Quantcast
Channel: Libra/Poezi – Portalb
Viewing all 617 articles
Browse latest View live

Me programin ‘pa protokoll’ dhe në sallën plot, në Shkup u promovua libri i Zekerija Idrizit

$
0
0

Në hapësirat e Kuvendit të Komunës së Çairit, që ishte e mbushur në çdo skaj me dashamir të librit, u promovua libri i fundit i shkrimtarit Zekerija Idrizi “Bisedë shpirtëror me Shën Nënën Terezë”, transmeton Portalb.mk.

Me tingujt e muzikës që buronin nga violinë e mjeshtrit Blerim Grubi, filloi programi ‘pa protokoll’, siç e quante udhëheqësja e programit, Adelina Marku. Ajo u kujdes për rrjedhën e programit, që zgjati mbi dy orë.

Programin ‘pa protokoll’ e plotësuan me komente të pranishmit, si botuesi Fatmir Halimi, Islam Gega nga Kosova, Bahri Aliu, Rahim Ganiu, Edmond Vrapi nga Shqipëria, Ali Qerimi, Sadije Aliti, Nuri Rexhepi, Besim Xhelili, Rexhep Rigati dhe krejt në fund foli edhe autori Zekerija Idrizi.

Programi plotësohej edhe me tinguj të muzikës të krijuar nga klarineta e Nehat Currit dhe violina e Blerim Grubit, dhe djalit të tij, Lek Grubi.

Disa fragmente të veprës arriti t’i dramatizojnë dy aktorët e rinjë, Ajshe Useini dhe Mumin Abdullahi.

“Nuk di si të falënderoj gjithë pjesëmarrësit, organizatorët, recensentët, ligjëruesit në ditën e sotme të promovimit të librit tim në vendlindjen time në Shkup. Jam shumë shumë i kënaqur. Faleminderit nga zemra miqtë/mikeshat e mia nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria! Kam ngelur pa tekst, i mahnitur skajshëm nga çdo pikëpamje.I dhurova qindra libra për miqësinë time shumë të shtrenjtë”, thekson Idrizi.


Ekspozitë me librat e ndaluar, komunizmi ndalonte leximin e kryeveprave, ja cilat janë ato

$
0
0

Në muajin e kujtesës, për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare çelet një ekspozitë me libra të ndaluar gjatë komunizmit, transmeton TopChannel.

“Është pjesë mjaft e rëndësishme ky kombinimi i librave, i autorëve të rezervuar me autorët shqiptarë dhe ata të huaj me dokumentacionin që vinin në lëvizje mekanizmin. Ky është një dokument i pari që ne kemi gjetur në mars të vitit 1948. Është vendim i gjykatës me listën e autorëve dhe librave të ndaluar”, shprehet Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Këtu është një grup ku redaktori i librit ka qenë në burg, ndalohet libri plotësisht. Ndërsa aty ka vepra të Ismail Kadaresë, që në momente të caktuara u ndaluan të qarkullojnë.

Kjo është një kartolinë e cila ndalohet të hidhet në karton, “Motra tone”. Jo sepse ndalohet Kole Idromeno, por sepse ajo ka një kryq. Siç thuhet në shkresë; Kryqi që ajo ka në qafë lejon keqpërdorimin nga disa njerëz që ruajnë akoma konceptet fetare.

Kjo është një vepër e Dritëro Agollit që u quajt e gabuar për një periudhë kohe dhe u ndalua. Disa janë të ndaluar dhe si autorë, psh Arshi Pipa është I ndaluar tërësisht.

Petro Marko zë një kapitull më vete. Ashtu edhe Mitrush Kuteli. Janë nga autorët që herë lejoheshin herë ndaloheshin dhe shiheshin me dyshim nga regjimi.

Kur një figurë qëndronte në burg atëherë fillonte një mekanizëm I tërë spastrimi I bibliotekave. Këtu është lista e atyre që shpalleshin armiq, që nga Mehmet Shehu e me radhë. Fillonte spastrimi që nga librat bazë si “Gju Me Gju me Popullin”.

Në ’65 u ndalua Dantja, Gëtja, Tolstoi e me radhë.

Librat e rezervuar merreshin edhe nga institucione të caktuara për punë, por që gjithmonë me leje të caktuar. Për libra shumë të rezervuar ishte shumë e vështirë.

Dhjetë librat që mund t’i lexoni gjatë qëndrimit në shtëpi

$
0
0

Meqenëse në Kosovë gjatë ditës së sotme janë paraqitur 2 raste pozitive me Covid 19, ajo që preferohet është vetë-izolimi.

E gjatë kësaj kohë si mënyrë për të larguar vëmendjen nga situata e mediat sociale që në raste përhapin më shumë panik se informacion, më e mira që mund të bëni është të zhyteni në një libër të mirë.

Prive sjell për ju dhjetë rekomandime të librave që mund të lexoni.

Esther Perel – “As të parët, as të fundit” 

Një lexim i detyruar për të gjithë ata të cilët kanë tradhtuar, janë tradhtuar apo thjesht kanë nevojë për një strukturë të re mendore dhe emocionale me të cilën të kuptojnë lidhjet.

 Haruki Murakami – “Burrat pa Gra” 

Burrat pa Gra është një koleksion i tregimeve të shkurtra të vitit 2014 nga autori japonez Haruki Murakami, i përkthyer dhe botuar në anglisht në vitin 2017. Tregimet kanë të bëjnë me burrat që kanë humbur gratë në jetën e tyre, zakonisht te burrat e tjerë ose vdekja.

R.J Palacio – “Mrekullia”

Një novelë për fëmijë që përshkruan jetën e një djaloshi i cili ka lindur me deformitete në fytyrë. Ai nuk shkon në shkollë deri në një moshë të caktuar, por gjithçka ndryshon kur prindërit e dërgojnë në një shkollë private.

Frymëzimi për ta shkruar librin vjen nga një histori personale e autores me të birin. Novela ka marrë pëlqimin e lexuesve nga e mbarë bota dhe vlerësimi ka qenë pothuajse maksimal.

Jonathan Franzen – “Korrigjimet”

Amerikani Franzen shkruan për një familje pothuajse tradicionale amerikane – për Lambertët.

Në librin “Korrigjimet”, botuar në vitin 2001, fëmijët e familjes Lambert largohen nga shtëpia dhe secili vazhdon jetën e re në lindje të vendit.

Shkrimtari është cilësuar si njëri ndër autorët më të mirë amerikanë që e përshkruan shumë bukur konstruktin shoqëror në Amerikë.

Ismail Kadare – “Kukulla”

Libri i fundit i autorit Ismail Kadare është “Kukulla”. Kushtuar tërësisht nënës së tij, ky libër i Kadaresë është përkthyer edhe në frëngjisht. Ai flet për marrëdhënien e tij të brishtë me nënën, me të cilën s’është kuptuar asnjëherë plotësisht.

Titulli “Kukulla”  simbolizon figurës e së ëmën së tij, figurën e së cilës e përshkruan si fjalëpake dhe pothuaj të padukshme.

Daniel Kahneman – “Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë”

Psikologu izraelito-amerikan, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi, sjell një vepër që u shndërrua në bestseller që nga viti 2001.

“Të menduarit shpejt dhe të menduarit ngadalë” është një libër i shkruar pas disa dekadash hulumtimi nga autori.

Charles Duhigg – “Fuqia e shprehisë”

Libri më i ri nga reporteri i gazetës New York Times vjen në shqip dhe sjell eksplorimin e shkencës se si i krijojmë shprehitë dhe si manovrojmë me to si njerëz. Ai tregon nëse shprehitë mund t’i ndryshojmë dhe çka ndodh me individin kur ai arrin t’i ndryshojë ato.

JoJo Moyes – “Vajza që le pas”

Një histori dashurie. Në ngjarjen që zhvillohet në Francë në vitin 1916, artisti Edouard Lefevre lë prapa gruan e tij të re Sophie për të luftuar në frontin kundër gjermanëve.

Kur qyteti i tyre pushtohet nga gjermanët, portreti që Edouard i ka bërë asaj i bie në sy Komandantit i cili e do pikturën me çdo kusht. Më pas zbulohet se vlera e pikturës është shumë e madhe dhe aty fillon beteja.

Khalil Gibran – “Profeti”

Poeti libanez Khalil Gibran tashmë është përkthyer në 40 gjuhë e padyshim vepra e tij më e njohur është “Profeti”.

Libri është i konstruktuar në 26 proza poetike që flasin për çështjet kryesore të jetës së njeriut: Punën, Dashurinë, Martesën, Veshjen, Tregtinë, Kohën, Harenë, Dhimbjen, e të tjera.

Cheryl Strayed – “Shpirti i Egër”

Përshkruan krejt rrugëtimin e saj deri te shërimi. Libri autobiografik i amerikanes Cheryl Strayed vjen në shqip me tregimin për udhëtimin e gjatë 1500 kilometërsh nëpër rrugët e Amerikës për të gjetur paqe me veten dhe për ta harruar dhimbjen. Libri tashmë është bërë edhe film, kurse aktorja që luan rolin kryesor, Reese Witherspoon, në vitin 2015 ishte nominuar për çmimin Oscar për rolin kryesor.

 

Këshilla e mjekëve: Lexoni libra, gatuani me fëmijët

$
0
0

Izolimi dhe stresi dhe ankthi me të cilin po e përjetojnë njerëzit kohën e koronavirusit po lë edhe pasoja, transmeton TopChannel.

Pyetja e parë: Si mund ta përshkruanit, gjendjen mendore tonën, këto ditë?

‘’Jemi në kushtet e një stresi kolektiv, që ka filluar të bëhet kronik, se sa dolëm nga tërmeti i 26 nëntorit’’, shprehet psikiatria Reli.

Pyetja e dytë: A duhet të na shqetësojnë simptomat e stresit?

‘’Kjo është situatë anormale për të gjithë ne, kështu që gjithë reagimet janë normale’’, shton ajo më tej.

Pyetja e tretë: Çfarë po ndodh me pacientët, janë shtuar po pakësuar?

‘’Ka më pak pacientë tek dera, por më shumë telefonata’’.

Pyetja e katërt: Çfarë këshillash jepni, për ta kaluar sa më lehtë?

‘’Lexoni një libër, gatuani më fëmijët, të përfshihemi në aktivitete të përbashkëta, lojëra, biseda, të cilat ndihmojnë shumë’’.

5 librat që jua bëjnë më të lehtë qëndrimin në shtëpi

$
0
0

Në këtë kohë kur të gjithë këshillojnë qëndrimin në shtëpi, ne po përpiqemi të gjejmë alternativa në mënyrë që izolimi të jetë sa më i lehtë – ai mendor edhe më shumë. Shumë prindër e kanë të vështirë që t’i bindin fëmijët për të mos dalë nga shtëpia, ndaj u duhet të gjejnë çdo ditë një aktivitet të ri me ta, në mënyrë që kjo periudhë të mos jetë e lodhshme mendërisht për fëmijët, por, natyrisht, edhe për të rriturit, shkruan Class.

Në listën e mëposhtme, keni 5 libra për të rritur dhe fëmijë, propozuar nga shtëpia botuese Pegi, të cilët do t’ju largojnë nga realiteti e do t’ju bëjnë të jetoni një botë tjetër më të bukur, plot aventura e histori interesante.

.

Si të përballemi me vetminë – Sara Maitland

Një shoqëri si jona, e cila ecën me ritme të shpejta, nuk e pranon vetminë. Të jetuarit vetëm shihet si veprim antisocial, madje për disa është diçka kërcënuese. Përse ndodh kështu, kur autonomia, liria personale dhe individualizmi vlerësohen më shumë se kurrë më parë? Kësaj pyetjeje, autorja Sara Maitland i përgjigjet nëpërmjet hulumtimit të qëndrimeve të ndryshme që ka mbajtur shoqëria njerëzore gjatë historisë. Ajo propozon eksperimente dhe strategji për të mposhtur frikën që kemi ndaj vetmisë, na ndihmon t’i praktikojmë ato pa ndjenjën e ankthit dhe na nxit të shohim sa e dobishme është vetmia për njeriun. Duke e përjetuar plotësisht përvojën e të qenit vetëm, mund të frymëzohemi për të zbuluar fuqinë tonë të brendshmë dhe të jetojmë një jetë më të pasur e më të plotë.

