe mijëra fshatarë. Shumë prej tyre nuk kishin ditur sa duhet për jetën dhe veprën e këtij realisti rus.

*   *   *

Tolstoi lindi në Jasna Polanë, në pronën e familjes, 12 km në jug të Tules dhe 200 km në jug të Moskës. Tolstojët janë familje e njohur e bujarisë së vjetër ruse. Konti (grofi) Nikollaj Iliç Tolstoj, veteran i Luftës për atdheun të vitit 1812 dhe kontesha Maria Tolstoj (e lindur princesha Maria), kishin pesë fëmijë. Leon Tolstoi (Lev Tolstoi) ishte fëmija i katërt. Prindërit e Tolstoi vdiqën kur ai ishte tejet i ri. Për të, për vëllezërit dhe për motrat e tij u kujdes farefisi. Në vitin 1844 u regjistrua në Universitetin e Kazanit për të studiuar drejtësinë dhe gjuhët orientale. Mësuesit apo profesorët e tij e përshkruajnë: “i paaftë dhe nuk tregon vullnet për mësim”. Tolstoi e la universitetin në mes të studimeve, u kthye në Jasna Polanë. Pas kësaj, pjesën më të madhe të kohës e kaloi në Moskë dhe në Sankt Peterburg. Në vitin 1851, pasi ishte zhytur në borxhe nga bixhozi, bashkë me vëllain e madh vajti në Kaukaz dhe shkoi në shërbimin ushtarak. Në këtë kohë nisi të shkruajë.

Transformimi i tij prej një autori të një shoqërie të shfrenuar dhe të privilegjuar, në një anarkist të padhunshëm dhe shpirtëror të moshës së tij të mëvonshme, vjen si rrjedhojë e përvojave të tij në ushtri. Kësaj i kanë kontribuar edhe dy udhëtimet në Evropë në vitet 1857 dhe 1860-61. Po atë rrugë e kaluan edhe Aleksandar Hercen/Gercen, Mihail Bakunin dhe Petar Kropotkin.

Shënim: Aleksandar Ivanoviç Hercen/Gercen (Moskë, 1812 – Paris, 1870), është  shkrimtar rus, një prej ideologëve të socializmit utopist rus; ishte fëmijë i palegalizuar i një fisnikut të pasur rus dhe i një gjermaneje nga Shtutgarti;

Mihail Aleksandroviç Bakunin (Tver Govermorate, 1814 – Bern, Zvicër), anarkist revolucionar rus, socialist;

Petar Alekseeviç Kropotkin (Moskë, 1842 – Dmitrov, Rusi, 1921), revolucionar anarkist rus, gjeograf, zoolog, eseist politik i cili angazhohej për anarko-komunizëm.

*   *   *

Që herët ishte i pakënaqur me pozitën e privilegjuar të bujarëve (të fisnikëve, të aristokracisë). Kërkoi raporte shoqërore të reja, pikësëpari ngritjen e fshatarësisë. Qëndroi larg lëvizjeve revolucionare. Në pronën e vet zhvilloi punën iluministe, sidomos pasi u kthye nga Evropa, i dëshpëruar nga pandjeshmëria e qytetërimit borgjez ndaj të keqes shoqërore. Këtë e pasqyron në novelën “Luzern” (1857). Pas viti 1861 në Rusi kemi çlirimin nga bujkrobëria. Tolstoi përjetoi një krizë të re morale dhe në “Rrëfime” (“Ispoved”, 1879-1882) i pasqyroi parimet e veta fetare. Kishte mendim kritik ndaj pronësisë, shtetit dhe kishës. Synonte rimëkëmbjen morale në frymën e krishterimit evangjelist. Besonte se ringritja është e mundshme me përsosmërinë e individit dhe “duke mos iu kundërvënë të keqes me dhunë”. Mësimin apo doktrinën e vet e paraqiti në shkrimet publicistike “Kisha dhe shteti” (1882); “Me ç’ka të bëjë feja ime” (1884 ) etj.

Në veprat kushtuar çështjeve estetike mohonte artin e shtresave të larta, sidomos në Perëndim. Kishte qëndrim kritik ndaj vlerave kanonike dhe dukurive bashkëkohore në muzikë dhe në artin figurativ, kërkonte art didaktik për popullin. Këto pikëpamje i paraqiti në shkrimin “Ç’është arti” (1897-98).

Veprat në të cilat Tolstoi braktis mësimin apo doktrinën kishtare shpesh janë objekt censure, kështu që janë konfiskuar edhe interpretimet e tij të motiveve evangjelistë në “Rrëfime popullore” (1886). Në vitin 1901 Tolstoi u përjashtua nga Kisha Ortodokse Ruse.

Në shkrimin “Nikollaj Palkin”, Gjenevë 1891, Tolstoi u ngrit kundër autokracisë dhe autoritarizmit perandorak (carist). Në shkrimin “Nuk mund të hesht” që u botua në vitin 1908 jashtë Rusisë, protestoi kundër represioneve. Në shkrimin “Mbi aneksimin e Bonjës dhe Hercegovinës” (1908), protestoi kundër politikës së Fuqive të Mëdha.

*   *   *

Ishte shkrimtar, dramaturg, eseist, kritik letrar, filozof moral, luftëtar i njohur i të drejtave të punëtorëve dhe të fshatarëve, e mbi të gjitha pacifist dhe majtist. Leini (Vlladimir Iliç Uljanov Lenin, 1879-1924) e ka quajtur baba të revolucionit rus.

Me idetë e veta përparimtare për qëndresë jo të dhunshme, joviolente, paqësore   ushtroi ndikim mbi personalitetet që u paraqitën më vonë, ndër të cilët më të njohur janë Martin Luter King dhe lideri i Indisë, i vrarë në atentat, Mahatma Gandi (Mahatma Gandhi, 1869-1948). Sipas votimit të 125 autorëve të njohur sovjetikë, veprat e Tolstoit u përfshinë në radhët e veprave më të mëdha të të gjitha kohëve.

Shënim: Martin Luter Kingu (Martin Luther King, Jr.) lindi në Atlantë të Xhorxhisë (Atlanta, Georgia), më 15 janar 1929. U vra në atentat, më 4 prill 1968 në Memfis të Tenesit (Memphis, Tennesse). Ishte klerik baptist afroamerikan, luftëtar i të drejtave qytetare dhe laureat i çmimit “Nobel” për paqe. Konsiderohet si një nga ithtarët më me ndikim të veprimit apo të qëndresës pa dhunë. Për shumë njerëz në botë konsiderohet hero, pacifist dhe martir. Në marshin e zezakëve në Uashington të organizuar në vitin 1963 morën pjesë 250.000 vetë. Fjalimi i Kingut “Kam një ëndërr” (“I Have a Dream”), bashkë me atë të presidenti të gjashtëmbëdhjetë të ShBA-së, Abraham Linkoln (Abraham Lincoln, 1809-1865) në Getisburg, konsiderohet si një nga fjalimet më të mira në historinë e oratorisë amerikane. Për qëndresën e padhunshme ndaj paragjykimeve racore në ShBA, më 14 tetot 1964, Kingut iu dha çmimi “Nobel” për paqe. Në atë kohë, në moshën 35-vjeçare, Kingu u bë laureati më i ri i çmimit “Nobel” për paqe. Në një fjalim të mbajtur më 4 prill 1967, Kingu dënoi rolin e ShBA-së në luftën e Vietnamit. Në vitin 1968 Kingu organizoi “Fushatën e të varfërve” e cila arriti kulmin me marshin deri në Uashington, me ç’rast, më 3 prill mbajti fjalim lidhur me varfërinë. Të nesërmen, më 4 prill 1968, në Memfis të Tenesit ndaj tij u krye atentat. Në varrimin e tij morën pjesë rreth 300.000 vetë. Atentator ishte Xhejms Erl Rej (James Earl Ray, 1928-1998), i cili në vitin 1969 u dënua me 99 vjet burg. I shpëtoi dënimit me vdekje pasi kishte pranuar krimin. Vdiq në burg pasi kishte vuajtur 29 vjet heqje lirie. Në atentatin ndaj Kingut kishte të tillë që thanë se është e implikuar qeveria

*   *   *

Gjatë vizitë së vet të vitit 1857, Tolstoi i pa ekzekutimet publike në Paris. Kjo ishte një përvojë traumatike që e shënoi pjesën tjetër të jetës së tij. Në letrën dërguar mikut të tij – eseistit, kritikut letrar, artistik dhe muzikor rus Vasil Botkin (Vasily Petroviç Botkin, 1812-1869), shkruan: “Është e vërtetë se shteti është komplot i destinuar, jo vetëm për shfrytëzim, por edhe për t’i korruptuar qytetarët e vet… Që sot, kurrë nuk do t’i shërbejë cilësdo qeveri, kudo qoftë”.

Koncepti i Tolstoit për veprim joviolent, pa dhunë apo Ahmist u forcua pasi e lexoi versionin gjerman të veprës Tirukural. Më vonë kjo ndihmoi që ky koncept të mbillet edhe te Mahatma Gandi, nëpërmjet shkrimit të tij “Letër indusit”, kur Gandi i ri zhvillonte korrespondencë me të dhe i kërkonte këshilla.

Shënim: Tirukkural ose shkurtimisht Kural është vepër e kultivuar e letërsisë tamile. Autor i përmbledhjes është poeti dhe filozofi tamil Thiruvalluvar. Është tekst klasik në gjuhën tamile që përbëhet prej 1330 kupleteve të shkurtër apo kuraleve, prej nga shtatë fjalë. Teksti ndahet në tre libra me aforizma për etikën, sëmundjen, pasurinë, dashurinë, për çështje politike dhe ekonomike. Në anglisht u botua në vitin 1794. Titulli origjinal është Muppal dhe është botuar në vitin 1812.

*   *   *

Udhëtimi i Tolstoit nëpër Evropë gjatë viteve 1960-1961 i dha formë zhvillimit të tij politik dhe letrar. Pati rastin të takohej me poetin, romancierin dhe dramaturgun francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802-1885), talentin letrar të të cilit Tolstoi e ngrëntë lartë, pasi kishte lexuar “Të mjerët” (Les Misérables, 1862) e tij që sapo ishte botuar. Skenat e betejave të romanit të Hygosë, Tolstoi i evokon edhe në romanin e vet “Lufta dhe paqja”, me ç’rast vërehet një lloj ndikimi i romantikut francez.

Në filozofinë politik e të Tolstoit ka ndikuar edhe vizita e tij që ia bëri në mars të vitit 1861 anarkistit francez Pjerë-Zhozef Prudon (Pierre-Joseph Proudhon, 1809-1865). Prudoni ishte ekonomist dhe filozof, anarkist i parë i vetëshpallur, federalist dhe socialist. Në këtë kohë Prudoni jetonte në egzil, në Bruksel, me emër të rrejshëm. Gjatë këtij takimi Tolstoi e shfletoi veprën e pabotuar të Prudonit, “La Guerre et la Paix” (Lufta dhe paqja) në frëngjisht, titullin e të cilit Tolstoi e huazoi për kryeveprën e vet. Që të dy biseduan për arsimin. Në shkrimet e veta për arsimin, Tolstoi shkruan: “Gjatë bisedës me Prudonin erdha në përfundim se ai ishte i vetmi njeri që e kuptonte rëndësinë e arsimit dhe të shtypit në kohën tonë”. Plot entuziazëm, Tolstoi u kthye në Jasna Polanë dhe themeloi 13 shkolla për fëmijët e fshatarëve rusë, të cilët sapo ishin emancipuar prej bujkrobërisë në vitin 1861. Parimet shkollore Tolstoi i kishte përshkruar në esenë e vet të vitit 1862 “Shkolla në Jasna Polanë” Eksperimentet arsimore të Tolstoit ishin afatshkurtër, pjesërisht edhe për shkak të shqetësimeve që ia shkaktonte policia perandorake sekrete. Por, si një paraardhës i drejtpërdrejtë i pedagogut skocez Aleksandër S. Nil Samerhil (Alexander Sutherland Neil Summerhill, 1883-1973), shkolla në Jasna Polanë mund të merret si shembull i parë i teorisë koherente të arsimit demokratik.

*   *   *

Më 23 shtator 1862, Tolstoi u martua me diaristen Sofia Andreevna Bers (Sophia Andreevna Tolstaya, e lindur Behrs, 1844-1919), me prejardhje gjermane, e cila ishte 16 vjet më e re se ai. Ishte bijë e mjekut me renome të oborrit, Andre Bers dhe stërmbesë e kontit (grofit) Petar Zavadovski, të parit ministër të Arsimit në Rusinë cariste. Familja dhe miqtë e thirrshin Sonja, që është deminutiv rus i emrit Sofia. Tolstoi dhe Sofia kishin 13 fëmijë. Tetë prej tyre e mbijetuan fëmijërinë, ndërsa pesë vdiqën që në foshnjëri apo fëmijëri.

Fëmijë të tyre ishin:

Konti Sergej Lavoviç/Lvoviç Tolstoj (10.07.1863 – 23.12.1947), kompozitor dhe etnomuzikolog;

Kontesha Tatjana Lavovna/Lvovna Tolstoj (Jasnaja Polanë, Rusi, 04.10.1864 – Romë, 21.09.1950), piktore dhe autor memoaresh; grua e Mihail Sergeeviç Sukhotin-it (1850-1914); prej tyre lindi vajza Tatiana (1905-1996), e cila e mban emrin e së ëmës

          Konti Ilia Lavoviç Tolstoj (22.05.1866 – 11.12.1933), shkrimtar;

Kontesha Lav Lavovna Tolstoj (01.06.1869 – 18.10.1945), shkrimtar dhe skulptor;

Kontesha Maria Lavovna Tolstoj (1871-1906), grua e princit, e guvernatorit rus Nikollaj Leonidoviç Obolenski (1878-Paris, 1960); Obolenski vjen nga një familje ortodokse; më 1925 emigroi; jetoi në Francë; në egzil kaloi në katolicizëm;

Konti Peter Lavoviç Tolstoj (1872-1973), vdiq që foshnje;

Konti Nikollaj Lavoviç Tolstoj (1874-1875), vdiq që foshnje;

Kontesha Varvara Lavovna Tolstoj (1875-1875), vdiq që foshnje;

Konti Andrej Lavoviç Tolstoj (1877-1916), shërbeu në luftën ruso-japoneze;

Konti Mihael Lavoviç Tolstoj (1879-1944);

Konti Aleksej Lavoviç Tolstoj (1881-1886), vdiq që në fëmijëri;

Kontesha Aleksandra Lavovna Tolstoj (18.07.1884 – 26.09.1979);

Konti Ivan Lavoviç Tolstoj (1888-1895), vdiq që në fëmijëri.

 

Në prag të martesës së tyre, Tolstoi ia kishte dhënë Sofisë ditarët e vet me hollësitë e të kaluarës së vet erotike. Përpos tjerash, në ditar shkruan se Tolstoi ka pasur një djalë me një bujkrobe në pronën e tij. Megjithëkëtë, në fillim të martesës ata kanë qenë të lumtur. Kur Tolstoi i shkruante romanet “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”, kishte mbështetjen e Sofisë (Sonjës). Ajo punonte si sekretareshë, editore dhe administruese financiare e tij. Herë-herë, punimet epike të tij, Sonja i përshkruante me dorë. “Lufta dhe paqja” duhej t’i dorëzohej botuesit në versionin final të pastër. Për këtë kujdesej Sonja.

Por, jetën e tyre të mëvonshme, në librin “Tolstoi: Biografia” të botuar në vitin 1988, Endrju Norman Vilson e përshkruan si më fatkeqe në historinë e letërsisë. Raportet e Tolstoit me gruan e vet u keqësuan për arsye se pikëpamjet e tij bëheshin gjithnjë më radikale. Ai dëshironte të heqë dorë nga pasuria e tij e trashëguar dhe e krijuar prej tij, duke përfshirë edhe heqjen dorë prej të drejtave të autorit ndaj punimeve të hershme.

 

Shënim: Endrju Norman Vilson (Andrew Norman Wilson, 1950 -) është shkrimtar dhe kolumnist anglez; shkruan biografi kritike. Është autor i librit “Tolstoi: Biografia” (1988).

*   *   *

Pas revolucionit rus të vitit 1905 dhe themelimit të Bashkimit Sovjetik, familja e Tolstoit u largua nga Rusia. Pasardhësit dhe farefisi i tij sot jetojnë në Suedi, në Gjermani, në Mbretërinë e Bashkuaur, në Francë dhe ShBA. Midis tyre është edhe stërmbesa e Tolstoit, këngëtarja suedeze xhez (jazz) Luiza Viktoria Tolstoj (1974- ), bijë e Erik Klajbergut.

Me familjen e Tolstoit ndërlidhet edhe pronari suedez i tokave Herman Kristofer Paus (Herman Christopher Paus; Norvegji, 1897 – Herresta, Suedi, 983). Ky ishte i martuar me mbesën e Tolstoit, domethënë me vajzën e vajzës, Tatiana Sukhotina (Jasnaja Polanë, Rusi, 1905 – 1996), e cila ishte vajzë e vajzës së Tolstoit, Tatiana Sukhotina Tolstoya (1864-1950).

*   *   *

Krijimtaria letrare – Tostoi është një prej kolosëve të letërsisë ruse. Verat letrare të tij përmbajnë elementet e ideve të tij, por i tejkalojnë me forcën e presedeut artistik shoqëror-analitik. Duke i përcjellë shkrimtarët e shekullit XVIII – Zhan-Zhak Rusonë dhe Loren Stern-in, në trilogjinë “Fëmijëria” (1851-52), “Djalëria” (1852-54), “Rinia” (1855-56), në lëndën nga jeta e vet, përcjell rritjen shpirtërore dhe morale në fermë, duke soditur me sytë e një të riu botën përreth. Shfaqet karakteri të cilin e mundojnë problemet morale dhe etike.

