Quantcast
Channel: Libra/Poezi – Portalb
Viewing all 618 articles
Browse latest View live

Sensitiviteti femëror i ngritur në art

$
0
0

Elife Luzha: “Vdes me trëndafilin”, poezi. Shtëpia botuese “Faik Konica”. Prishtinë, 2007.

Thuhet se poezia pak preket nga koha, nga vitet e shkuara qyshkur shkruhet dhe publikohet ajo. Prandaj, poezia lexohet me ëndje pavarësisht epokës se kur është shkruar. Fuqia e saj qëndron te artikulimi artistikisht i motiveve me të cilat rreket. Pikërisht këtë përshtypje pata edhe kur lexova përmbledhjen poetike të Elife Luzhës “Vdes me trëndafilin” ndonëse e botuar në vitin 2007.

Sapo t’i hapësh kopertinat dhe të shfletosh faqet, sheh se freskia e saj është pranverore, një freskti eterne. Aroma poetike e vargjeve të poetes Luzha është një aromë që nuk shuhet, nuk zhduket dhe nuk zhbëhet, thua se kanë gjetur eliksirin e përjetësisë artistike.

Ajo që i karakterizon vargjet e poetes Luzha është brishtësia. Femrat janë të njohura, për nga natyra, si qenie sensitive, dhe kjo nuk është e rastit, po me sa duket është e koduar në gjene. Pikërisht kjo më erdhi ndër mend, sapo ia hodha një sy titullit të vëllimit poetik ”Vdes me trëndafilin”.

1.

Titulli i veprës është sugjestiv. Krahasimi bëhet me trëndafilin, e pikërisht këtu shfaqen disa enigma që refleksionin e fusin në labirintet e zbulimit të së panjohurës, të misterit poetik. Vetë titulli është intrigues dhe të ngjallë kureshtjen për t’i eksploruar vargjet e poetes Luzha.

E para, me kënd bëhet krahasimi? Kush vdes me trëndafilin? Intuita të bën të mendosh se është poetja, vetë autorja e vargjeve. Por kjo është një lajthitje e dizejnuar qëllimshëm. Semantika është e dyfishtë këtu. Gjithsesi, është autorja. Por ajo në këtë rast nuk është vetëm ajo. Ajo mund të jetë secila femër, secila grua, secila vajzë. Sigurisht, secila që në veten e vet ka një sensitivitet tipik femëror, një sensitivitet të sinqertë, e jo një sensitivitet të shtirur por natyral, tipik femëror të karakterizuar me emocion real, shpirtëror.

E dyta, me cka bëhet krahasimi? Cila është referenca që e shquan dhe e bën tepër të mprehtë krahasimin? Këtu fuqia intriguese e krahasimit bëhet edhe më e fuqishme. Ka me mijëra vargje, ku femra krahasohet me trëndafilin, duke u fokusuar te analogjia midis bukurisë së lules dhe të femrës, te aroma e trëndafilit dhe te rrezatimi i ngrohtësisë së një bukurosheje. Edhe kjo është lajthitëse. Dalja e labirintit, në frekuenca të tilla të reflektimit, nuk të nxjerr dot tek dalja, pra tek ajo që referon krahasimi.

Krahasimi nuk referon drejtpërdrejtë te bukuria e trëndafilit, ndonëse ajo është në mënyrë të tërthortë e pranishme, vetëmse e mbetur jashtë perimetrit klasik si metaforë. Poetja Luzha, duke e spostuar në plan të dytë bukurinë, i drejton rrezet e reflektorit te dicka më specifike, ashtu sikurse ajo e përjeton: një bukuri që ndonëse është magjepsëse është aq e ndjeshme sa që mund të shuhet fare lehtë.  Një bukuri eterne është kaq e lëndueshme dhe kaq e brishtë sa që me pak mungesë vëmendjeje ajo mund të dëmtohet pariparueshëm, dhe të metamorfozohet.

E treta, si një rrjedhojë e dy të parave dhe e ndërthurur me to, është vënia në plan të parë e sensitivitetit. Ndjeshmëria e trëndafilit të bukur, ndjenjat femëror si shpërfaqje e ndjeshmërisë fisnike. Këtë e pikasë poetja Luzha. Sensitiviteti femëror ka bukurinë e një trëndafili, dhe kërkon një qasje të moderuar e sjellje përplot dashuri. Sensitiviteti femëror është elegancë, është gjentilencë, është emancipuese. Kjo apelon për ndryshim sjelljesh, veprimesh dhe qasjesh në raport me emocionin femëror, si një vlerë kujdesi dhe dashamirëse, që e paqëson relacionin ndërnjerëzor.

E katërta, dhe më e trishtueshmja, është shpërfillja ndaj sensitivitetit femëror. Nëse emocioni i saj nuk ndjehet, nuk kuptohet, nuk merr vëmendjen e nevojshme, cfarë ndodhë? Shpërthen? Bëhet agresive? Sulmon? Godet? Asnjëra nga këto. Sensitiviteti femëror nuk e lejon këtë. Krejt cfarë mund të bëjë ajo është të vetësakrifikohet, të vetëflijohet, të shuhet. Njëlloj si trëndafili. Këtu edhe qëndron analogjia e metaforës: një femër sensitive fishket si trëndafili po qe se emocioni i saj lëndohet, refuzohet, shpërfillet. Sepse ajo nuk mund ta durojë dot një ambient të vrazhdë, sjelljet arrogante, rigjiditetin. Ajo kërkon mirëkuptim, vëmendje, dashamirësi, sinqeritet, ngrohtësi, paqe dhe butësi.

Nga e tërë kjo nuk rrjedhë aspak ndonjë mesazh poetik depresionues dhe dorëzues. Përkundrazi. Poezia tërheq paralele të ndryshme midis poetes dhe trëndafilit, duke shprehur forcën e dashurisë. Duket se misioni i sensitivitetit femëror dhe i bukurisë së trëndafilit është që përmes dashurisë të ripërtëriten në infinit.

Shijojeni këtë poezi të fuqishme:

VDES ME TRËNDAFILIN

Ka diçka timen
S’di si t’i them
Edhe mua në pranverë
Zemra më dhemb.
Disi kah vjeshta
Zemra më rrah
Shumë ndryshe
Verdhësia jote
Më pikëlon
Vjen sërish
Pastaj
Pranvera
Na
Rizgjon.
Vazhdojmë
Dashurinë
Bashkërisht
Unë e trëndafili

2.

Sikurse mund të shihet edhe nga vargjet e poezisë së mësipërme, ajo që poetja Qibrije Demiri-Frangu ka shkruar për autoren është e qëlluar: ” Në këtë libër, autorja, dëshmon fuqishëm forcën e saj dhe pushtetin që ka mbi ndjenjat e veta, duke arritur suksesshëm që pikat më të rëndësishme të jetës së saj t’i disiplinoj mes vargjesh e figurash, pa rënë në patetikë, por duke u shprehur në mënyrë të emancipuar për gjithë botën e saj të tronditur dhe ndonjëherë të humbur shpirtërore.”.

Në asnjë poezi nuk ndodhë autores t’i ikën kontrolli mbi vargjet. Cdo varg i saj duket i mirëkonstruktuar, i ngarkuar me mesazh, me emocion dhe me metaforë të qëlluar, si për shembull, te poezia ”Shqipëria në ekran”, te poezia ”Dasmë në shtëpinë time”, ”Në kuvlinë e mendimit” të cilat janë realizime të shkëlqyeshëm.