Sara Maitland thekson se çdo qenie njerëzore ka nevoja spirituale dhe mistike, të cilat veç izolimi apo vetmia mund t’i përmbushë.

.

Cironka – Lisa Brennan Jobs

Lisa Brennan-Jobs erdhi në jetë aty nga fundi i viteve ’70, nga lidhja e dashurisë mes prindërve të saj, artistes Chrisann Brennan dhe Steve Jobs-it. E ëma ishte një grua ëndërrimtare, që ndiqte idealet e hipive për një jetë të çlirët, kurse i ati, para se të ndryshonte botën përgjithmonë, ishte njeriu që bëri të mundur komunikimin falas përmes telefonit. Jeta e Lizës së vogël nuk qe e lehtë me një baba që vetëm pas testit të ADN-së arriti t’i jepte atësinë. Në sytë e saj fëminorë, Stive Jobs-i ishte një figurë mitike, jo fort i pranishëm në jetën e saj. Marrëdhënia me të atin do të mbetet gjithnjë komplekse dhe e mundimshme, me shumë keqkuptime dhe bashkëpunime, me nofka përkëdhelëse dhe heshtje të gjata, me afrime të përkohshme dhe gjeste thellësisht simbolike, por të heshtura: ndër të cilët, emërtimi Lisa i kompjuterit të parë pikërisht në nder të së bijës, siç pranon Jobs-i përpara Bono Vox-it (këngëtarit të njohur të grupit U2) gjatë një darke në Bregun e Kaltër. “Cironka” është historia e një vajze në kërkim të identitetit të saj, gjithnjë në përpjekje për të ruajtur ekuilibrin mes dy botëve të kundërta të prindërve. Gjithashtu, është një portret i fuqishëm dhe emocionues i Steve Jobs-it, i ndershëm dhe i pamëshirshëm, larg çdo klisheje, një pamje intime e njeriut që gjendet pas mitit.

Sot e shoh qartë se ne kishim qëllime të papajtueshme. Për atë, unë isha veçse një njollë në shkëlqimin e karrierës së tij, sepse historia jonë nuk përputhej me rrëfimin e madhështisë dhe të virtytit që kishte dashur të ndërtonte për veten. Ekzistenca ime prishte vargun e sukseseve të tij të njëpasnjëshme. Ndërsa për mua ishte e kundërta: sa më afër tij të isha, aq më pak ndihesha e turpëruar; ai ishte pjesë e botës dhe do të përshpejtonte daljen time në dritë.

.

Gjiganti i fjetur – Kazuo Ishiguro

E shkruar si një përrallë, plot realizëm magjik, me një mjeshtëri të jashtëzakonshme rrëfimi të thjeshtë, por po aq i thellë për simbolikën që Ishiguro përcjell përmes personazheve të frymëzuar nga epoka e mbretit Artur, “Gjiganti i fjetur” është padyshim një nga romanet më befasues dhe më të bukur të shkrimtarit që mori Nobelin në 2017. “Gjiganti i fjetur” është një reflektim i hollë e melankolik për kujtesën dhe harresën, si dhe për rolin që luajnë ato jo vetëm në jetën e individëve, por edhe të vendeve e popujve. Sepse vendet, popujt, vetë njeriu, është hiçgjë pa kujtesën; asnjëri prej tyre nuk do të ekzistonte. Ishiguro e di se vetia e njeriut për të kujtuar dhe mbajtur mend, por edhe dhuntia për të harruar detaje, çaste, sensin e kohës, emra e mbiemra, janë elemente të lidhura ngushtë me secilin prej nesh, e pikërisht këtu e gjen materialin për të mbrujtur një nga romanet më të mira që ka shkruar.

.

Tre ujqit e vegjël – Evjenios Trivizas

“Tre ujqit e vegjël” është, në fakt, një përmbysje e versionit të përrallës “Tre derrkucat e vegjël”, një legjendë tradicionale e botuar për herë të parë në shekullin e 19-të.

Të gjithëvë u kujtohen ‘’Tre derrkucët’’ e famshëm dhe aventurat e tyre për të ndërtuar një shtëpi të bukur e të sigurtë për t’i shpëtuar ujkut të pabesë dhe dinakërive të tij. Kësaj radhe, rolet janë ndryshuar. Tre ujqit e mirë janë ata, që duhet të gjejnë lloj-lloj mënyrash për t’i mbijetuar ligësisë së Runi-Runit, derrit të keq e dinak. Rrëfimi përfshin disa prej kafshëve të xhunglës, të cilët ndihmojnë tre vëllezërit ujq dhe qasja e përrallës me sendet e jetës moderne të përditshmërisë e bën eksperiencën e leximit argëtuese, po aq sa të mbushur me mësime të bukura. Ky libërth përcjell mesazhe dashurie, paqe e mirësie.

.

Nuk jam një supermiush – Jeronim Stilton nr. 36

Jeronim Stiltoni është një prej personazheve më të dashura për fëmijët, si në Itali, në vendin e tij të origjinës, ashtu dhe në gjithë botën. Ai është një miush frikacak në pamje të parë, por kur vjen çasti për t’u përballur me vështirësitë, arrin t’i kapërcejë ato. Jeronim Stilton do të përballet me një kurs mbijetese në kushte ekstreme. Atij i duhet të kalitë guximin dhe do të përballet me kushtet e shkretëtirës, të xhunglës, shpellave e hapësirave të mbuluara nga akulli. A do të arrijë Jeronimi të bëhet supermiush?

SHB “Logos-A” dhuron libra falas online në kohën e pandemisë

$
0
0

Në kohën kur pandemia e virusit Covid-19 ka kapluar globin dhe kur gjithë bota shfaq solidarizimin e vet, Këshilli Botues i SHB “Logos-A” ka vendosur që këtë gjendje të rënduar ta zbusë duke mundësuar libra online për lexuesit që janë të detyruar të rrinë në shtëpi ose të izolohen për shkak të pandemisë.

Vendimi i Këshillit Botues është që prej sot çdo javë të lëshojë online nga 10 libra të fushave të ndryshme, për mosha të ndryshme dhe për përgatitje të ndryshme intelektuale e profesionale.

“Në këtë mënyrë, përveç si dhurues i librit në format të shtypur përgjatë viteve të kaluara, tash e tutje Logos-A do ta ketë edhe identitetin e dhuruesit të librit online. Kështu, në këto ditë kur nga njerëzit e gjithë botës kërkohet të rrinë në shtëpi, Logos-A ka marrë rolin që t’u ndihmojë atyre, duke ua lehtësuar qëndrimin në shtëpi nën shoqërimin e librave të Logosit. Kryefjala e kësaj fushate është “Rri në shtëpi e LEXO!”, thonë nga Logos A.

Për të lexuar libra falas shtypni: KËTU

Kryeveprat që u shkruan në karantinë nga Shekspiri e deri tek Pushkini

$
0
0

Koronavirusi, ka detyruar miliarda njerëz të izolohen në shtëpitë e tyre. Për shumëkënd, kjo është një përvojë e rëndë, sidomos në aspektin psikologjik. Por nga artistët deri tek shpikësit më të mëdhenj, kanë arritur që të ndryshojnë botën për mire pikërisht nga dhomat e tyre të karantinës. Ja cilët janë disa prej tyre, transmeton RTK.

Është kryevepra e shkrimtarit rus Aleksandër Pushkin, e botuar për herë të parë në vitin 1832. Historia fokusohet në jetën e Eugjen Onjeginit, një aristokrati të pasur që jeton në Shën Petersburg. I lodhur nga jeta mondane, ai transferohet në fermën e madhe të xhaxhait të tij të ndjerë jashtë kryeqytetit. Atje, ai njihet me bukuroshen Tatjana Larina, që do të bëhet fikismi i jetës së tij. Vepra u shkrua në vjeshtën e vitit 1830, pasi një epidemi e rëndë e kolerës në Moskë, e bindi Pushkinin të largohej për disa muaj në pronat e familjes së tij jashtë qytetit.

Ditari i Samuel Pepis

Samuel Pepis (1633–1703) ishte anëtar i parlamentit anglez, si dhe një administrator civil i marinës. Gjatë jetës së tij, ai ishte më i njohur për përpjekjet e tij për modernizimin e marinës britanike. Por sot Pepis, vlerësohet për ditarin që ai mbajti gjatë viteve 1660-1669, pasi mbetet një nga dokumentet më të mira në lidhje me restaurimin e monarkisë angleze. Në vitin 1665, Londra u godit nga murtaja bubonike. Falë kronikave të Pepis, historianët dhe shkencëtarët e kuptojnë më mirë se si u përhap aq shpejt murtaja bubonike, dhe pse shkaktoi aq shumë të vdekur në Londër.

Mali Magjik

E cilësuar si një nga veprat më të mira të letërsisë gjermane, romani i Tomas Man u botua për herë të parë në vitin 1924. Ai ka në qendër Hans Kastorp, një tregtar të ri nga Hamburgu, që vendos të vizitojë kushëririn e tij Joakim në një sanatorium për tuberkulozin në Alpet Zvicerane.

Udhëtimi i tij ndërlikohet, pasi sëmuret edhe vetë, dhe kësisoj nis të takojë pacientët e tjerë. Gati që të gjithë ata, përfaqësojnë degradimin social të Evropës së pas Luftës së Parë Botërore.

Dhe Tomas Man dinte disa gjëra mbi sanatoriumet. Gruaja e tij, Katia, vuante nga tuberkulozi dhe në vitin 1912 ajo u shtrua në një sanatorium në Davos-Platz, Zvicër. Shkrimtari e vizitonte shpesh. Në vitet në vijim, që të dy ishin pacientë të rregullt në banjave termale në të gjithë botën. Man e shndërroi përvojën personale, në skenën ku zhvillohen ngjarjet e “Malit Magjik”.

Anton Çehov

Ashtu si Pushkini para tij, edhe Çehov gjeti kohë për të shkruar, për shkak të epidemive të shpeshta të kolerës në Rusi. Midis viteve 1892-1899, Çehov shkroi disa nga tregimet e tij më të njohura, përfshirë “Pavioni nr.6” dhe “Murgu i zi”. Njëkohësisht, Çehovi pati një jetë gjysmë të izoluar në vilën e tij në Melikhovo.

Aty ai ndihmoi në lehtësimin e situatës për fshatarët vendas. Ndërkohë që shkruante, vazhdoi punën e tij të përditshme si mjek praktikant. Atij iu desh ta ndërpresë punën në vitin 1897, për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Çekov vuante nga tuberkulozi, sëmundje që i mori edhe jetën në vitin 1904.

Parajsa e humbur

Anglezi Xhon Milton, u mor me shumë gjëra gjatë jetës së tij. Ai ishte pamfletist, filozof, dhe si politikan shërbeu si Sekretar i Gjuhëve të Huaja në Këshillin e Komonuelthit. Por Milton njihet sot më shumë si një shkrimtar. Ai shkroi veprën “Parajsa e Humbur”, ku flet për dëbimin e Satanait nga Parajsa, dhe luftën e tij kundër Zotit dhe njerëzimit. Ai e nisi veprën në vitin 1652. Por në vitin 1665 u transferua me familjen e tij nga Londra më Shalfont, për të shmangur Murtajën e Madhe të Londrës. Pikërisht aty e përfundoi edhe librin.

Dekameroni

E shkruar më gjasë midis viteve 1348-1353, libri flet mbi 10 aristokratë të rinj që u arratisën në një fshat, për të shmangur Vdekjen e Zezë që kishte prekur në atë kohë qytetin e Firences. Aty ata tregojnë secili nga 10 histori, ose në total 100 gjatë disa ditëve.

Ashtu si Komedia Hyjnore e Dantes, Dekameroni u shkrua në dialektin fiorentin, që u bë në fund italishtja standarde. Vetë autori Xhovani Bokaçio, jetoi në vitet e tmerrshme të Murtajës të shekullit XIV-të. Ngjashem me personazhet në veprën e tij më të famshme, Bokaçio shmangu me sukses epideminë që ra në Firence, duke shkuar në Napoli dhe qytete të tjera italiane.