Shënim: Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau, 1712-1778) është shkrimtar dhe filozof francez, pasardhës i një familjeje protestante, të vendosur në Gjenevë në shekullin XVI. Shpirt i trazuar, pa arsimi sistematik, kaloi në katolicizëm, përsëri u kthye në protestantizëm.

Loren Stern (Laurence Sterne, 1713-1768) romancier anglez. Studioi në Universitetin e Kembrixhit (Cambrdge).

*   *   *

Tolstoi bën pjesë në radhët e realistëve më të mëdhenj rusë të kohës. Njihet për dy veprat e tij më të mëdha, “Ana Karenina” dhe “Lufta dhe paqja”, të cilat pasqyrojnë prapavijën e thellë psikologjike dhe shoqërore të Rusisë dhe të shoqërisë së saj në shekullin XIX. Krijimtaria e tij përfshin romanet “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”, që janë kryevepra të tij si dhe novelat “Haxhi – Murati” dhe “Vdekja e Ivan Iliçit”. Temë e novelës “Sulmi” (“Nabeg”, 1853) është egërsia e ushtrisë ruse gjatë fushatës ndaj çeçeneve. Në ciklin “Tregime të Sevastopolit” (1855) mbizotëron dëshmia e padiskutueshme për absurditetin e luftës. Tolstoi kridhet në dialektikën e shpirtit të personazheve të tjera. Porosi morale dhe etike përcjellin edhe novelat e tjera të Tolstoit: “Tri vdekjet” (1858) krahasojnë sjelljen e personazheve, në pikëpamje sociale të kundërt dhe natyrës. “Vdekja e Ivan Iliçit”(1884-86) është akuzë e jetës së kotë, të pafrytshme. Në novelën “Sonata e Kriojcerit” (1891) personazhi i Tolstoit fajëson muzikën për ndikimin në ndjenja, duke e konsideruar të dëmshëm edhe seksualitetin.  Novela “Ringjallja” ka në qendër fisnikun e penduar dhe qëndrimin e tij lidhur me gjykimin e prostitutave. Këtu bie në sy kritika më e plotë e institucioneve shoqërore. Novela “Haxhi-Murati” u botua më 1912, d.m.th. pas vdekjes së autorit. Këtu trajtohet tema ekzistenciale e Kaukazit me figurën tragjike të malësorit midis çekanit të pushtetit carist dhe kudhrës së qëndresës të popujve të Kaukazit.               

Si dramaturg, Tolstoi është konsideruar “natyralist”, përkundër moralitetit evident: mjaftonte të shfaqej në skenë jeta e vrazhdët e fshatit rus (“Pushteti i errësirës”, 1887).

Tolstoi ushtroi ndikim të fuqishëm në mendimin dhe letërsinë evropiane, veçanërisht me formën e romanit i cili individualen e ndërlidh me historiken.

*   *   *

Kritikat dhe vlerësimet – Bashkëkohësit e tij e çmonin lartë. Fjodor Dostojevski e konsideronte si më të madhin prej të gjithë romancierëve të tjerë të gjallë. Gystav Floberi, pas leximit dhe përkthimit të “Luftës dhe paqes”, ka deklaruar: “Çfarë artisti dhe çfarë psikologu!” Anton Çehovi, i cili shpesh e vizitonte Tolstoin në pronën e tij në fshat, shkruan: “Kur literatura ka një Tolstoj, është lehtë dhe e këndshme të jesh shkrimtar; madje edhe kur e dini se asgjë s’keni arritur…, kjo s’është aq e tmerrshme, për arsye se Tolstoi arrin për të gjithë”. Poeti dhe kritiku britanik i shekullit XIX Metju Arnold thoshte: “Romani i Tolstoi nuk është vepër artistike, por një pjesë e jetës”. Artin e Tolstoit vazhdojnë ta madhështojnë edhe kritikët dhe romancierët e mëvonshëm. Virxhinia Ulf e quajti „romancier më të madh se të gjithë të tjerët“. Xhejms Xhojsi kishte konstatuar: „Ai kurrë s’është i mërzitshëm, kurrë i marrë, kurrë i lodhur, kurrë pedant, kurrë teatral“. Për shpirtdëlirësinë e Tolstoit dhe për artin e tij Tomas Mani shkruan: „Rrallëherë arti ka bërë aq shumë sa edhe natyra“. Ose: Rrallë ka punuar si artist, më tepër si natyralist”. Qëndrime të tilla kanë pasur edhe personalitete të tjera si Marsel Prusti, Uilliam Fokneri dhe Vladimir Nabokovi. Nabokovi kishte mendim të lartë për „Vdekja e Ivan Iliçit“ dhe për „Ana Kareninën“, por ai rishqyrtoi reputacionin e „Luftës dhe paqes“ dhe kritikoi ashpër „Ringjalljen“ dhe „Sonatën e Krojcerit“.  

*   *   *

            Shënim: Fjodor Mihajlloviç Dostojevski (Moskë, 1821 – Sankt Peterburg, 1881) romancier dhe novelist rus;

Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880) romancier francez;

Anton Pavlloviç Çehov (Taganrog, Rusi, 1860 – Badenweiler/Gjermani, 1904) novelist dhe dramaturg rus;

Metju Arnold (Matthew Arnold, 1822-1888) poet dhe kritik kulturor anglez;

Virxhinia Ulf (Virginia Woolf, 1882-1941) prozatore dhe eseiste angleze. Ndonëse me arsimim joformal, ishte shumë e arsimuar. Përkundër prirjeve erotike ndaj femrave, kishte marrëdhënie të afërta me burrin e vet, i cili i ndihmonte gjatë shqetësimeve mendore. Kohë pas kohe përjetonte tronditje nervore, vuante nga depresioni dhe melankolia. Një ditë i la bashkëshortit letër lamtumirëse. Më 28 mars 1941 kishte veshur kapotën, xhepat i kishte mbushur me gurë dhe ishte hedhur në lumin Uz në Jorkshir. Kufoma iu gjet pas tri javësh. pas Luftës së Dytë Botërore, popullariteti i saj kishte rënë. Iu rikthye në vitet ’70 të shekullit XX, gjatë lëvizjes së feministëve;

Xhejms Xhojs (James Joyce, Dublin, 1882 – Cyrih, 1941) prozator dhe poet irlandez; lindi në një familje qytetare katolike, u shkollua në shkollat jezuite;

Tomas Man (Thomas Mann, 1875-1955) prozator gjerman. Është ndikuar nga muzika e Rihard Vagnerit (Richard Wagner) dhe nga filozofia poetike e filozofit dhe poetit gjerman Fidrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900) dhe filozofit dhe eseistit gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, Danzig/Gdansk, 1788 – Frankfurt mbi Majnë, 1860). Më 1929 Tomas Mani mori çmimin “Nobel”;

Rihard Vagner (Richard Wagner, Lajpcig/Gjermani, 1813 – Ca’Vendramin Calergi, Venecie, Itali – 1883) kompozitor dhe dirigjent gjerman, i njohur kryesisht për operat e tij. Kur ishte gjashtë muajsh, i vdes nga tifoja babai Karl Fridrih Vagner (Carl Friedrich Wagner, 1770-1813). Pas një viti, e ëma Johana Rozine Vagner (Johanna Rosine, e lindur Pätz, Wagner-Geyer, 1774-1848) rimartohet me aktorin, dramaturgun dhe piktorin gjerman Ludvig Gajer (Ludwif Heinrich Christian Geyer, 1779-1821) , të cilin shumë studiues e konsiderojnë baba biologjik të Rihard Vagnerit;

Marsel Prust (Marcel Proust, 1871-1922) romancier francez, i lindur në një famije të pasur mjekësh;

Uilliam Fokner (William Faulkner/Falkner, 1897 – 1962), prozator amerikan. Më 1949 mori çmimin „Nobel“;

Vlladimir Vlladimiroviç Nabokov (Sankt Peterburg, 1899 – Montreux, Zvicër, 1977) prozator dhe poet rus dhe amerikan. Deri në vitin 1940 mbante pseudonimin Sirin. Nëntë romanet e para i shkroi në rusisht gjatë qëndrimit në Berlin, në vitet 1922-1937.

*   *   *

Punimet më të hershme të Tolstoit, novelat autobiografike “Fëmijëria, Djalëria dhe Rinia” (1852-1856), flasin për djalin e një pronari të pasur tokash dhe për kapërcimin e ngadalshëm të hendekut midis tij dhe fshatarëve. Edhe pse më vonë i hodhi poshtë si sentimentale, ato shpalosin një pjesë të konsiderueshme të jetës së Tolstoit. Ato ruajnë vlerën e vet si shembuj të rrëfimit universal të rritjes.

Gjatë Luftës së Krimesë, Tolstoi shërbeu si nëntoger i regjimentit të artilerisë. Për këtë shkruan në “Tregime të Sevastopolit”. Përvojat e tij në betejë kanë ndihmuar në formimin e pacifizmit të tij dhe i kanë dhënë material për përshkrimin realist të tmerreve të luftës në krijimtarinë e tij të mëvonshme. Fiksioni i tij në mënyrë konzistente synon të pasqyrojë me realizëm shoqërinë ruse në të cilën jetonte. Romani “Kozakët” (1863), nëpërmjet rrëfimit për një aristokrat rus të dashuruar te një vajzë kozake, përshkruan jetën e kozakëve.

Tolstoi, jo vetëm që i ka shfrytëzuar përvojat jetësore të veta, por edhe ka krijuar personazhe sipas imazhit të vet, siç janë Pjer Bezukov dhe princi Andrej në romani “Lufta dhe paqja”, Levini në romanin “Ana Karenina” dhe në njëfarë mënyre Nehludof në novelën “Ringjallja”.

Tolstoi, më analitik është te romanet e mëdha. Në romanin “Lufta dhe paqja” (1867-69, teksti përfundimtar më 1873), duke përcjellë fatet e dy familjeve fisnike midis viteve 1805 dhe 1815, hulumton faktorët historikë të fitores ndaj udhëheqësit ushtarak dhe politik francez Napoleon Bonapartit (Napoleon Bonaparte, 1769-1821), që kanë qenë vendimtarë për vetëdijen e popullit, analizon betejat dhe zhvillon filozofinë e historisë, duke krijuar njëherazi një mori karakteresh dhe personazhesh dhe poetizon jetën në verim. Marrë në tërësi, “Lufta dhe paqja” konsiderohet si një prej romaneve më të mëdha të shkruar ndonjëherë, i jashtëzakonshëm për nga gjerësia dhe uniteti i vet. Pasqyra e madhe e tij përmban 580 personazhe, shumë prej tyre historikë, krahas atyre fiktivë, të sajuar. Rrëfimi lëviz nga jeta familjare deri te Shtabi suprem i Napoleonit, prej kështjellës së perandorit rus Aleksandar I Pavlloviç (1777-1825) deri te fushëbetejat e Austerlicit dhe të Borodinit. Ideja origjinale e Tolstoit ka qenë t’i hulumtojë shkaqet e kryengritjes së dekabristëve*, me të cilën merret vetëm në disa kapituj të fundit. Prej aty mund të nxirret përfundimi se djali i Andrej Bolkonskit do të bëhet një prej dekabristëve.

Romani hulumton teorinë e historisë të Tolstoit, e sidomos parëndësinë e personave siç janë Napoleoni dhe Aleksandri. “Luftën dhe paqen” Tolstoi nuk e ka konsideruar roman. Edhe shumë vepra të tjera të mëdha të prozës ruse të asaj kohe nuk i ka konsideruar romane. Kjo nuk duhet të na habitë kur të kihet parasysh fakti se Tolstoi ka qenë romancier i shkollës realiste i cili konsideronte se romani është kornizë për ekzaminimin e çështjeve shoqërore dhe politike në jetën e shekullit XIX. “Lufta dhe paqja” për Tolstoin në të vërtetë është ep në prozë, ndaj dhe nuk e ka cilësuar si roman. Roman të parë të vetin Tolstoi e ka konsideruar “Ana Kareninën”.

Shënim: Kryengritja e dekabristëve Dekabristë quhen pjesëmarrësit e kryengritjes në Rusi (në Petrograd, më vonë Leningrad). Kryengritja shpërtheu më 14 dhjetor 1825 (rusisht: dekabr – dhjetor). U organizua kundër despotizmit perandorak (carist) nga grupi i fisnikëve me orientim revolucionar si dhe nga persona ushtarakë, por pa pjesëmarrjen e masave të gjëra popullore. Qëllim i kryengritjes ishte: aplikimi i parlamentarizmit, kufizimi apo suprimimi i plotë i pushtetit perandorak (carist), aplikimi i barazisë për të gjitha shtresat, liria e fjalës, e shtypit dhe e të drejtës zgjedhore. Pushteti carist kryengritjen e sheu në mënyrë të përgjakshme, ndërsa udhëheqësit e saj i varri. Pikëpamjet e dekabristëve u formuan nën ndikimin e idev të revolucionit borgjez francez.

*   *   *

Romani Ana Karenina” (1875-1877) përmban rrëfime paralele për gruan kurorëshkelëse, të robëruar nga   konvencionet dhe hipokrizia e shoqërisë dhe për filozofinë e pronarit të madh tokash (të ngjashëm me Tolstoin), i cili punon me fshatarët në ara dhe përpiqet ta reformojë jetën e tyre. Duke u nisur nga motivi i shkeljes së kurorës apo tradhtisë martesore, Tolstoi te “Ana Karenina” krahason situata të ndryshme familjare (fabulat krahasuese), dënon pabesinë bashkëshortore, por nuk jep përgjigje për lumturinë martesore.

*   *   *

Pas “Ana Kareninës”, Tolstoi u përqendrua në temat krishtere. Romanet e tij të mëvonshme, siç janë “Vdekja e Ivan Iliçit” (1886) dhe “Ç’duhet bërë?” zhvillojnë filozofinë krishtere anarko-pacifiste radikale. Kjo ndikoi që në vitin 1901 ta përjashtojnë nga Kisha Ortodokse Ruse. Përkundër të gjitha lëvdatave që i mori për “Ana Kareninën” dhe për “Luftën dhe paqen”, gjatë jetës së tij të mëvonshme, Tolstoi u rezervua prej dy punimeve të sipërthëna si diçka që nuk është realitet i vërtetë.

Në romanin “Ringjallja”, Tolstoi synon të paraqesë padrejtësinë e ligjeve të njeriut si dhe dyfytyrësinë e kishës së institucionalizuar. Tolstoi hulumton dhe sqaron edhe filozofinë ekonomike të xhorxhizmit*, duke u bërë kah fundi i jetës, ithtar i devotshëm i saj.

 

Shënim: Lëvizja Geoizëm apo Xhorxhizëm (georgism) është themeluar nga ekonomisti dhe gazetari amerikan Henri Xhorxh (Henry George, Filadelfi, Pensilvani, 1839 – Nju-Jork, 1897) në shekullin XIX. Ai propozoi një tatim për të gjithë. Kjo ishte një përpjekje që bota moderne të rregullohet në mënyrë të drejtë, të luftohet monopoli dhe çdo njeriu t’i sigurohet e drejta për tokë. Ideja u kundërshtua dhe u shua prej qarqeve të pasura të cilët interesin e vet e vendosën mbi interesin e të tjerëve. Henri Xhorxh ushtroi ndikim mbi Xhon Djuin*;

Xhon Djui (John Dewey, Berlington, Vermont, ShBA, 1859 – Nju-Jork, 1952) filozof, psikolog amerikan, reformator i arsimit, profesor në Universitetin e Çikagos; idetë e tij ushtruan ndikim në arsim dhe në reformat sociale; është një nga dijetarët më të shquar amerikan të gjysmës së parë të shekullit XX; është paraardhës i filozofisë së pragmatizmit dhe një nga themeluesit e psikologjisë funksionale; është përfaqësues kryesor i ideve progresive të shkollimit popullor.

*   *   *

Veprimtari letrare e Tolstoit përbëhet nga tendenca për ta sulmuar shoqërinë ruse të cilën e pasqyroi me besnikëri, të cilës edhe vetë ai i përkiste. Në veprën “Kozak” (1863) përshkruan jetën e kozakëve dhe dashurinë e një aristokrati, të dashuruar te një vajzë fshatare. Vepra “Ana Karenina” (1877) ka për temë jetën e një nëne dhe bashkëshorteje në atmosferën e dyfytyrësisë së aristokracisë apo të bujarisë së lartë, e cila i thyen prangat dhe në kundërshti me rregullat e shoqërisë, e fillon jetën me njeriun që e dashuron. Në anën tjetër ndodhet figura e Levinit, bujar nga fshati, i cili është në kërkim të besimit ndaj Zotit dhe motiveve filozofike për jetën. Ai jeton dhe punon me fshatarët, duke u përpjekur të zbatojë reformë dhe ta ndryshojë gjendjen ekzistuese të tyre.          

Veprimtaria pedagogjike – Tolstoi është i njohur edhe si një entuziast pedagogjik. Me punën e tij të pazakonshme sidomos në Jasna Polanë, ndikoi pozitivisht për konceptet e reja pedagogjike. Tërë punën letrar dhe pedagogjike ia përkushtoi demaskimit të gjendjes shoqërore të rëndë në Rusi, duke theksuar se problemet mund të zgjidhen vetëm në rrugën paqësore, nëpërmjet punës edukative dhe arsimore.

Veprimtaria pedagogjike e pasur e Tolstoit mund të ndahet në tri periudha. Periudha e parë, e viteve 1859-1862, ka të bëjë me hapjen e shkollës në Jasna Polanë dhe me botimin e revistës “Jasna Polana”. Periudha e dytë, e viteve 1870-1876, ka të bëjë me veprimtarinë e tij botuese pedagogjike, kur i boton tekstet “Abetare”, “Abetare e re” dhe “Libër leximi rus”, merret me problemet praktike të edukimit. Periudha e tretë ka të bëjë me punën e tij përmbajtësore deri në fund të jetës së tij, kur kalon në pozicione të misticizmit religjioz, kështu që edhe çështjet e edukimit i trajton në frymën e interpretimit religjioz mistik të botës.