Poetja nganjëherë është aq e kondensuar në leksik, sa, po të mos kesh parasysh ndjenjën e saj, mund ta lexosh pa e kuptuar thellësinë e shprehjes së saj.

Sensitiviteti femëror shprehet në butësinë e vargjeve, ndonëse ato nuk janë të ”qullta”. Ekspresiviteti është i butë, por përmbajtja dhe referenca janë të qarta. Poetja shpreh me skatësi atë që dëshiron, gjithnjë me brum poetik. Ndonjëherë di të të nxitë të mendosh, se cfarë ka dashur të thotë, kur shpreh një gjendje shumë tipike në raportet midis dy të dashuruarve, sikurse te poezia ”Unë dhe ti”. Sigurisht, ndonëse vargjet lexohen me referencë autoren, ato marrin konotacion duke referuar te secili qift të dashuruarish. Kur lexuesi pret dicka të bukur, ndonjë elozh dashurisë, poetja bën kthesen dramatike, duke na lënë gojëhapur. Tabloja është e bukur dhe e trishtë njëherit, dhe del të jetë shumë realiste  edhe përfundimi enimgatik. Kaq bukur është portretizuar dashuria midis një qifti, dallgët, të papriturat, të mirat e të këqiat. Dhe deri në fund, secili qift të dashuruarish e bart mbi supe dilemën “…Nuk e di”.

Unë e ti

Unë e ti –
Një zjarr, një stuhi
Unë e ti –
Një mall, një dashuri!
Unë e ti –
Një këngë, një tragjedi
Unë e ti….
….. Nuk e di!

Vargu i fundit është emblemetik. Ajo ngërthen në vetvete një semantikë shumëdimensionale. Askush nuk mund ta tejkalojë të panjohurën “…Nuk e di” dhe secili duhet ta ketë këtë parasysh. Nuk ka asjgë të përjetshme. Nuk është asgjë e dhënë njëherë e përgjithmonë. Nuk është as Toka, as Dielli e madje as Universi. Nuk mund të jetë as dashuria, as raporti midis dy të dashuruarish. Ai është një relacion, që mund të krijohet dhe të prishet. Krijohet me qëllim të mire, zakonisht, por jetëgjatësia e saj vart nga shumë rrethana që do t’i përmbledh shkurt e qartë: nga mirëmbajtja e ndërsjellë. Relacioni midis dy të dashuruarve është i ndjeshëm, sepse mbështetet në mirëkuptim, në besim, në sinqeritet dhe në gatishmërinë që gjithcka e mire të bëjnë njëri për tjetrin. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë refuzim. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë inate. Nuk ka dhe nuk duhet të ketë megalomani. Duhet të ketë mirëkupim, duhet të ketë sinqeritet, pajtueshmëri. Dashuria është një fushë shpirtërore që i lidh dy veta, por fuqia e kësaj fushe varet nga ushqimi që i bëjnë asaj të dy qiftet. Asnjëri nuk ka të drejtë t’i imponohet tjetrit; asnjëri nuk ka supremaci. Duhet të jenë si dy sytë e njeriut, si dy veshët, si dy buzët. Domethënë të përplotësojnë njëri-tjetrin. Vazhdimisht, në cdo gjë dhe për gjithcka. E kjo nuk është e lehtë gjithherë të bëhet kështu. Madje, ndonëse duket logjike dhe e duhur, zakonisht nuk ndodhë kështu, dhe relacionet midis dy të dashuruarve metamorfozohen në trivialitet, në dicka të dhënë, shpesh edhe si detyrim. Pikërisht për këtë duhet ta kujtojmë vargun: “Unë e ti…/ … Nuk e di!”, mesazhin sublim dhe dashamirës, që të kujdesemi për dashurinë që gjithnjë të jetë e plotësuar, që të mos krijohen vakume, mangësi, mungesa, lakmi, shpërfillje, refuzime, përbuzje. Stërkeqje të këtilla e dobësojnë fushën e shpirtit që quhet dashuri.

3.

Sensitiviteti femëror, i shprehur me gjuhën poetike, sikur është karakteristikë e shumicës së vargjeve të Elife Luzhës. Ajo, fjala vjen, në poezinë “Lindja ime”, që secili do të priste se ajo flet për veten e vet, në të vërtetë ajo flet për një lindje tjetër, të gërshetuar, si lindje identitare. Edhe është fjala për poeten edhe nuk është, është për poeten dhe për kombin, për identitetin shqiptar.

“Kur binte telefoni” është një poezi lakonike, në të cilën autorja na e jep tensionin psikologjik të mërgimtarit, i cili, në kohë të robërisë dhe të luftës, telefonata ishte bërë sinonim i kumtit të keq, të lajmeve të trishta.

Një poezi tjetër intriguese është “Zhgënjim lulesh”, ku lirika e dashurisë sikur arrinë horizontet. Vrulli poetik nuk shuhet po shpërthen si fishekzjarre. Ja vargjet: “M’u binde/ T’u binda/ Seç shkreptinin/ Ylberët nën blirë/ Ti humbe në mjegull/ Unë në errësirë.”.

Një tufë poezish si këto, flasin shumë. Ato tregojnë për një fryt të arrirë poetik, ani se ky fryt është pjekur disi në heshtje, larg syrit të lexuesve, diku skutave të përpjekjeve intelektuale për mos t’iu nënshtruar pa-fatësisë. E tërë poezia e Elife Luzhës është një luftë për mos t’u shuar, një luftë për mbijetesë, një luftë që autorja e ka bërë e vetme kundrejt përmasave gjigante të shpërfilljes, anashlënies, mbylljes së dyerve dhe injorimit.

Autorja, kryesisht, poezitë i shkruan në veten e parë njëjës. Ajo paraqitet si një “unë”, si vetë poetja. Por ajo është më shumë se aq. Ajo është zëri i një njeriu që nuk i dorëzohet vetmisë. Ajo, në këtë kuptim, bëhet zëdhënesja e të gjitha vajzave dhe grave që kushtet e rrethanat tregohen të pamëshirshme ndaj tyre. Prandaj, për fat të keq, janë të shumta vajzat dhe gratë të cilat, përmes ”unit” të poetes Elife Luzha – flasin, shprehen, rrëfejnë, thirrin dhe jehojnë për të treguar qenien e tyre. Ajo që i karakterizon këto është gjuha e tyre e artikulimit – sensitiviteti femëror, që i bënë qenie të dashura, të ngrohta, të bukura, dhe shumë sublime. I ngritur në art, sensitiviteti femëror paraqitet përplot elegancë dhe me gjentilencë, fisnikëri dhe dinjitet.

Shkruan: Fitore Rubovci, dramaturge dhe regjisore teatri


Është hapur sot Panairi i Librit ‘Tirana 2019’

$
0
0

Ka nisur sot në orën 9.00 të mëngjesit, edicioni i 22-të i Panairit të Librit që organizohet në Pallatin e Kongreseve. Për të gjithë ata që e duan letërsinë dhe përkthimin, të gjithë qytetarët dhe dashamirësit e librit do të kenë mundësi që në 100 stendat e pozicionuara në panair të njihen nga afër më të gjithë titujt e rinj apo librat e fundit të shkrimtarëve të preferuar.

Përveç titujve të rinj që pritet të promovohen në këtë panair, rreth 200 shkrimtarë, krijues, përkthyes do të jenë pjesë e 100 veprimtarive, të cilat do të organizohen në stendat e shtëpive botuese.