Uilliam Shekspir

Shekspiri ishte një nga fëmijët e paktë në Stratford-upon-Avon, që i mbijetoi Murtajës së vitit 1564. Një nga biografët më të shquar të Shekspirit, Xhonatan Beit, shkruan se përvoja e Shekspirit me Murtajën, ishte aspekti i vetëm më përcaktues i jetë dhe veprës së tij. Murtaja shfaqet në disa nga veprat më të mira të Shekspirit, përfshirë “Romeo dhe Xhulieta” .

Edhe më befasues është fakti, që Shekspiri ishte jashtëzakonisht prodhimtar në vitet 1605-1606, kur ai shkroi “Mbreti Lir”, “Makbeth dhe “Antoni dhe Kleopatra”. Studiuesit besojnë tani, se Shekspiri ishte aq produktiv gjatë asaj kohe, pikërisht për shkak të Murtajës së viteve 1605-1606 që goditi Anglinë.

Isak Njuton

Fizikani dhe matematikan anglez, Isak Njuton, vlerësohet si njeriu që zbuloi gravitetin, dhe që shkroi ligjet themelore të fizikës. Pa zbulimet e Njutonit, Epoka e Iluminizmit, mund të mos kishte ndodhur kurrë. Në vitin 1665, Njutoni ishte student në Universitetin e Kembrixhit. Atë vit, universiteti u mbyll për shkak të Murtajës së Madhe të Londrës.

Me mbylljen e shkollës, Njutoni u rikthye në shtëpinë e familjes së tij në Kembrixh, dhe nisi të kryente një seri eksperimentesh. Gjatë punës së tij në karantinë, ai shkroi ligjet e lëvizjes së sëndeve dhe ato të gravitetit. Kur Njutoni u kthye në universitet në vitin 1667, ai i ngjiti me shpejtësi shkallës e karrierës akademike, duke marrë titullin profesor në vitin 1669.

10 libra të shkurtër me tregime të mëdha

$
0
0

Këto tregime të shkurtra paketojnë mjaft shënime në më pak se 200 faqe. Megjithëse këto libra nuk do t’ju kërkojnë shumë kohë për të lexuar, jam i sigurt që ata do të qëndrojnë me ju për ca kohë pasi të keni mbaruar. Këto 10 libra vërtetojnë shprehjet “Gjërat e mira vijnë në pako të vogla” dhe “Gëzojuni gjërave të vogla në jetë”, transmeton RTK.

“Lexuesi jo i zakonshëm” nga Alan Bennett Një roman qesharak për Mbretëreshën Elizabeta II dhe dashurinë e saj të re-leximin. Një libër për adhuruesit e librave, me të vërtetë.

“Balzak dhe rrobaqepësja e vogël kineze” nga Dai Sijie Përralla e dy miqve të dërguar në një fshat malor për riedukim gjatë Revolucionit Kulturor të Kinës. Kjo histori feston magjinë e të lexuarit.

“Mësime të mbijetesës” nga Alice Hoffman Një perlë e vërtetë që feston jetën kur kaloni kohërat më të vështira për ju.

“Ullinjtë e zi” nga Martha Tod Dudman Ah, Virxhinia. Një grua bie në sediljen e saj të përparshme dhe ajo që vjen më pas është pjesa dërrmuese, një grua e përbuzur dhe një aksident komedik.

“Të rriturit” nga Gillian Flynn Një histori tronditëse nga autori më i shitur i “GONE GIRL” që mund ta përfundoni leximin në një udhëtim me avion.

“Akullnajat” nga Alexis Smith Tek “Akullnajat”, historia e Isabelit shpaloset brenda një dite dhe e lë lexuesin që dëshiron të kthejë një faqe më shumë.

“Tinkers” nga Paul Harding Ky roman fitues i çmimit Pulitzer është një vështrim i bukur i vdekjes, jetës dhe kujtesës.

“Shtëpia në rrugën Mango” nga Sandra Cisneros “Shtëpia në rrugën Mango” është tregimi klasik i moshës për Esperanza Cordero, një vajzë e re Latine që rritet në Agoikago.

“Unë nuk e di” nga Leah Hager Cohen Ky është një libër i vogël për mënyrën sesi reagojmë kur ndjehemi më pak se të zgjuar.

“Hidhërimi është gjëja me pendët” nga Max Porter Një burrë humbet në trishtim pas vdekjes së papritur të gruas së tij. Dy djemtë e tij luftojnë me humbjen e nënës së tyre. Derisa një ditë ata vizitohen nga Kurora.


Lexoni këto libra në karantinë, që të mos ndjeheni dhe aq vetëm

$
0
0

Kemi hedhur sytë nga komodinat, kemi mbajtur shënime, kemi nxjerrë nga libraritë vëllime librash që nuk kishim shfletuar për një kohë të gjatë dhe u kemi hequr pluhurin, kemi ndjerë edhe një herë fuqinë – magjike dhe ngushëlluese – të leximit, shkruan Bota.al.

Për këtë arsye vendosëm të ndajmë me ju listën e librave që po na shoqërojnë në këto ditë brenda mureve të shtëpive tona. I vetmi vend që na bën të ndjehemi të sigurt. Ja disa libra që ju rekomandojmë:

“Njëqind vjet vetmi”- Gabriel Garcia Marquez

Një sagë e mrekullueshme familjare, ajo e shtatë brezave të Buendiave, tregoi me atë realizëm magjik që aq shumë famë i dha shkrimtarit, duke inaguruar një zhanër të vërtetë letrar, tipik për letërsinë e Amerikës Latine. Ngjarjet e “Njëqind vjet vetmi” ndodhin në qytetin imagjinar kolumbian të Macondos, një mikrokozmos i veçuar, në të cilin vija ndarëse midis të gjallëve dhe të vdekurve është e paqartë dhe të parëve u jepet dhurata tragjike mendjemprehtësisë. Të gjitha në sfondin e një mesazhi dramatik të izolimit: shëmbëlltyra e familjes ndjek atë të vetmisë dhe humbjes që shkruhet në fatin e Macondos, sepse “Sekreti i plakjes mirë të kesh bërë një pakt ndershmërie me vetminë”.

“Historia”- Elsa Morante

Roma, Lufta, rilindja pas makthit, një udhëtim mes njerëzve pas frikës. Burra dhe gra të plagosur nga një përvojë që do t’u lërë shenjë përgjithmonë dhe do të ndërgjegjësohen, ngadalë dhe me dhimbje, se asgjë nuk do të jetë njësoj si më parë. “Historia” është një roman me mijëra zëra që hyn në rrënjët e historisë italiane dhe që rrëfen shumë me emra. Se si ishin dhe se si do të ishin bërë.

“Letër për një fëmijë të palindur” – Oriana Fallaci

Nuk është një monolog i thjeshtë apo një këndvështrim por është shpërthimi i një gruaje, e cila tregon ato që do të thoshin shumë gra të tjera. Në faqet e “Letër një fëmije të palindur” ka një kërkim të vazhdueshëm për atë që është e drejtë ose e gabuar, të mendimeve kontradiktore të çdo gruaje të vetme dhe të emancipuar, e cila përballë ngjarjes së çuditshme të shtatzënisë, e gjen veten duke menduar dhe përpjekur për të kuptuar, me fjalë që prekin dhe i flasin çdo gruaje.

“Manuali i luftëtarit të dritës”- Paulo Coelho

“Luftëtari i dritës është ai që është i aftë të kuptojë mrekullinë e jetës, të luftojë deri në fund për diçka në të cilën beson, dhe pastaj të dëgjojë këmbanat që deti bën të jehojnë në shtratin e tij “. Një kërkim shpirtëror, drejt dritës që mund të zbatojmë çdo ditë në jetën tonë. Mendime dhe këshilla që janë brenda mundësive të secilit dhe në çdo faqe, madje edhe duke hapur ndonjë faqe, rastësisht.

“Thirrmë me emrin tënd”- André Aciman

Arritja deri në fund të këtij libri është një betejë me veten. Me gjithë dhimbjet që menduam se i kishim kapërcyer dhe gëzimet që nuk ishim në gjendje t’i tregonim. Ata që kanë parë vetëm filmin duhet të hedhin një hap prapa, të fillojnë atje ku filloi e gjitha dhe të zhyten në faqet e “Thirrmë me emrin tënd”. Nga ai vështrim fatal, nga ajo dashuri që nuk lë rrugëdalje.

“Pulëbardha Jonathan Livingston”-  Richard Bach

Për të gjithë ata që për momentin mendojnë se “t’ia dalësh është e pamundur”. Për të gjithë ata që kanë nevojë për një pikë referimi, një krah, një shkëmb. Ky libër kurrë nuk pushon së mahnituri. Ri-leximi është gjithmonë si hera e parë. Sepse “Pulëbardha Jonathan Livingston” prek kordat e duhura, në çdo moshë.

7 libra të tjerë rreth hapësirës dhe hënës

$
0
0

Më 20 korrik 1969, bota u mblodh rreth televizioneve të tyre për të parë atë që dikur mendohej e pamundur. Modeli Shqiponja Lunar Apollo, me Neil Armstrong dhe Edwin “Buzz” Aldrin, u ul poshtë, dhe gjashtë orë më vonë Armstrong u bë njeriu i parë që shëtiti në hënë, transmeton RTK.

Në vitet në vijim, magjepsja e njerëzimit me hapësirën dhe udhëtimin në hapësirë vetëm është rritur .

Tani marrim azhurnime të rregullta nga rovers në Mars (RIP “Oppy”), kemi një fotografi të adhurueshme të “zemrës” së Plutonit dhe vazhdojmë të ëndërrojmë për udhëtime të ardhshme në hënë. Këtë vit, festoni gati-51 vjetorin e misionit Apollo 11, i cili vërtetoi se udhëtimi në hapësirë mund të ishte më shumë sesa një ëndërr, duke lexuar këto shtatë libra të pabesueshëm për hënën dhe hapësirën.

“Njeriu i pare” nga James R. Hansen

Sigurisht, asnjë listë librash hapësinor nuk do të ishte e plotë pa një biografi të vetë njeriut: Neil Armstrong. Ndërsa shkruajti këtë libër, Hansen zhvilloi intervista me më shumë se 125 njerëz, përfshirë më shumë se 50 orë me Armstrong, duke e bërë këtë biografinë më autoritare të Armstrong. Nga detajet se si ai erdhi si komandant i misionit historik në një nga përshkrimet më të hollësishme të uljes në hënë, nëse lexoni vetëm një libër për të festuar 51 vjetorin, ky duhet të jetë ai.

“Artemis” nga Andy Weir

Ndoshta ju më mirë do të festonit me një trillim shkencor të mrekullueshëm dhe ëndërr për një ditë kur njerëzit kanë kolonizuar hënën. Ky është libri i përsosur për ju. Vendosur në Artemis, qyteti i parë dhe i vetëm në hënë, personazhi kryesor Jazz Bashara është një kriminel vetëm duke u përpjekur për t’i përmbushur skajet. Por, kur shansi për të kryer krimin e përsosur – i plotë me një pagesë të konsiderueshme – arrin, Jazz e gjen veten të shtrembëruar në një komplot për kontrollin e vetë Artemis.

“2001: Një Odise i hapësirës” nga Arthur C. Clarke

E zhvilluar njëkohësisht me filmin epik1968, ky klasik i trillimeve shkencore është një vështrim tërheqës në udhëtimin në hapësirë nëpër sytë e një shkrimtari i cili ende nuk kishte parë një njeri duke ecur në hënë. Duke filluar me hominidet e para- Homo sapiens të frymëzuara nga një monolit i huaj për të përdorur mjete për mbijetesë, historia më pas hidhet në një të ardhme në të cilën udhëtimi në hapësirë është i zakonshëm dhe astronautët luftojnë AI për jetën e tyre.

“Mbaj prapa yjet” nga Katie Khan

Carys dhe Max janë bllokuar në hapësirë. Të ndara nga anija e tyre, ata kanë 90 minuta oksigjen të mbetur dhe pak shpresë për shpëtim. Ndërsa luftojnë për të shpëtuar veten e tyre, ata nuk mund të mos mbajnë mend jetën e tyre nga bota më poshtë, ku një shoqëri utopike e quajtur Evropia ndalon dashurinë e tyre. Nëse ju pëlqeu filmi Gravity, atëherë ky romantizëm i vendosur në të ardhmen duhet të jetë leximi juaj i rradhës.