Puna praktike e Tolstoit fillon në vitin 1859, kur në shtëpinë e vet në Jasna Polanë e çel shkollën e tij të parë. Kjo është e para shkollë në Rusi për fëmijët e fshatarëve. Për t’i zgjeruar njohuritë lidhur me sistemin e  arsimit, Tolstoi niset në Evropë. Viziton Gjermaninë, Anglinë dhe Francën. Atje njihet me organizimin e sistemit shkollor, me historinë e pedagogjisë dhe me pedagogët më të njohur të punës praktike. Vizitoi një numër të caktuar shkollash. Disa prej tyre ishin themeluar për të gjithë fëmijët. Me këtë rast, në sistemin e arsimit të vendeve të sipërthëna, vërejti më shumë dobësi se përparësi. Nëpër klasa mbizotëronte frika, autoriteti i mësuesit bazohej në frikësimin e nxënësve, ndëshkime fizike ishin praktikë e rregullt, ndërsa plan-programet mësimore fare s’kishin të bënin me jetën dhe me problemet reale të atyre që mësonin. Në bazë të konstatimeve të nxjerra hartoi kritikën e atyre shkollave. Tolstoi kishte ardhur në përfundim se ato shkolla nuk çanin kokën për natyrën e fëmijës, e pasivizonin nxënësin dhe e frikësonin. Lidhur me këtë Tolstoi ka shkruar në revistën pedagogjike të vet “Jasna Polana” që filloi ta botonte në vitin 1861. Tolstoi vjen në përfundim se arsimi duhet të harmonizohet me përvojën jetësore të njerëzve dhe të zhvillohet në suaza të jetës. Këtë parim e zbaton në punën me fëmijët e Jasna Polanës. Në shkollën në të cilën mbizotëronte liria dhe dëshira për dituri që nuk është e imponuar, mësues ishin studentët nga Moska, por edhe vetë Tolstoi. Kuptohet, veprimtaria e Tolstoit ngjalli mosbesimin e autoriteteve, kështu që pas bastisjes së policisë në vitin 1862, shkolla e Jasna Polanës u mbyll. U rihap vetëm në vitet ’70, d.m.th. pas nja dhjetë vjetëve.

Pikëpamjet pedagogjie të Tolstoit paraqiten si protestë dhe akuzë kundër sistemit   edukativo-arsimor burokratik të kohës si dhe kundër “shkollës së detyrueshme”, si emërtim i shkollës në Perëndim. Tolstoi u angazhua për një shkollë e cila do t’i motivojë fëmijët për dituri më të madhe, e cila do të mbjellë dashuri për jetën. Tolstoi është ithtar i teorisë së edukimit të lirë (lirisë në edukim, në arsimim).

Qëndrimin tejet negativ ndaj edukimit, të cilit në fillim nuk i kushtonte kurrfarë kuptimi jetësor, Tolstoi e arsyetonte me faktin se shkolla shtetërore paraprakisht e kishte caktuar se çka duhet të mësonin nxënësit dhe si do të sillet ndaj tyre. Në shkollën e tij, nxënësit nëpër klasa kanë mundur të ulen kush ku ka dashur. Shpeshherë orët janë mbajtur edhe në natyrë, ku nxënësit kanë qenë të rrethuar nga peizazhet e mrekullueshme. Nuk ka pasur një plan pune apo një orar, të përcaktuar me rigorozitet, ndaj nxënësit kanë mundur të shkojnë në shtëpi kur të kenë dashur. Megjithëkëtë, shpeshherë nxënësit, për t’i shtuar dituritë, me dëshirën e vet kanë ndenjur më gjatë në shkollë. Mënyra e organizimit të punës në shkollë ka qenë plotësisht e pranueshme prej tyre. Personaliteti i nxënësit është respektuar. Për mësuesit ka qenë e rëndësishme të dinë se ç’dëshirojnë të mësojnë nxënësit dhe përse kanë nevojë. Nxënësve nuk u janë dhënë detyra shtëpie për arsye se fëmijët e fshatarëve është dashur të kryenin punë të rënda në shtëpi. Në fillim, prindërit kanë qenë kundër shkollës në të cilën mësuesit nuk i rrahin nxënësit. Ata kanë menduar se po s’e rrahe nxënësin, ai s’ka për të mësuar gjë. Ai që ka dashur, ka mundur ta çregjistrojë fëmijën e vet nga shkolla. Mirëpo ka ngadhënjyer kënaqësia që e kanë ndjerë nxënësit në shkollë, në të cilën gjithmonë ka mbizotëruar liria, por kurrë anarkia. Orët përbëheshin nga një numër i madh eksperimentesh dhe nga të mësuarit e natyrës duke mbajtur orë në natyrë. Fëmijët e fshatarëve për herë të parë kanë mësuar matematikë, gjeografi, vizatim, muzikë dhe histori të cilën Tolstoi ua ka rrëfyer në formë përralle. Përveç kësaj, në këtë shkollë janë bashkuar me sukses njohuritë nga shkencat e natyrës dhe nga religjioni. Janë marrë njohuri për artizanet dhe për traditën ruse, ndërsa theksi i është vënë letërsisë. Në këtë shkollë mësimi kurrë s’ka qenë detyrim, për arsye se mësuesi Tolstoj konsideronte se, po qe se dituria është e nevojshme, atëherë dëshira për të do të ekzistojë natyrshëm, si uria. Kështu edhe ishte. Nxënësit e tij gjithmonë ishin të unët për njohuri të reja.

Duke pasur frikë prej çfarëdo shablloni, në shkollën e Jasna Polanës Tolstoi kalon në një skajshmëri tjetër. Shkollën e organizon pa plan mësimor dhe pa orar, pa detyrim që nxënësit rregullisht ta ndjekin mësimin dhe pa qenë të detyruar për t’i mësuar leksionet. Por, në anën tjetër kërkonte prej mësuesve që me ligjërim të mirë të zgjojnë te nxënësit interesimin për mësim. Shkolla e tij i kundërvihej shkollës së vjetër zyrtare. Teoria e tij e edukimit të lirë që e kishte marrë nga Zhan-Zhak Rusoja, e çoi atë në ndarjen e edukimit dhe të arsimimit, me arsyetimin se edukimi është ndikim i detyrueshëm mbi tjetrin dhe se ai e prish njeriun dhe nuk e përmirëson. Pak para vdekjes, Tolstoi hoq dorë nga ky qëndrim, duke pranuar paqëndrueshmërinë e teorisë së edukimit të lirë. Anët pozitive të saj kanë qenë veprimi individual me nxënësit, dashuria dhe respekti, njohja dhe zhvillimi i personalitetit të nxënësit. Sot, pas 150 vjetësh, mënyra e punës e Tolstoit dhe shkrimet mbi pedagogjinë njihen si ndihmesë e rëndësishme për zhvillimin e arsimit dhe për punën me fëmijët.     

Veprat Romanet dhe novelat: Fëmijëria (1852), Djalëria (1854), Rinia (1856), Lumturia familjare (novelë, 1859), Kozakët (1863), Lufta dhe paqja (1865–1869), Ana Karenina  (1875–77), Vdekja e Ivan Iliçit (1887), Sonata e Krojcerit (1889), Ringjallja (1899), Haxhi – Murati (e shkruar në vitet 1896–1904, e botuar më 1912).

Tregimet e shkurtra: Sulm (1852), Tregime të Sevastopolit (1855–56)

Ivani i marrë: Rasti i humbur (1863), Polikushka (1863), I burgosuri i Kaukazit (1872), Udhëtari: Rrëfim i një kali (1864, 1886), Sa ka nevojë njeriu për tokë? (1886), Kozaku dhe punëtori (1895), Babai Sergej (1898).

Dramat: Perandoria e territ (tragjedi, 1886), Udhëheqësit e qytetërimit (komedi, 1889), Kufoma e gjallë (1900).

Veprat shkencore dhe polemikat: Rrëfim (1882), Në çka besoj (edhe me titullin „Feja ime“) (1884), Wat Is to Be Done? (1886), Perandoria e Zotit brenda teje (1894), Ungjilli në letra (1896) Ç’është arti? (1897), Ligji i dashurisë dhe i dhunës (1940).

Elena Gjika – personalitet i ndritur i periudhës së Rilindjes Kombëtare

$
0
0
Xhelal Zejneli
Shkruan Xhelal Zejneli

Elena Gjika mori pjesë në lëvizjen kulturore të Evropës si një luftëtare e madhe e mendimit të lirë dhe si kundërshtare  e sundimit despotik monarkik dhe e shtypjes kombëtare.Dora d’Istria (1828-1888), pseudonim i Elena Gjikës, ka qenë një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare dhe evropiane të mesit të shekullit XIX. Është publicistë, feministë, etnologe dhe shkrimtare rumune me prejardhje shqiptare.

Lindi në Bukuresht më 22 janar  1828 në familjen aristokrate Gjika, të ardhur nga Parga, Maqedoni e Egjeut. Pra, prejardhja e saj është nga ngulimi labovit i Pargës. Këtë e vërteton vetë ajo. Shkonte shpesh në brigjet e Pargës, ku kishte dhe shumë labovitë të tjerë të cilët në shek. XVII kishin ardhur nga Labova,  duke krijuar kësisoj ngulimin labovit që ekziston sot e kësaj dite. Prindërit e Elena Gjikës kishin emigruar në Rumani. I ungji, Grigore IV, ishte vojvodë në Vllahi. I ati Mihal Gjika, në fillim të viteve 1800, ishte ministër në Moldavi – Vllahi. Prindërit e saj jetën e mbyllën në Pargë kah mesi i shekullit XIX.

Për historinë e familjes së vet, Dora d’Istria botoi një vepër 455 faqesh me titull Gli “Albanesi in Rumenia. Storia dei principi Ghica nei secoli XVII, XVIII e XIX”, Firenze, 1873 (Shqiptarët e Rumanisë. Historia e princërve Gjika në shekujt XVII, XVIII dhe XIX).Ky studim pasi u botua në revistën Europea (1871-73), në vitin 1873 doli edhe si vëllim më vete, i përkthyer në italisht nën kujdesin e Bartolomeo Çeçetit (Bartolomeo Ceccheti, 1838-1889). Në këtë përmbledhje studimesh trajtohet edhe çështja e prejardhjes së familjes Gjika. Ajo tregon në mënyrë të qartë se Gjikajt kanë prejardhje shqiptare, duke shmangur kështu të gjitha hipotezat që synonin ta shtrembërojnë origjinën e kësaj familjeje. Mirëpo, ajo rezervohet në njëfarë dore kur i duhet të përcaktojë se nga cila zonë e Shqipërisë është familja e saj dhe për çfarë arsye të parët e Gjikajve u shpërngulën në Azi të Vogël.

*  *  *

Që në moshë të re Elena Gjika udhëtoi me prindërit dhe vizitoi oborret e Vjenës, të Drezdenit dhe të Berlinit. Kudo u adhurua për talentin dhe bukurinë. Studioi në Rumani, në Itali, në Francë, në Gjermani. U mbrujt me kulturë të gjerë perëndimore në shkollat më të mira të Evropës.

Më 1849, martesa me princin Aleksandër Koltov Massalskij e shpuri në Rusi ku kaloi gati gjashtë vjet. Sipas disa studiuesve, nga martesa me princin rus, mori titullin princeshë. Në oborrin perandorak të Nikollës I (Nikolaj Pavlovič Romanov, 1796-1855) kaloi një jetë të trazuar. Pas ndarjes me të më 1855, u shpërngul dhe vajti në Zvicër. U bë e para grua që ngjiti Malin Jungfrau. Më 1860 bëri një udhëtim në Greqi. Pjesën tjetër të jetës e kaloi kryesisht në Itali.

Ishte kundërshtare e regjimeve monarkike dhe diktatoriale. Përkushtimi i pareshtur i saj ndaj aspiratave të pakicave kombëtare në Perandorinë Austro-Hungareze, ndaj barazisë së gruas dhe ndaj arsimimit të popujve e bëri të mirënjohur në mbarë Evropën. Duke qenë një veprimtare e rëndësishme e lëvizjes kulturore evropiane si dhe kundërshtare e sundimit despotik dhe e shtypjes së popujve, disa studiues e kanë quajtur edhe pioniere të Evropës së bashkuar. Duke qenë se kishte gjak princëror, nuk e kishte të vështirë të vendoste kontakte të shumta me rrethet intelektuale, shkencore, politike dhe letrare të Evropës. Fama e kësaj zonje fisnike shpejt u përhap në mbarë Evropën, por edhe përtej kontinentit të vjetër.

Ajo kishte kontakte me personalitete të njohura të kohës, si p.sh. me njërin nga themeluesit e shkencës së albanologjisë, albanologun gjerman, diplomat në shërbim të Austrisë  Johan Georg fon Hahn (Johan Georg von Hahn, 1811-1869), me patriotin dhe figurën e shquar për çlirimin e bashkimin e Italisë, gjeneralin Xhuzepe Garibaldi (Giuseppe Garibaldi, 1807-1882), me Adam Volfin etj. Ishte një mike e poetit romantik amerikan Henri Uodsuërth Longfelou (Henry Wadssworth Longfellow, 1807-1882), autor i poemës romantike “Skënderbeu” (1873). Nën ndikimin e Dora d’Istrias, Lonfelou hartoi poemën romantike “Skënderbeu” (1873), me temë kthimin e heroit në Krujë pas betejës së Nishit. Kryetrimin poeti e ka paraqitur si një hero legjendar. Në vitin 1916 vepra u shqipëruar mjeshtërisht nga poeti, figura e shquar dhe e shumanshme e letërsisë, kulturës, jetës fetare dhe politike shqiptare Fan S. Noli (1882-1965).

Në saje të njohjes së nëntë gjuhëve të huaja, Dora d’Istria përktheu krijime nga letërsia botërore. Falë diturisë që kishte, tërhoqi vëmendjen e shoqërisë së lartë, madje në një moshë të re, kur nuk ishte më shumë se 20 vjeçe. Bashkëkohësit e saj e renditën në radhën e personaliteteve më të shquara të Evropës së asaj kohe, siç ishin shkrimtarja franceze Zhorzh Sand* (Amandine-Lucie-Aurore Dupin, 1804-1876) dhe kontesha d’Agu (Marie d’Agoult Flavigny, 1805-1876). Arriti kulmin e lavdisë, ndaj princi i Rumanisë Karoli I ia dërgoi “Urdhrin e shkallës I” (Bene Merenti), vlerësim ky që në Perëndim u jepej dijetarëve meshkuj.

Enciklopedinë e përgjithshme të Francës, për Elena Gjikën ndërmjet tjerash thuhet: “Princesha Elenë njihte thellë italishten, anglishten, gjermanishten, frëngjishten, rumanishten, greqishten, latinishten, rusishten dhe shqipen”. Njohja e këtyre gjuhëve dhe e kulturave të popujve që i flisnin gjuhët e sipërthëna, i mundësoi që të pajiset me një kulturë të gjerë, ndaj dhe studiuesi spanjoll Iriarte e quajti “enciklopedi e gjallë”.

Shënim: Zhorzh Sand jetoi në kohën e ligjit të Napoleonit (Napoleone di Bounaparte, 1769-1821, burrë shteti francez dhe prijës ushtarak) që u jepte meshkujve pushtet të pakufizuar ndaj grave, kur gruaja nuk kishte të drejtë për pasuri të vet, për shkurorëzim dhe liri për të lidhur sërish martesë. Personaliteti i saj i fuqishëm u rebelua. Herët u martua me baronin Kazimir Dudevent. Me të kishte dy fëmijë. Asaj i pengonte pabarazia me burrin që ia impononte martesa. Thoshte: “Burri im bën ç’të dojë, shkon me femra aq sa i do zemra, e ka në dispozicion pasurinë. Këtu s’do të kishte asgjë të keqe, sikur kjo të ishte e ndërsjellë, e dyanshme. Për këtë arsye dua të jem e pavarur. kthehem në shtëpi në mesnatë, për të mos thënë, në mëngjes”. Pas tetë vjet martese, e la vatrën martesore dhe u nis për në Paris. Aty punoi si gazetare, piktore e sidomos u mor me shkrime. Më 1836 takoi kompozitorin  polak, pianistin virtuoz të epokës së romantizmit Fridrih Shopen (Fryderyk Franciszek Chopin, Zhelazowa Wola, Poloni, 1810 – Paris, 1849). Lidhja e tyre zgjati pothuajse 10 vjet (1838-1847). Pas kësaj, ajo i dha fund kësaj lidhjeje, plot zënka. Shopeni vdiq nga tuberkulozi. U varros në Paris, ndërsa sipas porosisë së tij, zemra iu dërgua në kishën e Kryqit të Shenjtë në Varshavë. Në varrimin e tij ku morën pjesë 3.000 vetë, u ekzekutua muzika e kompozitorit austriak të epokës së klasicizmit, një nga më të mëdhenjtë e muzikës klasike Mocartit (Wolfgang Amadeus Mozart, 1756-1791). Zhorzh Sand nuk mori pjesë në varrim. Ajo krijoi lidhje të tjera dashuria me personalitete të tjera të jetës letrare dhe artistike të Parisit.        

*   *   *

Në saje të udhëtimeve dhe të shtegtimeve të shpeshta në vende të ndryshme dhe të largëta, shkroi një sërë artikujsh publicistikë, duke sjellë mbresa nga udhëtimet. Shumë shkrime të saj janë botuar nëpër gazeta dhe revista të ndryshme, “Ilustration” i Parisit, “Le Jour” i Triestes etj. Në Larousses, vëllimi VI, f. 1107, Paris 1870, thuhet se Dora d’Istria ishte “kampione e palodhur e çështjes së kombësive, e së ardhmes politike dhe shoqërore të popujve, për një jetë moderne”.