Petrit Ymeri në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Botuesve në vend, si edhe organizatori i këtij panairi thotë se me gjithë problematikat e mëdha me të cilat përballet një aktivitet kaq i madh siç është panairi i librit, ata sërish ja dolën që të sjellin në vëmendjen e lexuesve dhe qytetarëve libra e rinj, autorët dhe titujt interesantë që do të propozohen këtë vit në panair.

“Një nga temat kryesore, që do të diskutohet është që botuesit shqiptarë kanë bërë hapa shumë të mëdha gjatë këtyre viteve, krahasuar me institucionet shtetërore. Po përballemi me një indiferencë të dukshme të institucioneve shtetërore për të ndihmuar sistemin libror në Shqipëri”, përfundoi ai.

Panairi do të zgjasë nga data 13 deri në datë 17 nëntor.

Ky është autori i vitit në Panairin e 22-të të Tiranës

$
0
0

Një fund i lumtur, një nënë e vuajtur dhe kalvari i vuajtjeve në sistemin diktatorial.

Këto tre elementë i kanë mjaftuar shkrimtarit dhe politikanit Besnik Mustafaj për ti bërë bashkë në romanin e tij “Dëmtuar gjatë rrugës”, për të cilin ka marrë çmimin e parë në mbyllje të panairit, transmeton OraNews.

Dhe vetë autori nuk kishte si ta fshehte faktin që ndihej i lumtur për këtë vlerësim.

“Të zgjidhet libri jot më i miri në 100 libra është shumë përkëdhelëse për sedrën e një autori. Romani ka në qendër nënën si figurë me kuptime të shumëfishta, konkrete dhe simbolike siç është amësia”.

Autori Korab Hoxha u vlerësua me çmimin e dytë si përkthyesi më i mirë, i cili ka përkthyer ese dhe proza të shkurtra të autores ruse Marian Cvetajeva.

Ndërsa çmimi i memories ka shkuar për Lekë Tasin për librin e tij “Grabjani rrëzë kodrave”.

Përthimi më i mirë frëngjisht iu dha Milan Kunderës për veprën e tij “Lehtësira  e padurueshme e qënies”.

Edicioni i 22-të i panairit të librit mbyllet të dielën, ku adhuruesit e librit do të kenë mundësi të blejnë librat  e tyre.

Shkrimtari që refuzoi parat e çmimit Nobel

$
0
0

Shkrimtari George Bernard Shaw më 18 nëntor të vitit 1926, refuzoi të pranojë paratë për Çmimin Nobel që kishte fituar, transmeton Koha.net.

Ai kishte thënë: “Unë mund ta fal Alfred Nobelin për shpikjen e dinamitit, por vetëm një djalli në formë njeriu mund t’i kishte shkuar në mendje për të shpikur Çmimin Nobel”.

Çmimi Nobel u themelua në vitin 1895 nga kimisti suedez Alfred Nobel (1833- 1896), autor i rreth 350 shpikjeve, por më i famshëm për shpikjen e dinamitit. Në vitin 1888, Alfred Nobel u befasua kur lexoi nekrologjinë e vet me titull “Vdiq tregtari i vdekjes”, në një gazetë franceze.

Në fakt kishte vdekur vëllai i tij, Ludvig, por Alfredi i pakënaqur me përmbajtjen e shkrimit dhe i shqetësuar se si do ta kujtonin kur të vdiste, vendosi të ndryshonte testamentin.

Nobel ishte i interesuar personalisht për fiziologjine ose mjekesinë eksperimentale dhe në testament kërkoi që kur të vdiste, me pasurinë e tij të krijohej – krahas çmimeve për arritjet në Fizikë, Kimi, Letërsi dhe Paqe – edhe një çmim për Mjekësi. (Çmimi për Ekonomi u krijua vonë, më 1969, nga Akademia Suedeze e Shkencave për nder të Alfred Nobelit – dhe quhet Çmim Nobel, edhe sepse jepet në të njëjtën ditë me 5 çmimet e tjera Nobel.

Fatmir Sulejmani do të promovojë librin “PËRSIATJE”

$
0
0

Në QIK- Shkup, do të bëhet promovimi i librit “PËRSIATJE”, nga Fatmir Sulejmani, me datë 02.12.2019, në Sallonin e ekspozitës Imperial 2 me fillim në orën 19:00.

Fatmir Sulejmani është i lindur në Tetovë. Akademinë Pedagogjike, gjuhë shqipe dhe letërsi, e ka mbaruar në Shkup. Ka magjistruar në Universitetin Shtetëror në Tetovë, ndërsa doktoraturën e ka kryer në Institutin për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Tiranë.

Është një ndër themeluesit e Shoqatës të Shkrimtarëve Shqiptarë Maqedoninë e Veriut.

Ka përvojë të begatshme profesionale. Ka publikuar, poezi, tregime, satirë, eseje, kolumna, intervista, polemika, studimeve etj. Është anëtar i  Qendrës PEN në Shqipëri.

Ka botuar mjaft libra, të cilët janë përkthyer në disa gjuhë. Nga viti 2014 është kolumnist i rregullt në Portalb.mk.

Në librin “PËRSIATJE” janë publikuar njëzet studime letrare, të konferencave nga akademi ballkanike : Akademia e Shkencës dhe Artit të Republikës të Kosovës dhe Akademia e Shkencës dhe Artit të R. të Shqipërisë. Librin do ta promovojnë Luan Starova dhe Lindita Ahmeti. Moderatore do të jetë Kaltrina Sadiki.

Këta persona të famshëm që ju të gjithë i njihni rekomandojnë 5 librat që u ndryshuan jetën

$
0
0

Librat mund të bëjnë mrekulli për mirëqenien tonë. Nëse jeni në kërkim të një leximi të ri frymëzues, shikoni këtë listë të zgjedhjeve të disa prej personave me më shumë influencë në botë, si në biznes, politikë, në jetën shoqërore, etj, shkruan Class. Ata pohojnë publikisht se pas leximit të këtyre pesë librave, diçka ka ndryshuar në qenien dhe në jetët e tyre…Let t’i zbulojmë bashkë!

1

Bill Gates
Bill Gates
“Udhëzuesi i hapësirës drejt mendjes dhe meditimit” nga Andy Puddicombe. “Nëse dëshiron të provosh meditimin për veten tënde, një mënyrë e mirë për ta lehtësuar atë veçanërisht nëse je aq skeptik sa isha unë është të marrësh një kopje të librit të Andy-t”, u shpreh miliarderi i famshmës. Autorin e librit e cilëson një tregimtar të mençur që ofron shumë metafora të dobishme për të shpjeguar konceptet potencialisht të ndërlikuara, gjë që e bën librin një lexim të lehtë e të këndshëm.

2

Jeff Bezos
Jeff Bezos
“Mbetjet e ditës” nga Kazuo Ishiguro “Nëse lexoni këtë që është një nga librat e mi të preferuar, do të ndryshoni konceptin e të menduarit. Unë thjesht kam kaluar 10 orë duke jetuar një jetë alternative dhe kam mësuar diçka për jetën dhe për keqardhjen”, tha ai për “Newsweek”.

3

Barack Obama
Barack Obama
“Një martesë amerikane”! Një roman nga Tayari Jones Ish-Presidenti i SHBA-ve shkroi në lidhje me këtë roman në Facebook, duke e quajtur librin “një portretizim në lëvizje të efekteve që ka një bindje e gabuar mbi një çift të ri afrikano-amerikan.”