“Sally Ride” nga Lynn Sherr

Kushdo që studion misionet Apollo mund të ketë një pyetje: “Ku ishin të gjitha gratë?” Sigurisht, gra të pabesueshme me ngjyrë, përfshirë Katherine Johnson dhe Mary Jackson, po bënin punë thelbësore matematikore dhe inxhinierike në terren, por nuk ishte deri në vitin 1978 që NASA filloi t’i lejonte gratë të kualifikoheshin si kandidate për astronautë. Sally Ride ishte anëtare e asaj klase të parë dhe ajo vazhdoi të ishte gruaja e parë amerikane në hapësirë në vitin 1983. Kjo është historia e saj mahnitëse, e thënë me njohuri ekskluzive nga familja dhe partnerja e saj.

“Anije kozmike” nga Lisa A. Nichols

Një incident vdekjeprurës ndodh brenda një anije kozmike, dhe ekuipazhi humbet kontaktin me NASA. Të gjithë në bord mendohen të vdekur dhe bota ecën përpara. Përveç një dekade më vonë, një astronaut kthehet në tokë. Kjo aventurë e kapur sci-fi do t’ju mbajë të hutuar ndërsa zbuloni misterin e asaj që ka ndodhur me të vërtetë me astronautët dhe se si një grua e vetme arriti të mbijetojë.

“Një hap gjigant” nga Charles Fishman

Në vitin 1961, Presidenti John F. Kennedy njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ulnin një njeri në hënë deri në vitin 1970. Për udhëheqësin e një vendi që kishte saktësisht 15 minuta përvojë fluturimi hapësinor – faleminderit, Alan Shepard – ishte një rend i gjatë, por për shkak të punës së 400,000 shkencëtarëve, inxhinierëve dhe punëtorëve të fabrikës, Shtetet e Bashkuara patën sukses. “Një hap gjigant” i Charles Fishman feston të gjithë burrat dhe gratë që e bënë këtë të mundur, duke u zhytur në tetë vitet midis njoftimit të Kennedy dhe hapit të vogël historik të Armstrong.

Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (I)

$
0
0

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Ajo që nuk e kishim menduar asnjëherë se mund të bëhej pjesë e detyrueshme e jetës sonë është pikërisht mbyllja e të gjithë neve brenda shtëpive, ndryshe nga ç’bënim ditëve të tjera kur jetesa jonë ishte normale: me vrap për në punë, me kryerje të obligimeve, me takime shkencore e letrare midis një grupi të caktuar njerëzish, me seminare, me ndjekje të ligjëratave në amfiteatro universitetesh, me blerje të librave më të rinj panaireve të ndryshme…

Thjesht një jetë që për ne ishte bërë e zakonshme. Duke pasur parasysh kohën në të cilën po jetojmë, secili u bë pjesë e një karantinimi botëror, është shumë e vështirë të thuhet se veprimet e lartpërmendura mund të kryhen ashtu siç i kryenim deri dje. Ndoshta për një kohë e kemi të ndaluar të lëvizim lirshëm për ta parë një film, për ta vizituar një mik, për të pirë kafenë në këndin e njëjtë ku jemi mësuar; ndoshta nuk mund të ecim lirshëm në vendin që ne na fal qetësi ose na frymëzon për vargje lirike, por nuk mund të themi se nuk kemi kohë për lexime e studime më të hollësishme që lidhen me temat e interesimit tonë, apo thjesht, për librat që na plotësojnë.

Kur flasim për këtë të fundit, pranë veprave letrare-artistike e atyre shkencore i kemi gjithmonë profesorët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, të cilët me zell e mbajnë gjallë frymën e gjuhës sonë, për ta përcjellë atë me dinjitet në brezat e mëvonshëm, herë me anë të fjalës së bukur (letërsisë), e herë me anë të rregullave se si fjala e bukur të shkruhet drejt (gjuhësisë). Në këtë mënyrë ata ndikojnë drejtpërdrejt që tjetri (nxënësi, studenti, lexuesi apo kushdo tjetër) të rendë me gëzim pas një libri derisa ta gjejë e ta bëjë pjesë të bibliotekës së vet, ose të mësojë si ta flasë e ta shkruajë drejt gjuhën amtare.

Për ta kuptuar se me ç’libra i gjetëm në këtë kohë profesorët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Universitetit të Tetovës dhe se në ç’strehë leximi ishin futur, e realizuam edhe intervistën e mëposhtme. Për lexuesin fisnik që letërsinë e ka njëherësh edhe profesion edhe dashuri jete, besojmë se titujt e dhënë nga ana e tyre do të jenë mundësi e mirë rekomandimi dhe të tillë që do të duan t’i lexojnë menjëherë.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të qenit bijë e një shkrimtari do të thotë të jesh gjithë jetën e rrethuar me mendime artistike, jo vetëm me ato të shkrimtarëve shqiptarë e të huaj, por edhe me ato të njeriut më të afërt (babait tuaj, profesorit të ndjerë Murat Isaku). Do të na thoni diçka për këtë fat tuajin?Pak edhe mbi atë se cilët tituj do ia sugjeroni lexuesit, duke u nisur nga një varg i madh librash të lexuara nga ana juaj, qofshin ata që mendoni se mund të bëjnë kthesë në jetën e tij ose ata me të cilët ju ka gjetur ky karantinim!

Prof. dr. Luljeta ISAKU: Vetë fakti i identifikimit tim nga të tjerët si bija e Murat Isakut, më bën që të kem shumë obligime ndaj atij emri. Të jetosh me një shkrimtar do të thotë të kesh dikë që mbi ty lë gjurmë morali; të dish se kur është mjaft dhe ç’është turp; të kesh gjithmonë një model për formimin e personalitetit. Nuk është e lehtë, por është e kënaqshme. E veçanta e kësaj jetese është obligimi që ke ndaj tij dhe zotësia për t’iu qasur jetës. Të jetosh me një shkrimtar do të thotë t’i lexosh dëshirat në sytë e tij, përpara se të tjerët t’i lexojnë në libra. Është fat i madh të jesh lexuesja e parë e dorëshkrimeve të babait tënd. Unë edhe sot jetoj nën hijen e personalitetit të tij e me urdhrin e tij që juve studentëve të mi gjithmonë t’ju trokas në zemër. Shpesh ju them në ligjërata se të jesh profesor do të thotë të zgjedhësh çka do të flasësh. Këtë po e bëj edhe për veprat që i sugjeroj për lexuesin. Ndoshta pas leximit të tyre i dalin në ndihmë dhe i flasin më tepër nga ç’mund t’u them unë për to:

  1. “Arka e djallit – Dritëro Agolli – Është roman që përcjell shumë humor. Në fakt ky humor është tragjik për fatin e njeriut krijues. Dy personazhet e romanit, Cute Babulja dhe Bamkë Dynjaja krijojnë dialogë shumë të veçantë, që bartin peshë të rëndësishme në vepër. Njëri shkruan dhe vepron, si Ezopi, ndërsa tjetri vetëm udhëton dhe vepron, si Nastradini. Është roman tragjik për komleksitetin e natyrës njerëzore dhe për lirinë e kufizuar të mendimit.
  2. Romanet e Fatos Kongolit (Lëkura e qenit”, “Jetë në një kuti shkrepësesh” dhe “Bolero në vilën e pleqve”) Letërsia që krijon Fatos Kongoli është psikologjike dhe psiko-patologjike. Personazhet kryesorë përveç problemeve shoqërore kanë edhe probleme mentale. Ata kalojnë nëpër drama të çuditshme jetësore dhe nëpër histori dashurie të dëmshme. Përmes përjetimesh nga më të ndryshmet ata, dëshmojnë edhe për hapësirat e ngushta jo vetëm të banimit, por edhe të jetës shpirtërore. Personazhet nuk janë heronj. Janë njerëz të zakonshëm të jetës reale: skenaristë, gazetarë, motra medicinale; të moralshëm, të pamoralshëm, lesbike etj. Në këto romane shfaqjet skizofrenike të shoqërisë së sotme shqiptare të tranzicionit lidhen midis të tjerash edhe me faktin e dimensioneve të ndrydhura, të hapësirave të tyre të jetës që kanë qenë të ngushta, të vogla. Kjo padyshim ka ndrydhur edhe botën e brendshme dhe psikologjinë e personazheve. Kjo shfaqet në forma shpesh të dhimbshme.
  3. “Goja e botës” – Zija Çela – Me tematikën e shtjelluar vepra qëndron afër preokupimeve të botës shqiptare, e cila është me shumë pësime e dilema. Tragjikja dhe grotesku fuqizojnë njëra-tjetrën dhe shkrihen së bashku. Ëndrrat kanë versione të ndryshme, por të gjithë njerëzimi i sheh. Fifara dhe fifarasit nuk janë projeksion vetëm i një Shqipërie. Ky vend dhe këta banorë janë projeksion i shumë qyteteve të ngjashme në botë.

    VAZHDON….

Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (3)

$
0
0

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, po të ndalemi në studimet tuaja, shohim se për trajtim keni marrë kryesisht letërsinë shqipe për fëmijë (prozë/poezi). Nga leximet tuaja, cilat vepra ju kanë lënë mbresa e ju shoqërojnë gjithmonë, qoftë edhe për ndonjë segment të vogël? Cilat vepra i keni në duar këto kohë karantinimi e që do ti sugjeroni edhe për lexuesin?

Prof. dr. Shefqet ZEKOLLI: Libri ka ndikim pozitiv në orientimin, edukimin dhe argëtimin e njeriut, posaçërisht sa ai është i ri. Ai të fisnikëron mendjen dhe shpirtin. Kjo mbyllje jona në këtë kohë më ka detyruar t’u rikthehem disa veprave, për ta kujtuar edhe kohën time të studimeve e disa të tjera t’i lexoj për herë të parë, ngase një jetë nuk mjafton për t’i lexuar të gjitha. Ndoshta lexuesit të kohës do t’i hyjnë në punë këto tituj:

1.“Nga jeta në jetë – Pse?– Sterjo Spasse – Kah fundi i viteve ’60, atëherë kur isha regjistruar në shkollë të mesme dhe kur lexoja çka do të më binte në dorë, gjeta edhe këtë roman filozofik. Për të flitej se “bën çudira” dhe se është “i rëndë” për t’u  lexuar. Unë u rrita me këtë roman dhe me veprat tjera të këtij autori. Edhe sot i kthehem, ngase përpos personazhit të veçantë për nga paraqitja e tij përballë shoqërisë së kohës, me të më lidh edhe kujtimi mbi të kaluarën time.

  1. Nga letërsia botërore do të veçoj sidomos veprat e Shekspirit, si: “Makbeth” dhe “Hamleti”. Dy vepra madhështore, të cilat për nga tema kanë pushtuar botën e lexuesve, duke e vënë atë përballë pikëpyetjeve të shumta e të pazgjidhshme. Në kohën kur unë isha ende në shkollë të mesme përkthimi i këtyre veprave ishte nën thjerrëzën e pushtuesit të atëhershëm, por ne sërish i lexonim edhe fshehtas. Ndoshta kjo më ka bërë që të lidhem tepër me to.
  2. “Dimri i vetmisë së madhe” – Ismail Kadare – Një roman mbresëlënës, të cilin së fundmi e kam sërish në dorë, jo duke u mbështetur vetëm në talentin e autorit të shfaqur që në hapat e para krijuese, por edhe për temën që trajtohet në vepër. Pra është ngjarja e madhe historike, shkëputja e shtetit shqiptar nga kampi sllavo-komunist. Romani ka plot shtresa personazhesh dhe vetëm një bërthamë- shkëputjen shqiptare nga Moska, të cilën njëra ndër personazhet e quan “shenjë të bekuar”. Romani ka pjesë interesante që janë mjaft nxitëse për t’i shkuar deri në fund.