Në kërkimet që i bëri në Venecie, Elena Gjika flet për marrëdhëniet intime dhe të gjata të kësaj pjese të Evropës me Shqipërinë, madje edhe për një bashkë-vëllazëri shqiptare. Ajo ishte për përgatitjen e një kryengritjeje shqiptare me armë. Një kryengritje të këtillë e mbështeste edhe gjeneral Garibaldi, i cili Elena Gjikës i drejtohej me fjalët “motër heroike”.

Për ta njohur më mirë jetën dhe veprën e kësaj zonje fisnike, duhet lexuar punimin voluminoz të ish-drejtorit të arkivave veneciane, Bartolomeo Çeçeti (Bartolomeo Cecchetti, 1838-1889) e sidomos bibliografinë e punimeve të saj, të ndarë në disa pjesë.

Në pjesën e parë janë përfshirë studimet dhe punimet letrare mbi poezinë popullore, portrete letrare të gadishullit Ballkanik e më gjerë, studime të poezisë indiane dhe të popujve të tjerë, kritika letrare etj. Në pjesën e dytë të bibliografisë ndodhen punimet mbi jetën në manastiret fetare, që e bënë Dora d’Istrian të famshme në Evropë. Në pjesën e tretë trajtohen problemet shoqërore të femrave si dhe çështjet që kanë të bëjnë me luftën. Pjesa e katërt ndërlidhet me ekonominë politike dhe me agrikulturën. Në pjesët e tjera ndodhen artikujt me karakter politik, histori dhe udhëtime. Në fund janë përfshirë romancat dhe shkrime të tjera.

*  *  *

Si mbështetëse e madhe e lëvizjes kombëtare shqiptare, Elena Gjika u shqua si një veprimtare e dalluar. Ajo bën pjesë në plejadën e personaliteteve të Rilindjes Kombëtare që bënë të pamundurën për të mirën e kombit, të sunduar nga Perandoria Osmane. Përkrahu dhe nxiti lëvizjen kombëtare shqiptare për liri dhe përparim. Zhvilloi korrespondencë me figura të njohura të kohës, si p.sh. me shkrimtarin arbëresh Jeronim De Radën (1814-1903), filologun dhe folkloristin arbëresh Dhimitër Kamardën (1821-1882), me folkloristin, autorin e veprës “Bleta shqiptare”, Aleksandri 1878 – Thimi Mitkon (1820-1890), me njërin prej “zbuluesve” të parë të letërsisë gojore shqiptare në Shqipëri Zef Jubanin (1818-1880), me poetin lirik arbëresh Zef Seremben (1844-1901) etj.

Në letrat dërguar atdhetarëve të sipërthënë, shihet se ka rrahur mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, veçanërisht në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1981).

Shënim: Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte organizatë e parë politike dhe ushtarake mbarëshqiptare me frymëzim patriotik, e themeluar në Prizren më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman dhe të Krizës Lindore të viteve ’70 të shekullit XIX.. Lidhja e Prizrenit i nisi punimet tri ditë para mbajtjes së Kongresit të Berlinit (1787).

*   *   *

Princeshën Elenë e konsideronin si modele të bukurisë së femrës shqiptare. Ajo ishte poete, piktore, publiciste e pasionuar, mbledhëse dhe studiuese e folklorit. Shkruante poezi dhe tregime. Edhe pse disa e kanë konsideruar amatore në shkrimet e para, nuk ka dyshim se studimi i saj i famshëm “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore), botuar në vitin 1866 në revistën letrare të Parisit “Revue des deux mondes”, luajti rol të rëndësishëm në lëvizjen kombëtare shqiptare të periudhës së Rilindjes. Në studimin e sipërthënë, midis tjerash shkruan: “Dashuria për atdhe ka qenë gjithmonë veçoria më kryesore e shqiptarit. Shqipëria në të gjitha kohët ka qenë vendi i heronjve. Shqiptarët janë një popull i fuqishëm, porsi shkëmbinjtë ku jetojnë”.

Filologu dhe folkloristi arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882) këtë studim e përktheu në gjuhën shqipe me titullin “Fyletia e arbenore prej kanekate laoshima”, Livorno, 1867. Ai e konsideronte Elenën “unazë që lidh qytetërimin e Lindjes me atë të Perëndimit”.

Në shenjë mirënjohjeje për ndihmesën e dhënë në njohjen e çështjes shqiptare nga opinioni publik botëror, atdhetarët rilindës dhe arbëreshët e Italisë e të Greqisë shkruan vepra dhe poezi që ia kushtuan asaj. Dhimitër Kamarda botoi një përmbledhje poezish atdhetare kushtuar Dora d’Istrias, me titullin “A Dora d’Istria gli Albanesi”, Livorno 1870 (Dora d’Istrias, shqiptarët).

Kjo antologji poetike përmbante poezi nga poeti e kleriku Preng Doçi (1846-1917, veprimtari e ideologu i Rilindjes Kombëtare Zef Jubani (1818-1880), veprimtari i Rilindjes Kombëtare, folkloristi Thimi Kostë Mitko (1820-1890), figura më e shënuar e lëvizjes kombëtare shqiptare, katalizatori i ndërgjegjes kombëtare shqiptare Jeronim De Rada (1814-1903), shkrimtari me talent origjinal, autori i së parës dramë të shkruar në gjuhën shqipe   Françesk Anton Santori (1819-1894), poeti lirik Zef Serembe (1844-1901) etj.

Ndër pasuritë e saj letrare dhe shkencore, një vlerë të jashtëzakonshme ka letërkëmbimi i saj me rilindësit shqiptarë. Në epistolarin e saj tanimë të njohur dhe të publikuar, vërehet ndihmesa e saj e madhe në luftën për pavarësinë e Shqipërisë.

Në një letërkëmbim të saj me pishtarin e romantizmit shqiptar – De Radën, më 1859, përpos tjerash thuhet: “Populli shqiptar, një nga më të vjetrit e Evropës, meritonte të ishte i lirë dhe në liri të zhvillonte më tej aftësitë e veta krijuese”.

Vepra historike me interes për shqiptarët janë “Studimi për Bushatlinjtë e Shkodrës” (1868) si dhe “Studimi për Ali Pashë Tepelenën” (1870) me titullin e përbashkët “Shqiptarët myslimanë”, botuar në revistën “Nuova Antologia” të Firences.

Ajo ishte për krijimin e një akademie shqiptare në Kalabri, sipas shembullit të Akademisë Franceze të Risheljesë, e cila do të merrej me hartimin e një enciklopedie kombëtare e cila do të bëhej shpirt i popullit shqiptar.

Për rolin e çmueshëm në çështjen e çlirimit kombëtar të shqiptarëve, atdhetarët shqiptarë e quajtën “Ylli i Shqipërisë”.

*  *  *

Princesha Dora d’Istria është pranuar nga disa akademi: nga akademia e Italisë, e Francës, e Greqisë, e Turqisë evropiane, e Azisë së Vogël, e Austrisë. Është anëtare nderi e Shoqatës arkeologjike të Athinës (28. 05.1860); anëtare e Shoqatës së gjeografëve të Francës (19 janar 1866); anëtare korrespondente e Universitetit të Venecias (8.03.1868); anëtare nderi e disa akademive italiane (1868-1873), mes të cilave edhe e Akademisë Fizio-Medistatika të Milanos (18 qershor 1868); anëtare nderi e Minervës të Triestes; anëtare nderi e Sillogut të Athinës (maj 1867); anëtare nderi e Sillogut të Kostandinopojës (8.08.1870); Presidente nderi e Shoqatës Elikona të Smirnës (17.03.1871); Anëtare e merituar e Akademisë Mbretërore Rafaelo nga Urbino (17.12.1871); anëtare letrare e Shoqatës për nxitjen e teatrit në Itali, Firence (21.01.1872); Nën-presidente nderi e Shoqatës së grave greke për institucionalizimin femëror (11.09. 1872); anëtare e Akademisë së Konsultës (Quiriti) në Romë (shkurt 1873); anëtare nderi e Paransios të Athinës (28.02.1873); anëtare nderi e Akademisë së Pitagorës të Napolit (24.05.1873); korrespondente e huaj e Akademisë Kombëtare të Letërsisë dhe të Shkencave të Barcelonës (Spanjë); korrespondente e huaj e Institutit Arkeologjik të Buenos-Airesit (30.05.1873); Presidente nderi dhe kujdestare e shoqatës Chark të Kostandinopojës (20.04.1873) etj.

*  *  *

Krijime dhe shkrime të caktuara të Elena Gjikës janë përkthyer dhe janë botuar edhe në shqip. Shumë studiues shqiptarë kanë shkruar për të dhe për veprën e saj një numër të madh artikujsh shkencorë, publicistikë si dhe një sërë monografish.

 

“Gra të para nga një grua”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2003;

Elena Gjika, “Letra drejtuar Jeronim de Radës”, shtëpia botuese Bargjini 2004;

Elena Gjika, “Fyletia arbënore nga kanekate laoshima”, përkthyer nga Dhimitër Kamarda, Livorno 1867.

*  *  *

Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës (Dora d’Istrias”, Mihal Duri, Tiranë 1967;

Vehbi Bala, “Jeta e Elena Gjikës (Dora d’Istrias)”, Rilindja, Prishtinë 1970;

Koli Xoxi, “Zvicra dhe Dora d’Istria”, Tiranë, Alta 1995;

Koli Xoxi, “Erazmi i Roterdamit dhe Helena Gjika”, Marin Barleti, Tiranë 1994;

Koli Xoxi, “Franca sipas Dora d’Istrias”, Tiranë 1997;

Ahmet Kondo, “Dora d’Istria për çështjen kombëtare shqiptare”, Flesh, Tiranë 2002;

Kristia Maksutoviq, “Elena Gjika dhe shqiptarët e Rumanisë”, Çabej, Tetovë 2001.

Kristia Maksutoviq, “Un nume pe nderpet uitat: Dora d’Istria” (Një emër i harruar me të padrejtë: Dora d’Istria), Ararat, Bukuresht 1997;

Kristia Maksutoviq, “Dora d’Istria, Kriterion”, Bukuresht 2004 etj.

 

Zëri universal kundër totalitarizmit, Ismail Kadare

$
0
0

86-VJETORI I LINDJES “Si çdo shkrimtar i madh, Eskili ishte i ndërgjegjshëm se, në krahasim me një  zyrtar –  të mesëm apo të lartë – që përfaqësonte shtetin, ai ishte një princ, dhe jo vetëm i artit, por i gjithë kombit të vet. Si i tillë, ai qëndronte më lartë se çdo burrë shteti dhe se fati i Greqisë i rëndonte atij mbi supe më shumë se ç’i rëndonte ndoshta krejt mekanizmit të shtetit grek.

Xhelal Zejneli
Shkruan Xhelal Zejneli

ISMAIL KADARE (1936- ) – Shkrimtar gjenial, i njohur në përmasa botërore, i përkthyer në 45 gjuhë të botës. Lindi në Gjirokastër. Studioi gjuhën dhe letërsinë në Universitetin e Tiranës. Para vitit 1960 studio letërsinë edhe në Institutin Gorki në Moskë. I martuar me shkrimtaren Elena Kadare (1943- ), e para grua në Shqipëri që botoi një roman të plotë – “Një lindje e vështirë”, Tiranë, 1970. Kanë dy vajza – Gresën dhe Besianën. Në fund të vitit 1990, bashkë me familjen u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Paris. Lidhjet me atdheun nuk i ndërpreu kurrë. Është një ndër shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit XX.

*   *   *

Kadareja nuk ka qenë as shkrimtar oborri, as eksponent i regjimit dhe as konformist. Përkundrazi, ai ka qenë disident i heshtur. Kudo në veprat e tij, regjimin diktatorial e sulmon në formën e alegorive. Vepra e tij duhet të vlerësohet nga një pikëpamje tërësisht letrare, pra me kritere estetike. Fuqia e realizmit socialist ishe e pamjaftueshme përpara një talenti, siç ishte Kadare. Kadare krijoi një vepër me karakter universal, por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Veprat e tij janë pasqyrim i peripecive të jetës politike shqiptare. Ai është zëri universal kundër totalitarizmit.

Për krijimtarinë e vet letrare Kadareja është shpërblyer me çmime letrare ndërkombëtare prestigjioze dhe me dekorime, në shumë vende të botës: në Francë, në Britani të Madhe, në Spanjë, në Itali, në Austri, në Izrael, në ShBA etj. Është vlerësuar lart dhe është dekoruar edhe në Kosovë.

Çmimet dhe titujt më prestigjioz me të cilët është dekoruar Kadareja:

–  Prix Mondial Cino Del Duca, Francë 1992;

– Në vitin 1996 Kadareja u shpall anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës;

– Presidenti i Shqipërisë e dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit”;

– Çmimi Bokacio, Itali 1997;

Herder Prize, Austri 1998;

Ovid Prize, Rumani 2003;

Man Brooker International Prize, Britani e Madhe, 2005; kandidatë për këtë çmim ishin edhe nobelisti gjerman Gynter Gras (Gunter Wilhelm Grass, 1827-2015), nobelisti kolumbian, i famshmi Gabriel Garsia Markez (Marquez, 1927-2014), nobelisti japonez Kenzaburo Oe (1935-) i lauruar me Çmimin Nobel më 1994.

– Çmimi Princ of Asturias Awards për artet, Spanjë 2009; ishin 31 kandidatë nga 25 vende të botës;

– Çmimi Lerici Pea, Itali 2010;

Çmimi i Jerusalemit që në qarqet letrare botërore njihet si pararendës i Nobelit për letërsi, Izrael, 2015;

– Në vitin 2017 u nderua me titullin prestigjioz Komandant i Legjionit të Nderit, titull ky që e rendit Kadarenë në mesin e 250 personaliteteve më të shquara të botës;

– Çmimi “Nomino” në qytetin Udino të Italisë, 2018;

– Çmimi ndërkombëtar për letërsi Neustadt, i njohur si Nobeli amerikan, Oklahoma, ShBA, 16 tetor 2019;

– Më 31.12.2019 Presidenti i Francës Emanyel Makron ia jep titullin Oficer i Madh i Legjionit të Nderit;

– Çmimi Pak Kyongui, Korea e Jugut, 2019 (në mesin e 350 anëtarëve); etj.

*   *   *

Veprat – Ka shkruar poezi, tregime, ese dhe romane. Ka shkruar edhe sprova, studime letrare, kritika, përshtypje udhëtimesh. Është edhe autor përkthimesh. Më 1961, bashkë me Dritëro Agollin (1931-2017) dhe me Fatos Arapin (1930- ) solli risi në poezinë shqipe: F. Arapi me përmbledhjen Shtigje poetike, Tiranë 1962, D. Agolli me përmbledhjen poetike Hapat e mia në asfalt, Tiranë 1961 dhe Kadareja me përmbledhjen Shekulli im, Tiranë 1961. Që të tre, realizuan qëllime estetike, të ndryshme prej poetëve paraardhës.

Vëllimet poetike të Kadaresë: Frymëzime djaloshare (1954), Ëndërrime (1957), Ëndërr industriale (1960), Shekulli im (1961), poemat epiko-lirike Poemë e blinduar (1962), Përse mendohen këto male (1964), Shqiponjat fluturojnë lart (1966), Shqipëria dhe tri Romat; vëllimet Motive me diell (1968), Koha (1976). Në një përmbledhje me titull Pa formë është qielli janë përfshirë 100 poezitë dhe poemat e Kadaresë.

Në pjesën më të madhe të poezive të tij, përdori vargun e lirë. Në poezinë intime, poeti flet me të dashurën që është larg tij.

Në poezinë e Kadaresë mbizotëron miti i së kaluarës. Poeti evokon lavdinë e dikurshme. Poezia e tij është thuajse përherë optimiste, sidomos tema e qëndresës shumëshekullore të popullit shqiptar në rrugën e tij të gjatë. Poezia e tij hyjnizon historinë kombëtare, qëndresën epike të shqiptarëve, tokën e të parëve, gjuhën shqipe. Himnizon qëndresën në motin e madh – në epokën e Gjergj Kastriotit. Himnizon periudhën e humanizmit evropian. Në poezinë Balada e zhvarrimit flet për fatin e shqiptarëve pas vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Shqiptarët, popull vazhdimisht në rrudhje.

PROZA

Romani Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Tiranë 1963 flet për një gjeneral të një vendi të huaj, të shoqëruar nga prifti, i cili vjen në Shqipëri, në fushëbetejat e saj, për t’i mbledhur eshtrat e ushtarëve të vrarë. Këta ushtarë kishin ardhur në Shqipëri për ta pushtuar atë dhe për ta nënshtruar, por aty kishin gjetur vdekjen.

Më1965, në revistën Nëntori u botua romani i shkurtër Përbindëshi. Vepra ra viktimë e censurës staliniste. Libri u ribotua pas një çerek shekulli në Prizren 1990 dhe Tiranë 1991. Përbindëshi në fjalë nuk ishte veçse kali i Trojës para portave të Ilionit, por këtu – përbindësh në përthyerjen e kohës. Për kritikën zyrtare, romani mund të kishte aludime politike.

Vitet 1966-1969 janë vite të “Revolucionit Kulturor”.  Vepra Lëkura e daulles (1967) u botua në revistën “Nëntori”, për të dalë si libër më vete me titullin Dasma. Romani Dasma, Tiranë 1968, me vlera artistike të kufizuara, trajton temën e emancipimit të femrës.

Në vitet ‘70, Kadareja i kthehet prozës historike.

Romani Kështjella, Tiranë 1970 është vepër e qëndresës historike të shqiptarëve, përmendore e heroizmit kombëtar. Kadareja i kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Kemi rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej 70.000 vetash. Ngjarja zhvillohet në shek. XV, në epokën e Gjergj Kastriotit. Autori pasqyron rrethimin nga turqit të një kështjelle mesjetare shqiptare, që simbolizon Shqipërinë në fushatat e Perandorisë Osmane për ta nënshtruar atë. Shqipëria shihet me sytë e një të huaji – pashait turk. Vepra drejtohet kundër pushtuesve të huaj. Kemi qëndresën e arbërve të shekullit XV. Kështjella simbolizon qëndresën, rrethimin ose ngujimin (izolimin). Ky roman të kujton romanin Il deserto dei Tatari, Milano 1940 (Shkretëtira e tatarëve) të romancierit, tregimtarit dhe dramaturgut italian Dino Buxati (Dino Buzzati, mbiemri paraprak Buzzati-Traverso, 1906-1972).  