4

Michele Obama
Michelle Obama
“Dhëmbë të bardhë” nga Zadie Smith “E kam lexuar vite më parë, por e zgjodha përsëri kohët e fundit, sepse vajza ime Malia është një fanse e madhe e Zadie dhe punës së saj. Më pëlqen mënyra se si historia gërsheton aq shumë forca të ndërlikuara dhe të fuqishme që ndikojnë në jetën tonë dhe marrëdhëniet tona, familjen dhe prindërimin, fenë dhe politikën dhe shumë më tepër. Plus, ka shumë batuta. Unë i dua librat që më bëjnë të qesh çdo herë ”, tha Obama për “New York Times”.

Handke i paqartë përballë gazetarëve

$
0
0

Peter Handke nuk ka ndonjë opinion për luftërat në Jugosllavi dhe krimet që u bënë këtu në vitet ’90.

Ai refuzoi të flasë për këtë temë, të premten, kur u pyet teksa foli me gazetarë, në një konferencë shtypi, në Stokholm të Suedisë.

Handke foli me vështirësi në këtë konferencë, dhe e pranoi se e ka zor të takohet me ata që po e kritikojnë rreth përkrahjes që ia dha Sllobodan Millosheviqit, gjatë viteve ’90.

Madje, tha se nuk e di si do të sillet me protestues potencialë, nëse rastësisht do të përballet me ta, të martën, kur të shkojë për ta marrë çmimin, në Stokholm. Për më tepër, ai kërkoi këshilla nga gazetari që e pyeti për këtë gjë, me arsyetimin se kundërshtarët nuk po duan ta dëgjojnë.

Çakajtë komunistë përballë shkrimtarit Agron Tufa

$
0
0

Askush s’do të mund ta imagjinonte se në Shqipërinë postkomuniste, pas tri dekadash lirie, çakajtë komunistë do të çoheshin peshë dhe do të kërkonin burgimin e ndërgjegjes së lirë të njerëzve që kërkojnë drejtësi, transmeton Koha.net.

Më së paku dikush do të mund ta imagjinonte se çakajtë do t’i vërsuleshin një shkrimtari.

Këtyre çakajve komunistë duhet t’u përsëritet vazhdimisht se tmerret që kanë shkaktuar ata mbi kombin shqiptar s’ka forcë në botë që mund t’i pastrojë. Sepse, ato janë të shkruara me gjak e vuajtje në vepra kapitale, të cilat janë ndërgjegjja e Shqipërisë së vërtetë përballë Shqipërisë së një grusht shkretanësh komunistë.

Komunizmi në historinë njerëzore mbetet njëra nga ideologjitë totalitare më të tmerrshme dhe njerëzimit i ka shkaktuar të këqija të panumërta, kurse popullin shqiptar për pak sa nuk e gllabëroi në humnerë. Ky pohim i imi nuk përbën kurrfarë risie, por është në pajtueshmëri të plotë me mendimin e shumicës së vendeve të Evropës. Madje, në shumicën e vendeve ish-komuniste janë ngritur gjyqe dhe krimet e këtij sistemi janë dënuar në forma të ndryshme.

Në Evropë, aty ku synojmë të integrohemi, njihet “Deklarata e Pragës për Ndërgjegjen e Evropës dhe Komunizmin”. Kjo deklaratë, që u nënshkrua më 3 qershor 2008, ishte iniciuar nga ana e Qeverisë çeke, dhe u nënshkrua nga politikanë të shquar evropianë, ish-të burgosur politikë dhe historianë, në mesin e të cilëve Václav Havel dhe Joachim Gauck, presidenti i Gjermanisë. Kjo deklaratë bëri thirrje që “Evropa e gjerë t’i dënojë krimet e komunizmit dhe dënimi ndaj tyre të edukohet” dhe kështu popujt të ndërgjegjësohen përballë kësaj murtaje ideologjike. Por kështu nuk mendojnë disa harbutë e shkretanë të mjerë komunistë shqiptarë, që kombit shqiptar i kanë shkaktuar veç vuajte, dhimbje e lot dhe e kanë më të varfrin në Evropë.


Turqia bojkoton ceremoninë e ndarjes së nobelit për Peter Handke

$
0
0

Ambasadori i Turqisë në Stockholm, Hakkı Emre Yunt, njoftoi se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të ndarjes së Çmimit Nobel për Letërsi, për shkak të Peter Handke, raporton Anadolu Agency (AA) përcjellë Klan Kosova.

Një tjetër reagim ndaj austriakut Handke, i cili më 10 dhjetor pritet të marrë çmimin e tij nga Mbreti i Suedisë Carl-i i 16-të Gustaf, erdhi nga ambasadori turk në Suedi.

Yunt, në deklaratën për AA, njoftoi se në ceremoni është i ftuar por nuk do të marrë pjesë.

Ndërkohë edhe ambasada e Shqipërisë në Stockholm njoftoi se do të bojkotojë dhe nuk do të marrë pjesë në ceremoni.

Televizioni shtetëror i Suedisë, SVT, rikujtoi se Turqia ka dënuar vendimin për ndarjen e çmimit Peter Handke-s, duke e transmetuar tekstin e publikuar në llogarinë e Ministrisë turke të Mbrojtjes në Twitter.

Peter Handke pranoi Nobelin për Letërsi (VIDEO)

$
0
0

Shkrimtari austriak Peter Handke ka pranuar Çmimin Nobel për Letërsi nga Mbreti i Suedisë Karl Gustav, në një ceremoni të organizuar në Stokholm, transmeton KlanKosova.

Këtu u vlerësuan lartë veprat e Handkes, për punën e së cilit u tha se kishte shpirt zbulues dhe se ishte inspiruese për gjeneratat e ardhshme.

Handke është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës Srpska që nga viti 2008 dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë që nga viti 2012.

Nderimi i tij me Nobelin për Letërsi u përcoll me reagime dhe kundërshti të mëdha nga vende të ndryshme të botës, kjo pasi Handke ishte mbështetës i Sllobodan Millosheviqit dhe kishte mohuar gjenocidin në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pikërisht për këtë Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e dhënies së çmimit.

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Kosovës kishte dërguar letër Akademisë Suedeze ku potencohej se Handke kishte mohuar krimet gjenocidale të Millosheviqit, për të cilën kjo e fundit pati thënë se “Nobeli ndahej për arritjet në letërsi e jo për personalitetin e tij”.

Më herët gjatë ditës Çmimi Nobel për Paqen iu nda Kryeministrit të Etiopisë Abi Ahmedi për angazhimin e tij për paqen me Eritrea.

Atij iu dha çmimin për përpjekjet e tij në arritjen e paqes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht për iniciativën e tij për të zgjidhur konfliktin kufitar me Eritrean fqinje.