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, ju i përkisni fushës së gjuhësisë dhe leximet/studimet tuaja lidhen me këtë fushë. Por, të qenit profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe do të thotë të jesh në çdo kohë i rrethuar si me libra gjuhësie, ashtu edhe me libra letërsie. Nga kjo e fundit, cilat vepra do ti sugjeroni për lexuesin, qofshin edhe ato me cilat ju ka gjetur ky karantinim?

Prof. dr. Izmit DURMISHI: Ç’është e vërteta Adelinë, në kohën kur lexonim letërsi, nuk dinim të mbanim shënime dhe pothuajse çdo gjë na ka shkuar në harresë. Kohën e fundit jam përkushtuar më tepër në një studim timin dhe ndonëse po merrem me gjuhësi gati dy dekada, për lexuesin po i sugjeroj këto tituj veprash, me të cilat ai do ta kalojë më lehtë këtë kohë të vështirë:

  1. “Dantja i pashmangshëm” – Ismail Kadare – Një histori e shkurtër e Shqipërisë me autorin e “Komedisë hyjnore” D. Aligierin. Vepra synon të ketë për temë boshte leximin e saj edhe në vende ku ishte e ndaluar. Vet Firenca e kishte dëbuar autorin nga vendlindja, ngase vepra në fjalë ishte kumti më i fuqishëm, i cili pasqyronte revoltën kundër padrejtësive që ushtronte pushteti i atëhershëm italian ndaj masës popullore. Kadare i dha kahen meritore kësaj vepre të madhe. Ai shtroi në vepër se Dantes nuk mund t’i iket dot, ashtu siç nuk mund t’i iket dot as ndërgjegjes.
  2. “Kështjella” – Franz Kafka -Në të autori trajton përpjekjet që bën njeriu për ta njohur botën enigmatike që e rrethon. Me urdhrin e nuk e dimë se kujt, kryepersonazhi i veprës, gjeometri K., e braktis atdheun, gruan, fëmijët dhe niset nëpër mot të lig e rrugë të parrugë, si në ndonjë përrallë të lashtë, për të gjetur diku një kështjellë, që është personifikim i të panjohurës, i asaj që gjithnjë nxit kërshërinë, shpresën dhe premton lumturinë. Një lloj errësire për kryeheroin e veprës është ajo që kërkon, që synon, ajo për të cilën ka sakrifikuar gjithçka. Autori sikur dëshiron t’i tërheqë vërejtjen kryeprotagonistit se, në çdo rrugë që ndjek dhe në çdo punë që kryen, rolin primar e ka vetëdija e njeriut.
  3. “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” – Karl Popper – Flet për intelektualë të mëdhenj dhe rolin që luajnë ata në masë. Autori me gojën plot flet edhe për gabimet e mëdha të tyre; rrëfen disa raste të njerëzve të tillë, të cilët në të kaluarën mbështetën sulmin e vazhdueshëm mbi paqen dhe arsyen. Ndikimi i tyre, që u sfidua shumë rrallë, vazhdon t’i drejtojë gabimisht udhëheqësit, mbi të cilët mbështetet mburoja e qytetërimit dhe po ashtu vazhdon t’i ndajë të njëjtit edhe në kohën tonë. Përgjegjësia për këtë ndarje tragjike bëhet edhe jona, nëse hezitojmë të shprehim kritikën tonë për njerëzit që na udhëheqin keq, pohon autori.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, ajo që dimë për ju është studimi i hollësishëm që ua bëni veprave, duke u ndalur në pika mjaft tërheqëse e që njëherë kërkojnë edhe përgatitje paraprake. Po tju pyesim se çlibra në duar keni këtë kohë, jemi të bindur se do të na përmendni jo vetëm ata që lidhen me letërsinë, por edhe libra të natyrave tjera. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do ti jepni si sugjerim?

Prof. dr. Emine SHABANI: Po të ndalemi në atë se me ç’libra më gjeti ky karantinim i vështirë për të gjithë dhe se në ç’strehë leximi isha futur mund të përmendi shumë tituj, përfshirë aty libra letërsie, psikologjie, filozofie, libra teologjikë etj, ngase nuk mund të them se më plotësojnë vetëm ato të fushës për të cilën jam e përcaktuar. Në të gjitha mundohem të gjejë një mes të artë, ta marr energjinë e jashtëzakonshme dhe ta shoh bashkëveprimin e tyre. Por, për lexuesin e sotëm do t’i jap vetëm të mëposhtmet, me bindjen se do t’ia bëjnë më të lehtë këtë kohë:

  1. “Orestia” (trilogji)- Eskili dhe “Ifigjenia në Aulidë” – Euripidi – Pjesa e parë e trilogjisë, Agamemnoni nis me përshkrimin e rojtarit që fle mbi çati për të parë shenjën e fitores, zjarrin që duhej të dilte nga Mali i Idës nga Troja. Spontanisht rrëfimi kalon te nisja e anijeve akeje për në luftë, për ta kthyer Helenën e bukur, por deti nuk ka valë. Sipas Kalkas, priftit orakull, Artemisa kërkon sakrificë dhe kurban duhet të jetë vajza e Agamemnonit, Ifigjenia. Ky çast është mjaft interesant. Flijimi ishte kod zakonor popullor edhe pse bëhej për perënditë dhe në këtë rast duhej të flijohej Oresti, por Agamemnoni e flijon vajzën, sepse pasardhësit e fronit duhej të ishin djemtë. Ky akt e zemëron Klitemnestrën dhe të tri pjesët e trilogjisë funksionojnë mbi parimin shkak-pasojë. Skena kur Agamemnoni vendos të flijojë Ifigjeninë është ndër më tronditëset. Kjo na kujton flijimin e gruas në Kalanë e Rozafës. Sipas Eskilit, Ifigjenia flijohet, ndërsa sipas Euripidit, në çastin kur Artemisa u bind në besnikërinë e Agamemnonit, e ngriti Ifigjeninë dhe flijoi një sorkadhe. Secila pjesë të ngërthen brenda vetes duke të detyruar ta pranosh siç është.
  2. Bibla, Talmudi, Kurani (libra teologjikë) – Natyrisht librat e shenjtë kanë në vete parabola, metafora e alegori që duhet kuptuar tërthorazi/në mënyrë ambivalente, andaj përzgjodha edhe këto për sugjerim. Kjo mënyrë zhvillon mendimin abstrakt te njeriu dhe vlera e tyre për mendimin tim është e jashtëzakonshme. Besimi në Krijuesin e gjithësisë dhe urtësia e mençuria e tij gjendet kudo, në natyrë, në krijesat e gjalla dhe ata jo të gjalla, si dhe te trupi e sidomos truri i njeriut që çdo ditë na befason me mistere të ndryshme !
  3. Vepra distopike nga George Orwell dhe Aldous Huxley – Analiza krahasuese e veprave rrjedh nga ngjashmëritë dhe dallimet midis tyre me një përqendrim në studimin e filozofisë së rregullit të masave. Në romanet e Orwell-it, analiza përqendrohet në sadizmin e njerëzve që sundojnë me masën, duke përdorur metoda psikologjike që shkaktojnë frikë dhe makth, ndërsa te Huxley strukturat qeverisëse manipulojnë me masat, duke u dhënë atyre droga sintetike e ilaçe të ndryshme që i bëjnë të disponuar e të lumtur. Në vepra mbizotëron ideologjia totalitare, e cila, nëse e shohim hulumtimin e Frojdit, prapaskena e tyre psiko-analitike është një gjendje psikopatologjike, pasojë e fëmijërisë së hershme të pushtetarëve, e individualitetit të parealizuar dhe formimit jo të shëndetshëm në fazën e pjekurisë emocionale (0-6 vjeç), e cila lë pasoja të rënda për njerëzit, nëse nuk trajtohen.

VAZHDON….

Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (4)

$
0
0

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, dimë se jeni një ndër poetët e tillë, poezitë e të cilit janë përzgjedhur të përfshihen edhe në antologji evropiane e të përkthehen edhe në gjuhë tjera. Vëllimet tuaja me poezi shprehin një poet me shpirt rebel, të mbushur me dashuri e të ushqyer me vepra letrare. Nga këto të fundit cilat i keni në dorë këtë kohë karantine dhe i sugjeroni të bëhen shoqërues edhe për lexuesit tjerë?

Prof. dr. Salajdin SALIHU: Gjatë kësaj kohe vetëveçimi kam lexuar disa libra eseistikë dhe historikë. Kjo kohë, përpos mbylljes, ka sjellë mjaft hapësirë për t’u marrë me shkrime e me studime varësisht nga natyra e tyre. Veprat të cilat më shoqërojnë në këtë kohë janë:

  1. “Murtaja – Albert Camus – I jam rikthyer kësaj vepre, ngase është gjeniale. Ajo flet për epideminë, karantinën, frikën nga vdekja, solidaritetin njerëzor, por edhe për përfitimet meskine në kohë të vështira. Është kjo një vepër, në të cilën ndonëse gjithçka është e sajuar, duket sikur gjithçka është më reale se realiteti. Ja, kjo është letërsia e mirë, universale, e përjetshme!!!
  2. Poezi” – Adam Zagajewski – Kam lexuar me nge një përzgjedhje poetike të Adam Zagajevskit. Më pëlqen ky evropian i mirë, që dëshiron të jetë aty ku është miqësia dhe solidariteti njerëzor. Është ky intelektuali që nuk dëshiron një Evropë të përgjumur mbuluar me batanije kufijsh dhe me urrejtjet e moçme. Krijon poezi në dukje shumë të thjeshta, por tepër të thella. Si puna e aisbergut.

3.“Historia e arbëreshëve të Zarës”- Mijo Çurkoviqi – Sapo përfundova së lexuari këtë libërth të botuar në vitin 1922.  Autor është Çurkoviqi nga Arbanasi i Zarës. Këtë vepër autori ua kushtonte vendësve të tij. Aty flet për historinë e vendësve dhe përmend shumë personalitete me origjinë arbëreshe. Don M. Çurkoviq ishte kompozitor. Kishte studiuar për teologji dhe muzikë. Si intelektual punoi për ngritjen e vetëdijes kombëtare të arbëreshëve të Zarës. Vepra ka gjëra mjaft interesante, të cilat besoj se do i hyjnë në punë edhe lexuesit.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, po të ndalemi në studimet tuaja shohim se vështrimin kryesor e keni te figura e gruas në veprat e Spasses, Migjenit dhe Floberit. Kjo përzgjedhje juaja sjell diçka të pathënë më parë për këtë figurë. Pse pikërisht kjo dhe a ju ka gjetur edhe koha e karantinimit me vepra që në qendër kanë gruan e të tillat i sugjeroni edhe për lexuesin e sotëm?

Prof. dr. Zejnepe ALILI-REXHEPI: Të them të drejtën përzgjedhja e temave me figurën e gruas në qendër, gjithmonë ka qenë në interes timin, duke e njohur psikologjinë dhe shpirtin e saj, por edhe duke dashur ta nxjerrë atë para figurës së mashkullit, që trajtohej më shumë se ajo. Por temat e tilla në studimet e mia kanë ardhur edhe si nxitje nga mentorët e mi, profesor A. Vinca dhe profesor A. Mustafa. Veprat që i kam tani në duar ua sugjeroj edhe lexuesve të tjerë:

  1. “Kohë e pamjaftueshme” (kujtime)Helena Kadare – Një vepër memoar, e mbështetur në kujtesën e një “gruaje”. Vepër e pasur me fragmente jetësore situatash të (pa)zakonshme, për ngjarje krejtësisht të zakonshme. Shënimet e një shkrimtareje (H. Kadare), të ruajtura nga një kohë e pakohë, kur vetvetiu jeta shndërrohej në refleks, duke e humbur vërtetësinë e duhur. Kujtimet shpalosin mendime, përjetime, shprehje…, gjithmonë me të bukurën e sinqeritetit dhe modestisë, që narratoren (autoren) e lartëson për shkathtësinë rrëfimore, teksa vepra del më shumë se përjetim, në fakt, një kryevepër.
  2. “Portreti i gruas”Henry JamesSubjekt që në qendërzim të rrëfimit ka “përballjen me fatin”, nëpër vijimin e jetës së kryeprotagonistes, ku nganjëherë bëhen zgjedhjet e gabuara. Shpesh, shoqëritë njerëzore e pasqyrojnë dramën e tyre, madje sa e sa herë mbi histori individuale, ku lindin personazhe “të fuqishëm”, që guxojnë më shumë seç u lejohet. Njësoj si në këtë roman, lexuesi ka njohur edhe protagonistet, si: Ema Bovari (“Zonja Bovari”), Ana Karenina, Tereza Deskoire etj… E më pas, një sërë temash mbi fatalitete të tilla, ngrenë parabola e studime shembullore për fatet njerëzore.
  3. “Emri i trëndafilit”Umberto EcoNjë kryevepër botërore, që të tërheq brenda një leximi të dyfishtë, si një double coding, me sensin e përzgjedhjes së lexuesit me njohje ndërtekstuale, pra atij me përvojë leximore mbi një shumësi kuptimesh. Midis këtyre, gjithmonë të mbërthen dilema, nëse mund t’i quash bestseller cilësorë apo vepra shkencore-letrare. Shija ime leximore mbetet midis të dyjave!