Më 1967 doli vepra Qyteti jugut. Më vonë, Qyteti i jugut shërbeu si bazë për lindjen e romanit Kronikë në gur, Tiranë 1971 me 18 kapituj dhe një epilog. Në të flitet për Gjirokastrën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Më 1975 u botua në Tiranë romani Nëntori i një kryeqyteti. Këtu bëhet fjalë për luftën e partizanëve kundër pushtimit gjerman në Tiranë më 1944.  

Romani Dimri i vetmisë së madhe, Tiranë 1973, flet për prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Është vepër me përmasa historike e politike. Është një analizë psikologjike e gjendjes së shoqërisë gjatë periudhës totalitare. Pas një rishikimi të autorit, në vitin 1977 doli në Tiranë me titullin Dimri i madh.

Dimri i vetmisë së madhe duhej të ishte libri i dytë i triptikut “Koha e grindjes”, një sagë bashkëkohore mbi tre acarimet e Shqipërisë: me Jugosllavinë, më pas me Bashkimin Sovjetik, e së fundmi me maoizmin kinez. Libri i parë, grindja me jugosllavët, nuk u shkrua kurrë. Pjesa përmbyllëse e diptikut Koha e grindjes, d.m.th. libri i tretë Koncert në fund të dimrit, i shkruar në vitet 1980-1981, ia doli ta shohë dritën e botimit vetëm pas shtatë vitesh. Kritika zyrtare e cilësoi romanin si vepër antisocialiste që satirizonte komunizmin shqiptar dhe atë botëror. Romani u botua më 1988, pak para rënies së komunizmit.

Romani i parë Qyteti pa reklama është shkruar në Moskë, në vjeshtë të vitit 1959, kur autori ishte 23 vjeç.

Romani Muzgu i perëndive të stepës (1978) është vepër bashkëkohore me elemente autobiografike, si Kronikë në gur. Autori flet për jetën studentore të vet si student në Institutin Gorki të Letërsisë Botërore në Moskë, pak pas prishjes së raporteve ndërmjet Tiranës dhe Moskës. Kemi një histori dashurie të Kadaresë me një vajzë ruse. Kemi dhe një kapitull për shkrimtarin disident Boris Pasternak (1890-1960), autor i romanit Doktor Zhivago (1958). Në vitin 1958, në Perëndim iu dha Paternkut çmimi “Nobel”, por pas një fushate të egër që u ndërmor kundër tij në BRSS, ai refuzoi ta pranonte.

Romani Daullet e shiut denoncon izolimin e zgjedhur vullnetarisht. Ka qenë titulli fillestar i romanit Rrethimi. Për herë të parë është botuar në vitin 1970.

Në romanin Ura me tri harqe, Tiranë 1978 autori u kthehet fillesave mitike të historisë së Shqipërisë. I jep jetë një legjende shqiptare dhe ballkanike – murimit. Legjenda e murimit të një qenieje njerëzore në themelet e një ure apo të një kështjelle është e përhapur në letërsinë gojore shqiptare. P. sh. legjenda e kështjellës së Rozafës. Autori na jep një Shqipëri me princa, kontë, dukë, ipeshkvinj, udhëtarë të ditur, prelatë të shkolluar. Balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për murimin në kështjellë.

Novela Komisioni i festës (1977 )është një tjetër histori ballkanike. Jemi në Shqipërinë e shekullit XIX, të mbërthyer në darët e Perandorisë Osmane. Më 1830 Mehmed Reshid pasha vjen në Manastir për të shpallur një amnisti për fiset kryengritëse. Gjatë kremtimit të këtij akti, trupat e tij masakruan 500 krerë me familjet e tyre, duke zhdukur kësisoj të gjithë krerët e Shqipërisë së jugut.

Romanet Muzgu i perëndive të stepës dhe Kamarja e turpit, si dhe novela Komisioni i festës janë shkruar në vitet 1972-1976.

Romani Pashallëqet e mëdha (1978) flet për pashallëkun e Ali pashë Tepelenës (1741-1822), Luanit të Janinës. Ky e krijoi shtetin e tij autonom në Shqipërinë e jugut dhe mbajti marrëdhënie diplomatike me Napoleonin dhe Perëndimin. Kryengritja e tij u shua nga Porta e Lartë. Në janar 1822, Ali pasha u kap dhe u ekzekutua duke ia prerë edhe kokën në një ishull në liqenin e Janinës ku ishte ngujuar. Kokën e çoi në Stamboll korrieri i mbretëror Tunxh Hatai për t’u ekspozuar për publikun në kamaren e turpit. Në disa botime në gjuhë të huaja, romani mban titullin Kamarja e turpit.

Shumë tregime dhe romane të shkurtra të Kadaresë janë botuar në tri përmbledhje: Emblema e dikurshme, Tiranë 1977, Gjakftohtësia, Tiranë 1980 dhe Koha e shkrimeve, Tiranë 1986. Dy vëllimet e fundit qenë thellësisht jokonformiste.

Breznia e Hankonatëve (1977) është roman i shkurtër me 78 episode. Autori vë në dukje zellin, paragjykimet, konfliktet dhe rivalitetet e vogla, arritjet dhe dështimet e kësaj familjeje, duke e ndjekur nga brezi në brez gjatë një periudhe prej dy shekujsh. Është një rrëfim i gjatë, saga e një familjeje të vjetër të Gjirokastrës, shkruar në formë kronike, traditë kjo në kulturën shqiptare që nis me “Rrethimin e Shkodrës” të historianit Marin Barleti (rreth 1450-1512) të shkruar në gjuhën latine.   

Në romanin Kush e solli Doruntinën? (1979) autori zhytet në të kaluarën legjendare të Shqipërisë, në një legjendë. Para nesh kemi historinë e Kostandinit dhe të së motrës Doruntinës. Një grua plakë ka nëntë djem e një vajzë. Tetë nga djemtë i kanë vdekur. Nëna nguron ta martojë larg të bijën. Kostandini ndërkaq ia jep fjalën se do t’ia sjellë të bijën sa herë të dëshirojë e ëma. Kostandini vdes. Nëna digjet nga malli për të bijën. Mallkon të birin e vdekur që nuk e mbajti fjalën, besën. Ndonëse i vdekur, për ta mbajtur fjalën, besën, Kostandini çohet nga varri dhe niset në Boheminë e largët për te motra. Në një natë tetori të mjegullt, Doruntina mbërrin tek e ëma. Por ajo tanimë ishte në agoni. Papritmas, Zonja mëmë dhe e bija Doruntina, vdesin. Kostandini rikthehet për ta trazuar shpirtin e të gjallëve. Kush vërtet ishte personi që e solli Doruntinën?! Me çështjen merret kapiten Stresi, nëpunës i ulët në Shqipërinë mesjetare.  Kjo të kujton romanin e teoricienit, kritikut dhe romancierit italian Umberto Eko (1932-2016) Il nome della rosa (Emri i trëndafilit, 1980).

Romani Prilli i thyer (1978) u botua në vëllimin Gjakftohtësia. Ka ngjashmëri me Kush e solli Doruntinën? Subjekti fillon me një vrasje. Ngjarja zhvillohet në vitet 1930. Gjorg Berisha ka kryer atë që ka kërkuar babai i tij – të vërë nderin në vend duke vrarë vrasësin e të vëllait nga fisi i Kryeqyqes. Kemi të bëjmë me gjakmarrjen të parashikuar me të drejtën zakonore shqiptare – Kanunin e Lekë Dukagjinit. Gjakmarrja kishte fshirë nga faqja e dheut familje të tëra. Gjorgu ndoqi kanunin, duke u bërë edhe vetë viktimë e radhës. E vranë në lule të moshës, në mes të prillit, në muajin e pranverës, muaj i jetës. Prilli i thyer është ekranizuar tri herë në versione kinematografike të ndryshme. I fundmi, i titulluar “Përtej diellit”, është realizuar nën regjinë e regjisorit brazilian Uolltër Sales (Walter Moreira Salles Jr., 1956- ).

*   *   *

Shënim: Kodifikimin monumental dhe botimin e së drejtës zakonore shqiptare, Kanuni i Lekë Dukagjinit, e bëri studiuesi i kulturës shqiptare, i cili la gjurmë në fushën e arkeologjisë, Shtjefën Konstatin Gjeçov-Kryeziu (1874-1929). Gjeçovi ishte i pari folklorist shqiptar që mblodhi letërsinë gojore në një mënyrë më sistematike dhe më shkencore. Në vendbanime të caktuara të Shqipërisë së veriut, përfshirë Laçin rrëzë malësisë së Kurbinit, Gomsiqen në lindje të Shkodrës, Thethin, në cepin verior dhe Rubikun në rrethin e Mirditës – mes fisesh malësore – Gjeçovi mblodhi material për letërsinë gojore, kanunin fisnor, lëndë arkeologjike, si dhe objekte të kulturës popullore.  Kanuni i Lekë Dukagjinit u botua në Shkodër, në vitin 1933, d.m.th. pas vdekjes së Gjeçovit.

*   *   *

Romani Nëpunësi i pallatit të ëndrrave, Tiranë 1981 është botuar edhe si Pallati i ëndrrave. Është konsideruar si kryevepër e Kadaresë. Këtu e kemi botën e Franc Kafkës (1883-1924) dhe të romanit “1984”Xhorxh Oruellit (George Orwell, 1903-1950). Personazh i romanit është Mark Alemi. Ky caktohet me punë në Tabir Saraj që ndodhet në Stamboll. Kjo zyrë shtetërore e Perandorisë Osmane merret me studimin e ëndrrave. Detyrë e Mark Alemit është të interpretojë ëndrrat për t’u dhënë mundësi autoriteteve osmane të mbysin që në embrion çdo rebelim kundër Perandorisë. Nëpërmjet kësaj vepre autori demaskon edhe regjimet totalitare.

            Romani Krushqit janë të ngrirë u botua më 1986 në Koha e shkrimeve. Flet për ngjarjet dhe kryengritjen shqiptare në Kosovë në mars dhe prill të vitit 1981. Kërkesa e shqiptarëve për statusin e republikës brenda Federatës jugosllave u ndesh me vendosjen e shtetrrethimit nga Beogradi. Sipas legjendës, ora e mitologjisë shqiptare i ngrin krushqit para se të arrijnë, në mënyrë që të parandalohet ajo që nuk duhet të ndodhë. Janë dy ditë nga jeta e Teuta Shkrelit, kirurge në një spital të Prishtinës gjatë ngjarjeve të përgjakshme të sipërthëna. Serbët ëndërrojnë kohën e Aleksandër Rankoviqit (1909-1983), i cili është personifikim i gjenocidit serb mbi shqiptarët.   

            Edhe romani Viti i mbrapshtë u botua në librin Koha e shkrimeve. Flitet për vitin 1914, vit i rrëmujshëm dhe vendimtar në luftën e shtetit shqiptar të sapolindur, për të mbetur gjallë. Është viti kur mbi qiellin e Ballkanit kaloi kometa e Hale-Bopit. Në Shqipëri mbretëronte rrëmuja dhe jo princi gjerman Vilhelm Vid (1876-1945). Qeveria e Turhan Pashës kontrollonte vetëm një pjesë të territorit të vendit. Ndër shqiptarë kishte përplasje interesash. Po kështu edhe midis francezëve, britanikëve dhe holandezëve. Shtetet fqinje ndërkaq, kishin aspirata ekspansioniste. Forcat greke, serbe dhe malazeze e kishin shkelur vendin. Pas gjashtë muajve princi largohet nga Shqipëria.

Tregimi Sjellësi i fatkeqësisëIslamo nox (1984) – Sulltani kishte urdhëruar që të gjitha femrat e Perandorisë Osmane të mbuloheshin me perçe. Rrobaqepëse nga dhjetë qytete turke përgatitën gjysmëmilioni perçe për motrat kokëforta evropiane. Perçet u ngarkuan në mushkat e Haxhi Miletit dhe prej Stambolli morën rrugën për në Shqipëri.

Romani Koncert në fund të dimrit, Tiranë 1988 ka mjaft paralele me romanin Dimri i madh. Kemi një kronikë 700 faqesh. Është një vështrim grotesk mbi shkëputjen e Shqipërisë nga Kina postmaoiste më 1978. Personazhet Besnik Struga, Skënder Bermema dhe Marku tani janë 17 vjet më të mëdhenj se në kohën e prishjes së Shqipërisë me sovjetikët. Si në veprat e tjera, edhe në këtë roman autori përdor gjerësisht simbole.

Në romanin Dosja H dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton nisen për në malet e Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë ekzistimin e një lidhjeje të mundshme ndërmjet poezisë homerike dhe këngëve heroike të kënduara me lahutë nga malësorët shqiptarë. Nënprefekti i zonës ua qep prapa agjentin sekret Dullë Baxhanë për t’i vëzhguar. Popullata vendase dyshon mos të ardhurit nga jashtë janë spiunë? E bastisin selinë e tyre në Hanin e Rrashtbuallit. Pajisjen e tyre, me zërin e incizuar të fshatarëve, e shkatërrojnë. Misioni i tyre në Shqipëri merr fund. Romani në fjalë është një satirë. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1930. Autori u jep një goditje anësore edhe prirjeve izolacioniste të autoriteteve të pasluftës.    

Me studimin letrar Autobiografia e popullit në vargje, Tiranë 1971, princi i kombit – Kadare, kërkon të zbulojë rrënjët e legjendave dhe të poezisë popullore që aq shumë e kanë tërhequr në prozën e vet.

Studimi më i shkurtër Mbi eposin e kreshnikëve (1979) heton prejardhjen e ciklit kryesor të eposit heroik shqiptar që njihet me emrin Këngë kreshnikësh apo cikli i Mujit dhe Halilit. Shtatqin vjet do t’i djeg kullat, i kanoset armikut, heroi kreshnik i eposit shqiptar.

Në monografinë Eskili, ky humbës i madh, Tiranë 1990, Kadare flet për babanë e tragjedisë antike greke, Eskilin (rreth 525-456 para erës sonë), i cili ka shkruar 80 pjesë. Prej tyre kanë shpëtuar vetëm shtatë.

Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991 është një sprovë për Migjenin (1911-1938) i cili me skicat në prozë dhe me përmbledhjen poetike Vargjet e lira, Tiranë 1936 dhe 1944, i dha fund romantizmit në letrat shqiptare. Në këtë monografi Kadareja shkruan: “Ka diktatura të tmerrshme e djallëzisht të përsosura ku profesioni i shkrimtarit është një mallkim i vërtetë”. Në këtë sprovë Kadareja përfshiu edhe një trajtim të gjerë “të autorëve reaksionarë” të lënë në heshtje nga kritika letrare zyrtare.

Ftesë në studio, Tiranë 1990 është botimi i fundit i Kadaresë para largimit për në Francë në vjeshtë të vitit 1990. Libri përmban 32 poezi si dhe përkthime poezish nga greqishtja, kinezishtja, frëngjishtja, rumanishtja dhe rusishtja. Libri përmban edhe refleksione për letërsinë e artet si dhe për ngjarjet aktuale. Autori lanë edhe ca llogari të vjetra me shkrimtarë rivalë.

Dy muaj para rënies së pushtetit monist, me gruan Eelenën si dhe me dy vajzat, Kadareja iku nga Tirana dhe kërkoi strehim politik në Francë. Motivet e largimit Kadareja i shpjegoi në të përditshmen parisiene Le Monde.

Nga një dhjetor në tjetrin, Paris, shkurt 1991 është një kronikë që mbulon periudhën nga dhjetori 1989 deri në dhjetor 1990. Libri ka edhe tone sarkastike. Në frëngjisht, libri doli me titullin Printemps albanais, Paris 1991 (Pranvera shqiptare). Vepra është vazhdim i librit Ftesë në studio. Vala e parë e emigrimeve nëpërmjet ambasadave gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë, në korrik të vitit 1990 shkakton panik në aristokracinë e kuqe. Kadare botoi edhe letërkëmbimin me presidentin Ramiz Alia në maj 1990.

Pesha e kryqit, Paris 1991 është vepra e dytë e Kadaresë e botuar në mërgim. Mendohet si vazhdim i librit Ftesë në studio. Të dyja veprat u botuan në një vëllim të vetëm prej 558 faqesh në frëngjishte. Nga një dhjetor në tjetrin, Ftesë në studio dhe Pesha e kryqit formojnë një lloj trilogjie politiko-letrare. Pesha e kryqit zbulon ankthin e Kadaresë gjatë viteve të pushtetit diktatorial. Është autobiografia e një romancieri nën regjimin stalinist i cili boton vepra pa qenë i sigurt për reagimin e gjysmëperëndive të Byrosë Politike. Në këtë libër, autori flet për vuajtjet e veta nën regjimin komunist, por jo edhe për agoninë më konkrete të shumë shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë. Mbase kjo, nuk ka qenë qëllimi i veprës.

Romani Piramida është një alegori politike e historike. Gjysma është shkruar në Shqipëri dhe gjysma tjetër në Francë. U botua pjesë-pjesë si tregim në gazetën Rilindja demokratike në janar 1991. Në Paris autori e zgjeroi në roman 17 kapitujsh. Së pari, më 1992, doli në frëngjisht, i përkthyer nga Jusuf Vrioni (2016-2001; është i biri i Iljaz bej Vrionit). Është një rrëfim marramendës i idesë dhe i ndërtimit të piramidës së Keopsit në Egjiptin e lashtë, por edhe i pushtetit politik absolut, e madje i marrëzisë njerëzore.