Instituti Albanologjik rikujton se ruan librin e 1598-s për Skënderbeun

$
0
0

Nisma e profesorit të shkencave politike në Université Paris-Est Créteil të Francës, Nezir Kraki, për blerjen e një ekzemplari të një libri frëngjisht për Skënderbeun, ka sjellë reagimet e para të studiuesve. Kjo vepër, për të cilin ka nisur grumbullimi i mjeteve për blerjen e tij, veçse gjendet në fondin e bibliotekës me 40 mijë vëllime të Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Të hënën profesori Kraki kishte afishuar në profilin e tij në Facebook njoftimin për gjetjen e ekzemplarit të një libri mbi Skënderbeun të fisnikut francez, Jacques de Lavardin, i cili në vitin 1576 kishte botuar të parin libër në Francë për heroin kombëtar të shqiptarëve. I cilësuar kryesisht si përkthim nga libri i Marin Barletit e vetëm me ndonjë shtojcë nga autorë të tjerë, “Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderberg, roy d’Albanie” kishte zgjuar interesim në Francë saqë ishte ribotuar disa herë radhazi, më 1593, 1597, 1598, 1604 dhe 1621. E pikërisht një ekzemplar të ribotimit të fundit, afër 400 vjet të vjetër, Kraki e kishte hasur në një librari të Spanjës. Deri të mërkurën në mbrëmje në këtë fond janë grumbulluar 4900 dollarë (4407 euro) nga 5 mijë sa kërkohen për blerjen e librit, ku përfshihet kostoja e tij, çmimi për dërgimin me postë nga Spanja dhe taksa që Facebook ndal për fonde që realizohen përmes kësaj platforme. Sipas nismëtarit të donacionit, libri i Lavardinit do t’i dhurohet Muzeut Kombëtar të Kosovës, transmeton Koha.net.

Por sekretari shkencor i Institutit Albanologjik në Prishtinë, Lulëzim Lajçi, ka rikujtuar se biblioteka e këtij Instituti ka një ekzemplar 23 vjet më të vjetër sesa ai që është zbuluar nga Kraki.

“Me këtë rast, në asnjë mënyrë, nuk dua të nënvlerësoj vlerën e botimit të ‘Historisë së Gjergj Kastriotit, të quajtur Skënderbe, mbret i Shqipërisë’ të vitit 1621, të autorit Zhak dë Lavarden, që në të vërtetë është edhe ribotimi i gjashtë dhe i fundit, por, përmes këtij shkrimi desha ta informoj opinionin e gjerë se në Institutin Albanologjik gjendet një botim në origjinal edhe më i hershëm se ai i vitit 1621, pra i vitit 1598”, ka thënë Lajçi përmes një shkrimi të afishuar në llogarinë e tij në Facebook.

Tradita e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të Skënderbeut

$
0
0

Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit Skënderbeut i kremtuar gjatë vitit 2018, veç tjerash, ishte edhe një nxitje për studiuesit që përmes studimeve, artikujve e botimeve të shumta të sjellin prurje të reja për jetën dhe veprimtarinë e Kastriotit.

Këtij qëllimi i ka kontribuar veçanërisht studiuesi i mirënjohur i historisë mesjetare shqiptare, prof. dr. Pëllumb Xhufi, me studimin e tij të fundit me titull: “Skënderbeu: ideja dhe ndërtimi i shtetit”, botuar në Tiranë në vitin 2019 nga shtëpia botuese “Dituria”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky studim, siç e thekson edhe vetë autori, është një histori e përpjekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu për të krijuar, aty nga fundi i mesjetës, një shtet të bashkuar shqiptar.

Këtë qëllim dhe mision të Skënderbeut, autori e sheh dhe e lidh më një traditë dhe vazhdimësi të përpjekjeve të ngjashme që kishin bërë para tij feudalë e princër të Arbërit që gjatë shekujve XII-XIII, duke e lidhur me traditën e Shtetit të Arbrit.

Arbëri përfaqësonte një njësi të dalluar të vendeve arbërore, në të cilën, për shkak të pozitës së veçantë gjeostrategjike, u zhvilluan më së pari proceset autonomiste “izopolitisë” shtetformuese. Si model të shtetndërtimit, ai e veçon edhe rastin e familjes fisnike arbërore të Balshajve, e cila për herë të parë arriti që në vitin 1370 të bashkojë në një formacion shtetëror pjesë të gjëra të Veriut dhe Jugut arbëror (Zetën, një pjesë të Kosovës, Durrësin, Vlorën e të tjera).

Organizimi shtetëror tek arbërorët pasqyronte, pra, mënyrën e organizmit të familjes së madhe patriarkale arbërore. Këtë veçori të organizimit shtetëror te arbërorët e vuri re, për sa u përket Balshajve, G. Gelçiq, i cili shprehu i pari mendimin se fakti që të gjithë vëllezërit merrnin pjesë në drejtimin e vendit nën sovranitetin drejtues të vëllait të madh, mund t’i detyrohet një praktike të vjetër zakonore kombëtare.

Në rastin e Balshajve, kjo mënyrë organizimi tipike e familjes dhe e shtetit tek ata, që është e njëjta me atë të princërve të tjerë bashkëkohës arbërorë, përbën një provë më shumë të origjinës së tyre arbërore. Një formë e tillë “feudalizmi familjar”, sipas autorit, përbënte padyshim një faktor kohezioni e solidariteti.

Tetovë: Është rritur numri i lexuesve, lexuesit më të mirë të vitit 2019 morën çmime (infografik)

$
0
0

Libra, mirënjohje dhe kuponë me të cilat do të kenë qasje falas në Bibliotekën e Tetovës u ndanë të hënën për 21 lexuesit më të mirë të këtij qyteti për vitin 2019. Statistikat thonë se numri i lexuesve në Tetovë është vazhdimisht në rritje. Njëra nga lexueset e zgjedhura si më e mirë, bën thirrje te të rinjtë të lexojnë sepse sipas saj, vetëm në këtë mënyrë mund të ndjehesh i pavarur si person, shkruan Portalb.mk.

Bibliotekën e Tetovës “Koço Racin” janë ndarë çmime për 21 lexuesit më të mirë të vitit 2019. Fituesit ishin të ndarë në disa kategori me qëllim që asnjëra moshë dhe kategori e veçantë të mos ngelë pa çmim.

Drejtoresha e Bibliotekës Njomza Imeri shpreson që ky organizim të jetë një motivim për këta fitues që të vazhdojnë të lexojnë, sepse sipas saj leximi është diçka që të përmbush si person pa marrë parasysh moshën apo ndonjë bazë tjetër.

“Është projekt tradicional i cili realizohet disa vite me radhë, esenca është të bëhet përzgjedhja e lexuese më të mirë gjatë vitit 2019 të disa kategorive të lexuesve. Shpresoj që ky organizim të jetë një motivim, sidomos për lexuesit e rinj që ata të vazhdojnë të jenë lexues aktiv të bibliotekës, përveç dhuratave që i kemi ndarë për ata, ju kemi siguruar edhe regjistrimin pa pagesë gjatë vitit të ardhshëm në bibliotekë” theksoi drejtoresha e Bibliotekës së Tetovës, Njomza Imeri.

Ndarja e çmimeve për lexuesit më të mirë të vitit 2019.
Ndarja e çmimeve për lexuesit më të mirë të vitit 2019.

Një ndër fitueset e çmimit “Lexuesja më e mirë për vitin 2019” tha se ky është një ndër çmimet për të cilat ndjehet shumë krenare, ajo bën thirrje deri te të gjithë të rinjtë që të lexojnë sa më shumë për arsye se sipas saj, leximi ndihmon shumë në çdo fazë të jetës.

“Është një çmim shumë i rëndësishëm për mua, mund të them se është i preferuari për arsye se ka të bëje me pasurinë më të çmuar në botë, librin. Është e rëndësishme të ceket se leximi të ndihmon jashtëzakonisht shumë në jetë, mua personalisht gjithmonë më ka bë të ndjehem e diferencuar nga të tjerët. Unë mendoj se kush dëshiron të jetë i pavarur, si për veten ashtu edhe për shoqërinë, duhet vetëm të lexoj” tha Emine Dervishi.