VAZHDON….

Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (5)

$
0
0

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, ju pjesën më të madhe të kohës e kaloni në lexime dhe studime të hollësishme në fushë të gjuhësisë. Por, jemi të bindur se ndoshta vidhni” pak nga ajo kohë për të lexuar edhe ndonjë vepër artistike, përkrah atyre shkencoreve. Cilat vepra do ti sugjeroni ju për lexuesin e sotëm, përfshirë edhe ato që së fundmi i keni në duar?

Prof. dr. Berton SULEJMANI: Po! Është e vërtetë kjo. Meqë po merrem më tepër me këtë fushë, koha ime më e madhe kalon duke lexuar libra të kësaj natyre. Për lexuesin po i jap si sugjerim dy vepra shkencore, si dhe një vepër artistike, e cila lë mbresa të mëdha për mënyrën e rrëfimit të hollësishëm.

  1. “Kronikë në gur” – Ismail Kadare – Në roman shkrimtari ynë duke qenë vetë tregimtar, përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës, tetë vitet e para të jetës së tij. Përshkrimi i rrugëve, pjerrësia marramendëse e tyre, prania e gurit, banesat e çuditshme, të mëdha e të fortifikuara, kështjella-burg etj., veç Kadare di që t’i stërhollojë aq bukur. Tjetër që më ka nxitur të zgjedh këtë roman, është edhe gjuha në veprat e Kadaresë. Ky roman më bëri që t’i thelloj disa studime që i kisha filluar më herët rreth funksionit sintaksor të lidhëzës ndërsa, e cila kryen dy funksione sintaksore në fjali. Funksioni përqasor i saj ka përdorim më të dendur në arealin gegë, ndërsa ai kohor, në atë toskë. Ky gjeni i letrave shqipe, e përdorë në të dy funksionet (që nuk ndodh te secili shkrimtar yni). Pra, gjuha e veprës së tij është gjithëpërfshirëse. Madje, gjuha e veprës së Kadaresë në të ardhmen mund të jetë, pse jo, bazë e ndryshimeve/plotësimeve që do t’i ndodhin gjuhës standarde shqipe, siç i kanë ndodhur, po i ndodhin e do t’i ndodhin secilës gjuhë, përkatësisht, secilit komb të qytetëruar. Këtë ide, për herë të parë, e kam bërë publike në konferencën shkencore “Shqipja e sotme dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera” që e organizoi Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren.
  2. Duke e pasur vokacion timin, sintaksën e gjuhës shqipe, zgjodha veprën shkencore të Mehmet Çelikut “Sintaksë e gjuhës shqipe (përbërësit sintaksorë)”. Është libër me vështrim të ri teorik të ndërtimit sintaksor të gjuhës shqipe. Njëherazi, është edhe vepër urëkaluese nga sintaksa tradicionale tek ajo e përbërësve sintaksorë. E veçanta e këtij libri shkencor, është edhe kujdesi i profesorit Çeliku për t’i ruajtur e kultivuar termat shqipe në vend të termave të huaj, siç ndodh me zëvendësimin e sintagmës me përbërës etj.
  3. “Gjuha shqipe dhe historia e saj” Shaban Demiraj – Kjo vepër është një sintezë e studimeve për gjuhën shqipe. Duke filluar nga prejardhja e shqipes, karakteri indoevropian i saj, hipotezat e prejardhjes ilire të shqipes, huazimet e ilirishtes nga greqishtja e vjetër e latinishtja, shqipja dhe gjuhët e Ballkanit, bashkëpërkimet me rumanishten, emërimet e shqipes ndër shekuj etj. Pra, me këtë vepër, ju studentët e mi, por edhe të tjerët që duan të mësojnë për historinë e gjuhës shqipe, e keni shumë të lehtë. Krahas një studimi serioz që ka bë në këtë vepër, akademik Demiraj dëshmon se di të bëj libër, të sistemoj gjërat në mënyrë të kapshme për gjithsecilin.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, edhe ju i përkisni fushës së gjuhësisë. Përkushtimin më të madh për lexime e keni në veprat që i përkasin kësaj fushe. Por, si çdo profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe edhe ju gjeni kohë për të lexuar vepra artistike, përkrah punës që bëni. Për lexuesin e sotëm cilat vepra do ti sugjeroni, mbështetur edhe në leximet tuaja gjatë kohës së karantinimit?

Prof. dr. Zarije NUREDINI: Po, merrem me çështjet e gjuhës, kryesisht me Morfologjinë e gjuhës shqipe. Lënda konsiston në formimin e dijeve sa më të thella nga gramatika. Tani i jetojmë ditët në vrullin e pandemisë, të detyruar të lëvizim me kufizime vetëm për nevoja parësore. Vetëizolimi na dha të kuptojmë miqtë e vërtetë, që jam mirënjohëse për dashurinë dhe kujdesin e tyre pa pritur asgjë në kthim. Nga ditët në vetëizolim marr kohë për lexim, andaj, përveç materialit shkencor që shfrytëzoj për përgatitjen e ligjëratave për mësimin online me studentët e mi të cilët janë të mbyllur si unë, kohën tjetër e shfrytëzoj maksimalisht për lexim (p.s. edhe në letërsi çdo gjë është gjuhë), filma etj., dhe nuk mund të ankohemi se nuk kalon koha. Po corona nuk do të zgjasë përgjithmonë dhe jeta do të kthehet aty ku e kemi lënë. Mbase më kërkuat përshtypjet e mia për librat e lexuar gjatë kësaj kohe, do të veçoja:

  1. Simfonia pastorale” – Andre Gide Është një nga ato vepra që krijojnë paqe të çuditshme në shpirtin e atij që e lexon. Përkimi i titullit me njërën nga simfonitë e Betovenit, ka të ngjarë që nxit brenda lexuesit atë qetësinë e veçantë që mund të japë vetëm muzika. Romani më tepër se një histori dashurie që zhvillohet padiktueshëm nga miqësia e afërt, është roman mbi mirësinë, bujarinë dhe shndërrimin e njeriut në një strehë të madhe për tjetrin. Simfonia pastorale është nga ata libra që të zgjojnë dhe të lënë për një kohë të gjatë shijen se ke lexuar diçka të bukur.
  2. Novelat e Çehovit – Janë krijime të shkurtra, të cilat më bëjnë t’u kthehem gjithmonë. Është sharmi i rrëfimit dhe mprehtësia me të cilën autori e sheh dhe e përshkruan botën, ajo që e ka tërhequr lexuesin e kohës së Çehovit e që e tërheq edhe lexuesin bashkëkohor. Me sigurinë e atij që e di se tjetri s’ka për t’u zhgënjyer, ju ftoj ta lexoni në tërësi veprën e këtij gjeniu të letrave që e tregoi jetën ashtu siç është, me të gjitha hollësitë, çudirat dhe rëndomtësitë e saj.
  3. Shpirt pezull” – Margaret MazzantiniVepra ka elegancën dhe sensualitetin e romanit italian. E shkruar nga një autore femër, vepra arrin të shpalosë para lexuesit një botë të kompletuar gruaje, edhe kur ajo vuan, edhe kur dashuron, edhe kur thjesht i jepet jetës. Historia e dashurisë dhe pasionit të Italias me personin që e rrëfen ngjarjen është linja kryesore e romanit, përmes së cilës degëzohen një sërë konfliktesh romaneske dhe hapen rrugë për reflektime të ndryshme gjatë leximit. Vepra lexohet si një lutje e gjatë mashkullore për tri gratë e rëndësishme të jetës së tij, si një lutje e gjatë që dhemb.

VAZHDON….

Panairi i Librit planifikohet të shtyhet për vjeshtë, botuesit në krizë

$
0
0

Pandemia ia ka dhënë goditjen e parë industrisë së botimeve kur më 14 mars, bashkë me institucione e biznese, janë mbyllur të gjitha libraritë. Ato vazhdojnë të jenë të mbyllura deri në një vendim tjetër të Ministrisë së Shëndetësisë. Por ky nuk është halli i vetëm i shtëpive botuese në këtë kohë. Shoqata e Botuesve të Kosovës është duke e shqyrtuar mundësinë që të shtyhet edhe edicioni i sivjetmë i Panairit të Librit në Prishtinë. Prej vitit 2011 kjo ngjarje mbahet në fillim të qershorit. Nëntë edicione u mbajtën në fund të majit. Historia e Panairit nisi më 1999, me edicionin e parë që u mbajt në nëntor. Sivjet për organizatorët del të jetë e pamundshme që në kohë pandemie të organizohet një ngjarje që mbledh mijëra qytetarë në një vend.

Shtyrja e edicionit të 22-të të Panairit shihet si goditja e radhës për shtëpitë botuese. Disa prej tyre edhe kanë bërë thirrje që shteti t’iu dalë në ndihmë. Botuesit edhe në rrethana normale vazhdimisht kanë thënë se kanë vështirësi financiare në veprimtarinë e tyre, shkruan sot Koha Ditore.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se në rrafshin teknik Panairi, sipas të gjitha gjasave do të shtyhet, sepse nuk mund të organizohen ngjarjet që kanë frekuentim të dhjetëra mijëra njerëzve.

“Megjithatë, po presim deri në fillim të majit për të parë masat që do të ndërmerren nga institucionet që në njëfarë forme na e qartëson edhe gjendjen. Hapi i parë që do ta ndërmarrim është ta shtyjmë për një kohë, me shpresën që do të piqen kushtet për një ngjarje të tillë gjatë muajve shtator ose tetor”, ka thënë Zeneli. Sipas tij, Panairi ka shërbyer si një infuzion i madh i botuesve dhe s’do mend që kjo situatë e re do të ndikojë negativisht në prurjen e botimeve.

“Do të kemi më pak botime dhe do ta vërejmë menjëherë. E njëjta gjë është duke ndodhur gjithandej nëpër botë. Planet për botime kanë filluar të shtyhen gjithkund. Libri dhe industria e librit preken menjëherë, sepse tashmë nuk i kemi as libraritë duke funksionuar”, ka thënë Zeneli. Ka shpjeguar se efekti shkon përtej botuesve. Ka thënë se do të ketë më pak punë për përkthyesit, redaktorët, lektorët e shtypshkronjat.


Letërsia në zi, humbi betejën me COVID-19 përkthyesi dhe autori i njohur shqiptar

$
0
0

Ndahet nga jeta përkthyesi dhe publicisti i njohur Ilir Hashrova. Ai humbi betejën me COVID-19 thanë famlijarët.

“Mbreme ne New York, ndahet nga jeta ILIR ALI HASHORVA, prej semundjes Covid-19, nje Intelektual antikonformist, patriot, shkrimtar, nje person fisnik qe gezonte respektin ne gjithe rrethin shoqeror e me gjere. Duke lene pas te shoqen, Linden dhe dy femijet Dritanin dhe Enin,si edhe motren e tij Dr. Hysnije Shtylla”, shkruan në profilin e tij në FB, kunati i të ndjerit, Mehmet Shtylla.

Familja Hashorva kishte emigruar në New York të SHBA-ve në fillim të viteve 2000.