“Arkeologu i diktaturës, Kadareja zbërthen hieroglifet e tmerrit që tiranët e të gjitha ngjyrave kanë damkosur në trupin e viktimave të tyre” – thotë zhurnalisti letrar Andre Klavel (André Clavel, 1946-2019).           

Romani Pasardhësi (2006) është shkruar në Paris. Kadareja sjell në kujtesë enigmën e 13 dhjetorit, vdekjen misterioze në dhomën e gjumit të pasardhësit të diktatorit komunist. Në trupin e pasardhësit u gjend një plumb në zemër. Vajza e Agamenonit dhe Pasardhësi përbëjnë një  diptik.

Tregimi Leximi i Hamletit si dhe dy novelat “Raporti i fshehtë” dhe “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”; tregimi Ditë kafenesh është botuar si libër më vete në Amerikë;

Qorrfermani për shkak të subjektit delikat, mbeti i pabotuar;

Hija, Vajza e Agamemnonit, Nata me hënë janë shkruar në vitet 1984-1986 në Tiranë;

Romani Spiritus është shkruar në Francë në vitet 1995-1996. Në të trajtohen njgarje që u përkasin dy kohëve: përpara dhe pas komunizmit;

Romani Lulet e ftohta të marsit është shkruar në Francë në vitet 1998-2000. Është një nga veprat e rralla të autorit, subjekti i së cilës bazohet tërësisht në ngjarjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri. Është vepra më e pikëlluar e Kadaresë, gati një requiem. Autori del hapur përballë realitetit shqiptar, i zymtë dhe pesimist, për një tokë që e braktisën perënditë. Marsi nuk është veçse i ftohtë. Të ftohta janë dhe lulet.

Novela Tri këngë zie për Kosovën është shkruar dhe është botuar në prag të shpërthimit të luftës në Kosovë.

Çlirimi i Serbisë prej Kosovës Kadare flet për ndarjen midis shqiptarëve dhe serbëve, për shtrembërimin e historisë nga serbët, për arsyen përse ishte dashur që Serbia të ishte e para që ta njihte pavarësinë e Kosovës.

Dy romanet e shkurtra Shkaba dhe Çështje të marrëzisë; Shkaba është shkruar në verën e vitit 1995 në Deauville të Normandisë.

Romani Aktori i njohur më parë me titullin “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”;

Kadareja është i pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit e saj – babanë e tragjedisë antike Eskilin (Eleuzinë, Atikë, 525-/524 – Gela, Sicili, 456/455 para K.) dhe babanë e tragjedisë moderne Uilljëm Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616). Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike.

            Tre romanet e fundit Aksidenti i shkruar në vitet 2003-2004, u botua në frëngjisht nga shtëpia botuese Fayard; Darka e gabuar, Tiranë 2008 dhe E penguara shkruar në vitet 2008-2009;

Sprovat Dantja i pashmangshëm, Hamleti, princi i vështirë dhe Don Kishoti në Ballkan janë shkruar dhe janë botuar pas rënies së komunizmit.

Ra ky mort e u pamë (1999) është një ditar për Kosovën; sprovat Kushëriri i engjëjve dhe Arti si mëkat; Legjenda e legjendave; Sorkadhet e trembura, një synops i gjerë për tjetër art; dy dialogë të Kadaresë: me revistën “Hylli i Dritës” dhe E vërteta që del nga qilarët me publicistin dhe shkrimtarin francez Stefan Kurtua (Stéphane Courtois, 1947- ) botuar në Odile Jacob si pasthënie e botimit frëngjisht të librit të Prof. Shaban Sinanit; sprova Identiteti europian i shqiptarëve.

Drama Stinë e mërzitshme në Olimp është e vetmja pjesë teatrale e Kadaresë. Autori rindërton trilogjinë e famshme të Eskilit, prej së cilës, pas humbjes së pjesës së parë dhe të tretë, ka mbetur vetëm pjesa e mesme “Prometheu i lidhur”.

Vepra e Kadaresë – princit të kombit – vazhdimisht ka qenë në listën e kandidatëve për çmimin “Nobel”, në emër të letërsisë shqiptare.

U përzgjodhën katër shkrimtarët më të mirë për vitin 2021 në Maqedoninë e Veriut

$
0
0

Shoqata e shkrimtarëve në Maqedoni ka përzgjedhur më të mirët për vitin 2021 në katër kategori të letërsisë, transmeton Portalb.mk.

“Ivica Çelikoviç, Sande Stojçevski, Dimitar Pandev dhe Venko Andonovski janë fituesit e shpërblimeve letrare të Shoqatës së shkrimtarëve në Maqedoni për vitin 2021”, njoftojnë nga Ministria e Kulturës.

Çelikoviç u përzgjedh më i miri në prozë, Stojçevski u përzgjodh në poezi, Pandev mori çmimin për veprën më të mirë kritike-eseistikë, ndërsa Venko Andonovski u përzgjodh më i miri në fushën e fëmijëve dhe të rinjve.

Ministria sqaroi që nuk ka pasur asnjë aplikim për çmimin “Ura” për librat e shënuar në gjuhën e komuniteteve.

Milot Selmani e botoi librin e tij të parë “Poet i mallkuar” (VIDEO)

$
0
0

Milot Selmani, pas shumë vitesh vendosi ta botojë veprën e tij të parë “Poet i mallkuar”. Miloti është nga Tetova, por në moshën 20-vjeçare u largua nga atdheu për në Gjermani. Ai ka shtatë vjet karrierë si poet, mbi 3.300 poezi të shkruara, një libër të botuar dhe dy libra të tjerë online, shkruan Portalb.mk.

“Në moshën 20-vjeçare jam larguar nga atdheu për në mërgim dhe sa arrita atje mora një frymëzim që të merrja hapat e para në botën e poezisë. Kuptohet, në mërgim isha larg familjes, shoqërisë dhe personave të dashur, ndjeja mungesën e tyre dhe vetmia ishte ajo që më shtyu të shkruaja për atdheun.” tha Milot Selmani.

Miloti është shumë aktiv edhe nëpër rrjetet sociale, sidomos në Instagram, ku ai ka 66.500 ndjekës. Sipas tij, rrjetet sociale shërbejnë sot si një metodë e re moderne që të rinjtë lexojnë.

“Në rrjetet sociale jam aktiv që nga viti 2017 dhe kam qenë i impresionuar se sa shumë mbështetje dhe dashuri kam marrë për poezitë dhe thëniet që kam shkruar. Edhe pse si popull nuk jemi shumë lexues të librave por, në rrjetet sociale kam vërejtur që është e kundërta. Aty shoh që ka lexues shumë dhe jo më kot kam aq ndjekës.” u shpreh Miloti.

Shumica e poezive të Milotit janë të frymëzuara nga problemet e njerëzve dhe prandaj shpeshherë lexuesit e gjejnë veten në shkrimet e tij. Ndërsa, sa i përket botimit të tij të fundit, ai tha:

Libri “Poet i Mallkuar” është botimi im i parë dhe u shkrua në një periudhë të vështirë të jetës sime. Librin e kisha përfunduar para tre vjet, por, si poet i ri, ishte jo pak por shumë problematike ta botoja librin, duke gjykuar edhe nga vendi ku jetojmë. Por, gjithsesi, libri u botua dhe është pritur shumë mirë nga lexuesit. Libri është i përbërë me poezi rreth dashurisë, problematikave që i hasim në përditshmëri.shtoi Selmani.

Mesazhi që Miltoi përcolli për të gjithë të rinjtë sa i përket leximit është:

“Rinia gjithnjë do të ketë nevojë për lexim, sepse duke lexuar e përvetësojmë fjalorin dhe komunikimin. Kështu që unë besoj se çdo i ri ka ëndrra të cilat do t’i realizojë dhe nëse dëshirojnë që të jenë versioni më i mirë i vetvetes, duhet të komunikojnë dhe ta përvetësojnë fjalorin duke lexuar.” përmbylli Milot Selmani.

Miloti ndjen një mbështetje të madhe nga ndjekësit e tij nëpër rrjetet sociale dhe kjo për të është një shtysë e madhe që të vazhdojë të shkruajë. Ai gjithsesi se ka edhe plane për të ardhmen, pasi ka edhe katër libra të tjera të përfunduara. Njëra do të botohet verës, ndërsa librat tjerë do t’i botojë në vitet në vijim.

Deri të martën do të jetë i hapur konkursi për Çmimin “Goce Dellçev”

$
0
0

Përmes ndonjë libri ose vepre shkencore të publikuar në vitin 2021, qytetarët do të mund të aplikojnë deri më 15 shkurt për të marrë Çmimin “Goce Dellçev”, transmeton Portalb.mk.

Më 4 maj do të ndahet çmimi për përfituesin, i cili mund të jetë edhe një shtetas i huaj.

“Me çmimin  “Goce Dellçev” ndahen mirënjohje shoqërore për arritjet veçanërisht të rëndësishme në lëmin shkencore në interes për Republikën e Maqedonisë së Veriut”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke bërë të ditur që propozues mund të jenë edhe institucionet, shoqatat tregtare e qytetare.

Individë ose grup autorësh mund të jenë fitues të çmimit në lëmin e njëjtë vetëm një herë.


Poetët do të kenë mundësi edhe një javë të garojnë në festivalin “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”

$
0
0

Çmimi ndërkombëtar për poezi “Urat e Strugës” që planifikohet të përzgjedhë më 21 mars në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Poezisë, do të pranojë garues deri më 20 shkurt, transmeton Portalb.mk.

Ky Çmim jepet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Festivalit “Mbrëmjt strugane të poezisë” dhe UNESKO, çmimi i cili vitin e kaluar u fitua prej serbit Vladan Kreçkoviq.

Garuesit e moshës nën 35 vjeç, duhet të aplikojnë me librin që e kanë botuar dy vitet e fundit, ndërsa më së paku shtatë poezi duhet të përkthehen në gjuhën angleze, duke I bashkangjitur edhe biografinë.

VOLTERI

$
0
0

Autoriteti shpirtëror më i madh i Evropës iluministe shekulli XVIII në Evropë u quajt shekull i Volterit

*   *   *

Xhelal Zejneli
Xhelal Zejneli

Volteri jetoi në Francën e shekullit XVIII, në kohën e mbretit Luigji XV (Louis XV). Është shekull i iluminizmit, në të cilin mbizotëron mendimi filozofik. Letërsia është antifeudale dhe antireligjioze. Mbizotërojnë motivet qytetare (borgjeze) dhe kritika e shoqërisë dhe e politikës. Proza e zëvendëson poezinë. Në çdo trajtesë të iluministëve bëhet fjalë për njeriun dhe për natyrën njerëzore. Iluministët francezë luftuan kundër absolutizmit, besëtytnive, paragjykimeve, kundër trysnive ndaj ideve dhe vetëdijes dhe për lirinë intelektuale e politike. Në këtë mes, rol të madh luajti Enciklopedia e drejtuar nga Deni Didëro e cila solli njoftime për shkenca të ndryshme, artikuj dhe polemika kundër koncepteve të vjetra, rendit të vjetër, bindjeve apo besimeve të vjetruara. Afirmoi pikëpamje filozofike të reja dhe frymën e pavarësisë. Mohoi autoritetet dhe traditat e fesë. Afirmoi besimin ndaj arsyes dhe përparimit. Bashkëpunëtor i Enciklopedisë ishte edhe Volteri. Ishte i pari në Francë që e përcaktoi drejtimin e filozofisë iluministe. Krijoi lloje letrare të ndryshme: tragjedi, vargje epopeje, epigrame, vepra historike. Ironizoi sistemet filozofike dhe metafizike të filozofit, matematikanit dhe fizikanit francez Rene Dekart (René Descartes, 1596-1650), të filozofit holandez me prejardhje hebraike (sefard i Portugalisë) – Baruh de Spinoza (Baruch de Spinoza, 1632-1677), të filozofit dhe matematikanit gjerman Lajbnic (Leibniz, 1646-1716). I pranoi idetë e themeluesit modern të empirizmit – të filozofit dhe mjekut anglez Xhon Lok (John Loock, 1632-1704) dhe të deistëve anglezë.

Filozofia iluministe ushtroi ndikim mbi Revolucion francez (1789) si dhe në ndërtimin e Evropës qytetare. 

*   *   *

Volteri (emri i vërtetë Fransua-Mari Arue – François-Marie Arouet; Paris, 21 nëntor 1694 – Paris, 20 maj 1778) është shkrimtar, historian dhe filozof francez. Figurë qendrore e iluminizmit në Francë. Krahas Deni Didëroit*, d’Alamberit* (d’Alembert), etj., ishte pjesëtar i rrethit francez të enciklopedistëve. Renomenë e autoritetit shpirtëror kryesor të Evropës iluministe e fitoi qysh në të gjallë.

Lindi në një familje të pasur të Parisit. Ishte fëmija i katërt i pesë fëmijëve të prindërve të tij. Ndoqi në Paris gjimnazin prestigjioz jezuit Lycée Louis-le-Grand. Këtu mori një arsimim humanist të shkëlqyer. Filloi të studionte drejtësinë, por pas një kohe i la studimet. Si shkrimtar i talentuar i epigrameve, kozer spiritual dhe satirik, herët hyri në sallonet mondane të Parisit, në qarqet mondane të disidentëve të kohës, sidomos në strehën e libertinëve (koteria Société du Temple*). Krenohej me përkatësinë qytetare të vet. Ishte mbështetës i ndërmarrësisë. Ithtar i të drejtës mbi pronën. Nuk u shmangej fitimeve të majme. Herë-herë ushtronte edhe veprimtari monetare të dyshimta. Me sukseset e para letrare e entuziazmoi aristokracinë e ngeshme. Tragjedia “Edipi” (Oedipe, 1718) e dëshmoi lidhjen e tij me temat klasore.

Te Volteri herët u shfaq tendenca për marrëdhënie të lira, të papenguara si dhe për pikëpamjen skeptike mbi botën.

*   *   *

Për fyerjen e regjentit Filipit të Orleanit*, e mbyllën në qelitë e Bastijës, ku i kaloi 11 muaj. Në qeli e shkruan tragjedinë “Edipi” (Oedipe). U popullarizua që me shfaqjen e parë. Që tani nisën ta konsiderojnë si trashëgimtar të dramaturgëve francezë Pjerë Kornej (Pierre Corneille, 1606-1684)) dhe Zhan Rasin (Jean Racine, 1639-1699). Në vitet 1717-1726 përjeton në Paris suksese të mëdha letrare. Nëpër oborre dhe në popull është nderuar si poet i parë i Francës. Ra në konflikt me kalorësin de Rohan*. Ky i urdhëroi lekejtë e vet që ta rrihnin. Shkrimtari u detyrua të largohej nga Franca.

*   *   *

            Qëndrimi në Angli (1726-1729) – Në vitin 1726 shkon në Angli ku njihet me idetë filozofike të poetit dhe të kritikut anglez Alikzandër Pëup (Alexander Pope, 1688-1744), të Isak Njutnit* (Isaac Newton), të Xhon Lokut* (John Loocke) dhe të Shaftsberit* (Shaftesbury). Në Angli entuziazmohet me pozitat e larta që zënë atje artistët, filozofët dhe dijetarët. Më vonë, në çdo rast do të theksojë se në Angli Xhon Loku (Loock) dhe shumë të tjerë kanë ushtruar funksione shtetërore të rëndësishme dhe kanë gëzuar respekt të madh, ndërsa në Francë, shkrimtarët kanë jetuar nga lëmosha e mjerë që e kanë marrë prej mbretërve dhe oborrtarëve. Filozofët ndërkaq, pothuajse gjithmonë kanë qenë nën syrvejimin e policisë.

Në këtë kohë e shkruan veprën filozofike “Letra për anglezët” (Lettres sur les Anglois) të cilën gjykata e Parisit e shpalli si një libër skandaloz që e skandalizon religjionin, që është në kundërshti me të dhe që nuk tregon respekt ndaj pushtetit. Gjykata urdhëroi që libri të digjet.

Në Angli realizoi botimin e plotë të epit “Henriada” (La Henriade) në të cilën flet për luftërat fetare të kohës së mbretit të Francës Henriku IV. Botimi i parë i epit, i vitit 1723 ka  titull tjetër. Është një ep heroik polemizues i drejtuar kundër fanatizmit fetar. Në këtë ep e ngre lartë Henrikun IV*, i cili ishte mbështetës i tolerancës dhe prototip i sundimtarit “të arsimuar”.

I lartësuar në qarqet politike dhe letrare, qëndrimin e vet në Angli, Volteri e shfrytëzoi për studimin e një qytetërimi tjetër, d.m.th. të shoqërisë moderne. U përgatit për të shkruar edhe shumë vepra të tjera lëmenjsh të ndryshëm, siç janë tragjeditë e llojit shekspirian “Bruti” (Brutus, 1730), “Zaire” (Zaïre, 1732), studimi historiografik tejet i dokumentuar “Histoia e Karlit XII” (Histoire de Charles XII, 1731), vepra e njohur “Letra filozofike” (Lettres philosophiques, 1734) e njohur edhe me titullin “Letra angleze” (Lettres anglaises). Botimin e këtij reportazhi anglofil, të guximshëm dhe të shkruar me spiritualitet, Volteri e ka përgatitur me kujdes. Në vitin 1733 doli në Londër kopja e tij me titullin “Letra për kombin anglez” (Letters Concerning the English Nation).

Në Angli, Volteri u entuziazmua nga racionalizmi praktik i filozofisë angleze, nga toleranca fetare dhe nga organizimi i shoqërisë   liberale të re. Njëherazi Volteri sulmon këtu çdo gjë që është franceze, që nga kartezianizmi (filozofia karteziane), shqyrtimet fetare deri te parazitizmi i shtresave të privilegjuara.