Sa lexojnë të rinjtë?

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ka krijuar perceptimin se mënyra tradicionale e leximit të librave është në rënie, marrë parasysh këtë Portalb.mk siguroi disa të dhëna nga Biblioteka e Tetovës “Koço Racin” në lidhje me numrin e lexuesve gjatë tetë viteve të kaluara, dhe të dhënat janë si vijon:

Për drejtoreshën Imeri, këto numra janë të kënaqshëm, për arsye se sipas ulja e interesit për të lexuar nga ana e të rinjve është global dhe jo vetëm te ne. Për Portalb.mk ajo tha se numri i lexuesve reflekton në të ardhmen që ai popull do ta ketë.

“Nga jashtë mendohet se ka rënë numri i lejueshmërisë, ky është problem global dhe jo vetëm te ne mirëpo statistikat flasin ndryshe, gjatë viteve të fundit ne kemi rritje të numrit të lexuesve. Kjo është një gjë e mirë si për ne, ashtu edhe për gjithë popullin për arsye se lexuesit e rregullt duhet patjetër që në të ardhmen të jenë liderë, sepse në qoftë se ne në të ardhmen do të kemi lider që lexon mendoj se do ta kemi një të ardhme më të mirë” tha Njomza Imeri.

Biblioteka e Tetovës “Koço Racin” aktualisht numëron 9,000 lexues që është numër rekord në krahasim me vitet e kaluara.

U ekspozuan për herë të parë shtatë dorëshkrime të Pjetër Bogdanit

$
0
0

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, është hapur një ekspozitë përkujtuese në nder të 330 vjetorit të vdekjes së Pjetër Bogdanit, ku për herë të parë janë paraqitur shtatë dorëshkrime të kësaj figure e cila u cilësua si jashtëzakonshme të historisë e kulturës shqiptare, transmeton Koha.net.

Drejtori i Bibliotekës kombëtare, Fazli Gajraku dha disa detaje rreth ekspozitës, duke vlerësuar lartë figurën e Bogdanit.

“Ekspozita Koneus përmban shtatë dorëshkrime të dhe për Pjetër Bogdanin, të panjohura më parë, të zbuluara në arkivin në Vatikan, nga njëri nga njohësit dhe hulumtuesit më të mirë të arkivave, Jetullah Destani, i cili i ka dhuruar bibliotekës këto dorëshkrime“, tha ai.

Don Lush Gjergji në 330 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, tha se ai mbetet një figurë mjaft të rëndësishme për popullin tonë.

“Është viti i Bogdanit, të përkujtojmë këtë figurë madhore e cila ishte si udhërrëfyese dhe ndriçuese e shekullit 17-të. Deri më tash Bogdanin e kemi njohur më tepër si i autor i “Qetës së Profetëve”, vepra e parë në prozë komplet në gjuhën shqipe dhe të përkthyer në gjuhën italishte, të komunikuar në mbarë botën dhe për të qenë i rëndësishëm për tre shekull si manual i rëndësishëm i universiteteve të ndryshme në Evropë dhe në botë”, tha ai.

Veprat e Bogdanit, sipas tij, ishin ndër burimet e vetme autoktone të asaj kohe.

“Përpos Bogdanit kemi pak burime të asaj kohe, burime autoktone burimore shqiptare, burimet tjera janë turke-otomane apo greke-sllave, dihet me qëndrime dhe këndvështrime shumë të ndryshme nga ajo çka mund të jetë nga realiteti”, tha ai.

Kurse, Jetullah Destani dha detaje se si ka gjetur dorëshkrimet e Bogdanit.

“Dosja ka qenë në një dosje që kanë të bëjnë me Venedikut. Kisha bërë disa përpjekje për të gjetur disa dokumente për shqiptarët e Venedikut. Aty e gjeta këtë dosjen që ka të bëjë me Bogdanin“, tha ai.

Gjithashtu në këtë ekspozitë u tha se është koha që autorët tanë të zbulojnë këtë periudhë dhe nëpërmjet saj edhe figurën e Bogdanit.

Franca nderoi Kadaren me titullin “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”

$
0
0

Shkrimtari i madh Ismail Kadare, është nderuar nga Franca me titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”.

Lajmi u bë i ditur nga ish-ministrja e kulturës në Shqipëri, Mirela Kumbaro.

Këtë titull të lartë që e ndan presidenca franceze, e kanë vetëm 250 persona, transmeton KlanKosova.

Lajmi i mire nga Kultura eshte nje vit i mbare. ISMAIL KADARE – Oficer i Madh i Legjionit te Nderit! Ka vetem 250 te tille sot ne France. Nuk mund te fillonte me mire ky vit 2020! Me dekret te posaçem te Presidentit te Frances Emmanuel Macron, shkrimtari yne, pasi fitoi titullin prestigjioz “Komandant i Legjionit te Nderit” ne vitin 2016, shpallet sot “Grand Officier de la Legion d’Honneur”. Faleminderit Ismail. Merci la France”, ka shkruar Kumbaro.


Maçoku mbi çati

$
0
0

Mjeshtër i shkrimit të tregimit të shkurtër, mahnitës në leximin e psikologjisë së fëmijës, të lojës e të ëndrrës, të imagjinatës e të mësimit të tij, Shaip Grabovci me përkushtim thur ngjarje, çaste, tablo brilante nga jeta e puna e përditshme e të vegjëlve edhe në librin më të ri “ Maçoku mbi çati”, të cilin lexuesi do ta ketë në duar… E tërë aftësia e shkrimtarit për të krijuar e për të ndërtuar në vetëdijen e fëmijës, të nxënësit,  figura të mrekullueshme dhe ide të reja,  vjen në shprehje dhe në këtë libër, duke i lidhur, ndryshuar, shndërruar e përfytyruar sendet, dukuritë, njohuritë e fituara që të krijojë, të zbulojë, të shpikë diçka të re nga përvoja e pasur – e fituar gjatë gjithë punës e  jetës… Mjeshtër sidomos në trajtimin e tregimit të dramatizuar, me ç` rast  ia del të shpërfaq krejt atë që jeton me fëmijën, me zemrën dhe dëshirën e tij, krejt atë që jeton për fëmijën, siç është syri i zogut, krahu i tij, siç është kënga e tij, siç është fshehtësia e zogjve. Ai, me një përkujdesje të veçantë,  bën përpjekje t`i bëjë kureshtarë lexuesit e vet me shpendët e kafshët, me bimët – drunjtë, me lulet… I afron ata kaq shumë me njëri tjetrin sa zënë të bisedojnë ndërmjet veti. Fëmijët, përveç që kënaqen me zogjtë, ata pak nga pak  fillojnë edhe t`i kuptojnë cicërimat e tyre, fillojnë t`i kuptojnë çfarë duan, ku u dhemb, çfarë dëshirojnë, çfarë ëndërrojnë… Po kështu, me kohë fillojnë dhe zogjtë t`i duan fëmijët, t`u afrohen pa frikë, t`ua bëjnë çastet e lumtura me këngët e tyre të bukura. Kështu, ta zëmë ai shtjellon detaje, ngjarje, çaste, që e mahnitin lexuesin, të cilit i dedikohet shkrimi. Për çfarë ta zëmë bisedojnë mësuesja në “Tregimin për zogjtë”, apo si e gjen shkrimtari motivin për tregimin, të cilin ai duhet ta shkruajë, në mënyrë që të nesërmen atë tregim ta kenë fëmijët në dorë, ta lexojnë në gazetën e tyre.