Iliri rridhte nga një familje Gjirokastrite – intelektuale dhe patriote. Xhaxhai i Ilirit, Veliu, do të mbahet mend si një nga pasrilindasit e fillimit të shek. XX në qytetin e Gjirokastrës. Në vitet 1920-24 Veliu botoi në Gjirokastër gazetën “Drita”, e cila njihet si një nga gazetat e para të shtypit të shkruar shqiptar.

Në vitin 1920 Veliu mori pjesë në Luftën e Vlorës. Deri sa u largua për në Turqi, ai ishte një figurë e rëndësishme në ngjarjet historike dhe politike të viteve ’20 në vend.

Babai i Ilirit, Aliu ka qenë një figurë e spikatur e arsimit shqiptar nga vitet 30 deri në ato 50 të shekullit të kaluar. Ai ka drejtuar Normalen e Elbasanit dhe Tekniken e Tiranës, dhe pas 1944-ës ishte profesor në Gjimnazin e Tiranës, ku u akuzua për formimin e “grupit social-demokrat”. Profesor Aliu e mbylli jetën duke punuar si punëtor krahu, transmeton OraNews.

Iliri ka lindur më 1 Tetor 1941 në Tiranë. Pas përfundimit të Fakultetit të Inxhinierisë ai punoi në Pashaliman, në Tropojë dhe më pas në Institutin e Hidrometeorologjisë në Tiranë si Shef i Laboratorit të këtij instituti.

Vitet e fundit ai është marrë me publicistikë, ka botuar artikuj dhe përkthime në mediat e Tiranës

Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (6)

$
0
0

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të qenit profesor letërsie do të thotë të jesh e rrethuar me libra, jo vetëm me ato që lidhen me punën tuaj, por edhe me ato që ju plotësojnë shpirtërisht. Ju përpos angazhimit në universitet ndani kohë edhe për lexime. Cilat libra i keni në dorë në kohën e karantinimit e që i sugjeroni edhe për të tjerët?

Doc. dr. Esmije VESELI: Faleminderit Adelinë! Mësimdhënësi gjatë gjithë kohës është duke lexuar e studiuar, ngase kjo është detyra dhe misioni i tij. Në këtë kohë pandemia ka mbërthyer të gjithë botën dhe ne si pjesë e saj, po mundohemi ta tejkalojmë kohën në mënyrë sa më të organizuar dhe cilësore. Distanca me ju (studentët) le të jetë një zgjidhje e çastit dhe shpresojmë të rikthehemi sa më shpejtë dhe të vazhdojmë aty ku e lamë. Atëherë, librat të cilat i kam lexuar pikërisht brenda këtij izolimi të detyruar janë:

  1. ,,Juda’’ – Amos Oz- Një ndër shkrimtarët më të lexuar dhe më të njohur në Izrael, dhe jo vetëm. Figurë shumë dimensionale dhe një romansier i shkëlqyer. Judaështë një vepër me shumë shtresime, provokuese, me historinë e dashurisë, dhe nga ana tjetër trajton teorinë mbi Krishterimin (Kush është Juda i vërtetë?). Përmes një historie personale, familjare dhe qytetëse, ai na çon sërish aty ku dhembja e gërryente vazhdimisht, Izraeli dhe fati i tij, ku dashuria dhe urrejtja ishte e ngjashme edhe për banorin e së njëjtës shtëpi, palestinezin. Ja vlen të lexohet!
  2. 2. ,,Refleksione etnokulturore – Izaim Murtezani – Pasqyron çështje të ndryshme që ndërlidhen me një pjesë të trashëgimisë sonë shpirtërore dhe materiale. Njëkohësisht, në sfondin e saj përmbajtësor mund të vërehen edhe vlerat tjera që kanë të bëjnë me mënyrën e jetesës, mënyrën e realitetit objektiv nga paraardhësit tanë mitik dhe tentohet nga ana e autorit të dekodohet përmbajtja e disa ritualeve, praktikave magjike, e narracioneve popullore në kontekst të kohës së ekzistimit të tyre. Një libër që duhet të lexohet!
  3. Libri i tretë i përzgjedhur është i një natyre krejtësisht tjetër nga ai i ashtuquajtur letrar. Bëhet fjalë për librin ,,Diplomacia” – Henry Kissinger – libër që na paraqet një reflektim mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të së shkuarës dhe të tashmes. Kemi të pasqyruara pozitat e shumë shteteve, me fokus SHBA-të, shtetet Evropiane si dhe shtetet tjera të botës. Fillon me një pasqyrim të ngritjes së SHBA-ve, duke filluar nga presidentët si: T. Ruzvelt dhe U. Uillson, i ndjekur nga koncepti i shteteve Evropiane, duke përfshirë marrëdhëniet e tyre në situata të ndryshme gjeopolitike. Paraqiten ndërhyrjet e Amerikës, shkaqet dhe pasojat, si dhe pozicionimi i saj kundrejt fuqive tjera botërore. Përshkruhen ngjarjet më të rëndësishme rreth formulimit të rendit botëror si dhe përmban një kronologji të madhe të dhënash shumë të rëndësishme historiografike. Ja vlen të rreshtohet në mesin e librave të lexuar!

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, të kesh një shpirti artisti dhe atë ta shprehësh nëpërmjet poezisë, do të thotë të jetosh brenda një bote, në të cilën vallëzojnë fjalët më të bukura. Ju si një e tillë, cilat vepra do tia sugjeroni lexuesit duke marrë edhe ato që tani i (ri)lexoni ?

Ass. mr. Vjollcë BERISHA: Poezia i flet drejtpërdrejtë zemrës së njeriut. Nuk është e lehtë të flasësh për të. Të duhet mjaft kohë, e sërish nuk mund ta shpjegosh. Koha e karantinimit më ka bërë mirë, kam lexuar edhe vepra voluminoze, të cilat sigurisht duan më tepër kohë e disa të tjerave edhe u jam rikthyer. Për lexuesin fisnik do t’i sugjeroja të mëposhtmet:

  1. “Princi i vogëlAntoine de Sanit-Exupery – Mendoj se bën pjesë tek ata libra që e mbajnë pezull kërshërinë e lexuesit dhe i japin hov të jashtëzakonshëm imagjinatës së tij, duke vënë mënjanë edhe një grumbull mendimesh mbi filozofinë e jetës dhe gjërave të shtrenjta të saj. Ky libër është diçka që shkon e vjen sa te bota e të vegjëlve, e sa tek ajo e të rriturve. Kështu thonë pothuajse të gjithë dhe kështu do ta ndjejë edhe ai që do ta marrë në duar. Do t’ia qëllonim më shumë nëse do të thoshim se ky nuk është një libër për fëmijë, por libër për fëmijën brenda nesh. Atë fëmijën e parritur kurrë. Përmes rreshtave të tij e masim mirë se sa është ruajtur e sa bjerrur ai fëmijë në ne dhe ndjejmë keqardhje për të. Princi i vogël është ai djaloshi nga asteroidi B612 që thotë gjëra të mëdha në një mënyrë të thjeshtë, siç i shprehin zakonisht vocërrakët idetë e tyre mbi botën. Ai, përbri kësaj thjeshtësie sjell konkluzione të urta të rriturish, siç është bie fjala mendimi: “Është fare e thjeshtë: vetëm zemra sheh mirë. Thelbi për sytë është i padukshëm”. Vështrimi që ia bën ai miqësisë, dashurisë dhe humanizmit, si dhe toni i butë e me përkëdheli i rrëfimit, e fut në një botë magjike, gjysmë përrallore cilindo që rreket t’i qaset në derë, duke ia dalë kështu të bëhet përralla e parë ndërplanetare dhe futuriste e fondit të letrave. Shkrimi i kësaj vepre ka qenë për autorin një lloj sfide e politikës që kishte prodhuar luftën dhe një përpjekje për ta kapërcyer dimensionin banal të saj, duke e idealizuar njerëzimin si kategori jopolitike dhe vlerat e përhershme humaniste të tij, pse jo edhe fëmijërore?!
  2. “Frymë të vdekura” – Nikolai Gogol – “Një libër ku komiken nga kozmikja e ndan vetëm një shkronjë” – Secili që e merr në dorë përfshihet në atë rrëfim që rrjedh, në atë humor lehtësisht thumbues, i cili është brisku që e hap për një ekspertizë tërësore trupin e shoqërisë ruse të shekullit XIX, por që njëkohësisht shpërfaq edhe atavizmat e shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë i vezullojnë vlerat kësaj vepre ko(z)mike, që në shqip ka ardhur përmes mjeshtërisë gjuhësore të Dhimitër Paskos. Çiçikovi është heroi kryesor i kësaj vepre, i cili është një ish-nëpunës dogane, që dëshiron të rihyjë në shoqëri duke blerë frymë të vdekura nga çifligarët. Kërkimi i këtyre bujkrobërve të vdekur, procesi i blerjes, thashethemet që u përhapën në sallonet e mbrëmjeve për pozitën e lartë shoqërore të Çiçikovit, situatat e ndryshme që Gogoli i jep me plot humor e që ne na duken gjithnjë e më të afërta, gjithnjë e më të njohura, e bëjnë këtë vepër të rrijë në bibliotekë krah për krah me veprat e mëdha, si: “Don Kishoti”, “Ushtari i mirë Shvejk”, “Goja e kalit” etj. “O sa e trishtë është Rusia jonë” ka thënë Pushkini pasi e ka lexuar në dorëshkrim këtë vepër. Duket paradoksale të zërë vend trishtimi në këtë tekst që të bën kaq herë për të qeshur. Por mu këtu qëndron magjia e kësaj vepre, ku midis vezullimit të humorit, feks vetëtima e trishtimit nga e vërteta e parë në dritë të diellit. Thashethëna në rrethet e shtresës së lartë të shoqërisë se Çiçikovi na qenkësh milioner, e ngjyrosi personazhin e tij, e bëri më të pashëm, më trim, më të ditur e më joshës në sy të të gjithëve. Jo pesha e qeses, por edhe vetëm fjala u krijon ndezulli njerëzve që, ndonëse e dinë se s’kanë për të përfituar gjë nga këta miliona, i qepen pas dhe duan ta kenë vëmendjen e tij. A s’na duket e njohur kjo?!
  3. “Gjenerali në labirintin e tij” – Gabriel Garcia Marquez – Roman mbi (p)lojën e pushtetit dhe kohës – Është kjo historia tragjike, e ditëve të fundit të gjeneralit Simon Bolivar, i cili pati luftuar 15 vjet për çlirimin e Venezuelës, Kolumbisë, Bolivisë e Perusë nga dominimi spanjoll e më pastaj kishte udhëhequr me republikën e kombeve edhe për 15 të tjera. Autori përqendrohet në ditët e fundit të jetës së Bolivarit, në raportet e tij me pushtetin, me miqtë, dashakeqët, të kaluarën dhe historinë. I plakur para kohe, me pushtetin e lënë, me peshën e rëndë të ditëve të shuara në supe, ai udhëton plot melankoli përgjatë lumit Magdalena, duke vizituar sërish qytetet, duke ripërjetuar triumfet, pasionet, tradhtitë në jetën e tij. Përmes figurës së Gjeneralit, Markezi jep lidhjen e përjetshme që ka njeriu me pushtetin e dikurshëm, pengjet e pendimet që e kaplojnë atë sa herë vendos t’i jap fund, ndjenja këto që e kishin bërë edhe Gjeneralin të rikthehej disa herë, ndonëse kishte premtuar se po ikte. Ky sindrom pushteti e bënte të tundohej prapë për kthim, por sëmundja dhe vdekja qenë më të forta. Shqipja në të cilën flet Markezi përmes mjeshtërisë gjuhësore të B. Shehut është një vlerë e shtuar në kënaqësinë e leximit të këtij libri.

VAZHDON….

Me ç’libra në duar i gjetëm profesorët e UT-së në kohën e karantinimit? (7)

$
0
0

(Intervista e mëposhtme, për Portalb, u realizua nga Adelina XHAFERI, absolvente në Universitetin e Tetovës, në programin studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe me profesorët e këtij programi)

Adelina Xhaferi

Adelina XHAFERI: Profesor i nderuar, të jetosh brenda një bote të madhe artistike, nuk do të thotë vetëm të lexosh nga të tjerët, por të përfshihesh aty edhe vet, me krijime që vijnë si frymëzim nga autorë të ndryshëm. Ju i përkisni një brezi shkrimtarësh, fryma e të cilëve depërton thellë në shpirtin e lexuesit. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do ti sugjeroni duke përfshirë edhe ato të cilat në këtë kohë i keni nëpër duar?