*   *   *

Formimi filozofik, Sirej (Cirey) – Në vitin 1729 kthehet në Paris. Ishte pa të ardhura    dhe e kishte të ndaluar hyrjen në pallatin në Versajë (Versailles). Qëndrimi në Angli e nxiti transformimin e Volterit si shkrimtar dhe si mendimtar, saqë disa thanë se “nga Franca u largua si poet, ndërsa u kthye si mendimtar”. Në vitin 1733 shkruan epin spiritual-frivol (të lehtë) për Joanën e Orleanit*, “Virgjëresha” (La Pucelle),  me plot skena të vogla erotike në të cilat vihet në rrezik virgjëria e heroinës.

*   *   *

Pas djegies së veprës “Letra filozofike për anglezët” (Lettres philosophiques sur les Anglais), qëndrimi në Paris përsëri iu pamundësua. Volteri shkon në Sirej (Cirey), në kështjellën e zonjës dë Shatële (de Châtelet)* në krahinën Shampanjë (Champagne). Me markezen e arsimuar, ishte në lidhje dashurie. Aty ndenji dhjetë vjet. Qëndrimi në Sirej (Cirey) është periudha më e frytshme e krijimtarisë së Volterit. Këtu u mor me studime historike, filozofike dhe të shkencave të natyrës. Pasojnë veprat dhe trajtesat, si: “Elemente të filozofisë së Njutnit” (Éléments de la philosophie de Newton); “Trajtesë për metafizikën” (Traité de Métaphysique), „Diskurs për njeriun“ (Discours sur l’homme). I shkruan tragjeditë e veta të njohura „Zaire“ (Zaïre), „Alzire“ (Alzire), Merop“ (Mérope) , Muhamedi“ (Mahomet).

Ishte i entuziazmuar me Isak Njutnin (Isaac Newton), me sprovat shkencore dhe me shfaqjet teatrore të pjesëve të veta, si “Vdekja e Cezarit” (La Mort de César, 1735); “Muhamedi” (Mahomet, 1741); “Meropa” (Mérope, 1743); “Tankred” (Tancréde, 1760). Volteri e popullarizon filozofinë natyrore të Njutonit (Newton), “që është e kapshme për çdokënd”, siç figuron në nëntitullin e veprës “Bazat e filozofisë së Njutonit” (Éléments de la philosophie de Newton, 1738). Krahas kësaj, Volteri gjithnjë më tepër i kthehet studimit të historisë së përgjithshme dhe historisë së Francës.

Këmben letra me mbretin e Prusisë, Frederikun e Madh (Friedrich der Große, 1712-1786). Në vitin 1743 qëndroi në Berlin tek mbreti. Në vitin 1744 përsësri kthehet në Paris, ku emërohet si poet dhe si historian oborri i mbretit Luigji XV (Louis XV). I rrethuar nga favoret e oborrit dhe nga kurtizanat, shkruan libretin për operën “Princesha e Navarës” (La princesse de Navarre). Edhe pse këtë vepër e kishte quajtur farsë (gjë qesharake) panairi,  në qarqet aristokrate ajo i solli famë më të madhe se veprat artistike më të mira të tij. Në vitin 1745 u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze.

Së shpejti, për shkak të natyrës së vet liberale dhe sarkastike, u ballafaqohet me probleme. Ra në mosmarrëveshje me dashnoren e mbretit, markezen dë Pompadur* (Pompadour), e cila dikur ishte mbrojtëse e tij. Ngatërrestarët ia kishin përcjellë asaj do batuta të Volterit në llogari të saj, ndaj në vitin 1750 përsëri iu desh të largohej nga Parisi. Po këtë vit, me ftesë të mbretit të Prusisë, Frederikut II (Frederikut të Madh – Friedrich II) vajti në Potsdam, në pallatin Sans-Souci (Pa Brenga), ku qëndroi deri në vitin 1753, si mentor retorike i mbretit. Aty takoi bashkatdhetarët e vet, iluministët Mopertyi* (Maupertuis) dhe Lametri* (Lamettrie). Këtu Volteri luante rolin e këshilltarit shpirtëror të Frederikut të Madh. Me mbretin iluminist kishte një miqësi të ngushtë. Shpesh shkonin në shëtitje dhe në darka. Mbreti i kërkoi Volterit t’ia korrigjonte shkrimet. Por, marrëdhëniet midis tyre shpejt u ftohën. Pas përndjekjes nga Frederiku, Volteri rreth një muaj qëndroi i mbyllur në Frankfurt. Me sarkazëm, këtë e quajti “mikpritje tipike gjermane”. Në vitin 1753, Volteri u largua nga Potsdami. Pasi u largua nga Frederiku II, jetoi në Gjenevë. Prej vitit 1758 u vendos në Fernej (Ferney), në kufi të Zvicrës dhe të Francës.

Në vitin 1778, tre muaj para vdekjes, Volteri triumfalisht kthehet në Paris. Parisienët e presin me lule dhe me duartrokitje. Gjatë shfaqjes së tragjedisë së tij “Ierna” (Iréne), busti i tij në skenën e hapur ishte mbështjellë me kurorë dafine.

Më 17 shkurt 1778, në praninë e 250 vëllezërve masonë, hyn në lozhën e masonëve të Parisit “Les Neuf Soeurs” (Nëntë Motrat). Me këtë rast mjeshtri i madh i lozhës iu drejtua Volterit me fjalët: “Shumë i dashur im vëlla, ju keni qenë murator i lirë, para se ta merrnit këtë simbol dhe ju i keni plotësuar detyrimet përkatëse, para se t’i merrnit prej nesh”.

Tre muaj më vonë, më 30 maj 1778, vdes. Për t’iu shmangur protestave, e varrosin fshehurazi. Por, në vitin 1791 revolucionarët trupin e Voleterit e mbartin në Panteon (Panthéon). Qysh i gjallë, fitoi famën e autoritetit shpirtëror më të madh të Evropës iluministe.

*   *   *

Qëndrimin e vet kundër klerit katolik e shpreh haptas, si në veprat e veta, ashtu edhe në publik. Deklaron se “krishterimi është një bishë e egër që ia thith gjakun bashkëmendimtarëve të vet.” Është e njohur klithma e tij “Dërmojeni ndyrësirën!” (Écrasez l’imfâme!) që u shfaq për herë të parë më 23 qershor 1760 në letrën që ia dërgonte d’Alamberit në të cilën thotë: “…kjo çështje ka rëndësi vendimtare (…) dhe ky është shërbimi i madh që mund t’i bëhet gjinisë njerëzore”. Volteri edhe letrat nisi t’i nënshkruajë me fjalët Écr. l’inf. Për këtë shkruan: “Të gjitha letrat e mia i përfundoj me fjalët Écr. l’inf, siç ka thënë Katoni* “…Kartagjenën duhet rrënuar”.

Shënim: Duhet dalluar rolin e Kishës apo të klerit në shekullin e iluminizmit, nga roli i saj në periudhën pas Revolucionit francez. Me ndarjen e fesë nga shteti, Kisha do të merret kryesisht me punët shpirtërore.

*   *   *

Pikëpamjet raciste të Volterit Në pjesën hyrëse të trajtesës “Ese për traditat”, Volteri thotë: “…vetëm njeriu i verbët mund të dyshojë se të bardhët, zezakët, albinët, hotentotët, laponët, kinezët, amerikanët janë raca plotësisht të ndryshme”. Volteri mbron teorinë poligjenetike sipas së cilës racat e ndryshme njerëzore rrjedhin nga stërgjyshër të ndryshëm, që u ka shërbyer “evropianëve, kuptohet edhe francezëve, që në kontinentin e Afrikës të vendosin sistem skllavopronar. Nuk kemi të drejtë natyrore t’i prangosim banorët e Angolës, por kemi të drejtë dakordimi…” Në trajtesën e sipërthënë filozofi shpreh do pikëpamje që s’i merr dot letra.

*   *   *

Volteri me cinizëm përqeshte mbarë Evropën, mbretërit e pushtetshëm, klerikët, filozofët që besonin se kjo botë është më e mira nga të gjitha botët e mundshme (teori e Lajbnicit), pseudomjekët me tituj akademikë. Por, Volteri tallej edhe me veten, me ëndrrat dhe marrëzitë e veta rinore. Ishte kundërshtar i paepur i Kishës. Klithma radikale e tij “Dërmojeni ndyrësirën!” (Écrasez l’infâme!)ushtoi fuqishëm gjatë tërë shekullit XVIII.

Megjithëkëtë, Volteri duke mbetur deist jokonsekuent, konsideronte se Zoti dhe religjioni janë të nevojshëm: “Po të mos ekzistonte Zoti, do të duhej të sajohej”.

Pozita paradoksale e Volterit shihet edhe në ecurinë e jetës dhe të veprës së tij: I urrente mbretërit dhe njerëzit e pushtetshëm, ndërsa një pjesë të madhe të jetës e kaloi nëpër oborre mbretërore dhe në apanazhe (prona) të pasanikëve, ndërkaq vetë ai blinte prona anembanë Francës; luftonte bashkë me enciklopedistët, por vetë mbeti kundërshtar i materializmit.  

*   *   *

Nga opusi voluminoz i tij në të cilin janë përfaqësuar të gjitha gjinitë, krahas tregimeve filozofike, dallohen edhe sprovat historike, në të cilat historiografia e atëhershme i është afruar asaj që më vonë do të quhet histori e civilizimit. “Shekulli i Luigjit XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752, Berlin 1768) është e para vepër historike e rëndësishme në të cilën figurë qendrore është kombi dhe jo sundimtari dhe në të cilën, interesimi për traditat ka qenë më i madh se interesimi për betejat historike. Qëllimi kryesor i Volterit ka qenë të përshkruajë “shpirtin e njerëzve” dhe shoqërinë në të cilën këta njerëz kanë jetuar dhe kanë vepruar, duke paralajmëruar kësisoj historinë e mentalitetit. Shkrimin “Sprovë për historinë e përgjithshme dhe për traditat dhe për shpirtin e kombeve” (Essai sur l’histoire générale et sur les moeurs et l’esprit des nations, 1756) e shkroi për t’ia lehtësuar markezës du Châtelet të kuptuarit e historisë. Në rrëfimin, përkatësisht në romanin filozofik i përmblodh përvojat e oborrtarit të dëshpëruar, të skeptikut dhe të filozofit.

Veprat “Zadig” (1748), “Mikromegas” (Micromégas, 1752), kryevepra “Kandid” (Candide, 1759) – roman filozofik dhe parodi* e shkëlqyer e romanit aventuristik-sentimental, “I padjallëzuari” (L’ingénu, 1767), “Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768) – janë ilustrime të qëlluara të pyetjes: si ta gjejmë fatin te vetvetja”.

Volteri u bë i njohur edhe me esenë “Traktat mbi tolerancën” (Traité sur la tolérance, 1763), i frymëzuar nga rasti Kalas* (Calas), me shembullin e fanatizmit fetar. Forma e shkurtër e artikullit enciklopedik i mundësoi që si filozof dhe praktik moralist të flasë me një stil të qartë dhe thelbësor. Në artikujt e Volterit që kanë të bëjnë me ateizmin, me karakteret, me fanatizmin, me përndjekjet dhe tolerancën, me lirinë dhe tiraninë, e më së shpeshti me sulmet e ashpra ndaj kishës dhe klerit, si dhe ndaj rendit jokushtetues – dallojmë shpirtin luftarak të iluministit dhe stilin e gazetarit me përvojë.

“Fjalor filozofik ose Arsyeja në rendin alfabetik” (Dictionnaire philosophique ou la Raison par alphabet, 1764) është një vështrim i thuktë i filozofisë volteriane. Si mjeshtër i ironisë dhe i polemikës, në vitet 1745-1750 ishte historiograf i mbretit të Francës, Luigji XV*. Në vitet 1750-1753 ishte mentor për retorikë i mbretit të Prusisë, Fridrih II (Friedrich II) ose Friedrich der Große. Pas një qëndrimi jo të mirë në Potsdam, gjeti strehim në Republikën Helvetike konservatore. Suksesi i shfaqjes në Paris të pjesës “Irena” (Irène) tre muaj para vdekjes si dhe kthimi në traditën e teatrit klasicist, e mbyllën shtegun letrar dhe jetësor të tij.

Volteri ishte ithtar i publikimit të qartë të të vërtetave të rëndomta, armik i veprimeve të fshehta apo tinëzare, i mistikës dhe i mitologjizimit. Me stilin e thuktë dhe me inteligjencën lucide (të mprehtë) tregoi një interesim të veçantë për një shoqëri të denjë për njeriun.

Me veprimtarinë e vet të gjatë, fitoi autoritet në mbarë Evropën. Për këtë arsye, periudha e iluminizmit apo shekulli XVIII u quajt “shekull i Volterit”.                                

*   *   *

Më shumë rëndësi ka kontributi i tij për filozofinë e historisë: Këtë term e krijoi Volteri. Përpos kësaj, krijoi konceptin me ndikim të historisë, si një proces i përparimit të gjithanshëm dhe të pandalshëm që bazohet në ligjshmërinë natyrore, fillon me përparimin e shkencës dhe të teknikës, që pikësëpari ndikon në zhvillimin e tregtisë, në rritjen e begatisë së përgjithshme dhe në fund, në përmirësimin juridik dhe politik të institucioneve si dhe në përsosjen morale të njeriut.

Vepra e parë historiografike e Volterit është “Historia e Karlit XII” (Hitoire de Charles XII, 1731), ndërsa vepra kryesore e tij nga ky lëmë është “Shekulli i Luigjit XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752). Njëherazi, kjo është e para vepër e rëndësishme e këtij lloji, në të cilën figurë qendrore është kombi dhe jo sundimtari dhe në të cilën traditat pasqyrohen po aq sa edhe betejat dhe oborri mbretëror. Për të përshkruar frymën e epokës, në mënyrë specifike paralajmëron historinë e mentalitetit. Këtë qëndrim e ka përpunuar në trajtesën “Ese për historinë e përgjithshme dhe për traditat dhe shpirtin e kombeve” (Essais sur l’histoire générale et sur les moeurs et l’esprit des nations, 1756), në pasqyrën e historisë që nga rënia e Perandorisë Romake Perëndimore, “Historia e Perandorisë Ruse nën Pjetrin e Madh” (Hisoire de l’empire de Russie sous Pierre lë Grand, I-II, 1760-1763), “Filozofinë e historisë” (Philosophie de l’histoire, 1765).

I rëndësishëm është edhe kontributi i tij për Enciklopedinë të drejtuar nga shkrimtari dhe filozofi francez Deni Didëro (Denis Diderot). Për Enciklopedinë, midis tjerash, i ka  shkruar artikujt Shpirti, Eleganca, Imagjinata, Historia, Elokuenca.

Idetë filozofike, në mënyrë alegorike dhe figurative i ka paraqitur në novela dhe në romane që janë shembuj paradigmatikë të stilit të tij elegant dhe klasicist të përmbajtur, të përshkuar nga ironia, pastaj të përdorimit të litotave, të eufemizmave, të elipsave, të insinuatave: “Memnoni, tregim oriental” (Memnon, histoire orientale, 1747), “Zadig” (1748), “Vizioni i Babukut” (Vision de Babouc, 1748), “Mikromegas” (Micromégas, 1752), “Kandid ose optimizmi” (Candide ou l’Optimisme, 1759), “E bardha dhe e zeza” (Le Blanc et le noir, 1764), “I padjallëzuari” (L’Ingénu, 1767), “Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768).

Në to ka ironizuar dhe ka satirizuar filozofinë e optimizmit, sidomos filozofin dhe matematikanin gjerman, Lajbnicin (Leibniz), rigjiditetin (ngurtësinë) religjioze, duke përdorur formën e përgjithshme të zhanrit pikaresk dhe shkencor-fantastik, përkatësisht të romancës aventuriere-fantastike, të cilën po ashtu e ka parodizuar, sidomos dimensionin utopist të saj. Në këtë vështrim, shembull kulmor është romani filozofik “Kandid” ose Optimizmi, njëherazi edhe vepër e tij me pranim më afatgjatë. I shkruar me ton sarkastik dhe parodik, kjo vepër është kritikë e filozofisë së optimizmitLajbnicit (Leibniz).

*   *   *

Volteri konsideronte se më e natyrshme është që filozofia të pasqyrohet në vepra letrare. Në këtë mënyrë, u bë filozofi i parë dhe më i gjithanshëm i iluministëve të shekullit XVIII i cili bashkoi në vete filozofinë dhe letërsinë, duke e shndërruar si njërën ashtu edhe tjetrën, në publicistikë iluministe spirituale që i ka cilësitë e të dyja sferave të shpirtit njerëzor.