Ja, ta zëmë se si mund të ilustrohet e tërë kjo, duke e bartur këtu vetëm një copëz të tregimit të autorit “Tregimi për zogjët“.

“Mësuesja fliste me fjalë të zgjedhura, ndërsa fëmijët ishin bërë sy e vesh! “Ata, miq tanë të vegjël, tregonte mësuesja, na ndihmojnë shumë… Ata i luftojnë insektet e dëmshme… Sikur mos të ishin ata, frutat që na i ka ënda aq shumë, do të zhdukeshin nga krimbat! Mirëpo, në një ditë dimri, acari i madh i kishte detyruar këta miq të strukeshin nën një çati dhe ashtu të uritur me vështirësi i bënin ballë të ftohtit.”

Në fytyra e fëmijëve, mësuesja, vërejti një brengë të madhe… Ajo u ndal ca e mandej vazhdoi tregimin e saj… “Annamorea, e cila ishte prekur shumë, nga shtëpia u kishte sjellë një copë bukë të thërrmuar e ua kishte hedhur zogjve. Ata me të shpejt ishin tubuar rreth vajzushës për të ngrënë thërrimet. Sapo qenë ngopur serish qenë strehuar nën çati, me  ndonjë cicërimë në shenjë mirënjohjeje !”.

Nga fytyrat e fëmijëve treti zymtësia, ata tash të gjithë ishin të gëzuar, ashtu sikur Annamorea kur i kishte gostitur miqtë e vegjël”

Shaip Grabovci – dramaturg, tregimtar, humorist, edhe në këtë libër  i bartë të njëjtat ngjyra, veçse që reflektojnë ndryshe, i bartë të njëjtat buzëqeshje, që shpërndahen pakufi në jetën e punën e fëmijës, i bartë të njëjtit ylber magjikë. E, në këtë rrjedhë, në këtë mënyrë, shkrimtari ka shkëputur inserte nga jeta dhe i ka vendosur në libër, kaq të njëmendta, kaq besnike, të afërta e të ngrohta, sa ndonjë herë lexuesi do të ketë përshtypje  se ato që i lexon – në të njëjtën kohë ndodhin me të, në të njëjtën kohë i përjeton vetë. Kështu, ai bëhet bashkë-personazh me maçokun i cili rri mbi çati, bëhet një me heronjtë e librit, me bëmat dhe përjetimet e tyre, që është veti e shkrimtarëve me përvojë të madhe, me njohuri të madhe, e cila gjë domosdo për produkt ka libra të mrekullueshëm, siç është dhe ky i fundit “Maçoku mbi çati”.

 

 

Naum Veqilharxhi, ideatori i alfabetit shqip dhe ideologu i parë i Rilindjes shqiptare

$
0
0

Naum Panajot Bredhi, i mbiquajtur Veqilharxhi, është pionieri i lëvizjes sonë kulturore patriotike të shekullit XIX. Ai është ideologu i parë i Rilindjes në Shqipëri, një nga ata që u hapën udhën ideve të reja politike e kulturore kombëtare.

N. Veqilharxhi u lind më 1797 në Vithkuq të Korçës. Ai pati mërguar në Rumani. I ndikuar nga idetë e lëvizjes kombëtare të popujve të Ballkanit, mori pjesë në revolucionin rumun të vitit 1821 kundër Turqisë, revolucion që pati karakter jo vetëm çlirimtar antiosman, por dhe antifeudal. Me formimin iluminist, Veqilharxhi e drejtoi vëmendjen tek atdheu i tij. Ai e kuptonte se gjendja e Shqipërisë në ato çaste historike shtronte para popullit të tij kërkesa të reja. Në vitet `40 të shekullit XIX lëvizjet çlirimtare në Shqipëri kishin marrë hov, por atyre u mungonte një program kombëtar dhe një platformë ideologjike e përpunuar. Veqilharxhi ka meritë se në shkrimet e tij formuloi i pari kërkesat themelore të Rilindjes, transmeton KultPlus.

Punën e tij si atdhetar iluminist e nisi me krijimin e një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe, të përbërë prej 33 shkronjash. Me këtë alfabet hartoi dhe libra për mësimin e shqipes. Të parin libër, që është e para abetare për mësimin e gjuhës shqipe, Veqilharxhi e botoi më 1844 me titullin “Evëtar„. Një vit më vonë, më 1845, e botoi të përpunuar e të zgjeruar, me titullin “Fare i ri evëtar shqip për djelm nismëtar„, të shoqëruar me një parathënie për djemtë e rinj shqiptarë. Këta libra të Veqilharxhit u pritën me entuziazëm nga patriotët brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shumë njerëz mësuan të shkruanin me alfabetin e tij. Kërkesat e lëvizjes sonë kombëtare, Veqilharxhi i paraqiti në tri shkrime të tij: Në parathënien e botimit të dytë të Evëtarit, në një letër dërguar nipit të tij dhe sidomos në një “Enqiklikë„(letër qarkore).

“Enqiklikën„ ai ua drejtoi më 1846 bashkadhetarëve të tij. Ky dokument është konsideruar si manifesti i parë i lëvizjes sonë kombëtare, si një program pune për të. Ai flet me dhembje për gjendjen tepër të prapambetur të popullit shqiptar. Këtë e shpjegon me pushtimet e vazhdueshme të të huajve, me ndryshimet politike e fetare, sidomos me “lënien pas dore të lëvrimit të gjuhës sonë kombëtare„. Ata shqiptarë që shkolloheshin nëpër vende dhe shkolla të huaja, shpesh mërgonin larg atdheut në vend që të ishin “mirëbërës„, etër e mësonjës të atheut e të kombit tonë.
Por Veqilharxhi nuk e humbet shpresën dhe u bën thirrje bashkatdhetarëve të mbushen me hov e guxim. Me një stil të shkathët, të figurshëm, e plot optimizëm ai shkruan: “Le të hedhim farën e mirë dhe me siguri vetë natyra e shenjtë e ngjarjeve do të ndihmojnë për gjallërimin, mbirjen dhe rritjen e saj, pemët e bukura dhe shumë të ëmbla të së cilës do t’i korrë padyshim brezi i ardhmë që do të bekojë ata bujq dhe ata mbjellës të mirë„. Cila është kjo “farë e mirë dhe pemët e ëmbla që do të japë ajo?„ Veqilharxhi mendon se, që të dalim nga gjendja e rëndë, duhet të shkruajmë gjuhën tonë e të përhapim arsimin shqip, të përhapim farën e diturisë, e cila do të sjellë gjithë të mirat më pas.

Padituria është fatkeqësi, mendon autori, një e keqe e madhe, që barazohet me skllavërinë. “Ato kombe që kanë mbetur në padije, u shëmbëllejnë thjesht skllevërve„. Një komb mund të dalë nga mjerimi dhe prapambetja, kur të fillojë të lëvrojë gjuhën kombëtare. Gjuhën tonë ne duhet ta shkruajmë me “shkronja të veçanta kombëtare„, na mëson Veqilharxhi. Kështu, shpreson ai, edhe ne do të vihemi në rradhën e kombeve të qytetëruara.