Doc. dr. Arlind FARIZI: Sa herë që më duhet të shkruaj diçka, gjithmonë u referohem veprave të njëjta. Ndonëse di çdo fjalë që thonë personazhet brenda tyre, sa herë që i rilexoj, mësoj diçka të re për to ose thjesht i quaj personazhe të pa takuar më parë. Kjo më ndodh kryesisht me veprat e mëposhtme, me të cilat më gjeti ky karantinim e si të tilla i sugjeroj edhe për lexuesin e kohës:

1.“Aksidenti” – Ismail Kadare – Ngjarja dukej më se e rëndomtë – Kështu fillon ky roman mbresëlënës dhe avangard në vete. Një fillim romani ndryshe nga ç’jemi mësuar të lexojmë nga Kadare në veprat tjera, në të cilat kryesisht mbizotëron shiu, vuajtja, dimri dhe zymtësia. Sa më shumë që kërkojmë të zbardhet e vërteta e aksidentit aq më shumë mahnitemi nga përshkrimi i ngjarjeve të romanit, të cilat përveç se të befasojnë, të bëjnë që t’u rendësh pas deri në fund. Vetë natyra e romanit të paraqet një marrëdhënie dashurore të një çifti që përfundon në një humnerë pas gabimit të një shoferi taksie. Personazhet (Rovena dhe Besfort Y.) janë kompleksë, enigmatikë edhe për veten, e të tillë që nuk njohin as ndjenjat për dashurinë postmoderne. Romani ngërthen brenda vetes edhe figura mitike (Ofreu dhe Euridika). Është mahnitës!

  1. “Identiteti” – Milan Kundera – Gjuha që përdor Kundera në veprat e tij është tërësisht filozofike. Po të marrim ta shohim korpusin kunderain, këtë vepër nuk mund ta lëmë anash tij. Gërshetimi i reales me jorealen e bëjnë romanin të mbetet në mendjen tonë edhe pas një kohe të gjatë, ngase ngërthen dilema që na lindin çdo ditë: Kush jemi realisht? Sa e duam tjetrin/tjetrën? Sa e njohim identitetin e të dashurit/ës sonë? A do ta duam atë nëse përjeton ndryshime? Sa kohë na duhet ta njohim fytyrën e vërtetë? A ekziston një identitet personal në kohë komunizmi? Ku mbetet uni? Pra, të gjitha këto pyetje na lindin përderisa ndjekim fatin e një çifti parisian (Shantalin dhe Zhan-Markun), herë kur femra brengoset se burrat nuk do ta shohin më si dikur, e herë kur mashkulli atë e ngatërron me një të panjohur. A nuk pyesim për këto edhe ne?
  2. “Harku i Triumfit – Erich Maria Remarque – Gjithmonë ka romane që të rrëmbejnë në brendinë e tyre dhe të tilla që shkruhen nga shkrimtarë të mëdhenj. I tillë është edhe ky roman autobiografik, brendia e të cilit jep personazhet refugjatë (mjeku gjerman Ravik dhe artistja rumune Xhoana) pa shtet në Paris përpara Luftë së Dytë Botërore; pra jepet Parisi i fundviteve ‘30. Romani motiv tematik letrar ka fashizmin, ndërsa protagonistët gjithmonë i paraqet si të pashpresë, me pikëllim, por që, kur tjetri ka nevojë, janë të gatshëm t’i dalin në ndihmë vetëm që të tregojnë se humaniteti ekziston edhe në kohë lufte e terrori. Ashtu siç kanë lindur dashuritë më të mëdha të personazheve në kohëra krizash, luftërash e shkatërrimesh të ndryshme, edhe Remarku në këtë roman jep një dashuri të tillë e të fuqishme ndërmjet dy protagonistëve, një dashuri jashtë masave të zakonshme, me ngrohtësi e me qetësi të brendshme natyrore. Protagonistët që nuk mundën ta realizonin dashurinë e tyre e të triumfonin në fund, në roman jepen të përndjekur nga hijet e Gestapos. Një krijim i veçantë i letërsisë gjermane!

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, janë të shumta veprat që njeriu mund ti  sugjerojë për të tjerët mbështetur në një lexim paraprak të tyre ose në atë që është duke lexuar në këtë kohë të karantinimit. Po ju, duke pasur parasysh strukturën e një vepre apo frymën që personazhi sjell në të, cilat vepra i keni në dorë dhe si të tilla i sugjeroni edhe për lexuesin?

Ass. mr. Miranda ILAZI-ARIFI:  Një periudhë e tillë kohore, në të cilën mund t’i falësh vetes luksin e leximit, duhet të shfrytëzohet maksimalisht. Me anë të leximit mund të njohim shumë shoqëri, histori, përjetime e sfida nga më të ndryshmet dhe tërë kjo duke pasuruar fjalorin dhe horizontin e njohjes të secilit që e shfrytëzon kohën për lexim. Për lexuesin i sugjeroj:

  1. “Kronikë në gur” – Ismail Kadare – Vepër e cila bën një pasqyrim të qartë mbi pamjen e një qyteti si Gjirokastra, saqë edhe ata që asnjëherë nuk e kanë vizituar këtë vend, me anë të rreshtave të prozës së Kadaresë iu jepet mundësia të ecin mbi çdo gur të rrugicave të saj. Vlefshmëria dhe mjeshtëria qëndron pikërisht në rrëfimtarin- një fëmijë. Është pikërisht pafajësia e tij që na tregon historinë pa lajka se si ka ndodhur e çfarë kanë hequr shqiptarët nga pushtuesit.
  2. “Medea” – Euripidi – Një kompleks karakteresh dhe tiparesh në të njëjtin personazh, një shfaqje e pasionit dhe mbizotërimi i këtij pasioni mbi gjithçka që ishte me vlerë në jetën e saj, të Medeas, do të shpërfaq edhe njerëzoren, të mëshirshmen. Mbi të gjitha, na sjell një dimension tjetër se si duhet të duket nëna në syrin e fëmijëve të vet, dhe anasjelltas. Po ashtu edhe sakrifica symbyllur e saj, vetëm e vetëm të arrinte synimin – fitoren mbi tradhtinë.
  3. “Procesi” – Franz Kafka – Një vepër moderne e shtresuar mbi zbulimin e sekreteve, mbi kërkimin e së vërtetës, në të cilën vet lexuesi prej fillimit deri në fund luan rolin e ndërgjegjësimit t’i përgjigjet një pse-je për të gjitha ndodhitë. Psikologjia dhe mbajtja gjallë e interesit të gjetjeve se si ndodh një gjyq pa gjyqtar e pa fajtor, zhvillon një inteligjencë mbi secilin që e lexon këtë vepër, vetëm e vetëm që të mbizotërojë e vërteta.

Adelina XHAFERI: Profesoreshë e nderuar, jeni në prag të marrjes së titullit magjistër i Letërsisë Shqipe dhe sigurisht që gjatë kohës së fundit, keni lexuar vepra që lidhen me temën tuaj. Po për lexuesin e sotëm cilat vepra do ti sugjeroni, përfshirë edhe ato me të cilat ju gjeti kjo kohë e karantinimit?

Ass. Kaltrina SADIKI: Megjithëse tema ime e magjistraturës lidhet me mitin, këtë periudhë kam lexuar më tepër vepra të kësaj natyre. Po për lexuesin e sotëm i përzgjodha titujt që më së shumti më kanë prekur dhe që mendoj se ia vlen të sugjerohen veçanërisht në këtë kohë:

  1. “Festa e Cjapit” – Mario Vargas Llosa – Një libër mbi egon e një diktatori, viktimat e një regjimi, armiqtë e jashtëm e të brendshëm të një kombi e kulture. Një libër mbi shthurrjen dhe psikologjinë e mendimit të diktatorëve, servilëve, ushtarëve, kundërshtarëve politikë, të pasurve, të varfërve, mediumeve, të shtypurve, atyre të cilëve iu është bërë padrejtësi dhe çdo kujt tjetër që frymon në kohë diktature. Magjepsës deri në shkronjën e fundit.
  2. “Kopshti i Edenit” Ernest Hemingway – Një libër që na zgjon njëmijë pikëpyetje rreth vetes dhe kufijve tanë. Kush është në të vërtetë njeriu? Sa janë të qëndrueshme bindjet e tij? Si reagon ai kur përballet me diçka krejt të pazakontë? Sa mund të toleronim ne po të viheshim në rolet e kryepersonazheve? Deri ku shkojnë kufijtë tanë?… Një libër mbi kureshtjen e pafund njerëzore!

3.“Mështeknaja e babait”- Lindita Ahmeti- Një lirikë mbresëlënëse. Mite që rikthejnë vëmendjen në ndjenjat më të vjetra, më të thella të njeriut, vetminë, dashurinë, nevojën për identitet. Një libër që lexohet me llupë – pa lënë asnjë fjalë të të ik. Poezi të bukura deri në dhembje.

VAZHDON….

“Becoming” i Michelle Obama bëhet dokumentar në Netflix

$
0
0

Netflix ka njoftuar se një dokumentar i ri për ish-zonjën e parë Michelle Obama që do të dalë në treg në 6 maj.

“Becoming” rrëfen jetën e ish-Zonjës së Parë në një kohë të ndryshimeve të thella, jo vetëm në një nivel personal, por edhe për vendin për të cilin ajo dhe burri i saj kanë bërë një shërbim me ndikim të madh për tetë vjet, brenda Shtëpisë së Bardhë, shkruan The Guardian, transmeton Klan Kosova

I drejtuar nga Nadia Hallgren, filmi do të lansohet në Netflix më 6 maj.

Hallgren ka folur për vështirësinë e xhirimit të dikujt të mbështetur nga Shërbimi Sekret dhe se ajo ishte e detyruar të filmonte në hapësira të ngushta, private që lejonin që ata të ndërtonin një marrëdhënie të ngushtë.

“Unë synoja të bëja një film në lidhje me përvojën e saj të tanishme – ku ajo është në këtë moment dhe mënyrën se si po reflekton në tërësinë e jetës së saj, jo vetëm vitet e saj në Shtëpinë e Bardhë,” tha ajo në një deklaratë.

Shkrimtari shqiptar, fitoi çmimin “Lermontov” në Itali

$
0
0

Është bërë e ditur se shkrimtari dhe përkthyesi nga shqipja në italisht, Julian Zhara, është vlerësuar me çmimin “Lermontov”, për aktivitetin e tij poetik në edicionin XVIII të Festivalit Kombëtar të Poezisë “Citta di Sant’ Anastasia”, shkruan albinfo.ch.

Duhet theksuar se çmimi “Lermontov” u jepet personaliteteve që në fushën poetike dallohen për ndjeshmëri të veçantë në përzierjen dhe sintezën e gjuhëve e kulturave të ndryshme, duke pararendur kritere artistike të reja, ende të pazbuluara. Poeti është zhvendosur në Itali në vitin 1999.

Poezia e Julian Zharës është kënga e vendeve që lëmë pas, e boshllëkut që mbush çdo tjetër vend që banojmë. “Shqipëria bëhet vendi që çdonjëri humb, Venezia qyteti që çdonjëri zgjedh duke humbur rrënjët, e vetmja mënyrë për të dialoguar me çdo kohë zë fill nga plaga e brendshme”.

Vlen të cekët se Julian Zhara është poet, performer, organizues eventesh kulturore, u lind në Durrës më 1986. Transferohet në Itali më 1999. Ai ka publikuar dy vëllime me poezi In apnea (Granviale, 2009), Vera deve morire (Botuar nga Interlinea për Lyra giovani 2018.

Po ashtu, më 2014 bashkëpunon në Generation Y, projekt i spoken music në MAXXI dhe organizon festivalin e poezisë orale dhe muzikës digjitale Andata e Ritorno.

Viewing all 617 articles
Browse latest View live