 

Veprat  

„Ese mbi poezinë epike“ (Essay on Epic Poetry); tragjedia “Edipi” (Oedipe, 1718); epi heroik ”Henriada” (La Henriade, 1728), botimi i parë i veprës, i vitit 1723 doli me titull tjetër; tragjeditë “Bruti” (Brutus, 1730); “Zaire” (Zaïre, 1732); studimi historiografik “Histoia e Karlit XII” (Histoire de Charles XII, 1731); vepra “Letra filozofike” (Lettres philosophiques, 1734) e njohur edhe me titullin “Letra angleze” (Lettres anglaises); në vitin 1733 doli në Londër kopja e tij me titullin “Letra për kombin anglez” (Letters Concerning the English Nation); dramat “Vdekja e Cezarit” (La Mort de César, 1735); “Muhamedi” (Mahomet, 1741); “Meropa” (Mérope, 1743); “Tankred” (Tancréde, 1760); trajtesa “Bazat e filozofisë së Njutonit” (Éléments de la philosophie de Newton, 1738); “Shekulli i Luigjit XIV” (Le Siècle de Louis XIV, 1752, Berlin 1768) vepër historike; trajtesa “Sprovë për historinë e përgjithshme dhe për traditat dhe për shpirtin e kombeve” (Essai sur l’histoire générale et sur les moeurs et l’esprit des nations, 1754-1758); veprat “Zadig” (1748); “Mikromegas” (Micromégas, 1752); „Filozofia e historisë“ (Philosophie de l”histoire, 1756); kryevepra “Kandid” (Candide, 1759) – roman filozofik dhe parodi e romanit aventuristik-sentimental; “I padjallëzuari” (L’ingénu, 1767), “Princesha e Babilonisë” (La Princesse de Babylone, 1768); trajtesa “Traktat mbi tolerancën” (Traité sur la tolérance, 1763); “Fjalor filozofik ose Arsyeja në rendin alfabetik” (Dictionnaire philosophique ou la Raison par alphabet, 1764); përmbledhja e eseve “Letra filozofike” (Lettres philosophiques, 1734), i njohur edhe me titullin “Letra angleze” (Lettres anglaises); tragjedia e fundit “Irena” (Irène);

Shënime për krijuesit, për personalitetet dhe për nocionet

 

Agnosticizëm – doktrinë filozofike idealiste e cila mohon mundësinë e njohjes së botës objektive. Këtë pikëpamje e sqarojnë filozofët Dejvid Hjum (Hume), Xhorxh Berkli (Berkeley), Imanuel Kant (Kant), Ogyst Kont (Comte), Herbert Spenser (Spencer). Në të vërtetë nuk ka asgjë që nuk mund të njihet; ekzistojnë vetëm gjëra dhe dukuri të natyrës të cilat në shkallën historike të caktuar të zhvillimit të shkencës, ende nuk janë të njohura; përvoja historike, parashikimi dhe studimi shkencor i forcave të natyrës, njeriut ia hedhin poshtë agnosticizmin. Sipas agnosticizmit, ekzistimi i Zotit, i hyjnores apo i mbinatyrshmes është diçka e panjohur dhe diçka që nuk mund të njihet. Arsyeja e njeriut nuk ka aftësi për të siguruar baza racionale të duhura që do ta arsyetonte bindjen se Zoti ekziston, apo bindjen se Zoti nuk ekziston.

Antuan, Mark (Marc Antoine) djali i Zhan Kalasit.

Bardhi, Frang (1606-1643) shkrimtar i letërsisë së hershme shqiptare.

Berkli, Xhorxh (George Berkeley, 1685-1753), i njohur edhe si Peshkopi Berkli, është filozof anglo-irlandez. I takon shkollës së idealizmit dhe të empirizmit.

Budi, Pjetër (1566-1622) shkrimtar i letërsisë së hershme shqiptare.

D’Alamber (Jean-Baptiste le Rond d’Alembert, 1717-1783) matematikan, fizikan dhe filozof francez. Deri në vitin 1759, bashe me Deni Didëronë drejtuan Enciklopedinë*.

Dë Pompadur (Jeanne-Antoinete Poisson, marquise de Pompadour, e njohur si Madame de Pompadour, 1721-1764) anëtare e oborrit mbretëror francez. Ishte dashnorja kryesore zyrtare e mbretit të Francës, Luigji XV (Louis XV, 1710-1774), trashëgimtar i fronit mbretëror të stërgjyshit të vet Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715).

Dë Roan (Kalorësi dë Roan) (Guy Auguste de Rohan-Chabot, 1683-1760) i njohur si Chevalier de Rohan, ishte një fisnik francez (më poshtë se baroni), që vinte prej familjes së vjetër dhe fisnike të Bretanjës (Huos of Rohan), që datonte nga shekulli XI.

Didëro, Deni (Denis Diderot, 1713-1784) filozof, kritik arti dhe shkrimtar – francez. Ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe bashkëpunëtor i Enciklopedisë.

Dy Shatëlet (Markeza dy Shatële) (Gabrielle-Émilie Le Tonnelier de Breteuil, marquise du Châtelet, 1706-1749) filozof i natyrës dhe matematikane franceze. Në vitin 1725 u martua me markezin Florent-Claude du Chastellet-Lomont, me të cilin kishte katër fëmijë. Ishte nën ndikimin e Iasak Njutnit dhe të Vilhelm Lajbnicit. Në vitet 1733-1749, ishte në lidhje intime me Volterin. Vdiq nga komplikimet gjatë lindjes së fëmijës.

Enciklopedistët – ishin një grup autorësh francez të shekullit XVIII që e kanë hartuar enciklopedinë (Encyclopédie). Është botuar në periudhën qershor 1751 – dhjetor 1765 përkatësisht 1780. Kryeredaktorë ishin Deni Didërot dhe d’Alamberi. Enciklopedistët nxitën përparimin e shkencës dhe të mendimit shekullar, mbështetën tolerancën, mendimin racional, mendjen e hapu dhe elementet e rëndësishme të periudhës së iluminizmit.

Filipi i Orleanit (Philippe d’Orléans, 1674-1723) ose Duka i Orleanit (Duc de Orléans) ishte anëtar i familjes mbretërore franceze. Pas vdekjes së të atit, mbretit të Francës dhe Navarës, Luigjit XIV (Louis XIV), u bë regjent.

Hemp, Erik Pret (Eric Pratt Hamp, Londër, 16.11.1920 – 17.02.2019) linguist britanik/amerikan.    

Henriku IV (1553-1610) mbret i Francës. E quanin “I Madhi” (Le Grand) ose “Le Vert Galant”, në anglisht “Good King Henry”.

Hjum, Dejvid (David Hume, 1711-1776) – filozof, historian, ekonomist, eseist skocez i iluminizmit, i njohur për sistemin e empirizmit filozofik, të skepticizmit dhe të natyralizmit.

Joana e Orleanit (Jeanne d’Arc, 1412-1431) e njohur si Virgjëresha e Orleanit, prijëse ushtarake franceze; u bë heroina kombëtare më e madhe e Francës. Shenjtore e Kishës Katolike të Romës.

Kalas (Rasti Kalas – Calas) – Në kohën e Volterit, d.m.th. në Francën e para revolucionit, protestantizmi konsiderohej sakrilegj (mallkim). Fanatikët fetarë të proveniencës katolike s’e kishin vështirë ta fajësonin çdokënd që do të kishte pikëpamje ndryshe mbi botën. Rasti i Zhan Kalasit (Jean Calas), për të cilin flet Volteri, është vetëm një prej shembujve. Në tetor të vitit 1761, djali më i madh i Kalasit, Mark Antuan (Marc Antoine) u gjet i varur në tregtizën e prodhimeve tekstile të Zhan Kalasit  (Jean Calas) në Tuluz (Toulouse). Sapo u gjet trupi, në mjediset katolike shpërtheu një histeri. Ndaj protestantit Zhan Kalas (Jean Calas) vërshuan akuzat, duke e fajësuar për varjen e të birit ngase ai paskësh kaluar në katolicizëm apo qenkësh konvertuar në katolik. Më 9 mars 1762, Gjykata rajonale në Tuluz e shpalli fajtor Zhan Kalasin dhe e dënoi me torturim në rrotë, deri në vdekje. Zhan Kalasi vdes më 10 mars 1762, me trup dhe gjymtyrë të thyera. Me të mësuar për rastin, Volteri ndërmori një fushatë për anulimin e aktgjykimit, për arsye se i pandehuri ishte dënuar vetën në bazë të paragjykimeve fanatike ngase i përkiste një religjioni tjetër dhe jo në bazë të provave materiale. Provat tregonin se djali i Zhan Kalasit, Mark Antuan (Marc Antoine) kishte varur veten, për shkak të humbjeve në kumar, borxheve dhe studimeve të papërfunduara. Ndërhyrja e filozofit pati jehonë të madhe në Francë, ndaj në vitin 1764, d.m.th. tre vjet pas ekzekutimit të dënimit, aktgjykimi u anulua. Zhan Kalasi, tanimë i vrarë nga torturat, u lirua nga akuza, për t’u bërë viktimë simbolike e jotolerancës fetare.

Kalas, Zhan (Jean Calas, 1698-1762).

Kant, Imanuel (Immannuel Kant, 1724-1804) – filozof gjerman, një prej mendimtarëve qendrorë të iluminizmit. Me veprat e tij në epistemiologji, metafizikë, etikë dhe estetikë u bë figurë me ndikim në filozofinë moderne të Perëndimit.

Katon (MarcusPorcius Cato censorius, 234 para K. – 149 para K.) politikan, orator dhe shkrimtar romak. Njihet edhe si Katoni i Vjetri (Cato Maior). Konsiderohet si i pari prozator romak.

Kont, Ogyst (Isidore Marie Auguste François Xavier Komte, 1798-1857) – filozof dhe shkrimtar francez. E formuloi doktrinën e pozitivizmit. Konsiderohet filozof i parë i shkencës në kuptimin modern të këtij nocioni.

Lajbnic, Gotfrid Vilhem (Gottfried Wilhelm Leibnitz, 1646-1716) filozof dhe matematikan, dijetar dhe diplomat gjerman. Janë të njohura tri letrat e Lajbnicit. Më 24 janar 1705 i dërgoi një letër një bibliotekisti të Berlinit në të cilën thotë se shqipja duhej të ishte një gjuhë sllave. Më 10 dhjetor 1709, pasi kishte vënë në dorë një libër në gjuhën shqipe dhe një fjalor të shqipes, shkruan një letër tjetër ku thotë: “…kjo është gjuhë e ilirëve të lashtë…”. Linguisti britanik/amerikan Erik Pret Hemp (Eric Pratt Hamp) thotë se librat që i ka pasur në duar Lajbnici, janë “Fjalori latinisht-shqip” (Dictionarium latino-epiroticum, Romë 1635) i Frang Bardhit si dhe vepra e Pjetër Budit.

Lametri (Julien Offray de La Mettrie, 1709-1751) fizikan dhe filozof francez, një prej materialistëve më të hershëm francez të iluminizmit. Pas largimit nga Potstadmi, Volteri qëndroi një kohë në Gjenevë. Në vitin 1758 bleu një kështjellë në qytezën franceze Fernej (Ferney). Deri atëherë dhe pas kësaj lindën romanet e tij “Zadig” (1747), “Mikromega” (Micromega, 1752) dhe “Kandid” (Candide, 1759). Në këtë periudhë shkruan pamflete dhe letra, lufton me tërë fuqinë kundër fanatizmin të Kishës dhe i mbron të dënuarit e pafajshëm (rasti Kalas – Calas). Trajtesat e veta antiklerikale i shkruan me pseudonime: Rabin Akiba, Aleksej, Kryepeshkopi Novogorski, Abati Basin dhe nipi i tij, Klerikët e mbretit të Prusisë etj.

Lok, Xhon (John Loock, 1632-1704) filozof dhe mjek anglez. Është konsideruar si një prej mendimtarëve ilumist më me ndikim. Është quajtur “baba i liberalizmit”.

Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715) mbret i Francës.

Luigji XV (Louis XV, 1710-1774) mbret i Francës. Në moshën 5-vjeçare e trashëgoi stërgjyshin, Luigjin XIV . Derisa nuk e arriti pjekurinë në vitin 1723, mbretërinë e administroi Filipi II, Duka i Orleanit (Philippe II, Duc d’Orléans), si regjent i Francës.

Mopertyi (Pierre Louis Moreau de Maupertuis, 1698-1759) matematikan dhe filozof francez.

Njutni, Isak (Isaak Newton, 1643-1727 filozof, matematikan, astronom anglez. Tre muaj para se të lindte, i vdiq babai. Nëna iu rimartua, e rriti gjyshja.

Parodi (greqisht – parodeo – këndoj në mënyrë tallëse, tallem) – imitim tallës apo qesharak i ndonjë vepre letrare, duke ruajtur formën e jashtme dhe tonin e saj; imitim i jashtëm, duke shtrembëruar thelbin; shëmtim, shtrembërim, deformim, prishje e formës, gjymtim; parodizoj – të shkruash parodi letrare për dikë, për diçka; përqesh, paraqes në formë qesharake, shëmtoj, deformoj, shtrembëroj.

Pëup, Alikzandër (Alexander Pope, 1688-1744) poet dhe kritik anglez.

Société du Temple (Shoqëri e Tempullit) ka qenë një shoqëri letrare dhe filozofike, që u paraqit në Francë në fund të shekullit XVII dhe në fillim të shekullit XVIII.

Spenser, Herber (Herbert Spencer, 1820-1903) – filozof, biolog, antropolog dhe sociolog anglez, i njohur për hipotezën e darvinizmit social, sipas së cilës historinë e harton fuqia fizike superiore.

Sheftsberi (Anthony Ashley-Cooper, 3rd Earlot Shaftesbury, 1671-1713) filozof anglez.

 

Ndërroi jetë akademiku shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Luan Starova

$
0
0

Sot ka ndërruar jetë shkrimtari, gjuhëtari, profesori e akademiku Luan Starova, njoftim i cili është publikuar nga familjarët e të ndjerit, transmeton Portalb.mk.

“Na le pa fjalë dhe me kujtime të paharrueshme babi. Me dhimbje të madhe ju njoftojmë se sot ndërroi jetë bashkëshorti dhe babai ynë Luan Starova”, bëjnë të ditur familjarët.

Familjarët bëjnë të ditur që varrimi do të bëhet nesër në Butel të Shkupit gjatë mesditës, pas kryerjes së faljes në Xhaminë e Çairit.

“Doja të të them…” botimi i ri nga Lira Bojku (FOTO)

$
0
0

Para disa ditëve nëpër rrjetet sociale, Lira Bojku, publikoi një status duke na bërë të ditur që ka botuar librin e saj më të ri “Doja të të them… Сакав да ти кажам”. Lira është nga Shkupi, që në moshë të hershme ka treguar afinitet të veçantë për artin e letërsisë dhe atë figurativ. Botimi i ri, është përmbledhje tregimesh që si tematikë kryesore ka dashurinë, si edhe librat e saj të mëparshme, shkruan Portalb.mk

“Karakteristikë e veçantë këtë herë është fakti që tematika e dashurisë që vetëm thellohet dhe zgjerohet, tani ndërthuret lehtas edhe me nota dhe elemente të tjera të cilat herë-herë e dominojnë këtë të parën. Këto gërshetime tematike që i sjell si risi, janë gjithmonë aktuale dhe pjesë e së vërtetës brenda së cilës jetojmë dhe domosdoshmërisht janë pjesë e pashkëputshme edhe e dashurisë së vërtetë, të pastër e të dëlirë, por edhe e asaj të ashtuquajturës dashuri që jo gjithmonë është e shëndoshë.” tha Lira Bojku.

“Doja të të them..." Lira Bojku
“Doja të të them…” Lira Bojku

Nëpërmjet këtij libri Lira ka dashur të gërryej, të ngre pyetje, të protestojë në njëfarë forme lidhur me temat dhe problemet siç janë: dhuna në familje dhe gratë si viktimë e kësaj dhune, abuzimi në familje, diskriminimi ndaj gruas, lufta me sëmundjen e kancerit, birësimi, “sheqeri dhe kripa” brenda raporteve martesore, trekëndëshi martesor e kështu me radhë. Lira mendon dhe i qëndron asaj që dashuria e çdo lloji është e vlefshme për ta shkruar.

“Më motivon dëshira apo nevoja e pashpjegueshme për të përfytyruar, krijuar, imagjinuar dhe shkruar për atë që shpesh herë vështirë përshkruhet ose thuhet me fjalë, por mund të ndjehet…dhe mendoj që arti është mënyrë e përkryer për të shprehur të pathënën. Uroj që lexuesit e këtij libri mbi të gjitha ta shijojnë e pastaj dhe të gërmojnë, përjetojnë, zbulojnë e mbase dhe do arrijnë të zgjidhin diçka nga dilemat e zemrës apo kokës”, u shpreh Lira.

“Doja të të them..." Lira Bojku
“Doja të të them…” Lira Bojku

Arti i rrëfimit për Lirën është një udhëtim i pafund me tren, ku ajo si autore duke shkruar e rrëfyer tregimet e saj domosdoshmërisht ndalet në stacionet e trenit, për të parë e soditur, për të dëgjuar, për të përjetuar herë dhimbje, herë admirim, herë magji e ekstazë, herë gëzim e hare dhe kështu gjithçka që ajo ka mbledhur dhe ka dashur t’ua thotë lexuesve këto vitet e fundit i solli në këtë libër me titullin “Doja të të them-Сакав да ти кажам.„

“Një ndjenjë kënaqësie dhe arritjeje të mbërthen kur sheh interesimin e lartë të lexuesve të cilët veçmë kanë filluar ta kërkojnë dhe lexojnë librin. Mbresat dhe vlerësimet e para janë mjaft pozitive gjë që më gëzon dhe natyrisht nëse tregimet e mia sjellin kënaqësi te lexuesit e nëse arrij që t’i ndjejnë, përjetojnë si diçka të tyren, nëse i bëj të mendojnë, të ndryshojnë diçka te vetvetja atëherë mendoj që ia kam arritur qëllimin…” tha Bojku.

Ky libër vjen paralelisht në dy gjuhë, në shqip dhe maqedonisht dhe Lira vjen si autore dhe përkthyese e së njëjtës. Librin mund ta gjeni në Shkup dhe në Tetovë tek Libraria Nobel. Lira ka edhe tre botime të tjera të cilat janë “Këpucët e kuqe”, “Dashuria në lavatriçe” dhe “Љубовта на генерал Ш.”.

Biblioteka e Tetovës deri më 15 prill do të pranojë aplikime për Konkursin Letrar

$
0
0

Krijimet poetike me temë “Libri”, do të mund të dërgohen deri më 15 prill në Institucionin Nacional Biblioteka “Koço Racin”- Tetovë  në Konkursin e hapur në lidhje me Ditën Botërore të Librit, transmeton Portalb.mk.

“Të drejtë për pjesëmarrje kanë të gjithë nxënësit e shkollave fillore të Tetovës dhe rajonit të Tetovës. Poezitë duhet të dërgohen me shifra. Emrat e konkurrentëve, titujt e poezive dhe shifrat të dorëzohen në zarfe të mbyllura veçmas”, bëjnë të ditur nga Biblioteka.

Materialet mund të dërgohen me postë ose drejtpërdrejtë në objektin e Bibliotekës, ndërsa autori i poezisë më të mirë do të shpërblehet.

Viewing all 633 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>