Në këtë mënyrë e formulonte ai njërën prej kërkesave të mëdha të lëvizjes sonë kombëtare, duke u nisur nga parimi i drejtë se një popull mund të kulturohet vetëm me anë të gjuhës së vet amtare. Vepra e Veqilharxhit luajti rol të madh gjatë Rilindjes. Rilindësit e njihnin si paraardhës dhe ushqenin për të një nderim të madh. Me idetë e tij iluministe dhe me veprimtarinë e tij në dobi të kombit e të gjuhës shqipe. Veqilharxhi fitoi dashurinë dhe respektin e bashkatdhetarëve patriotë, por edhe mërinë e armiqve të Shqipërisë, veçanërisht te grekomanëve. Më 1846, ai u helmua nga agjentët e Patriarkanës, duke qenë kështu jo vetëm i pari ideolog, por edhe i pari dëshmor i Rilindjes Kombëtare.

Twitter ndihmoi në shitjen e librave (VIDEO)

$
0
0

Storia e mëposhtme na dërgon në Hampshire të Anglisë.

Atje, një librashitës me shumë përvojë është shqetësuar këto ditë. Askush nuk i bleu libra.

Për të kuptuar më shumë, klikoni në kronikën e mëposhtme.

KEQPËRDORIMI I PUSHTETIT

$
0
0

(Shkëlzen Halimi: Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint, Botoi: Logos a, Shkup, 2019)

Shoqëria shqiptare në Maqedoni assesi ta tejkalojë periudhën e tranzicionit sidomos në rrafshin politik, një e keqe kjo që dukshëm është reflektuar edhe në rrafshin e kulturës dhe arsimit. Amullia e krijuar si pasojë e luftës permanente për të qenë në pushtet, ka bërë që brenda tri dekadave të fundit (as u ndamë me komunizmin, as iu përshtatëm pluralizmit) të jemi dëshmitarë të shumë situatave tragjike-komike, por të cilat asnjëherë nuk u morën seriozisht e as që pati përpjekje vetëdijesimi.

Si edhe në hapësirat tjera shqiptare, edhe në Maqedoni skenën politike e dominuan premtimet e parealizuara, gënjeshtrat, manipulimet, por edhe keqpërdorimi i emocionit, sidomos të atyre që shpirtërisht ishin plagosur dhe të cilët me ankth e pritnin ndryshimin.

Janë këto disa nga segmentet, të cilat trajtohen në botimin më të re të Shkëlzen Halimit me titull “Manipulimi i emocionit apo tranzicioni (shqiptar) në labirint”, botuar nga Shtëpia botuese me renome kombëtare LOGOS A.

Bëhet fjalë për një botim interesant dhe për një qasje ndryshe ndaj fenomeneve dhe dukurive të shëmtuara me të cilat u përball shoqëria shqiptare. “Përfaqësuesit” politik të kësaj shoqërie jo që nuk arritën, por thjeshtë nuk u konvenonte të marrin mësime nga pësimet e shumta, ndër to mjaftë edhe me nuanca tragjike.

Në vrapin e pandalshëm pas pushtetit, ata asnjëherë nuk ndaluan për të parë se çfarë kishin lënë prapa. Konjuktura të ndryshme jo vetëm që keqpërdorën emocionin e njeriut të thjeshtë, por keqpërdorën edhe pushtetin duke mbjellë frikën, duke përdorur shantazhin, por edhe duke e blerë besimin në format më skandaloze. Një libër që ia vlen të lexohet!

Doli nga shtypi botimi i dytë i librit “E drejta kushtetuese”, nga profesori Jeton Shasivari

$
0
0

Këtyre ditëve nga Shtëpia Botuese “Furkan ISM” nga Shkupi, doli nga shtypi botimi i dytë i tekstit universitar: E drejta kushtetuese, i autorit Prof. Dr. Jeton Shasivari, profesor ordinar në lëmin juridik: E drejta kushtetuese dhe administrative në Fakultetin juridik të UEJL-së-Tetovë. Botimi i dytë ishte i nevojshëm për shkak të harxhimit të tirazhit të botimit të parë të v. 2015, si dhe, për shkak të ndryshimeve të fundit kushtetuese të v. 2019 në Republikën e Maqedonisë së Veriut por, edhe, të ndryshimeve të legjislacionit zgjedhor dhe legjislacionit mbi pushtetin gjyqësor, ligjvënës dhe ekzekutiv. Ky tekst universitar përbëhet nga tre pjesë dhe pesëmbëdhjetë kapituj, që si një tërësi e reflektojnë objektin e studimit të së Drejtës kushtetuese, si disiplinë shkencore juridike.

Në këtë tekst universitar, nga fusha e ekspertizës së autorit Prof. Dr. Jeton Shasivari, ngërthehen qasjet e ndryshme teorike, kritike, krahasuese, pozitive dhe konkrete të së drejtës kushtetuese, me ç`rast lexuesit i ofrohet një gamë e gjërë e çështjeve dhe aspekteve aktuale juridike që e formësojnë përmbajtjen e materies kushtetuese, me theks të veçantë në të Drejtën kushtetuese të RMV-së si një shkencë juridike konkrete.

Si risi e këtij libri universitar, duhet të veçohet teksti i spastruar, i konsoliduar dhe integral i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, nën redaktimin e Prof. Shasivari që si shtesë e veçantë është dhënë në fund të librit, me ç`rast, për arsye pedagogjike, të gjitha XXXVI-të Amendamentet kushtetuese për Kushtetutën e RMV-së (të miratuar në periudhën kohore 1992-2019), janë të inkorporuar në nenet, paragrafët dhe alinetë e Kushtetutës së RMV-së, në mënyrë që të lehtësohet përdorimi i saj nga studentët e drejtësisë si dhe, nga juristët shqiptarë që punojnë në organet dhe institucionet e ndryshme shtetërore dhe publike.

Në këtë tekst universitar, i gjejmë edhe interpretimet provokuese dhe kritike shkencore të kategorive dhe instituteve komplekse juridike kushtetuese, të përcjella me gjuhën e qartë dhe inspiruese të autorit Prof. Shasivari, që si i tillë, parasegjithash është në funksion të profilimit të juristëve të rinjë që më tepër do të mendojnë dhe debatojnë mbi materien kushtetuese se sa ta memorizojnë atë, duke qenë më kompetent dhe më kreativ në “botën kushtetuese juridike”.

Ky tekst universitar me këtë përmbajtje dhe koncept të lëndës, me vlerat shkencore dhe pedagogjike që i ngërthen në vete, me qasjen e qartë metodologjike si dhe me literaturën relevante profesionale vendase dhe të huaj të referencave nga kjo lëmë juridike, parasegjithash, do t`u shërbejë studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Evropës Jug-Lindore, si tekst themelor për përvetësimin e së Drejtës kushtetuese në kuadër të tri programeve studimore të ciklit të parë: Studime për drejtësi, Studime të kriminalistikës dhe sigurisë si dhe programit studimor unikal në rajon dhe më gjerë: Informatika Juridike, por edhe opinionit më të gjerë për njohjen e së Drejtës kushtetuese si shkencë dhe si degë juridike.

Recensues të këtij teksti universitar janë: Prof. Dr. Visar Morina, profesor ordinar i së drejtës kushtetuese në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në Prishtinë si dhe Prof. Dr. Zemri Elezi, Profesor ordinar i së drejtës kushtetuese në Fakultetin e Shkencave Shoqërore Bashkëkohore të UEJL-së.

Viewing all 618 articles
Browse latest View live


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>